Siria toksike dhe luftëtarët shqiptarë

Postuar në 12 Shkurt, 2014 05:40
Besnik Sinani

Siria e sotme ta kujton Afganistanin dhe xhihadistët janë vetëm një nga ndërlidhësit e kësaj kujtese. Treguar thjesht e shkurt, në Afganistan Amerika, Arabia Saudite e Pakistani u lidhën në një koalicion kundër asaj që ata e panë si përpjekje e Bashkimit Sovjetik për t’u shtrirë drejt ujërave të ngrohta.

Muxhahedinë nga gjithë bota u mblodhën, u motivuan e u dërguan të luftojnë në Luftën e Shenjtë kundra komunizmit. Arabia Saudite dha lekë – shumë lekë – dhe ndihmoi në rekrutimin e vullnetarëve nga të gjitha vendet arabe. Amerika dha armë, shumë armë, për të cilat më vonë pagoi edhe para që t’i blinte prapë, dhe me këto armë i fuqizoi luftëtarët më eficentë: fanatikë fetarë dhe familjet që operonin me biznesin e opiumit. Amerika dha edhe një dorë në shtimin e zellit fetar. Universiteti i Alabamës i shtypte tekstet e matematikës për gjeneratën e ardhshme të muxhahedinëve në medresetë në kufirin afgano-pakistanez – për talebanët e ardhshëm. Matematika e universiteteve amerikane u sillej talebanëve të ardhshëm në këtë mënyrë: Nëse sheh 10 ushtarë, qafirë, komunistë rus dhe vret 6 ushtarë, qafirë, komunistë rusë, atëherë sa ushtarë, qafirë, komunistë rus mbeten? Pakistani siguroi logjistikën dhe, duke fuqizuar familjet që operonin me opium, po përgatiste që vendi të kthehej në vendin me përdorim më të lartë heroine dhe që po copëtohej në luftë me grupe radikale që ishin dikur klientë.

Ka një aspekt të rëndësishëm të teatrit afgan që shpesh harrohet. Teksa lufta në Afganistan pati një agjendë globale – kundër sovjetikëve – ajo pati edhe një agjendë lokale. Pak vite përpara fillimit të luftës në Afganistan, një klerik shiit ishte kthyer nga azili politik në Francë për t'u bërë kreu i Republikës Islamike të Iranit, Ruhullah Homeini. Rrëzimi i familjes mbretërore të Iranit jo vetëm që sillte modele revolucionare në një rajon të sunduar nga monarki, por sillte edhe një regjim militant shiitësh në një rajon sunitësh. Duke rrëzuar familjen mbretërore të Iranit, Homeini kishte rrëzuar edhe një nga shtyllat e politikës amerikane në Lindjen e Mesme. Një nga qëllimet e luftës në Afganistan nga ana e SHBA-ve dhe Arabisë Saudite, sipas Mahmud Mamdanit nga Universiteti “Columbia” në SHBA, ishte izolimi i mëtejshëm Iranit, duke e rrethuar me vende armiqësore ndaj regjimit të Iranit. Ajo që ndodhi më tej është histori.

Sot Rusia e Irani, nga njëra anë, dhe Arabia Saudite e SHBA po luftojnë njëri-tjetrin në Siri. Regjimi i Asadit është i vetmi aleat i Rusisë dhe i Iranit në botën arabe, si dhe vendi i vetëm në rajon që nuk është pjesë e politikës amerikane në Lindjen e Mesme. Ashtu si në të shkuarën, në këtë betejë midis Arabisë Saudite e SHBA-së nga një anë dhe Rusisë e Iranit në anën tjetër, muxhahedinët po përdoren përsëri si ushtarët e betejave të të mëdhenjve.

Por, pasi SHBA-ja kërcënoi të përdorte forcë ushtarake e pasi deklaroi që regjimi i Asadit duhet të rrëzohej, tashmë ka deklaruar se nuk ka zgjidhje ushtarake të konfliktit. Nuk ka nivel brutaliteti që i bën rusët ta rimendojnë mbështetjen për një regjim që i bën diktatorët e tjerë të rajonit të duken pëllumba paqeje dhe Rusia do të bëjë gjithçka që t’i mbrojë interesat dhe investimet e veta në Siri. Por, Siria nuk është Afganistani, një vend i izoluar, i copëtuar dhe në periferi të vëmendjes botërore. Siria është një nga vendet më të rëndësishme në botën arabe dhe shkatërrimi i saj do ketë pasoja shumë më serioze. Shkatërrimi i shoqërisë siriane është shkatërrimi i një prej shoqërive më të edukuara e më të emancipuara të botës arabe, e cila ka prodhuar kulturë e mendim që është reflektuar në të gjitha vendet e rajonit.

Ka, ndërkaq mjaftueshëm, tregues që paraqitja e kësaj lufte si luftë sektare shia-suni nuk është një pamje reale e luftës në Siri. Vrasja e Sheh Butit, një prej klerikëve më të njohur sunit prej xhihadistëve ishte ndoshta një prej treguesve më të qartë. E, megjithatë, përdorimi i militantëve shiit të Hezbullahut dhe prezenca e gardës republikane iraniane në krah të regjimit të Asadit, e shtyn vendin më tej drejtë ngritjes së barrierave sektare. Në këtë pikë të ngrirjes së kësaj lufte brutale, me refugjatë të shpërndarë në kampe në vendet përreth e me vendet e interesuara që vazhdojnë të hedhin mjaftueshëm benzinë për ta mbajtur flakën e luftës ndezur, Siria është bërë një vend tejet toksik për të gjithë botën e do të vazhdojë ta radikalizojë rajonin. 

Konflikti sirian erdhi në vëmendjen e publikut shqiptar pas propozimit që Shqipëria të përdorej për t’i shkatërruar armët kimike të Sirisë, propozim që u pasua me protesta të publikut. Njëkohësisht konflikti sirian ka ardhur në vëmendjen e publikut shqiptar, kryesisht, por jo vetëm në Kosovë, për shkak të shqiptarëve që kanë shkuar të luftojnë kundër regjimit të Asadit. Disa prej tyre janë kthyer e kanë dhënë dhe intervista, disa janë vrarë, e disa të tjerë kanë postuar video në YouTube ku kanë bërë thirrje që të tjerë luftëtarë t’u bashkohen. 

Eksperienca nga e kaluara ka treguar që shumë – edhe pse jo të gjithë – pjesëmarrësit në betejat e xhihadit të kohëve moderne, të cilët janë kthyer në vendet nga janë nisur, kanë përqafuar një lloj aktivizmi fetar, që ka sjellë tensione në vendet e tyre, si dhe brenda në bashkësitë fetare që u përkasin. Më tej Kosova e Shqipëria janë shqetësuar për imazhin që luftëtarë shqiptarë në Siri krijojnë në Perëndim për Shqipërinë dhe Kosovën. Në vazhdën e këtyre shqetësimeve është propozuar, ndër të tjera, që të hiqet shtetësia e atyre kosovarëve që kanë shkuar të luftojnë në Siri.

Promovuesit e kësaj ideje nuk janë përpjekur ta argumentojnë bazën juridike të një propozimi të tillë. Cili ligj është shkelur nga këta qytetarë të Kosovës që justifikon heqjen e të drejtave të tyre qytetare?

Por, propozimi nuk është pa precedent. Arabia Saudite ia hoqi pasaportën dhe shtetësinë Osama bin Ladenit. Nuk po sugjeroj që luftëtarët shqiptarë në Siri janë “Bin Laden,” por meqenëse grupet me të cilat janë raportuar se janë bashkangjitur disa nga shqiptarët konsiderohen si aleatë të Al Kaidas, kushdo që të jetë realiteti individual i atyre që kanë shkuar të luftojnë në Siri, do të analizohen nga organizatat e sigurisë kombëtare dhe ndërkombëtare nën optikën e terrorizmit. 

Në fakt, edhe Arabia Saudite mori një hap të tillë pasi Bin Ladeni deklaroi se po luftonte kundër shtetit saudit. SHBA-të, në të kundërtën, nuk ua kanë hequr shtetësinë as luftëtarëve amerikanë që kanë luftuar në krah të Al Kaidas kundër vetë shtetit amerikan. Për më tepër, heqja e pasaportës ndaj Bin Ladenit nuk e eliminoi problemin as për vetë Arabinë Saudite, kundër së cilës Bin Ladeni luftoi për vite, sidomos midis viteve 2003-2009, kur të gjithë analistët shënojnë se Mbretëria Saudite e fitoi luftën kundër Al Kaidës. 

Përpjekja e Halil Matoshit të paraqesë pjesëmarrjen në beteja të kosovarëve si tradhti kombëtare nuk mbështetet nga precedentët ndërkombëtarë e nuk do të gjente mbështetje në asnjë gjykatë me respekt minimal për veten. Heqja e qytetarisë është një propozim makiazhi – për të treguar një imazh të caktuar të Kosovës para Perëndimit, por nuk ofron zgjidhje për asnjë problem potencial që lidhet me shqiptarët që po luftojnë në Kosovë.

Atëherë, si mund të adresohet një problem potencial si ai i kthimit të luftëtarëve një ditë nga lufta në Siri apo ai i mundësisë së vajtjes së shqiptarëve të tjerë?

Diskursi identitar si ai Matoshit nuk ofron në fakt asgjë. Së pari, nga aspekti ligjor rastet gjykohen individualisht. Kjo ka qenë qasja e vendeve demokratike në Perëndim. Gjithashtu, jo të gjithë shqiptarët që kanë shkuar në Siri janë raste të njëjta. Dihet rasti i një shqiptari të vrarë në Siri që kishte vite që jetonte, ishte martuar e i kishin lindur fëmijët atje. Ai u vra duke luftuar për vendin e tij të adoptuar dhe rasti i tij nuk përkon me narrativën e udhëtimit xhihadist. Secili rast duhet shqyrtuar individualisht.

Por, ka dhe një qasje tjetër, që e kanë përdorur bashkësitë myslimane. Para disa ditësh disa media në Kosovë dhe Shqipëri sollën një video të paraqitur vetëm si videoja e Lavdrimit, një luftëtari shqiptar në Siri. Mediat ishin përqendruar në deklaratën e Lavdrimit se dëshironte t’ia priste kokën një gjenerali të paspecifikuar amerikan. Por, kjo nuk qe pjesa më interesante e këtij fjalimi të Lavdërimit. Thelbi dhe motivi mbrapa fjalimit të Lavdërimit është të përgjigjet ndaj një fushate propagande të ngritur nga hoxhallarë kudo në botë, përfshi në Shqipëri dhe Kosovë. Kjo fushatë paraqet ‘Shtetin e Irakut dhe Sirisë’ – emri i formacionit kryesor xhihadist – si një grup gjakatar që shkel parimet e fesë. Ky grup paraqitet si injorantë në parimet e fesë dhe larg pretendimit se janë atje për të mbrojtur popullsinë e Sirisë. Ata paraqiten si luftëtarët të një lufte vëllavrasëse.

Gazeta si The New York Times kanë raportuar se vende të Lindjes së Mesme, si Arabia Saudite, po përdorin në këtë fushatë ish-luftëtarë që janë zhgënjyer kur kanë parë brutalitetin e luftëtarëve të ‘Shtetit të Irakut dhe Sirisë.’ Këto debate janë duke u bërë edhe në shqip:

Kjo është arsyeja pse pjesa dërrmuese e fjalës së Lavdrimit është e mbushur me akuza për ‘hoxhallarë munafikë (hipokritë)’, të cilët rrinë ‘e shijojnë jetën e familjet e tyre’ teksa luanët – si Lavdrimi – po derdhin gjakun. Fjalimi i Lavrimit është pikërisht në këtë kontekst, ku hoxhallarë nga tërë bota, përfshi edhe shqiptarët, janë angazhuar në një fushatë kundër ushtrisë së ‘Shtetit të Irakut dhe Sirisë’, gjë që shkurajon mobilizimin dhe rekrutimin e ushtarëve të tjerë.

Në statusin ne FB të një hoxhe shqiptar lexojmë: "I bëj thirrje çdo vëllai shqiptar që ndodhet në radhët e Shtetit Islam të Irakut dhe Shamit që të largohet dhe ta thyejë armën e tij përpara se ta takojë Zotin e tij me gjak të marrë padrejtësisht. Këtë mendim e kam thënë prej kohësh, sot thjeshtë po e shpreh publikisht në fb. Vëllezërit e mi shqiptar që ndodheni në radhët e atij shteti a njihni me emër dhe mbiemër dhe historik kreun e panjohur dhe fantazëm të këtij shteti? A e keni takuar ndonjëherë? A është shfaqur ndonjëherë në mesin tuaj me fytyrë të pambuluar me ndonjë fjalim ku të zbulonte edhe qëllimet dhe programin e këtij shteti? Nëse nuk e ka bërë, atëherë ju lutem sinqerisht mos shkoni pas një njeriu fantazëm, në një shtet fantazëm me program fantazëm, që mos ta takoni Zotin tuaj dhe mbi ju të rëndojë gjaku i pafajshëm i muslimanëve sirianë!"

Fjalimi i Lavdrimit drejtohej kundër kësaj fushate. Bashkësitë muslimane të shqiptarëve janë drejtpërsëdrejti të interesuara të shkurajojnë vajtjen shqiptarëve për të luftuar në Siri dhe ata janë pjesë e një fushate deligjitimi kundër brigadave si ajo e Lavdrimit. Ashtu si pasoi përdorimi gjeopolitik i zellit fetar në Afganistan, me konsekuenca që janë prezente gjer më sot, ashtu dhe lufta në Siri do ketë rezonancë për vitet që do vijnë, përfshirë edhe në nxitjen e radikalizmit brenda muslimanëve. Ashtu si dikur në Afganistan zelli fetar që përdorej në këtë përballje mes SHBA-ve dhe Arabisë Saudite, në një anë, e Rusisë e Iranit, në anën tjetër. 

Ata të rinj shqiptarë që kanë shkuar të luftojnë në Siri janë vetëm se ingranazhe në këtë përplasje gjeopolitike dhe, ashtu si luftëtarët e dikurshëm në Afganistan, kjo gjeneratë e re luftëtarësh do përballen me ndjekjen e shërbimeve të sigurisë kudo në botë dhe me antagonizmin e vetë bashkësive nga janë nisur.

Nga revista "Shenja"

http://shenja.mk/index.php/opinion-analize/8432-siria-toksike-dhe-luftet...

Comments

Submitted by ina (not verified) on

<p><span style="font-family: sans-serif;">&quot;Matematika e universiteteve amerikane u sillej talebanëve të ardhshëm në këtë mënyrë: Nëse sheh 10 ushtarë, qafirë, komunistë rus dhe vret 6 ushtarë, qafirë, komunistë rusë, atëherë sa ushtarë, qafirë, komunistë rus mbeten?&quot; -- interesante te verehet si eshte influencuar perkrahja e gjere e myslimaneve per te djathtet nga historia ne Afganistan, apo me mire si jane manipuluar myslimanet per te mbeshtetur te djathten. per te ardhur keq gjithsesi qe nuk e kuptuan dhe akoma nuk e kuptojne si e djathta i ka shrytezuar gjithmone konfliktet fetare per interesat e saj: politika e djathte sot ne Europe e ne Amerike eshte vetem se nje shembull i qarte i ketyre zhvillimeve.&nbsp;</span></p>

Submitted by Arnaut (not verified) on

<p>Bravo Sinani per kete shkrim te qarte e te kthjellet. Me vjen keq per ata shqiptare qe kane shkuar ne Siri me nijetin e paster por kane rene pre e lojerave gjeopolitike te Saudeve, Iranit etj.</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.