"Bomba atomike", batutat Ahmedinexhad-Chavez

Postuar në 10 Janar, 2012 09:13

Takimi mes presidentin iranian Mahmud Ahmadinexhad dhe homologut të  tij Hugo Chavez nuk zhgënjeu  pritshmëritë për spektakël. Në një takim të ngrohtë në Caracas, të dy liderët kanë shkëmbyer përqafime dhe shtrëngime të shoqëruara me të qeshura dhe batuta në lidhje me bombën atomike dhe raketat iraniane që do të shënjestrojnë Washingtonin.

Presidenti Venezuelës bëri humor me gazetarët, ndërsa u tha se një bombë atomike ishte gati për të shpërthyer nga kodra përballë pallatit presidencial të Miraflores. "Kjo kodër do hapet dhe do të lëshojë një bombë të madhe bërthamore"- tha Chavez. "Zëdhënësit e imperialistëve pretendojnë se me Ahmadinexhad do zhytemi  tani në bodrumin e Miraflores me qëllim që të nisim raketa kundër Washingtonit"- vijoi më tej Chavez .

Ahmadinexhad tha se nëse ata janë duke ndërtuar së bashku ndonjë bombë, "lënda e asaj bombe është dashuria". Chavez shtoi  se ata do të përdorin armët "kundër varfërisë, urisë dhe prapambetjes".

Turneu në Amerikën Latine për udhëheqësin iranian ofron mundësinë për të hedhur bazat për marrëveshje të reja ekonomike që përfaqësojnë një valvul sigurie për ekonominë e vendit të mbytur nga sanksionet e tani dhe nga inflacioni marramendës e dobësimi i monedhës vendase, rialit. 

Teherani sheh tek Amerika e Jugut  një mjet për të anashkaluar dhe për të zhvlerësuar  sanksionet e reja për eksportin e naftës që komuniteti ndërkombëtar duket i gatshëm t'i  imponojë për shkak të programit të tij bërthamor. "Pavarësisht nga njerëzit arrogant (në Perëndim), ne gjithmonë do të jemi të bashkuar"- thanë liderat.  

Irani dhe Venezuela, të dy anëtarë të OPEC (Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës), kanë formuar lidhje të rëndësishme të bashkëpunimit në dekadën e fundit e së bashku kanë kritikuar dhe zgjedhjet e politikës ndërkombëtare.

 

 

Delina Bitraku

 

Albanian Screen

Comments

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.