Shkrimtar apo shpërdorues fjale?

Postuar në 27 Gusht, 2015 22:54
Leonard Veizi

Kur më sugjeruan të jepja ndonjë mesazh për ngjarjet e fundit, u çudita ca. Të jap mesazh? E pse? Se je shkrimtar, e fjala jote ka peshë.

Çfarë thua more, kush e peshoi?! Pastaj me çfarë peshoreje se?

Dua të futem drejt e në temë, por më duhet t’i bie ca më gjatë se e kam të vështirë të shkruaj shkurt e t’i them të gjitha me një paragraf. Natyrisht ndihesh i përkëdhelur kur të thonë: je shkrimtar. Edhe pse për ta vlerësuar këtë titull mbi supe, si spaletat e një ushtaraku, apo siç mbrohen gradat “Doktor” e “Profesor”, nuk mblidhet asnjë lloj akademie. Megjithatë ky gradim i rregulluar “pa ligj” është po aq i rëndësishëm sa dhe ata që mbrohen me volume punimesh, në mos më shumë. Ndërkohë, këtë titull me kaq vlerë në botë, kushdo shqiptar mund t’ia atribuojë vetes sapo shkruan librin e parë, duke rendur më pas të krahasohet me Cvajgun, Stendalin, Shekspirin, Balzakun apo edhe ndonjë tjetër të këtyre përmasave. Tek e fundit nuk ka doganë. Kush do t’i kërkojë llogari? Që nga ai çast edhe fjala në gojën e një shkrimtari merr peshë të pabesueshme.

Sygjerimi ndërkohë kishte mbetur pezull.

Deri ku është hapësira ime ku unë mund të tollovitem mes fjalëve dhe të mos cenoj asgjë nga tjetri? Vështirë të vendosësh kufij. Veç në e mbyll gojën fare.

Mblodha supet. Mblodha dhe buzët. Po pse fjala e inxhinierit nën tokë, e mjekut roje nate, apo farmacistit që shet barna poshtë pallatit nuk ka peshë?! Po e një hidrauliku, shoferi taksie apo tekniku lavatriçeje sa vlerë ka? Ka, ka, po shkrimtari është person publik. Fjala e tij qëllon fort, sepse misioni i tij ka peshë. Ndaj hidhu me sulm. Mos e lër rastin të të ikë nga dora. Jep mesazhe. Ca kolegët e tu veç reagojnë. Për çfarë? Për atë që ndodh në Shqipëri. Në Shqipëri çfarë nuk ndodh, të reagosh për të gjitha nuk të mbetet as frymë të marrësh. Po mirë zgjidhe vetë temën, të jetë pikante, sa më shumë pikante. Po mirë, të reagoj për dhunën në familje, apo për numrin e lartë të aborteve. Jo, jo, nuk është kjo tema e ditës... Për prostitucionin atëherë, apo për aksidentet... Jo or jo, s’po e kap fillin fare. Dua të shmangem, por s’më lenë. I bie drejt. Aha... mos është fjala për atë kishën që u shemb. Tani u fute në temë. Për kishën që u rrafshua, ose për ato këngëtaret që u baltosën... Hë, se ti i di më mirë këto gjëra, mos bëj si naiv. Po ka reaguar KOASH, ç’hyj unë në këtë mes... E ç’rëndësi ka. Hidhu dhe ti në sulm, jep një mesazh...

Presioni i madh e ka dhe një të mirë të madhe, të nxjerr në dritë. Përndryshe mund të mos e marrësh iniciativën asnjëherë. Por, të mendohem pak...

Ideja ime e kahershme ka qenë se roli i mesazherit nuk më shkon. Mund ta kem krejt gabim por, në rastin më të mirë do ta rishoh përsëri këtë pozicionim, me nerva më të qeta. Pastaj kam menduar se të marrësh rolin e njeriut që jep mesazhe duhet të kesh këllqe të forta, e që fjala jote të peshojë si qytetar e shkrimtar bashkë duhet punë e gjatë dhe e mundimshme. Pra duhet të jesh dikushi, djalli ta marrë. E meqë na zuri goja një institucion fetar, dua të them se mesazhe ka dhënë Buda, Jezusi e Muhameti. Por dhe Konfuci, Sokrati apo Ciceroni. Nuk di të ketë mbetur ende ndonjë sentencë e pathënë, që ka udhëtuar në kohë për të ardhur deri në vitin 2015 krejt e “virgjër”. Kurse ne jemi vënë në garë kush ta rrëmbejë i pari e të marrë autorësinë.

Aleluja!

Më moralin e përgjithshëm, një shkrimtar (e kam fjalën për atë shkrimtar të sërës që e ka fituar të drejtën të jetë njeri publik) e ka për detyrë të jetë dhe njeri i angazhuar në debatet e së përditshmes. Reagimi i shkrimtarit merr vlerë ndaj fenomeneve të shëmtuara sociale apo politike, por të hyjë në grindje sporadike e humbet peshën. Pra nuk besoj se dëshira e madhe për të reaguar duhet ta kthejë atë në një mekanizëm që bën zhurmë për çdo gjë. Përndryshe mbetesh në kuadrin e një megafoni, apo siç kanë qejf ta quajnë ca të tjerë “portavoçe”. Dhe në vend të mesazhit të shumëpritur s’bën gjë tjetër veç zhurmuesin.

Se ndodh më së shumti që reagimet bëhen thjesht për të qenë në treg, pra për të bërë interesantin. Shembulli i Konicës që grindej me gjithçka ka hyrë në modë. Por Konica nuk e kishte aspak për modë grindjen e tij.

Jo, jo, jo… kjo që po shkruaj do më fusi në bela me shkrimtarët.

...............................................................

Megjithatë s’më rrihet pa i shkuar deri në fund.

Se dua të ngre dhe një pyetje tjetër: a duhet marrë për bazë “gazetaria online”, thënë më qartë statuset në rrjetet sociale tip Facebook apo Twitter. Se ndodh që kryeministri flet nga Twitter-i e të tjerët shkojnë pas berihait. Kur në fakt këto statuse duhen vlerësuar si qëndrime krejtësisht personale, të cilat nuk mund të amplifikohen dhe bëhen publike në mënyrë kaq artificiale.

Vijmë sërish te mesazhet, por te ato që marrin rrugë zyrtare.

Mesazhe jepen çdo ditë. Ato i japin burra shteti e njerëz me influencë në jetën shoqërore. Jo se janë më të mençur se të tjerët, se ata që nuk janë burra shteti dhe që nuk janë kaq influent. Por sepse u jep peshë i gjithë mekanizmi shtetëror e shoqëror bashkë. Mesazhe japin nobelistët, fitues të tjerë çmimesh të mëdha. Por nëse ke bërë një libër e fillon të japësh mesazhe, kjo me sa duket do të thotë se qëllimi parësor nuk është letërsia, por dhënia mend për gjëra që nuk të takojnë. Shkurt, letërsia përdoret si trampolinë.

Sa keq.

Sot kemi të bëjmë me të drejtën e fjalës së lirë, dhe “fjalë e lirë” do të thotë t’i thuash hapur gjërat. Por këtu kemi të bëjmë dhe me përçudnimin e saj më shumë se asnjëherë tjetër. Keqpërdorje. Se këndej dhe andej kufirit të dinjitetit, fjala shket e shkon në skajin më të largët. S’e kap dot më, ta fusësh nën dhëmbë e ta përtypësh.

Shkruaj një status. Jep një mesazh.

Po nuk jam Mesia, more zotëri. A e di çdo të thotë të japësh mesazh? Apo mesazhi përkufizohet si në një sentencë groteske e tipit “jeta është e bukur, jetojeni”. Ka plot shkrimtarë që nuk flasin, vetëm shkruajnë letërsi. Ka plot që japin mesazhe dhe e harrojnë letërsinë. Ka shkrimtarë të përbotshëm që prononcohen për tema të mëdha, por ka dhe shkrimtarë që nuk e kalojnë famën përtej provincës dhe prononcohen për tema lokale.

Patrik Modiano është një shkrimtar nobelist i përkufizuar si “fanatik i heshtjes”. Ai flet duke heshtur. Ose vetëm shkruan. Nobelisti gjerman Gynter Grass zgjodhi të fliste. Në jetëshkrimin pas vdekjes u tha se ai tërhoqi vëmendjen me pozicionime publike, jo vetëm për çështje gjermane, por edhe për çështje botërore.

Vajta larg më duket, po ngatërrohem me nobelistët. Të vdekur e të gjallë atyre u peshon çmimi, fama e fjala.

Po çfarë duhet të bëj unë në Tiranë, në një qytet kaotik me 1001 probleme? Thjesht nuk dua të abuzoj nën emrin: shkrimtar.

 

Leonard Veizi

Comments

Submitted by Shkrimtari, Qytetari (not verified) on

Kulla e Fildishte, edhe nese ka ekzistuar ndonjehere, ka rene me mot e me vakt, Leonard!
Shkrimtari pa qene qytetar, nuk e ben dot shkrimtarin, pra s'eshte dot i tille.

Ose ben te kunderten: duke mos qene qytetar sa me i vetedijshem, dhe sa me i ndershem me Popullin e vete si me Gjuhen e Vete, me Njeriun Boteror si me Esperenacen si gjuhe shprese per dite me te bukura, ai kot rreket te mbahet per shkrimtar...

Se, ti e di, mik i hershem, libra botojne te gjithe, por shkrimtar eshte ai qe shkruan Jetet qe ndodhin perqark tij.

Mos e zi ngoje jeten dhe letersine pa Lirie Fjale; Se paku mos u bej solidar me ate qe e le ne medyshje pergjigjen per pyetjen: Kur behet letersi me e madhe, ne liri apo ne roberi? (!)
Kete medyshje e ofron dikush qe ka pasur mundesine e lirise vetiake, ne shpine te roberise se njerezve qe mbijetonin ne sy te tij, por qe nuk u deshmuan dot ne te shkruarat e tij...

Nese nuk flitet dot, nese sundon censura, eshte tjeter hall, por padyshim duhet folur.
Dhe, duhet folur, duhet dhene mesazh, ne emer te njeriut, jo ne emer te dimrit te vetmise se shkrimtarit mbyllur ne kullen e egos se tij. Kjo po.

dhe, ben mire shume qe troket ne dritare temash te tilla.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.