Suficiti buxhetor, rrugët dhe ekonomia

Postuar në 24 Shkurt, 2014 17:41
Eduard Zaloshnja

Treguesit fiskalë sipas buxhetit të konsoliduar, të publikuar nga Ministria e Financave, tregojnë se, në janarin e këtij viti, shteti shqiptar pati një suficit buxhetor prej rreth 23 milion dollarësh, ndërkohë që ishte parashikuar një deficit prej rreth 17 milion dollarësh. Pra, në total, thesarit të shtetit i mbeti një tepricë rreth 40 milion dollarëshe, krahasuar me parashikimin.

Gjë e mirë kjo, apo jo? Jo domosdoshmërisht...

Suficitet buxhetore janë pozitive, kur vijnë si rezultat i rritjes së të ardhurave, ndërkohë që shpenzimet kryen sipas planifikimit buxhetor. Por kjo nuk është gjëja që ka ndodhur me buxhetin e shtetit shqiptar në janar. Përkundarazi, teprica 40-milion dollarëshe (krahasuar me parashikimin), ka ardhur kryesisht nga moskryerja e shpenzimeve. Sepse të ardhurat e tejkaluan parashikimin buxhetor me vetëm 5.5 milion dollarë.

Ndër shpenzimet e pakryera, peshën kryesore (rreth 20 milion dollarë) e zunë investimet kapitale dhe shpenzimet për mirëmbajte. Dhe këto janë shpenzime që japin efektin më të shpejtë në punësim dhe në kërkesën konsumatore, sepse janë me mijra punëtorët që punojnë drejtëpërdrejt ose tërthorazi në objektet që ndërton apo mirëmban shteti. Gjithashtu, këto shpenzime buxhetore kanë edhe një efekt psikologjik në kërkesën konsumatore, sepse i japin publikut sinjalin që ngërçi i krijuar në ndërtimin e veprave të mëdha publike po tejkalohet – pra, që motori ekonomik po i rimerr xhirot e veta.

Për të kuptuar se pse shpenzimet kapitale nuk u kryen në janar sipas parashikimit, kontaktova me Autoritetin Rrugor Shqiptar, i cili ka pjesën e luanit në këto shpenzime. Sipas infomacionit që mora, për vitin 2014, janë planifikuar të kryen rreth 230 milion dollarë investime në sistemin rrugor (me financim të brendshëm e të huaj). Këto investime do të shkojnë kryesisht për vazhdimin dhe përmirësimin e segmenteve të papërfunduara nga qeveria e mëparshme, si segmenti Tiranë-Elbasan, Levan-Tepelenë, Durrës-Rrogozhinë, Lushnjë-Berat-Çorovodë, Lin-Pogradec, Kukës-Morinë, Qukës-Qafë Plloçë, Unaza e Madhe e Tiranës, etj., si dhe për disa segmente të vogla të reja.

Sipas Autoritetit Rrugor Shqiptar, arsyeja se pse nuk u realizuan investimet e parashikuara në janar, ishte ngërçi ende i pazgjidhur me ndërtuesit e rrugëve, të cilët nuk kanë marrë pagesat për punimet e kryera para qershorit të 2013-ës, si dhe me problemet e pagesave të TVSH-së e disa probleme teknike që pati autostrada Tiranë-Elbasan, për efekt inaugurimi para zgjedhjeve të 23 qershorit.

Me miratimin nga qeveria të strategjisë së likuidimit të detyrimeve të prapambetura (me vendim të datës 21 shkurt) dhe me zgjidhjen e problemeve me kontraktorët e autostradës Tiranë-Elbasan, sipas Autoritetit Rrugor Shqiptar, do të fillojnë punimet në të gjitha segmentet e parashikuara. Ndërsa për segmentin Levan-Tepelenë, do të bëhet një ndryshim i projektit të bypass-it të Tepelenës, për të kursyer rreth 25 milion dollarë. Me aprovimin e këtij ndryshimi nga qeveria, do të fillojnë punimet edhe rrotull Tepelenës, ndërkohë që vazhdojnë në segmentin Damës-Tepelenë.

Dhe në fakt. dita e hënë dha një provë verifikuese fillestare të këtij shpiegimi të Autoritetit Rrugor Shqiptar – trafiku në autostradën Tiranë-Elbasan u bllokua të hënën, për shkak të asfaltimeve plotësuese në disa segmente të saj. Ndërkohë, FMN-ja do të miratojë këtë jave këstin e parë 100 milionë dollarë për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura. Dhe mbetet kështu të shihet se sa shpejt do të fillojë puna në segmente të tjerë rrugorë të vendit.

Duke hedhur një vështrim më të gjerë, përtej rrugëve, duket se injeksioni më i fortë fiskal këtë vit do të jenë 660 milion dollarët e parashikuara për investime kapitale dhe 350 milionë dollarët e parashikuara për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura ndaj biznesit. Së bashku, përbëjnë një injeksion prej më se 1 milard dollarësh për ekonominë e ngadalësuar shqiptare! Në qoftë se ky injeksion kryehet shpejt dhe i plotë, ka gjasa që të materializohet rritja ekonomike prej 2.1%, parashikuar nga Banka Botërore. Përndryshe, në vend të rritjes, mund të kemi një tkurrrje prej 2.1%...

Comments

Submitted by keno kotorri (not verified) on

Per sa kohe qe quhen pune konferencat e pa fundme per punen qe duhet bere detyrimisht ndryshe dhe  me te ardhur nga OJQ..... qe skane punuar kure zor se do filloj te shihet ndonje rezultat.

Per derisa e ben sefte me regullime zyrash kur jane vecse qiraxhinj e jo pronare "pashket jane larg"

Jemi ne muajin e gjashte dhe sipas zakonit amerikan duhet te shajne veten e tyre, dmth Saliu e hodhi lumin....

Submitted by reformer (not verified) on

ajo qe nuk kuptohet zakonisht eshte se investimet shteterore jane pershpejtuesi dhe dinamoja qe ve ne levizje gjithe motorin e ekonomise.ndonese investimet private, te marra te gjitha sebashku,  jane shume here me te medha, ato behen nga investitore te vecuar. po ti marrim vec e vec, del se investitori me i madh dhe me i fuqishem eshte vete shteti. kur shteti nuk investon, eshte sikur lojtari me i madh te heqe dore nga loja. por eshte ai qe udheheq lojen dhe i fton te gjithe te tjeret te luajne. ndoshta kjo nuk eshte edhe aq e qarte per qeverine.

Submitted by ed (not verified) on

Ka një NQS të madhe fare te fjalia e parafundit, "Në qoftë se ky injeksion kryehet shpejt dhe i plotë". Janë gjithato para që do të shpërndahen sipas miqësive e klientelizmave prandaj ka mundësi të zgjasë ca edhe dhënia e tenderave edhe fillimi i punëve, edhe shlyerja e borxheve.

Add new comment

Plain text

• No HTML tags allowed.
• Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
• Lines and paragraphs break automatically.