Rikthehet në skenë komisioni i përçarësve
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/2015/07/31/3499_gjekmarkaj.jpg?itok=7EYOHa8Y)
Lindita Nikollën, ministren tonë të Arsimit, në vazhdimësi e kam ndjekur me simpati në rritje për disa gjëra të thjeshta që ia ka dalë t’ia transmetojë publikut. Ajo nuk të lë shijen se është e dërguara e Zotit mbi tokë, por një njeri normal që ecën me këmbë për tokë. Flet thjeshtë dhe pa gjeste miklimi ndaj kamerave. Fjalimet e saj nuk janë struktura mërzie pafund ku fjalët e çudshme të shpojnë timpanin e veshit. S’ka mundur të bëjë gjëra të mëdha, por ka filluar të bëjë disa gjëra. Nuk ka atë vështrimin e tejzgjatur e zhbirues si për të thënë “nuk e shihni, u roitëm për ju, punojmë si xhindër ditë e natë që t’ju nxjerrim në selamet more qafira e ju ankoheni”. Të qenët mirditorë, pse jo edhe katolikë, me frymëmarrjen e bashkëkohësisë kisha menduar se do t’ia ulnin pehashin e spikamës ideologjike. Me duket se në këtë pikë ia kam futur kot. Kam menduar kështu se këto dy realitete identitare, një zonë dhe një religjion më shumë se kushdo tjetër në Shqipëri, kanë qenë objekt i dhunës, persekutimit dhe propagandës komuniste. Gjuha dhe kultura e tyre, po aq shkrimtarët e tyre e ç’mos kurrkush! Shqipëria ka nevojë kudo e gjithmonë për të vërtetën, por pse jo ajo duhet të trokasë më së shumti aty ku është cenuar më rëndë. Persekutimi nuk ka qenë vetëm ushtarak e politik, por edhe kulturor. Nuk dua të them se jugu jetoi në parajsë dhe veriorët në ferr, por për rezistencën e organizuar që veriu i bëri regjimit të ri pasojat mbi të qenë më të rënda. Propaganda përligjte persekutimin dhe atë e kanë bërë njerëz të caktuar me emër e mbiemër. Mund t’i quajmë me butësi pseudoelita e vendit, që të mos rëndojmë terminologjinë. Ata shërbyen si instrumente të përçarjes jug-veri, duke e ndarë Shqipërinë në veri “reaksionar” dhe jugun “përparimtar”, duke legjitimuar luftën e klasave me qellim te vetëm pushtetin. Kjo politikë “origjinale” Kosovën e anashkalonte si diçka inekzistente. Një i vepruar kësodore sistemin kulturor e gjymtoi dhe e denatyroi me shpikjen letërsi “përparimtare” me Naimin, Çajupin apo Nolin e një tjetër “reaksionare”, të mohuar e detraktuar me Fishtën, Harapin, Koliqin, Shantojën, Prendushin, Camajn, Pipën, Haxhiaademin e përgjysmë me Poradecin e Kutelin e shumë të tjerë. Mjedën e lejonin si “kundërvënie” të Fishtës, të shoqëruar me një aparat të gjatë “transkriptimi” nga kritika e realizmit socialist, ndërsa Migjenin e shkretë nicean, i pakundshoq, e trajtuan si pionier të dalluar e paralajmërues me “diellin alegorik” të “kohës së ndritur”. Fillonin si gjepura e përfundonin në krime, burgosje e vrasje shkrimtarësh. Mjafton të përmendim Xhagjikën, Blloshmin. Leken apo Havzi Nelën. Dëshmitë dhe ekspertizat u vinin nga kolegët e letrave që tashme janë gjallë e të ngeshëm për të bërë sugjerime. Një gjë e pazakontë, e panatyrshme për kulturat e tjera, thellësisht e poshtër dhe antikombëtare për ne. Një kundërvënie amorale e shkrimtarëve të mëdhenj toskë ndaj atyre gegë, a thua se i madhi Naim Frashëri ishte autori i romanit “Nëna” dhe Çajupi i atij “Si u kalit çeliku”, farkëtarë të realizmit socialist!? Ata ishin kolona të Rilindjes Kombëtare, që punuan për bashkim, atëherë kur zotëronte përçarja dhe nuk mund të përdoren si tupan i ndasive sot. Të ngjan se një parti po i persekutuaka e një tjetër po u jepka vendin e duhur! Marrëzira! Një triumf imagjinar, që mendje të sëmura me ideologji marksiste përvijojnë në xhanin e tyre, mbushur me nostalgji për Enver Hoxhen dhe Ramiz Alinë. Asnjë prej këtyre autorëve nuk ka votuar Edi Ramën dhe Sali Berishën, madje patën vdekur para se të mbretëronte Enveri. Asnjë komision nuk zhbën e bën dot. Nuk kanë nevojë për promovim. Ministrja duhet ta dijë se, veç propagandës së zëshme dje, sic mbahet mend, ky akt propagandistik konsumohej me tekstet e shkollës, të cilat ishin mbushur fund e krye me dokrra. Edhe atëherë, siç dihet, tekstet i bënin njerëzit, pra ato nuk bëheshin vetiu, të cilët asokohe së paku justifikoheshin se mbronin vijën e partisë. Po tani cilën vijë mbrojtkan? Disa prej atyre njerëzve, duke sfiduar ligjësitë e moralitetit që kanë bërë ato tekste, janë thirrur në komisionin që propozon literaturat e këshillueshme për shkollat shqiptare. Ata shërojnë plagët si xherahër të duruar, duke zhbërë punën e paraardhësve të paudhë!Si anëtarë komisioni, duke e bërë copë e çikë etikën, u kanë propozuar studentëve shqiptarë librat e vet dhe botimet e tri- katër shtëpive botuese duke respektuar veten dhe bërë një megaqokë, që të lë shijen e një gjëje jo fort të pastër për miqtë. Librat e rekomanduar në shumicën e tyre janë për Çajupin dhe Naimin. Të kuptohemi, ata patjetër duhet të jenë, por ata s’kanë munguar kurrë dhe si të tillë s’kanë pse pushtojnë pothuaj krejt gjeografinë e letrave. Ndërkohë, të munguarit vazhdojnë të mungojnë. Fishta reduktohet maksimalisht, Mjeda boll më, përjashtohet krejt po ashtu Koliqi, Harapi, Shantoja, Zadeja, Pali, Dracini, Camaj, Pipa, Shkreli, Pashku, Pllumi, Repishti etj. Në ka një libër antropologjik, i cili në asnjë rrethanë nuk mund të krahasohet me të tjerë për dobinë e tij rrënimtare dhe për të njëjtën magji, është ai i At Zef Pllumit “Rrrno vetëm për me tregue”, i cili flet mijëra herë më bukur e ndershmërisht se të gjitha “veprat” e komisionerëve të marrë së bashku, qoftë për letërsinë, se për historinë po e po. Nëse ministresha për këtë do të pyeste shefin e vet se ç’mendim ka, do më jepte të drejtë. Komisioni e ka gjymtuar panteonin e letrave shqipe dy herë. Së pari mënyrën si e ka konceptuar listën dhe, së dyti, duke lënë jashtë saj të mohuarit e regjimit komunist. Por komisioni mendon se po kryen një shërbim ideologjik duke e përjashtuar Pllumin se na helmon rininë! Pa pikën e turpit në lëmin e albanologjisë lihet jashtë libri më i mirë i shkruar ndonjëherë për heroin tonë kombëtar, ai i Aurel Plasarit “Skënderbeu, një histori politike” dhe zëvendësohet me një tjetër Skënderbe, të një amatori vullnetmirë në këso punësh. Xhelozi akademikësh pa vepër për autorin e shumë veprave themeltare në kulturën tonë. Pse marrëdhënien e Salierit me Moxartin ta vuajnë djemtë e vajzat e Shqipërisë!? Ministrja Nikolla ka ndërtuar një komision krejt ideologjik, i cili ka nxjerrë një produkt po të tillë, antikulturor e përçarës sikur të ishim në vitin 1970. Kanë nostalgji e di, por jo kaq zemërgjerë me nostalgjikët, se e keqja ka fuqi prapavepruese, thotë një filozof. Lexojeni atë listë “antishindler”, zonja ministre, për të kuptuar më thellë e më qartë se puna e tij është një fyerje për kulturën shqiptare. Kultura është një sistem i hapur, që nuk e pranon përjashtimin. Kanë dështuar gjithmonë e kudo përjashtuesit. Shumë më tepër të qëllimshmit, domethënë ideologjiket. Vetvetiu tendenca dhe “realitete” të tilla të sajuara do të rrëzohen, megjithëse ngrihen me paratë e taksapaguesve shqiptarë. Këtë punë e bëjnë lexuesit, të cilët do të kujtojnë me çudi se kjo gjë u bë në kohën e Lindita Nikollës, të parët e së cilës nuk e kaluan Shkumbinin me divizionin e parë sulmues për të “dërrmuar reaksionin në veri”.
"Panorama"
Comments
Ne fakt percares eshte
<p>Ne fakt percares eshte shkrimi juaj i nderuar zoteri.Tani e kuptoj edhe me mire se perse jane kryer krime nga Sali Berisha ne Vlore,Fier,Berat,Gjirokaster,Sarande e Permet ne vitin 1997-te.Ishte hakmarrja ndaj Komunisteve te Jugut.Edhe ndaj atyre qe ne vitin 1997-te ishin 10 vjec.M.q.s e ke permendur disa here fjalen Jug dhe Veri.Nje keshille per ju ne Veri te Shkumbinit nga ne perparimtaret e Jugut.Paguani energjine elektrike sepse i beni nder vehtes.</p>
Une jam i Shqiperise se
<p>Une jam i Shqiperise se mesme, por kam pershtypjen qe ti nuk e ke kuptuar thelbin e shkrimit qe ishte pertej perdorimit te veri dhe jug. Shkrimi ka te beje me perjashtimin dhe censuren, por duket qe analfabet funksionale lexojne e pak kuptojne.</p>
Add new comment