U zbut Serbia?
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/2015/07/31/8921_serbia_map.gif?itok=EkVFd90J)
“Me Serbinë gjërat s’janë kurrë të kollajshme.” Kështu shkruan gazetarja kroate Adelina Marini në shkrimin “Zbutja e Serbisë” në EUinside. Raportimi i zgjeruar dhe mjaft i pasur në informacion, shfaq një Serbi të pekuluar si foshnjë e rënë nga qielli e të trajtuar si një vezë politike të cilën forcat e ndryshme politike në BE-në nobeliste të Paqes, ruhen se mos e thyejnë thjesht duke shqiptuar fjalën e gabuar. Përfaqësuesi sllovak në Parlamentin Evropian kërkon progresin e Serbisë në BE, sepse përndryshe mund të “rishpaloset nacionalizmi serb”; ai grek kërkon që Serbisë “duhet t’i dëshmojmë mirëkuptimin tonë dhe t’i ofrojmë mbështetje”; ai bullgar se Serbia “nuk duhet shtyrë më fort se duhet, dhe se me të duhet të jemi fleksibël”; vetë gazetarja e artikullit flet për “suksese gjigante” në ndryshimin e kulturës së Serbisë (“sido që ende të thyeshme”?) dhe me empati e sheh si “të dhimbshme” alternativën serbe për të rikthyer sytë brenda vetes dhe për reflektim. Ajo shton se “BE nuk duhet të humbasë shansin që të mbështesë Serbinë që të kapërcejë problemet e veta psikologjike e politike pas marrëveshjes së saj të fundit me Kosovën.”
Sikur të mos e dija se kudo më sipër bëhej fjalë për Serbinë, do mendoja se diskutohet për një vend që ka përjetuar mbi kurrizin e vet luftërat e padrejta të fqinjëve dhe Europës, që sot ndihen thellësisht fajtorë për këtë, dhe ofrojnë ndihmë e kuptim që të venë në vend dëmin moral e material të kryer ndaj Serbisë.
Po flitet shpesh së fundmi për “zbutje” të nacionalizmit serb. Por çdo gazetar ballkanas apo evropian që e përmend shprehjen, ndien njëkohësisht edhe skepticizëm për sa i sinqertë apo masiv është ky paqëtim. Me plot të drejtë kjo, do thoja, dhe jo vetëm se era e qyteteve të djegura nga ushtria serbe është ende e freskët në kujtesë! Gazetari dëshiron të jetë në pozitë progresive dhe si i tillë beson se bota përparon, e bashkë me të edhe mentaliteti kolektiv në Serbi, ndaj nuk mund t’i hedhë poshtë shenjat pozitive që lëshohen si fishekziarre të rralla, shpesh të pështjelluara, nga hapësira institucionale e Serbisë. Nga ana tjetër, historizmi dhe të tjera fakte që vijnë direkt nga rruga, ia mbysin entuziazmin gazetarit të mjerë. E përditshmja gjermane Süddeutsche Zeitung me mosbesim bënte thirrje “për të mos u nxituar për fillimin e negociatave me Serbinë pas marrëveshjes me Kosovën, dhe për të pritur për implementimin e saj”. Me sa duket, institucionet evropiane, ca nga halli e ca nga qejfi, prijnë në të parët rozë të këtij realiteti.
Më 31 dhjetor Respublica.al njoftonte se hapja në Beograd e një ekspozite për krimet ndaj një familjeje shqiptare të njohur si “Masakra e Podujevës”, u konsiderua kthesë e madhe e Serbisë. Dhe, në fakt, po të shohësh se në ç’kushte shtetrrethimi u hap ekspozita, e kupton edhe më mirë këtë. Faqja online “In Serbia” në shkrimin “Protestë kundër ekspozitës kushtuar viktimave shqiptare në qendër të Beogradit” raporton se, jo vetëm që rrugët përqark ishin rrethuar nga policia para dhe gjatë kohës që ekspozita qe e hapur, por edhe krerët e disa organizatave të djathta që mund të shkaktonin rrëmujë apo ta ndiznin më tej protestën, qenë “thirrur për pyetje” dhe siguruar në polici para hapjes së ekspozitës. Veç frikës që Europa duket të ketë nga Serbia, ka edhe një frikë më të madhe që Serbia zyrtare ka nga Serbia e rrugës, nga ata “qytetarë të revoltuar” që sulmuan kryeministrin Daçiç pas marrëveshjes me Thaçin; frikë dhe bindje se votat janë mbi gjithçka. Anëtarja hollandeze e Parlamentit Evropian Marije Cornelissen flet për prezencë masive grupesh huliganësh në Serbi. Ajo, sipas Marinit, shton se “qeveria nuk e kontrollon violencën në Serbi dhe se këto grupe janë tepër të fuqishme dhe agresive”.
Problemi është se “Serbia e rrugës” apo ajo e huliganëve është shumë më e gjerë sesa turma 100-personëshe që ish mbledhur të protestonte në Beograd, kundër qoftë edhe idesë së pranimit të konceptit “viktima shqiptare”, kur flitej për një familje shqiptare nga e cila u vranë 14 persona, 7 prej të cilëve fëmijë me njërin vetëm dy vjeç. Mungesa e një vije të qartë ndarëse mes Serbisë institucionale dhe asaj të rrugës vërehet mirë në fotot e bëra me këtë rast ku turma dhe policët që “e kontrollojnë” turmën, janë në një komunikim miqësor mes tyre, dhe solidariteti nën uniformë është i dukshëm. Nëse huliganët (sidomos po t’u referohesh me këtë emër) janë të papranueshëm si për Europën ashtu edhe për qytetarët serbë, ideologjinë mitike në bazë të sloganit “Kosova është Serbi” pjesa dërrmuese e popullsisë serbe e ndan për bukuri me ta; madje janë të lumtur që e ndajnë, se aty bashkimi i tyre merr edhe bekimin hyjnor të patriarkut Irinej, bekimin zyrtar të qeverisë, dhe atë kulturor tradicional të Serbisë etnike. Një Serbi që ende ka këtë stad të zhvillimit dhe hapjes kulturore të popullsisë së vet, jo vetëm që është larg çfarëdo lloj ideali evropian, por vazhdon të mbetet një rrezik gjeopolitik për Ballkanin vetë.
Pikërisht për këtë arsye, “zbutja e Serbisë” duhet parë gjithnjë me kujdes, sido që çdo hap pozitiv duhet përgëzuar. Nëse Europa ngre në qiell çdo hap qoftë edhe jo-shënjues të Serbisë, dhe kërkon prej saj (me frikë se mos nxehen masat serbe dhe i kthehen Rusisë apo rinisin luftëra) vetëm një “normalizim të marrëdhënieve me Kosovën” dhe jo njohje të saj, nuk shoh arsye përse shqiptarët, fjalavjen, duhet të jenë po kaq entuziastë. Titulli i minilajmit në Respublica më 31 dhjetor thoshte: “A. Vuçiç hedh hapin e pabesueshëm: shteti serb ka kryer krime monstruoze dhe ka fajësuar shqiptarët”. Në fakt, po të gjesh origjinalin, të del që shqiptarët, në kontekstin real të zëvendës kryeministrit serb Vuçiç, s’janë aspak të rëndësishëm, por qeveritë e shkuara të Serbisë (ato imoralet) janë qendra e sulmit të tij. Në një farë mënyre ai bën sevap, dhe i zë me gojë edhe shqiptarët aty. Ndaj s’ka gjë “të pabesueshme” në hapin e Vuçiç-it. Ky, vetëm në fund të tetorit, protestoi kundër thënies së Erdoganit se “Kosova është Turqi…”, jo për arsye tjetër, veç se kështu Erdogan na paskësh “poshtëruar Serbinë”. Gazetari shqiptar kur sheh se komuniteti i tij nëpërkëmbet, nuk ka arsye të shohë ëndrra të bukura, por duhet të raportojë me vision të plotë dhe analizë të nevojshme kritike. Vuçiç është po ashtu ai që, pas marrëveshjes së fundit mes dy kryeministrave, u tha serbëve në televizionin RTS me sa pati fuqi se Serbia nuk e njeh Kosovën, dhe se marrëveshja është “e mirë” sepse me të “çizmja shqiptare nuk do të jetë më në Kosovën e Veriut”. Për çfarë çizme e ka fjalën Vuçiç, kur dihet se shqiptarëve të gjithë Kosovës (dhe jo veç veriut), u është bërë qafa më e trashë se sholla e çdo çizmeje, nga dhjetëvjeçarët e qëndrimit nën çizmen e shtetit serb? Së paku duhet të sigurohemi që manipulimi që politikanët serbë u bëjnë qytetarëve të vet, të mos magjepsë edhe ata shqiptarë, sidomos gazetarët.
Po ashtu, vizita e kryeministrit serb në ekspozitën e familjes së masakruar kosovare Bogujevci përmendur më lart, kremtohet me lavde në shtyp. Pa dyshim që Daçiç bën një hap që duhet përmendur, sido që shtyrë nga pragmatizmi i pastër për të hapur dyert e Europës e pa asnjë erë ndjese reale për të shkuarën. Por, ndërsa bëjnë këtë, duhet edhe të analizojnë kuptimin e asaj që Daçiç thotë në po atë vizitë, përballë katër fëmijëve të mbetur gjallë nga Bogujevcët. Balkan Insight raporton se Daçiç thotë: “nuk është e drejtë të flasim këtu për krimet “e tyre” apo “tonat”; viktimat janë viktima; kam sugjeruar se monumente duhen ngritur si në Beograd ashtu edhe në Prishtinë për të dy palët, viktimat serbe dhe ato shqiptare; të gjithë ata që kryen krime gjatë konfliktit të Kosovës duhet të dalin para drejtësisë…”. Vëreni, jo vetëm se si mizoritë e “palëve” barazohen në cilësi e sasi dhe si lidhjet shkak-pasojë humbasin në proces, por edhe radhitjen që Daçiç u bën palëve që kryen krime, si dhe viktimave. Për mua personalisht, nëse kjo është sa ke për të thënë, më mirë mos shko fare të nderosh viktimat e familjes Bogujevci. Unë, po të isha motra e një gruaje, një burri a një fëmije të vrarë nga grupi i Akrepave serbë bashkë me 13 pjesëtarë të tjerë të familjes sime, në atë çast do të të kërkoja të dilje nga salla e ekspozitës. Fatosi, Saranda, Jehona, Lirija dhe Genci nuk e bënë këtë për mirësjellje dhe si akt politik në emër të një të ardhmeje më paqësore. Por së paku gazetarët duhet të mos e linin pa komentuar meskinitetin politik të Daçiç-it. Që të bëhet drejtësia shoqërore, Serbia duhet të mbajë (dhe të ndiejë thellësisht) fajin madhor për masakrimin masiv jo veç të shqiptarëve, por edhe kombësive të tjera në Ballkane. Dhe të thuash në këtë pikë se krimet janë të barabarta, është shenjë se në nacionalizmin serb ende s’ka ndryshuar gjë.
Serbët janë fqinjët tanë, dhe me ta duhet të gjejmë rrugë e mënyra komunikimi paqësor. Të gjithë duhet të hapemi e të shohim kritikshëm veten, serbët së pari, e të gjithë pas tyre. Unë kam miq të mirë serbë, ashtu siç njoh edhe serbë me diploma universitare e pasuniversitare që kanë urrejtje kafshërore ndaj shqiptarëve. Por rruga e përmirësimit të marrëdhënieve mes nesh nuk kërkon që të ngremë në qiell çfarë është gjysmake dhe e papastër, e të mos kritikojmë përparimin në Serbi nëse është gënjeshtar. Përkundrazi! Në fakt, për këtë arsye, gazetari i një sistemi demokratik për fat nuk është (e nuk duhet të jetë) politikan, dhe duhet të ketë lirinë (dhe mbrojtjen)e nevojshme që të thotë pa frikë çfarë sheh e kupton. Unë çmoj plot grupe në Ballkan (Shqipëri, Serbi, Kroaci, Greqi) që janë mëndjehapur dhe i kanë dhënë dërrmën nacionalizmave dhe miteve, aq shkatërrues sot për zonën. Është fat që F. Lubonja e të tjerë nuk jepen kur vjen fjala për kritikën dhe ndëshkimin e krimit kryer nga shqiptarët kundër serbëve në Kosovë a gjetkë. Fakti që atij i bien në qafë duke e quajtur “Ljubomir”, “të shitur tek serbët” etj, ka fare pak rëndësi, sepse çdo qytetar i ndërgjegjshëm i Ballkaneve që do që ky rajon të përparojë, duhet të bënte po këtë. Serbia mund e duhet të jetë në krye të reflektimit vetëkritik.
Nga ana tjetër, aluzionet për barazi mes krimeve të shtetit serb dhe atyre kryer nga popujt apo institucionet e tjera në ish-Jugoslavi, janë padrejtësi sociale. Ashtu siç është padrejtësi sociale, të bësh sikur nuk sheh falsitetin e kërkesës së një faljeje gjysmake nga ana e Serbisë sot, shembëllsuar qartë edhe në flip-flopet pa fund të presidentit serb Nikoliç nëse Serbia ka kryer ose jo genocid në Srebrenicë (shih Marinin më lart për këtë). Më 5 janar, njofton Respublica.al, ministri i jashtëm serb Mrkiç tha se, nëse rruga për në Europë sakrifikon Kosovën, atëherë “falemnderit, por ne duam Kosovën”.
Një Serbi demokratike është e çmuar për Ballkanet, por të bësh sikur e ke të tillë, pa e pasur, është hipokrizi që s’i bën nder kujt. Zbutja e Serbisë duhet parë për çfarë është vërtet, dhe s’duhet ekzagjeruar. Evropa dhe ne të tjerët rreth Serbisë, nuk duhet ta trajtojmë atë si një fëmijë shaktërrimtar që duhet ta marrim me të mirë se, po s’bëmë kështu, na bën gjëmën. Kjo sjellje e quajtur shpesh si “startegjike” s’është dinjitoze as për Serbinë, as për shtetet përreth që s’janë aq “të frikshëm” sa Serbia në nacionalizmin e vet. Një Serbi që pozon si evropiane, kur në fakt është ende primitive dhe skizofrenike, nuk i duhet askujt dhe është vetëvrasëse. Nëse elita politike serbe nuk pohon qartë për qytetarët e vet se duhet të njohë zyrtarisht vullnetin e shqiptarëve të Kosovës që janë edhe popullsia dërrmuese e saj, ajo është një Serbi e mjerë. Serbia nuk do “zbutet” a ndryshojë vetëm se e pranuan në Europë, po qe se ndryshimi nuk vjen nga poshtë e nga brenda.
Peizazhe të Fjalës
Comments
Shkrim komplet antieuropian.

Shkrim komplet antieuropian. Me keto mendje kurr shqiptart nuk mund te bahen pjese e BE-s.

E çka kujtoni ju qe i fryni ketij kavalli se vendet ballkanike nuk jane pjese te Europes per shak se nji grusht shqiptarsh kane qene per pese shekuj rresht renegat turq dhe jane turqizue? E çka kujtoni ju qe shkrieni e mendoni keshtu se per nji grusht shqiptarsh te turqizuem qe dergojne rinine shqiptare musimano-sunnite ne Siri te luftojne me muslimano-shiitet, pra keto te rij dergohen per lufte fetare ne Siri, dhe Europa po i miraton? e sa e sa qendrime antieuropiane pro islamterroriste te arnautve jane hapatas antieuropiane. Po si mund te perkrahin Europa nji popullqe hoxhallart e tij bertasin me mikrofona per urrejtje ndaj te tjerve qe nuk besojne si ata?

Me keto mendesi dhe keto shkrime antieuropiane KURR nuk do te bajne hejr shqiptart. Shqiptart i coptoi Europa ne vitin 1913 qe te mos formohej ne Ballkan nji Turqi e Re osmane. Shqiptart nuk mesuen ashgja nga historia. Shqiptart po e quejne vlla sulltabnin e ri Erdogan. Turpe maskarralek. Kudsh nuk meson nga historia, dota psoje pereri.

I jam larguar këtij forumi

I jam larguar këtij forumi nga marrja e informacionit dhe komentit, për shkak të këtij Paulit më sipër, i cili nuk lë temë pa e fëlliqur me propagandë fetare. I sigurtë jam se këtë punë e bën se ja kanë ngarkuar si detyrë. Mua as që më bëhet vonë për fetë se nuk besoj në një krijim me emrin zot, si rrjedhë e frikës së njeriut nga vdekja, por më vjen keq ngase ky forum u banalizua nga këto monstra.

Ti Bajo ne qofte se besim

Ti Bajo ne qofte se besim fetar apo fè quen pushtuesin turk-osman, atehere udha e mbar e mos eja kurr ma me komente antieuropiane. Feja asht qeshtje personali, por antiturqizmi asht qeshtje e te gjithe shqiptarve me gjak shqiptar.

o Paul edhe shqipja eshte

o Paul edhe shqipja eshte "çeshtje" te dituri per ta shkruar! Mos u lodh kot se jam nga veriu.

P.S. Ky tipi ka te drejte per ty!

Add new comment