Rreziku i ortekut financiar prej panikut kolektiv
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/2015/07/31/2893_panic-disorder-971.jpg?itok=bexkZO-x)
Gjendja financiare nga gropa e borxheve që paska lënë Saliu (afërsisht 750 milionë dollarë) në buxhetin e shtetit qenkësh e ngjashme me kolapsin e vitit 1997, jo vetëm financiar, por edhe me pasoja për një konflikt të mundshëm social për shkak të shembjes së ekonomisë si në rastin e piramidave. Këtë përqasje të 1997-tës me 2014- tën e bëri para ca ditësh ministri i Financave, Cani. Ndërsa Berisha, gjatë diskutimit të projektbuxhetit në Kuvend, jo vetëm që ulëriti për orë të tëra, por edhe në "Facebook" nxitoi të na bindë për katastrofën që na pret. Para ca ditësh na dërgoi një kartolinë ogurzezë për Krishtlindje, duke na bërë me dije se rrezikohemi të biem jo vetëm në recesion, më të madhe e më të rëndë se ajo greke, porse do të ketë edhe trazira e destabilizim të pashmangshëm në vitin e ardhshëm, pasi buxheti është "kafshatë e mjerimit që nuk kapërdihet"… Kjo ishte tabloja sinoptike për të cilën na paralajmëroi edhe një herë ish-kryeministri, që dukej tejet i entuziazmuar e i ngazëllyer nga një parashikim i përafërt që kishte bërë edhe "The Economist"… Do të largohen investitorët e huaj nga frika, do të shtohet skamja, "do të rrëzohet përdhe ekonomia" nga buxheti i rrënimit, i varfërisë, i qametit të zi!... E jo vetëm kaq, po edhe malarien e zhdukur prej vitesh na e solli kjo qeveri e Ramës, "më e paafta dhe më e keqja në të gjithë historinë moderne të vendit!" Gjithsesi të dy qëndrimet, si i opozitës, si i mazhorancës, pavarësisht se vijnë nga dy burime e dy kahje të ekstremit, parandiejnë të njëjtën rrjedhojë: vështirësi, rritje të çmimeve; disa edhe kolaps ekonomik. Mazhoranca justifikohet me qeverisjen e keqe të djeshme prej një "kumarxhiu të papërgjegjshëm elektoral" (zhytja e shoqërisë në borxhe…); kurse opozita me keqqeverisjen e sotme (marrja e një miliard dollarëve borxh, si dhe vendosja e taksës progresive në vend të së sheshtës). Pas gjithë këtij vërshimi pesimist, ngjan e pamundur mos të të kapë shqetësimi: Ku po shkojmë kështu? A duhet t'i besojmë "Kasandrës"? E nëse do t'i besojmë, ç'duhet bërë e ç'masa lipsen marrë që të dalim "pa lagur" nga kjo krizë e mallkuar që po na thuhet se do të jetë jo vetëm e rëndë, po edhe e pashmangshme? Mos duhet të ikim nga sytë këmbët sa më parë e sa më larg Shqipërisë? Të shtrëngojmë rripin e të vëmë ca zahire mënjanë? Të ngrihemi në revoltë, apo të mësyjmë pasurinë e njëritjetrit për të siguruar mbijetesën?... Askush nga krerët partiakë nuk e vret mendjen për këtë dilemë ogurzezë. Aq më pak mund të besohet se kësaj here do të mbajnë ndonjë përgjegjësi për këtë rropamë e klimë mosbesimi që pretendon e synon me çdo mjet ta çojë sërish shoqërinë në konflikt e në destabilitet, jo vetëm ekonomik. Mjafton të ndiqje seancën e Kuvendit për miratimin e projektbuxhetit për t'u bindur se ata, krerët partiakë, jo vetëm që nuk e kanë këtë merak, por, përkundrazi, e shtojnë ankthin dhe panikun në maksimum. Nuk është pa lidhje me këtë klimë pasigurie dhe paniku shfaqja e "babagjyshëve" hajdutë. Nuk ka natë të mos dëgjojmë për vjedhje në grup, me banda, jo vetëm nëpër katunde, po edhe në qytete të mëdha ku policia është më e pranishme. Tritol-politika e ka nisur tashmë mësymjen në shkallë të gjerë. Në shoqërinë tonë është bërë dukuri e zakontë që për një gërvishtje makine, apo për një "më ngacmoi motrën", pas dhunës verbale të kalohet në dhunë fizike, edhe në vrasje… Kështu që është e kuptueshme, besoj, se përse dhe si ndodh që tek ne dhuna verbale e Kuvendit të shndërrohet në dhunë e në tritol, nëpër rrugë. Ja përse sa herë bie në opozitë Berisha fillojnë si me telekomandë hedhjet në erë të shtyllave të tensionit të lartë, makinat dhe pragjet e shtëpive të kundërshtarëve. Prej 23 vitesh tritol- politika shoqërohet jo vetëm me gjoba, me kërcënime dhe me shpifsharje, por edhe me mbajtjen gjallë të tensionit social, të pasigurisë ekonomike dhe të panikut, të mosbesimit te Drejtësia dhe ardhmëria e Shqipërisë…. *** Është e qartë, besoj, që këto parashikime ogurzeza, bashkë me amplifikimin e ndërsjellë të urrejtjes, të bëra për qëllime të pastra politike, synojnë të injektojnë sa më shumë panik dhe pasiguri në popull, si nëpërmjet veprimit opozitar në Kuvend, ashtu edhe me konferenca të përditshme shtypi (ngaqë besohet e shpresohet se kësisoj mund të kthehen humbësit në pushtet kollaj e sa më shpejt!), ashtu edhe nga mosveprimi radikal qeveritar, veprim që topitet nga trysnia e egër e opozitës berishiane. Afërmendsh që nuk mund të realizoheshin 100% për 100 ditë qeverisje, këtë e kuptojnë qytetarët e thjeshtë, si të djathtë e si të majtë…. Ja përse dështuan tentativat e opozitës për të organizuar protesta masive, duke ia lënë përgjegjësinë ndonjë OJF-je-bijë…. Kjo nuk do të thotë se ndikimi mbi opinionin publik i veprimit opozitar për rritjen e taksave dhe për krizën që thuhet se po na pret në pusi, ka qenë i mpakët, pa efekt, edhe pse propagandën e ka drejtuar dhe orientuar Berisha… Ky ende nuk e ka kuptuar se më 23 qershor e ka humbur, kësaj here përfundimisht, të drejtën dhe moralin për t'u vetëshpallur, për herë të tretë, "shenjtor" e shpëtimtar, qoftë edhe i PD-së. Fatkeqësisht ai nuk e kupton dot verdiktin dhe, me sa duket, pranë tij nuk ka asnjë njeri që të guxojë t'ia thotë në sy këtë. Por edhe veprimi i mazhorancës për të zbutur efektin e rrezikshëm të panikut kolektiv nuk ka qenë në shkallën e duhur. Vetëkënaqja me denoncimin e herëpashershëm të politikës ekonomike të qeverisë "Berisha", si dhe lënia e qëllimshme e kohës së pakufizuar në Kuvend që ky ishkryeministër të vetëdiskreditohet e të mbytet edhe më shumë në diarrenë e tij agresive, nuk e përmirëson klimën, përkundrazi. Edhe ato arrestime zyrtarësh të nivelit të dytë që janë bërë muajt e fundit për të krijuar bindjen e luftës antikorrupsion e antikrim janë të pamjaftueshme… Sepse berishizmi, si praktikë administrimi, korruptimi, pasurimi dhe qeverisjeje, nuk shkulet pa nisur reformat e thella, sidomos në sistemin e Drejtësisë. Nuk është habi që ky "sistem" të nxjerrë të pafajshëm nesër edhe Mziun e Kamza-sitit… Prandaj, sa më sipër, nuk janë masa të mjaftueshme që do të sjellin shpejt ndryshimin e shumëpritur. Sepse ka edhe faktorë të tjerë, jashtë politikëbërjes së krerëve të dy partive, Berishës dhe Ramës, të cilat mund të ndikojnë negativisht për destabilizim ekonomik dhe social. *** Një organizëm i specializuar ndërkombëtar, Global Financial Integrity, përsëriti para ca ditësh thagmën se nga Shqipëria qenkan larguar "në drejtim të paditur" mbi një miliard dollarë, shumë kjo e konsiderueshme për një vend të vogël e të varfër. Ndërkohë, Banka Kombëtare ka deklaruar se janë pakësuar e po shteren dita-ditës dërgesat e emigrantëve. Biznesi i madh pret të marrë detyrimet e pashlyera për të larë kreditë e zeza. Por kjo nuk do të thotë se, duke i larë kreditë, bizneset do të rimëkëmben e do të gjallërohen shpejt dhe ekonomia do të ringjallet. Duke i shtuar kësaj klime edhe zbulimet që kanë pas bërë herë pas here mediat vendore, të cilat kanë hulumtuar se jo pak pasunarë e politikanë, për shkak të pasigurisë, të larjes së parave të pista, fshehjes së gjurmëve të korrupsionit, po i heqin depozitat nga bankat e këtushme për t'i çuar jashtë, rreziku i një orteku financiar nuk duket dhe aq hipotetik. Edhe në një vend të madh e të fuqishëm ekonomik këto dukuri do ta tronditnin shoqërinë. Jo më ne, që nivelin e mirëqenies vazhdojmë ta masim me çmimin e bukës, të domates e të gjizës. Nuk është hamendje edhe pyetja e mëposhtme: Po sikur, largqoftë, me këtë panik e pasiguri që po mbillet këmbëngulshëm, qytetarët e zakontë të mësyjnë bankat për të tërhequr me alarm kursimet e tyre, si ka ndodhur në jo pak vende të rëna në recesion?... Po sikur qeveria, për këtë shkak të mbetet me gisht në gojë e të mos shlyejë dot as borxhin e jashtëm e as të brendshëm, që do të thotë të mos ketë fuqi paguese jo vetëm për rrogat e zyrtarëve, po edhe për pensionistët? Nuk ka dyshim që ky do të ishte një ortek financiar tejet i rrezikshëm, një kolaps i ngjashëm me atë të piramidave, pasojat e të cilit nuk i parashikon dot kush. Por politikëbërja jo vetëm që nuk e parashikon këtë rrezik potencial, por në të kundërt, me ose pa vetëdije, po e stimulon atë. Ne nuk jemi vend anëtar i BE-së, si Greqia, apo si Irlanda dhe Portugalia… Ekonomia jonë është e vobektë; ne jemi popull me standardin më të ulët të mirëqenies në Ballkan. Shqipëria, pakogjë prodhon për eksport, por vetëm shet mallra turke e kineze e shumë-shumë bën ndopak fasoneri… Por më e keqja është se ne kemi një klasë politike të papërgjegjshme, së cilës nuk i shkon kurrë mendja, as pas ndërhyrjes së ndërkombëtarëve, që të bashkohet për të përballuar krizën dhe shmangur panikun. Për të shpëtuar vendin. Në të kundërt, ne pamë këto ditë 'live' se si për të ardhur në pushtet krerët tanë janë të gatshëm t'i vënë edhe një herë tjetër zjarrin Shqipërisë, duke ia djegur, "për inat të njëri-tjetrit", jo vetëm "statusin", po edhe jorganin. Edhe shpresën.
GSH
Comments
Vetem ekonomia i kishte
Vetem ekonomia i kishte shpetuar veshtimit prej shqipoonje te kicos. Tani na e mori te keqen kapitalizmi se ia hodhem!
Nuk eshte cudi qe nje dite

Nuk eshte cudi qe nje dite dhe flluska e ekonomise shqiptare te plase. Modeli aktual i ekonomise eshte modeli i vendosur ne vitet 1992-1993, pas mbylljes masive te fabrikave te epokes komuniste, pra modeli i konsumit. Qeverite qe ndoqen njera-tjetren nuk bene asgje per ta reformuar kete model, por perkundrazi, e pane si nje mundesi qe te vilnin sa me shume para duke frenuar ne kete menyre rritjen e natyrshme qe mund te kishte ekonomia shqiptare.

Sot ne gjendemi ne piken e fundit te ketij modeli. Tashme nuk mund te bazohemi ne remitancat e emigranteve dhe i vetmi burim i mbetur eshte ekonomia e zeze si dhe eksportet bujqesore dhe fasonet. Cmimet e apartamenteve jane te larta dhe nuk reflektojne aspak kerkesen e tregut. Pallatet vijojne te ndertohen ne te gjithe vendin nderkohe qe kerkesa vijon te bjere. Mentaliteti i ndertimeve ka qene i njejti si per Ramen kryebashkiak, ashtu edhe per Berishen si kryeminister. Madje nuk kane qene te pakta rastet kur ndanin hesapet se bashku per lejet e ndertimit ne qender te Tiranes. Ky mentalitet vijon edhe ne qeverine aktuale.

Problemi ne kete rast eshte efekti i pallogaritshem qe mund te kete mosshitja e ketyre ndertimeve, qe ne shume raste sherbejne si kolateral per bankat qe kane dhene kredi.

A do plase kjo flluske apo do tkurret deri ne nje nivel minimal? Mendoj qe faji kryesor bie mbi klasen politike. Ne si popull do te kemi faj vetem nese do vazhdojme te heshtim.

Flluska ka plasur me kohë! E

Flluska ka plasur me kohë!

E gjithë ekonomia është e paralizuar, nuk ka mbetur më gjë për të plasur.

Ekonomia ka kohe qe eshte ne

Ekonomia ka kohe qe eshte ne krize. Ajo qe doja te shprehja eshte efekti qe mund te kete ne sektorin financiar.

perha[ja e panikut eshte

perha[ja e panikut eshte tashme strategji e qarte mediatike e PD-se dhe sidomos e liderit -pas-meje-qameti- Sali Berisha. nese Kico eshte perfshire me dashje apo pa dashje ne kete lloj fushate psiko-destabilizuese, kete nuk e dime. por lidhja midis psikologjise dhe ekonomise nuk eshte kaq e thjeshte.

nuk ngrihen dallge se peshtyn Kico ne det.

nganjëherë duhen edhe

nganjëherë duhen edhe fotografitë, po jo çdo foto e kiços dikur në presidencë mund të përdoret për ilustrim.

Ekonomia ka ardhur në këtë

Ekonomia ka ardhur në këtë pikë sidomos nga qeverisja e tetë viteve të fundit. Këtu jetojmë e punojmë dhe e dimë që ka guluar informaliteti. Praktikisht shkojmë te noterja për legalizimin e një apartamenti dhe paguajmë 600 mijë lek: Kur i thua çështë kështu, të përgjigjet që janë rritur tarifat. Por më e tmerrrshmja është se noterja nuk të jep asnjë faturë, që nënkupton nuk po taksohet. Akoma më e tmerrshme është se noterët (gjithnjë simbas mediave) taksohen për 8 miljon lekë në vit, gjë që sështë e vërtetë, se ato bëjnë kaq xhiro të paktën në një muaj. Mora shembullin e notereve jo rastësisht, mbasi ato janë pronë e familjarëve të ish qeveritarëve ose të atyre që janë sot. Unë nuk kuptoj shteti takson rrogtarët e tij nuk takson noterët, avokatët, gazetarët (thuhet që rrugaçi Çani merr 5 mjië euro në muaj). Kështu ne kemi një grusht njerzish të pasur (ata që Saliu ju ka merakun se do të taksohen), shtet të varfër dhe popull të varfër. Po nga do të bien paratë nga qielli kur dhe remitancat janë reduktuar? Duhen ligje dhe ligje që të zbatohen njësoj për të gjithë, pse jo të shtrëngojmë dhe rripin por që nga Kryeministri, qeveritarë, te noterët, të avokatët, te qëndrat tregtare e deri te biztneset më të vogla. Por qeveria duhet të dijë sa xhiro bën apo sa është fitimi që të taksojë. Shko në Maqedoni për 2 mijë lek të jep faturë, ndërsa këtua paguan 600 mijë lek te noteri dhe stë jep faturë. Duhet të luftohet informaliteti që po e gryen këtë vend.

Add new comment