Taksa e naftës dhe disa ndikime të saj

Postuar në 09 Janar, 2014 05:09
Prof. Asc. Përparim Ferrunaj

Shkas për këtë shkrim u bë një spekulim i një stacioni televiziv, ku ironizohen fjalët e kryeministrit Rama, kur në argumentimin e tij mbi vendosjen e taksës së naftës, tha se pesha e shqiptarëve është dyfishuar nga përdormi pa kriter i makinave. Ky spekulim u shoqërua nga filmime të kohës së diktaturës, ku shqiptarët panë se si zhvillohej fizkultura e mëngjesit pikërisht në sheshin e sotëm “Nënë Tereza”, nga disa zyrtarë që  vraponin dhe kryenin ushtrime fizike. Dukej se ky lloj organizimi ka qenë i detyruar dhe në se ai sistem ka patur një pikë të fortë, sipas mendimit tim dhe pa asnjë lloj nostalgjie, është pikërisht aktiviteti fizik dhe sporti, shpesh i detyruar.

Në fakt, meqenëse njeriu psikologjikisht e ka shumë të vështirë të detyrojë vetveten (ndryshime nga brenda) për të bërë stërvitje për mirëmbajtjen e shëndetit të tij, ja vlen që të ketë një detyrim nga jashtë, siç mund të jetë rritja e çmimit të cigares apo naftës. Me këtë rast, lexues i nderuar, mund të më thoni se sa prej jush ngrihen në mëngjes dhe bëjnë lëvizje të tilla si ngritja lart e krahëve të shtrirë (krahu duhet të jetë anash veshit), apo lëvizje të tjera që ju ndoshta nuk i keni praktikuar që kur ishit fëmijë të vegjël, si p.sh ulje ngritje nga pozicioni galiç etj.?

A e dini ju se funksioni kryesor i muskulit të supit (deltoid) është pikërisht ngritja e krahut lart dhe ulje ngritjet, pikërisht muskujt e gjymtyrëve të poshtme, që mundësojnë ecjen tuaj? Sa prej jush përdorni shkallët në vend të ashensorit, (jo vetëm kur ikin dritat)? Jam i sigurt se shumë pak prej jush i bëjnë këto veprime të përditësuara, ndërkohë që veprime të tilla si shikimi i televizorit për orë të tëra, apo pirja e kafes janë më shumë se të përditësuara. Pse ndodh një fenomen i tillë? Përgjigja është e thjeshtë. Se ju nuk mund të detyroni vetveten për të bërë ushtrime fizike. Se ju nuk e konsideroni veten si ai nxënësi i pabindur, që mësuesi i fizkulturës e detyron të rrijë me një këmbë apo kryejë 20 pompa. E pra, pyetje të tilla mund të jenë të panumërta, por ajo që dua të theksoj është se psikologjikisht është vështirë që njeriu të bëjë zgjedhje të shëndetshme për jetën e tij. Ne jemi ashtu si zgjedhim të jemi. Kur vjen puna në zgjedhjet që ne bëjmë në jetë, ato më të vështirat janë më të suksesshmet. Dembelizmi është një fenomen pandemik i shoqërisë së sotme. Ky fenomen natyrisht është i lidhur edhe me zhvillimin teknologjik, Por nëse do rritet bileta e autobusit apo çmimi i naftës, ju do të detyroheni që ndoshta të lëvizni më shumë, si rrjedhojë, të përmirësoni veprimtarinë e zemrës dhe të muskujve, të cilat Natyra i ka dizenjuar për të punuar. Baza e shkencës së Fiziologjisë ushtrimore është pikërisht struktura dhe funksioni i muskujve tanë (më shumë se 600), me të cilët, ne njerëzit, lëvizim kockat tona, d.m.th realizojmë lëvizjen. Por le të kthehemi te sfida e kryeministrit. Ai ka dhënë prova se mund të pakësojë dhjamosjen qendrore të qytetit tonë të dashur Tiranës(parku “Rinia” dhe anash Lanës). Por duke qenë koshient se  zvogëlimi i dhjamosjes së tepërt te njerëzit nuk mund të krahasohet me çrrënjosjen e dhjamosjes nga qytetet, për shkak se kur bëhet fjalë për uljen e peshës të tepërt trupore te  njerëzit, janë shumë procese komplekse fiziologjikë që ndodhin, duket se ai ka gjetur një zgjidhje detyruese: rritja e taksës së naftës.

A është shëndeti prioritet i shoqërisë shqiptare?

Cili është problemi, rritja e taksës së naftës apo rritja e cilësisë së jetës? Politizimi i rritjes së naftës, cigares, në fakt është në një farë shkalle politizimi i shëndetit. Megjithëse vitet e fundit interesi për ruajtjen e shëndetit duket se është në rritje, kam përshtypjen se akoma në një masë të madhe, shëndeti nuk përbën përparësi për shoqërinë shqiptare. Një arsye më shumë për vështirësinë që kanë njerëzit të ndryshojnë sjelljet e tyre në lidhje me shëndetin është se ruajtja e tij nuk është vlera më e madhe që ka shoqëria e sotme. Ajo konkurron me shumë vlera të tjera si pasuria, pushteti, siguria, njohuritë dhe shtresat sociale. Por paradoksi është se pikërisht kur njerëzit synojnë më tepër karrierë apo pasuri, le të themi në moshën 40-55 vjeç, shfaqet edhe rreziku më i madh për shëndetin. Vdekjet e parakohshme (moshat 50-60 vjeç), më së shumti mund të ndodhin si rrjedhojë e neglizhimit të shëndetit dhe mungesës së kontrollit. Natyrisht që askush nuk mund të parandalojë një vdekje aksidentale, por një vdekje nga infarkti i miokardit ose hemorragjia cerebrale mund të parandalohet ose shtyhet në kohë, thjesht duke modifikuar stilin e jetesës.

Mbipesha dhe kosto ekonomike

Albert Buitenhuis nga Afrika e Jugut emigroi për punë në Zelandën e Re në vitin 2007. Çdo vit ai rinovonte lejen e punës, por vitin e kaluar autoritetet e Zelandës së Re nuk ja rinovuan lejen e qëndrimit, se ai peshonte 130 kg, duke shkelur kështu standardet shëndetësore të popullatës zelandeze. Argumenti ishte se me këtë peshë trupore Buitenhuis mund të kishte kosto ekonomike për shtetin pritës. “Është e rëndësishme që gjithë emigrantët të kenë standard të pranueshëm të shëndetit për të minimizuar kostot dhe kërkesat për kujdesin shëndetësor të shërbimeve të Zelandës së Re”, tha ministri i Emigracionit, duke theksuar se Buitenhuis është në rrezik të lartë për diabet dhe hipertension. Duke qenë koshient për dijet e mia ekonomike të mangëta, nuk pretendoj të argumentoj përfitimet apo humbjet financiare që shqiptarët mund të kenë nga ngritja e taksës së naftës, por për një gjë jam i sigurt në aspektin shëndetësor. Pa dyshim që efekti i saj do të jetë përdorimi më i vogël i makinave, si rrjedhojë rritjen e aktivitetit fizik, si rrjedhojë pakësimin e sëmundjeve që lidhen me jetën sedentare, e si rrjedhojë uljen e barrës financiare që shtetit i duhet për kujdesin shëndetësor për të sëmurët kronikë. Logjika ekonomike është e thjeshtë. Shtimi i të sëmurëve kronikë kërkon më shumë para për kujdesin ndaj tyre. 48% e vdekjeve (4.3 milion në vit) në Europë ndodhin si pasojë e sëmundjeve kardiovaskulare dhe vlerësohet se më shumë se 10 milionë janë me SKV. Impakti socio-ekonomik për vitin 2008 ishte 196 miliardë euro.

Edhe në vendin tonë, sipas prononcimit të mjekëve kardiologë, 54% e vdekjeve ndodhin nga sëmundjet e zemrës. Dikush nga lexuesit mund të mendojë se ata që vdesin nga sëmundjet e zemrës, e kanë të shkruar dhe ndoshta e kanë të vështirë të bëjnë lidhjen midis taksës së naftës dhe sëmundjeve të zemrës. Por studime të shumta nuk kanë pasur si objekt lidhjen e taksave të qytetarëve me shëndetin e tyre, por një gjë është e sigurt. Shumë studime pranojnë se një jetë pasive mund të shkaktojë këto sëmundje, natyrisht e lidhur kjo edhe me obezitetin, alkoolin, mbiushqimin etj..Para disa kohësh në media u shpall shifra e numrit të viktimave të shkaktuar nga aksidentet automobilistike: rreth 7000 që nga viti 1991. Evidentimi i kësaj shifre nuk është e vështirë, por pyetja që unë bëj është: Sa viktima ka shkaktuar mbipesha dhe obeziteti gjatë këtyre viteve? Natyrisht që në shumicën e rasteve mbipesha dhe obeziteti janë të lidhura ngushtë me një jetë sedentare, ku përdorimi i makinës bëhet edhe në raste të panevojshme. Studimet e shumta kanë treguar një lidhje të ngushtë midis mbipeshës dhe sëmundjeve kardiovaskulare, diabetit tipit 2 dhe hipertensionit. Dhe vdekjet nga këto sëmundje, megjithëse të vështira për tu evidentuar, se te ne nuk ka pasur studime afatgjata për këtë çështje, me siguri janë shumë here më të larta se vdekjet aksidentale.

Nga Gazeta "Shekulli"

Comments

Submitted by Astrit (not verified) on

Me duhet te shkruaj edhe njehere tjeter me nje kritike per nje shkrim te Republikes. Kjo jo se kam qejf thjesht te kritikoj, por per shkrimet qe jane shkruar drejt dhe pa gabime une thjesht nuk kam cfare ti shtoj atij argumenti. Por shkrimi i mesiperm eshte kryekeput gabim - aq sa une nuk kuptoj nese autori e ka shkruar me ironi apo e ka seriozisht.

Por le te mendojme se autori e ka shkruar seriozisht. Obeziteti nuk eshte aspak semundja e njerezve qe kane xhepat me shume para por e njerezve te RELATIVISHT varfer. Shtresat dramatikisht te varfra nuk kane akses te mjaftueshme ne burime kalorike. Si psh ne disa vende te Afrikes. Keshtu ishte rasti i malnutricionit te popullates Shqiptare ne vitet e komunizmit. Per fat nen ate regjim nuk kishte asgje per tu patur nostalgji ne ate drejtim. Kaq i dhimbshem ishte problemi i malnutricionit sa une nuk njoh asnje shembull tjeter qe nje vend te kete patur spitale dhe klinika qe ti dedikoheshin ketij problemi (Ne Shqiperi ka patur "spital distrofik"). Kjo mbase ngaqe nuk kam qene ne Korene e Veriut...
Autori sugjeron qe po ti taksojme dhe varferojme njerezit me tej ata do te ecin dhe do te ushtrohen me shpesh. Kjo edhe mundet. Por problemi i obezitetit ne bote sic thashe eshte ne klasat e varfra te botes se zhvilluar ose gjysem te zhvilluar qe nuk kane te ardhura te mjatueshme te bejne gjera te tjera ne kohen e lire dhe kane konsumin e ushqimeve si argetim (Cheap entertainment). Ne nje fare mase kjo vihet re ne Shqiperi, ku shtresat e edukuara dhe me te ardhura te mjaftueshme mbushin (si ne tere boten) palestrat dhe institucionet estetike. Varferia me e thelle do ti detyronte njerezit te ecnin nje km me shume - dhe do tu jepte atyre motivimin te merrnin nepermjet alkoolit kalori qe duhen 40 km ti diegesh... Per te mos folur per duhanin dhe faktore te tjere risku kardiovaskular.

Autori ka te drejte kur flet per edukimin e pamjaftueshem fizik ne Shqiperi. Por per kete une fajesor pikerisht sistemin disfunksional arsimor nen Komunizem qe ndiqte te njejten strategji si per Matematiken dhe Kulturen Fizike. Ndersa mund ti mesosh nxenesit me zor te mesojne tabelen e shumezimit, nen ate sistem nuk u kuptua kurre qe te detyroje nxenes me parametra fizike shume te ndryshem (dhe nutricion te dobet) te vraponin 800m "per nxemje", te benin paralele, te sprintonin 100m dhe me fjale te tjera te permbushnin nje prgram te vertete olimpike per 45 minuta ore mesimi perpara se tu riktheheshin pa fryme dhe gjithe djerse ne trup (djem e vajza) klasave te Fizikes e Matematikes ishte torture qe ua nxirrte per hundesh cdo qejf e pasion qe studentet mund te kishin per kulturen fizike.

Po per te ardhmen? Une mendoj se nuk fitojme gje duke rrahur me shkop kalin e dobet. Te detyrosh popullaten me halle te Shqiperise te beje gjera me detyrim (per me teper gjera te marra) nuk do te na coje kurrekund. Per te ardhmen une mendoj se sistemi shendetesor dhe tere shoqeria do te fitonte me shume nga lufta kunder duhanit (nuk ka kafe e restorant pa tym duhani ne Tirane), luften kunder alkoolizmit latent ne mosha te reja si dhe edukimin alimentar dhe mbi te gjitha fizik te shoqerise. Kjo e fundit duhet bere si nepermjet revizionimit radikal (nqs kjo nuk eshte bere keto 20 vjet) te kurrikulave te edukimit fizik qe tu kujtoje nxenesve se ushtrimet fizike jane dhe duhet te jene ne rradhe te pare kenaqesi (autori nenkupton se ushtrimet fizike jane te bezdisura - kjo eshte gabim, askush nuk i detyron femijet te luajne futboll apo basketboll) dhe duhet tu krijoje atyre kushte materiale qe te kene akses ne terrene sportive.

Nje komponent qe i dobesonte vence shqiptaret para viteve '90 ishte "puna vullnetare" dhe "zbori". Te shpresojme se askujt nuk i shkon mendja te riktheje metoda te tilla barbare ne te ardhmen.

Submitted by Stefan H (not verified) on

Sipas mendimit tim komentuesi eshte kryekeput gabim. Artikulli i ben jehone faktit qe politikat qeveritare mund te nxisin ose frenojne disa tendenca te sjelljes se shoqerise. Kjo tendence ndiqet ne gjithe shtetet europiane kur psh  greqia ne krize, per te krijuar nje shume te ardhurash per spitalet rrit cmimin e duhanit. A nuk dekurajon njerezit per te pire duhan rritja e kostos duhanit? Dhe direkt rezultat i saj, nderprerja e duhanit ose pakesimi i tij a nuk rrit probabilitetin qe me pak njerez te preken nga semundje kardiovaskulare? E njejta gjje lidhur me rritjen e cmimit te naftes, sjell dekurajimin e njerezve per te evituar perdorimin kot me kot te akinave edhe kur nuk eshte e nevojeshme

Add new comment

Plain text

• No HTML tags allowed.
• Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
• Lines and paragraphs break automatically.