Dy sfida të mëdha për Ministrin Cani

Postuar në 06 Janar, 2014 16:36
Eduard Zaloshnja

Buxheti i miratuar nga Kuvendi për shpenzimet e shtetit shqiptar gjatë vitit 2014 ka një zë që s’ka ekzistuar në asnjë buxhet të mëparshëm: Shlyerje të Detyrimeve të Prapambetura. Dhe ky do të jetë një shpenzim goxha i madh – plot 350 milion dollarë.

Ndërkohë që gjetja e financimit për këtë shpenzim nuk përbën aktualisht problem – FMN-ja dhe Banka Botërore kanë rënë dakord për ta financuar me një kredi të butë afatgjatë – kryerja e shpenzimit përbën një sfidë ekonomike dhe politike për Ministrinë e Financave.

Që efekti ekonomik i shlyerjes së detyrimeve të prapambetura të shtetit ndaj bizneseve të jetë sa më i madh, duhet që të bëhet sa më shpejt. Sepse, sa më shpejt të marrin bizneset paratë që u takojnë (për punimet e kryera në infrastrukturë, për furnizime të ndryshme, apo për rimbursimin e TVSH-së), aq më shpejt ato do të shlyejnë kreditë bankare apo nën-kontraktorët dhe punonjësit ndaj të cilëve kanë detyrime. Dhe kështu, motori i ekonomisë do të fillojë të lëvizë më me shpejtësi se sa deri më sot. Efekti multiplikator i këtij injektimi gjigand parash në ekonomi mund të ketë ndoshta një koeficient më të madh se 2, në qoftë se bëhet në fillim të vitit. Thënë ndryshe, injektimi i 350 milion dollarëve në ekonomi mund të “prodhojë” një efekt më të madh se 700 milion dollarë në Produktin e Brendshëm Bruto.

Por problemi është se sa eficient do të jetë personeli i udhëhequr nga Ministri Cani për kryerjen e pagesave ndaj bizneseve sa më shpejt, pa zvarritje burokratike apo pa tortura korruptive. Sepse eksperienca shqiptare ka treguar që, kur bizneset kanë për të marrë para nga shteti, u duhet ose të paguajnë diçka nën dorë, ose të përdorin lidhje klienteliste me politikën. Për këtë arsye, shlyerja sa më shpejt e detyrimeve të prapambetura të shtetit ndaj bizneseve përbën një sfidë sa ekonomike aq edhe politike për Ministrin Cani.

Një sfidë tjetër për Ministrin Cani është shifra rekord e huasë së brendshme që është palnifikuar të merret për të mbuluar shpenzimet e buxhetuara për 2014-ën. Plot 460 milion dollarë duhet të sigurojë Ministria e Financave në tregun e brendshëm të bonove dhe obligacioneve të thesarit (të emetuara në lekë apo në euro), por tri ankandet e fundit të vitit që shkoi treguan se bankat dhe individët nuk patën ndonjë oreks të madh për të blerë bonot dhe obligacionet e thesarit që synonte të shiste Ministria e Financave. Një pjesë e tyre mbetën pa shitur, gjë që do të thotë se shteti nuk e plotësoi dot nevojën për financim në ato ankande.

Që bankat të jenë më të gatshme për të blerë bonot dhe obligacionet e thesartit të shtetit shqiptar, Ministria e Financave duhet të demonstrojë se është e aftë të mbledhë të ardhurat tatimore të parashikuara. Sepse, në fund të fundit, bonot dhe obligacionet, kur t’u vijë koha e maturimit, me paratë e mbledhura nga Drejtoritë e Tatimeve dhe të Doganave do të likuidohen…

Por drejtoret e këtyre drejtorive kaq të rëndësishme për shtetin shqiptar janë përzgjedhur nga Edi Rama, dora vetë. Dhe ndoshta Ministri Cani nuk do ta ketë autoritetin që t’i shkarkojë ato, në qoftë se bindet se nuk janë personat e duhur, në vendin e duhur, në kohën e duhur...

Duke përmbledhur, mund të thuhet se Ministri Cani do të përballet së shpejti me dy sfida – një nga poshtë e një nga lart. Burokratizmat dhe/ose korrupsioni i personelit të Ministrisë së Financave mund të bëhen pengesë për realizimin me sukses të manovrës më të veçantë buxhetore në dekadën e fundit – financimit nga FMN dhe Banka Botërore të detyrimeve të prapambetura të shtetit shqiptar. Nga ana tjetër, përkrahja politike e Edi Ramës për dy drejtoret që kanë në dorë mbi 90% të të ardhurave të thesarit mund të bëhet pengesë për vendosjen e autoritetit të Ministrit Cani ndaj tyre...

Comments

Submitted by tirana (not verified) on

Z. Zaloshnja, sipas shprehjes se famshme, shpenzimet qeveritare nuk jane nje dreke falas (Government Spending Is no free lunch). Ju thoni qe vlera e multiplikatorit mund te jete e barabarte me 2. Ne kete rast ju nuk merrni parasysh kostot sociale qe mund te lidhen me keto shpenzime. A mund te themi qe keto shpenzime mund te ndikojne ne uljen e perberesve te tjere te GDP?

Une mendoj se vlera e multiplikatorit do te jete me e vogel se 1. Konsumi mund te ndryshoj shume pak nga konsumi i vitit 2013. Per me teper investimet private do vijojne serish te jene te pakta. Gjithashtu duhet te marrim parasysh edhe humbjet gjate pagesave si dhe daljet e parase jashte vendit nga ana e bizneseve.

Add new comment

Plain text

• No HTML tags allowed.
• Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
• Lines and paragraphs break automatically.