Absurditeti i koncesionit të check up dhe efekti i tij në shëndetin e qytetarëve

Postuar në 24 Korrik, 2020 23:49
Akademik Genc Sulçebe

 

Partneriteti Publik Privat (PPP), në formën e dhënies në koncesion të një shërbimi publik një operatori privat, është një temë e debatuar gjatë në aspektin ekonomik, politik, financiar etj.

Ky lloj koncesioni mund të justifikohet në ato raste kur investimi është mjaft i madh dhe buxheti i shtetit nuk i ka mundësitë financiare dhe njerëzore t’i mbulojë ato, siç është rasti i ndërtimit të aeroporteve, centraleve energjetike apo rrugëve të mëdha.

Ndryshe qëndron problemi kur koncesioni është në fushën e shëndetit të qytetarëve. Këtu ngrihen shumë pikëpyetje, që kërkojnë një diskutim të gjerë dhe shumëplanësh, në radhë të parë kërkojnë mendimin e ekspertëve të fushës. Shëndeti është një e mirë publike esenciale, për të cilën qytetarët investojnë direkt nëpërmjet sigurimeve shëndetësore. Në radhë të parë shtrohen pyetjet parimore:

A është e drejtë që një shërbim shëndetësor publik t’i jepet një koncesionari privat, i cili do të kujdeset në radhë të parë që shërbimi, të cilin ai jep, t’i kthejë një fitim të garantuar, që do të shkonte në favor të interesit të përgjithshëm nëse shërbimi do të ishte publik?

Së dyti, në koncesionet në shëndetësi, a është investimi kaq i madh sa të mos përballohet nga shteti? Në rastin e koncesionit të laboratorëve spitalore publike, përgjigjja është e qartë që jo, sepse dihet mirë që pajisjet laboratorike nuk kanë vlera të larta dhe në shumicën dërmuese operatori prodhues apo tregtues i një sistemi diagnostikues i jep aparaturat falas në përdorim kur ai ka një masë sinjifikative të xhiros nëpërmjet shitjes së materialeve të konsumit dhe të reagjentëve.

Së treti, koncesioni mund të justifikohet kur nuk ekzistojnë njohuritë ose/dhe kapacitetet njerëzore për të realizuar një shërbim. Në rastin e koncesionit të laboratorëve, as ky kusht nuk ekziston, pasi dihet mirë që në vendin tonë kemi një masë shumë të kualifikuar specialistësh të lartë dhe të mesëm në fushën e Mjekësisë Laboratorike.

Së katërti është dhe argumenti financiar. Deri tani, shteti ka harxhuar më pak se 1 milion euro në vit për laboratorët spitalorë në të gjithë vendin. Parashikohet që shuma që do t’i paguhet koncesionarit çdo vit për analizat e kryera nga ai, mund të shkojë deri në 8-10 milionë euro. A nuk do të ishte më mirë që këtë investim ta realizonte vetë shteti, i cili vetëm duke 3-fishuar apo 4-fishuar shpenzimet e deritanishme vjetore, mund të arrinte një standard dhe gamë analizash të ekzaminimeve laboratorike të njëjtë ose më të lartë sesa koncesioni, duke kursyer pagesën plus të fitimit të koncesionarit?

Një problem tjetër i rëndësishëm në këtë koncesion qëndron në faktin se drejtimi i laboratorëve kalon nga profesionistët e mjekësisë në një operator tregtar shërbimi siç është koncesionari i vetëm, që do ta ketë monopolin për këtë shërbim. Shqetësim i veçantë është këtu garantimi nga ana profesionale i gamës dhe cilësisë së ekzaminimeve laboratorike, që mbulon koncesionari. Në kontratën e tij parashikohet të realizohen 164 lloje ekzaminimesh laboratorike. Por dihet se Mjekësia Laboratorike është shtylla kryesore e diagnostikës mjekësore dhe të paktën 70% e çdo diagnoze realizohet vetëm nëpërmjet ekzaminimeve laboratorike, të cilat rriten në mënyrë të vazhdueshme në kohë, si në numër, ashtu dhe në kompleksitetin e tyre.

Spitalet e sotme në botë kanë në listat e tyre më tepër se 1000 lloje të ndryshme ekzaminimesh laboratorike diagnostikuese. Sipas kontratës se koncesionit, koncesionari mund t’i shtojë çdo vit vetëm 5 ekzaminime të reja listës prej 164 lloje ekzaminimesh që ai duhet të kryejë. Pra, atij do t’i duheshin 100 vjet për t’iu afruar nevojave reale të një spitali modern për këto ekzaminime.

Një problem tjetër i rëndësishëm është fakti se i gjithë personeli mjekësor laboratorik do të jetë nën varësinë e plotë të koncesionarit dhe nuk do të ketë më asnjë mundësi aktiviteti jashtë interesit të tij.

Shqetësim të veçantë përbëjnë këtu Shërbimet Universitare Laboratorike, të cilat janë qendrat e vetme në vend ku mund të kryhet aktivitet shkencor dhe zhvillues në dobi të pacientëve dhe formimit të mjekëve të rinj. Këtu ka dhe shërbime unike për të gjithë vendin, si për shembull Shërbimi i Imunologjisë, i cili kryen ekzaminime të specializuara për realizimin e transplanteve, diagnozën e sëmundjeve të gjakut, reumatizmit, sistemit imunitar etj., ekzaminime të cilat nuk kryhen në asnjë laborator tjetër publik apo privat në vend. Në listën zyrtare të tij, ky shërbim përfshin 74 lloje të ndryshme ekzaminimesh imunologjike. Nga këto, vetëm 11 ekzaminime janë në listën e koncesionit dhe i gjithë personeli, si dhe të gjithë asetet e tjera të Shërbimit të Imunologjisë, duhet të shkojnë vetëm në funksion të këtyre 11 analizave, duke lënë jashtë ekzaminime të tjera imunologjike të domosdoshme për pacientët në nevojë.

Shtrohet pyetja, kush do t’i realizojë këto ekzaminime që nuk janë në listën e koncesionit dhe që janë të domosdoshme për pacientët? Nëse koncesionari do të fuste, sipas kontratës, 5 ekzaminime të reja çdo vit, do të duheshin 15 vjet për të realizuar gamën minimale të ekzaminimeve imunologjike të nevojshme për pacientët.

Një aspekt i rëndësishëm i aktivitetit të Shërbimeve Universitare është ai kërkimor dhe edukues. Shkenca mjekësore laboratorike është në evolucion e dinamikë të vazhdueshme dhe çdo vit në botë dalin ekzaminime të reja diagnostuese, ndërkohë që analiza të tjera vjetërsohen dhe bëhen shpesh të panevojshme. Nëse i gjithë personeli i shërbimit vihet në vartësi ekskluzive të koncesionarit për vetëm ato analiza që mbulon ai siç parashikon kontrata, atëherë nga kush dhe si do të realizohet aktiviteti kërkimor, zhvillues dhe edukues, që janë aspekte të rëndësishme të Shërbimeve Universitare?

Është për të ardhur keq që një shërbim i specializuar unikal si Shërbimi Universitar i Imunologjisë duhet të spostohet nga një hapësirë prej 350 metra katrorësh, ku ai e ushtron aktualisht aktivitetin, në më pak se 40 metra katrorë që i vë në dispozicion koncesionari. Sigurisht që këtu nuk mund të flitet më për kushte aktiviteti normal dhe aq më tepër për akreditim apo certifikim aktiviteti. Pra, për autoritetet vendimmarrëse, është më e rëndësishme zbatimi i kontratës koncesionare sesa interesi i shëndetit të qytetarëve.

Rëndësia e mbështetjes së fortë të laboratorëve publikë diagnostikues dhe kërkimorë doli në pah së fundmi në pandeminë aktuale nga COVID-19. Shtetet që kishin një sistem publik mjekësor të fuqishëm dhe të mbështetur mirë si, p.sh. Gjermania, Vendet Nordike, Japonia apo Kina, patën një reagim të shpejtë dhe efikas ndaj pandemisë. Vende të tjera, edhe pse të fuqishme, si p.sh, SHBA, por që e kishin lënë deri diku pas dore mbështetjen e sistemit publik shëndetësor në favor të atij privat, reaguan në mënyrë të vonuar dhe të ngadalshme ndaj pandemisë. Edhe në Shqipëri, nëse sistemi laboratorik publik nuk do të ishte i bllokuar nga procesi i koncesionit privat, realizimi i testimeve virale apo dhe i ekzaminimeve të ndryshme laboratorike do të ishte shtrirë më gjerë në territor duke ndikuar pa dyshim në kontrollin më të mirë epidemiologjik të infeksionit.

Panorama 

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Ky diskutim nuk vlen, kur dihet qe keto koncensione jane thjeshte skema korrupsioni. Duke e diskutuar ne planin e eficenses, vecse sa legjitimohet.

Submitted by Soni (not verified) on

Ketu ka vetem korrupsion te paster,gjithe zinxhiri qe ka dhen koncesione ne shendetesi duhet te shkojne para drejtesise.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.