Qemal Lame bën libër, në vend që të heshtë
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/2015/07/31/5904_libri_1.jpg?itok=p0zjyxOC)
Ilir Hashorva
Në studimet që po bëj për jetën dhe veprimtarinë e Simon Vizentalit, për të cilin po shkruaj biografinë, të këtij njeriu që nuk i ndërroi kurrë pikëpamjet e tij, të këtij njeriu idealist që për 60 vjet ndoqi, kapi dhe çoi para drejtësisë mbi njëmijë kriminelë nazistë, ndesha në këtë episod: “Mbaj mend shumë mirë, – thotë Simoni – një fytyrë të zbehtë që dilte si nëpër mjegull në sfondin e errët të një dritareje të vogël të papafingos së një shtëpie. Gjyshja më thoshte se ai ishte, ai, mëkatari, ‘i heshturi’, emër me të cilin njihej nga të gjithë.
“Një ditë, ‘i heshturi’ ishte grindur me gruan dhe e kishte nëmur, duke i thënë: ‘U djegsh!’ Në mbrëmje shtëpia e tyre kishte marrë flakë dhe gruaja e tij u dogj vërtet. Burri, ndonëse nuk kishte fare dorë në atë që ndodhi, e ndjeu veten fajtor dhe shkoi të këshillohej me rabinin e qytetit për të bërë diçka që të shlyente ‘fajin’, pasi, për hebrenjtë, faji shlyhet, nuk falet. Rabini i dha urdhër: ‘Për sa kohë të jesh në këtë jetë, të mos nxjerrësh fjalë nga goja, vetëm lutu dhe kërko ndjesë’. Që prej asaj dite, ai do të jetonte në atë dhomë të papafingos, pa dalë jashtë, pa folur me njeri, pa takuar njerëz, por me të drejtën të dilte në dritare dhe prej aty të shihte dhe të lidhej me botën. Dy herë në ditë ‘të heshturit’ i çoheshin ushqime në dhomën e tij.
“Prej vitesh Simoni ndjente një të rrëqethur, sa herë kujtonte ‘mëkatarin e heshtur’ që shfaqej pas dritares së errët, por, njëkohësisht, ndjente edhe urtësinë e shpagesës së të keqes: të gjithë mëkatarët, e çfarëdo lloji, ashtu siç kishte urdhëruar rabini, për burrin që kishte mëkatuar duke nëmur gruan, nuk duhej të flisnin më, nuk duhej të nxirrnin më zë, duhej të heshtnin për jetë! Nga ajo ngjarje, Simoni do të formonte edhe konceptet e para për fajin dhe ndëshkimin, për pendesën dhe faljen. Për të, faji nuk mund të falej prej tjetrit, falja duhej fituar prej vetë mëkatarit dhe faji gjithnjë duhej ndëshkuar”. Me rastin e 20 shkurtit, ditës së rrëzimit të monumentit të Enver Hoxhës, dolën lloj-lloj njerëzish të flitnin e ta kujtonin atë ngjarje. Secili, sipas karakterit të tij, sipas pozicionit të tij, vinte në dukje një gjë apo një tjetër, me qëllim jo aq për të përkujtuar apo sqaruar atë ngjarje, protagonistët e së cilës ende edhe sot janë anonimë, por për të treguar ndonjë “zotësi” të vetën, ndonjë “kontribut” që mendon se ka dhënë, duke goditur dikë që dje e kishte mik e sot armik: dolën komunistë e socialistë që goditnin Ramizin e dolën antikomunistë e demokratë që goditnin Saliun. Ndërmjet të shumtëve, përshtypje të veçantë më lanë kujtimet e Qemal Lames, i cili i ka hedhur ato në një libër që e quan “Kur shembeshin themelet”. Deri vonë kemi ditur se ose Ramiz Alia, ose Hekuran Isai, kishin meritën që kishin urdhëruar të mos qëllohesh mbi ata që do të dilnin në shesh për të rrëzuar monumentin, tashti mësojmë se nuk paskësh qenë as njëri, as tjetri, as të dy së bashku, por paskësh qenë Qemal Lamja. Siç thotë në libër dhe siç citohet nga “Gazeta Shqiptare” e datës 20 shkurt, 2014, në një bisedë që ka zhvilluar me Hekuran Isain, ky i paskësh thënë Qemalit: “Pritet të zhvillohet demonstratë e madhe. Demonstruesit, të drejtuar nga Partia Demokratike, do të kërkojnë të pushtojnë ndërtesat qendrore, Komitetin Qendror, Këshillin e Ministrave, Presidiumin e Kuvendit Popullor etj. Duan që të rrëzojnë edhe monumentin e Enver Hoxhës në sheshin qendror, para Muzeut Kombëtar. Udhëheqja ka mendim që “të veprohet me forcë deri edhe me përdorimin e armëve”. Dhe Qemali Lamja i paskësh thënë Hekuranit: “Jo! Jo! Jo! Në asnjë mënyrë! Nuk duhet të përdoren armët. Kemi për detyrë të mbrojmë popullin. Në asnjë rrethanë dhe për asnjë arsye nuk mund të qëllohet mbi popullin. Të qëllosh mbi popullin është tradhti e lartë ndaj atdheut. Për mendimin tim, mos bëj gabim të urdhërosh të qëllohet mbi popullin. Ramizi do ta mbajë me çdo kusht pushtetin. Nuk ke përse të sakrifikohesh dhe të përdoresh për qëndrimet e tij personale dhe emocionale”. Në fund të bisedës, Hekuran Isai e ka falënderuar Qemalin që i hapi sytë dhe e largoi nga mëkati: “Ke të drejtë, Qemal, – më tha. – Të faleminderit! Nuk do të urdhëroj përdorimin e armëve. Nuk është e lehtë të kundërshtosh, por do ta kundërshtoj urdhrin, në rast se më jepet nga Ramizi… Hekuranin e besova për shqetësimin që kishte. Ai konsultohej dhe më kërkonte mendim në raste të veçanta”. Sipas vëllait të tij, Qemal Lamja është bërë i famshëm, sepse i paska dërguar një dosje Enver Hoxhës, pak vite para se Enveri të vdiste, me fakte dhe dokumente për implikimin e Ramiz Alisë në veprimtari agjenturore. Që në atë moment, thotë vëllai i tij, marrëdhëniet midis Ramizit dhe Qemalit u bënë konfliktuale. Megjithatë, Ramizi e mbajti atë në detyrën e kryehetuesit deri në vitin 1992, vit kur Qemali u largua nga Shqipëria, shkoi në Gjermani dhe aty kërkoi dhe mori strehim politik. Deri kur njerëz të tillë si Qemal Lamja, kryehetues i Shqipërisë diktatoriale nga viti 1981-1992, drejtuesi i institucionit më kriminal, i institucionit më të urryer të një vendi si Shqipëria e asaj kohe, i institucionit që ka kryer torturat më të tmerrshme e më çnjerëzore ndaj kundërshtarëve të regjimit, por edhe ndaj popullit të thjeshtë, pasues i denjë i kryehetuesit kriminel e sadist Nevzat Haznedari, i diplomuar nga Shkolla e Lartë e Ministrisë së Punëve të Brendshme, domethënë nga shkolla e Sigurimit, do të dalin e do të shkruajnë për historinë, me qëllim evidentimin e vetes dhe përkrahjes së ndonjërit që e kanë mik, apo goditjes së ndonjë tjetri që nuk e kanë më mik? Qemal Lamja, në qoftë se do që të japë ndonjë kontribut vërtet me vlerë për historinë tonë, e të shlyejë sado pak mëkatet e tij, duhet të flasë dhe të shkruajë me një ndjenjë pendese të thellë e të sinqertë, për ato që ka kryer ai vetë dhe institucioni i tij, të tregojë se si funksiononte institucioni i tij që për nga puna e kryer ka qenë i ngjashëm vetëm me inkuizicionin spanjoll të mesjetës. Qemal Lamja, për nga detyra që ka pasur dhe ka kryer, ka qenë më i ngarkuar me faje edhe se kryeprokurori i zi Aranit Çela, pasi pretencat që jepte ky i fundit i bazonte në informacionet që merrte nga Qemal Lamja.
Kanë kaluar vetëm 23 vjet nga dita e rrëzimit të monumentit të Enver Hoxhës. Një pjesë e mirë e njerëzve të asaj kohe e dinë mirë se si u zhvilluan ngjarjet e asaj dite dhe e të gjitha ditëve që paraprinë atë ngjarje dhe nuk është nevoja që t’ua tregojë Qemal Lamja, apo të tjerë të ngjashëm me të. Historia jonë është bërë një grumbull gënjeshtrash të cilave nuk u zë besë kërkush. Çdo sharlatan e çdo i pacipë shkruan si ia do interesi i çastit dhe prandaj nuk dimë me saktësi jo vetëm për ngjarje apo persona relativisht të largët, por nuk dimë as për ngjarje e persona fare të afërt. Është e habitshme se si njerëzve si Qemal Lamja nuk u vjen zor t’i flasin popullit, këtij populli që i kanë bërë njëmijë e një të zeza, e t’i thonë se kanë qenë ata, personat të cilëve populli duhet t’u jetë mirënjohës. Njerëz si Qemal Lamja duhet të heshtin, të heshtin për gjithnjë, ashtu si ai, mëkatari, i “heshturi” i papafingos së Simon Vizentalit.
"Mapo"
Comments
Shkrim me ide të thella, të

Shkrim me ide të thella, të thjeshta, të qarta dhe domethenese për kontekstin shqiptar!

Përgëzime autorit!

Une personalisht sot e morra

Une personalisht sot e morra vesh kush eshte ky Qemal Lame dhe po ta shihja librin e tij as qe do me shkonte ndermend ta blija apo ta lexoja. Por me reklamen i behet nga ky artikull, sidoqe reklama eshte negative, mu ngjall deshira per ta lexuar. Sepse ky Lamja ka qene nje nepunes i makines shteterore dhe ne nje post qe di shume gjera interesante, dhe eshte budallellek te pretendohet se tagrin per te folur na e paska Harshova, sikur nuk i pame ata qe gjasme sollen demokracine se cfare i sollen Shqiperise. Paravolite me hebreun nuk kane asnje lloj vlere, mekatet e regjimit nuk i ka ne shpine nje njeri si puna e Lames. Ne mos do ishte Lamja ne ate post, nje person tjeter do te ishte.

Nje shkrim i sinqert, i

Nje shkrim i sinqert, i mrekullueshem. Per ironi te fatit, kriminelet nazist largoheshin nga Gjermania dhe fshiheshin diku neper bote, kur sot, kriminelet komunist gjejne streh ne vendet demokratike dhe prej andej perhapin deformime skandaloze te te vertetave historike.

Mes te tjerash autori i

Mes te tjerash autori i shkrimit ngre nje problem qe ka te beje me karakterin e z. Qemal Lame. Autori shprehet se Qemali eshte genjeshtar. Kush e ka njohur Qemal Lamen ne pune e di shume mire qe eshte genjeshtare dhe i pasinqert. Serivil i Hekuran Isait dhe i cdo personi qe kishte me shume pushtet se vete Qemali.

Mungesa e karkterit eshte tipari qe i shikohej nga larg.

oooo artikullshkrues, ja ke

oooo artikullshkrues, ja ke bere shume mire spjegimet ketij njeriu qelbanik, pse si pune e tij jane shumica derrmuese sot qe shesin pordhe, jo degjonim kenge fshehurazi, jo prisha automatikun, jo po i rrethova kopshtin priftit e tjera malukatlleqe qe ndyjne historie e Shqiperise duke e kthyer Shqiperine ne landfieldin me te madh ne bote per te hedhur zhgorriqet e tyre. Bile edhe Kadareja pyeste si padashur Agollin qe a e kujtonete Driteroi kur keta dy trima flsinin kunder e terci e verci, Tanjocka kishte mbetur shtatzane me komshine.

kam nja dy dite qe pij kafe

kam nja dy dite qe pij kafe dhe lexoja tek tuk te panorama per kete librin! Eshte gallate kur librave i pergjigjen me artikuj (si pune traktesh) I gjithe botimi permblidhej ne aludime kush mund te ishte plurarizmi i parapregaitur dhe cfare i kishte thene djali atik teveqelit te presidiumit!!! Hashorva duhet ti behej jehone librit per "007 Shqiptare" dhe kaq eshte e mjaftushme...

S duhet te flase Lame, nuk
S duhet te flase Lame, nuk duhen hapur dosjet, nuk na duhet e verteta, se mos po n alivanosen spiunet pleq dhe bijte e tyre.
Ky eshte arsyetimi? Verifikoni vertetesine e pohimeve te Lames por mos gjykoni nese ai mund te flase apo jo sot, pse kjo eshte antidemokratike po aq sa zgjidhja e atij rabinit te historise.
Add new comment