Të shëndoshësh arsyen apo rrëmbesh pretekstin?!

Postuar në 27 Shkurt, 2014 04:45
Aleksandër Çipa

Pse demokratët e nisën opozitën agresive shumë më herët se socialistët kur ishin në vendin e tyre në 2005 apo në 2009?!

Kjo është një ndër pyetjet që gjenerohet prej vëzhguesve më të ftohtë të raporteve pozitë-opozitë në skenën e sotme politike. Nuk kanë kaluar pesë muaj dhe demokratët e kryesuar zyrtarisht prej kryetarit-kryebashkiak zoti Basha dhe të frymëzuar prej kryetarit historik të tyre, deputeti Berisha, po profilohen si opozita që lehtësisht i ekspozon të gjitha armët opozitare, duke kërcënuar energjikisht, pa përshkallëzim, tashmë edhe me bojkot.

Një energji që u shfaq qysh në momentin e parë për të “rrëmbyer frytin” e protestave kundër sjelljes së armëve kimike siriane. Madje për t’i shfrytëzuar ato për kapital politik, por që u ndërpre refuzueshëm nga vetë të rinjtë. Pas debatit për ligjin për nëpunësin civil, opozita luajti fort për refuzimin e çdo tentative të shumicës së re. Ajo e çoi atë (falë edhe mirëkuptimit me organet e larta kushtetuese) në vendimmarrje të Gjykatës Kushtetuese, duke e imponuar qeverinë të mos fitojë rastin e përdorimit të mundësisë për të “vënë të vetët” në administratën publike. Ligji në fjalë ishte miratuar pa vullnetin dhe madje edhe refuzimin e ish-opozitës së djeshme, sot shumicë, por ky fakt tashmë është zhvleftësuar.

Kontestimi opozitar vijon fuqishëm edhe në raste të tjera ndryshimesh, përfshi edhe kryeinspektoren e ILDKP-së, e cila u largua me votim shumice nga detyra. Beteja mes shumicës së re dhe opozitës, ka një produkt përplasjesh edhe brenda institucioneve kushtetuese. Si kurrë ndonjëherë më parë, Presidenti i Republikës polemizon me shumicën e re qoftë për emërimet në diplomaci, qoftë edhe për KLD-në. Sikundër kurrë më parë, KLD polemizon dhe refuzon propozimet e ministrit të Drejtësisë. Në njëfarë kuptimi, duket sikur demokracia institucionale po shfaqet më funksionale (!) Mirëpo siç komenton avokat Ngjela, (opozitari më natyral i vendit sot): “pjesa natyrale e shtetit ende zotërohet nga influenca dhe bindshmëria ndaj ish-kryeministrit”. Në këtë kontekst përmes pozicionit të deputetit, ish-kryeministri i larguar nga pushteti pas tetë vjetësh, pra zoti Berisha, është politikani influent dhe polemik si në pik të karrierës së vet. Ndonëse është vetëm në pjesën e fundme, pra në epilog të saj.

Mirëpo zbehtësia numerike e opozitës në Parlament nuk korrespondon e tillë me aktivizimin dhe luftën politike e propagandistike që bën në realitet dhe në jetën publike. Opozita po ringre strategjinë e kërcënimit me konflikt dhe agravim politik, duke mirëmenduar shfrytëzimin e arsyeve dhe rrethanave ekstrapolitike, siç është kriza sociale që dimensionohet për shkak të krizës ekonomike dhe financiare. Për këtë arsye, opozita, falë talentit të lidershipit të vjetër të saj në këtë linjë, po rishfaq armën e populizmit. Mishërim i këtij përdorimi është paralajmërimi me krenari i “fatit grek të kryeministrit Rama”, ashtu edhe sulmet e parathëna me greva e protesta apo edhe rebelime të cilësuara pa kurrfarë kompleksi prej ish-kryeministrit, deri në paralajmërimin “ekspres” të bojkotit parlamentar e më gjerë.

Në këtë ngutje, opozita e zotit Basha e dirigjuar pa kamuflazh prej zotit Berisha, po na fut në marsin e një temperature të lartë politike. Madje pa e menduar fare se kjo ngutje dhe humbja e sensit të kohës për përdorimin e përshkallëzuar të mjeteve të luftës dhe rezistencës opozitare mund të sjellë kosto të mosbesueshmërisë publike edhe për vetë opozitën. Në këto kushte, zotit Basha si protagonist zyrtar dhe përgjegjës dhe, pashmangshmërisht edhe zotit Berisha, si frymëzues dhe imponues aksioni, u duhen sjellë në vëmendje fakti se: ndërsa është folur në emër të qeverisë dhe qeverisjes tetë vjet rresht, nuk mund të flitet menjëherë pas katër muajsh, në emër të popullit.

Humbja e sensit të kohës dhe e këtij realizmi politik, së pari provokon inteligjencën e publikut dhe të qytetarëve, si dhe mbars pakënaqësinë e popullit ndaj kastës politike. Bojkoti dhe konflikti politik kësaj here nuk mund të kapërcejnë përgjegjësinë e administratorëve para dhe gjatë krizës ekonomike e financiare. Kjo krizë është evidente në të gjithë dimensionin e parë dhe të fundmë të saj. Keqpërdorimi i efektit dhe i pasojës së saj nuk mund të ndëshkojë më qytetarët, por partitë dhe beneficet e qeverisësve në kohë të tanishme dhe afërsisht të shkuar. Degradimi i qeverisjes nuk mund të interpretohet dhe as devijohet si degradim i shtetit. Ky kumt nuk është më as në dorë të zotit Berisha, as në mëshirë të zotit Rama e as në varësi të zotit Meta. Nga ky këndvështrim, reagimi në kohë i protagonistëve sjell pashmangshmërisht stabilizim të funksionimit të demokracisë dhe shtetit ligjor. Për askënd nuk ka hapësirë abuzimi dhe për luajtje keq të rolit. Shumica aktuale i ka mundësitë që refuzimet kapriçioze dhe me interes personal të opozitarit Berisha, t’i ndajë nga e drejta opozitare për ekuilibër dhe balancë institucionale. Vetë opozita nuk ka mundësinë ta realizojë këtë. Sikundër beteja për triumf mbi pandëshkueshmërinë e trashëguar të dëshmohet si fryt institucionesh dhe jo nisma dhe patetikë politiko-qeverisëse. Shumica në qeverisje më mirë do të duhej t’u kërkonte këmbëngulshëm rezultat institucioneve të kontrollit shtetëror, akuzës dhe gjyqësorit, se sa të konsumojë, së pari politikisht, akuza e pretenca të cilat zhveftësohen për të qenë procese dhe dosje të futura në gjykim.

Politizimi i mundit dhe preokupimit qeverisës është një mënyrë që vetëndëshkon shumicën dhe qeverinë dhe favorizon opozitën dhe ankesën e saj me gjithë vokalin. Kjo opozitë deri tani e ka të pamjaftueshëm argumentin dhe justifikimin për bojkot. Në çdo orë dhe ditë duket ngutja dhe disponimi i saj për të shtuar peshën specifike të justifikimit. Shumica zgjuarsisht duhet të mos ia japë këtë “ndihmë” qoftë edhe kur opozita ngutet të flasë në emër të popullit, pa arritur kohën e zhvleftësimit të kujtesës për qeverisjen e para pesë muajve të saj.

"Shqip"

Comments

Submitted by Liza Sh. (not verified) on

E pra, vetem Shqiperi i njeh te tilla fenomene perverse. Nje gazetar qe ngrihet kunder opozites dhe ben hesape foshnjarake per te "kuptuar" gjoja pse ajo vihet te protestoje!

Submitted by Ahmet Sharra (not verified) on

Lize,

E keqja e Shqiperise eshte se bujkroberit jane ngritur gjithnje ne mbrojtje te beut. Mjafton t'u hedhesh nje cope qepe qe ta hane. Mjerisht.

Submitted by Enea Sulko (not verified) on

Eshte detyre e shtypit demokratik te ngjalle shpirtin e protestes, ndersa shtypi fshatar shqiptar ben thirrje per te ulur qafen!

Submitted by Stefan H (not verified) on

Ne te vertete artikulli eshte ne perkrahje te opozites e cila duhet te shendoshe arsyen sic e thote dhe Cipa. Sepse  deri tani  i bie legenit. Dhe opozita presupozon nje alternative tjeter qeverisjeje, por jo 5 muaj pasi ke sunduar 8 vjet. Ne vend te demostrimit rrugeve te jape me argumente qendrimet e saj. Sepse deri tani ajo qe thote opozita " nuk jam dakord dhe nuk ju le te qeverisni" . Puna eshte se demokracia nuk presupozon nxitjen e luftes civile me 5000 kamikaze te cilet PD i ka te gatshem.

Add new comment

Plain text

• No HTML tags allowed.
• Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
• Lines and paragraphs break automatically.