Ermonela Jaho, e adhuruar nga mediat britanike

Tre vjet më parë, sopranoja shqiptare Ermonela Jaho ishte thuajse e panjohur në Britani. Emri i saj filloi të përmendej asokohe kur e thirrën të zëvendësonte Anna Netrebkon me rolin e Violetës te ‘La traviata’, në Covent Garden, vetëm për 24 orë dhe ajo shkëlqeu. E njëjta situatë dhe vjet në vjeshtë kur e thirrën me shumë vonesë të zëvendësonte Anja Harteros në ‘Suor Angelica’, dhe ajo shndriti edhe një herë duke e kënduar rolin e murgeshës që tenton të vrasë veten, pasi i kanë vjedhur të birin, me një performancë më se prekëse.
Tani, ajo është kthyer në Covent Garden si Violeta e Traviatës së Verdit. Cast-i ka 3 çifte që e luajnë dyshen Violeta – Alfredo, por Ermonela shkëlqen mbi të tjerat duke krijuar elektricitet e kimi në skenë.
Shtypi britanik e ka vlerësuar shumë këtë performancë të saj. ’The Indipendent’ e konsideron Ermonelën në këtë rol si “një heroinë sa të brishtë aq edhe komanduese, me një zë të errët e të mëndafshtë, si i mbështjellë në kohë, ajo të kujton epokën e amelita galli-curci, madje duket se po shkon në atë drejtim“. Michael Church shprehet për Jahon, “nuk kam parë kurrë një portretizim kaq rrëqethës fizik e psikologjik të vdekjes së pakohë – përzierë me një të kënduar kaq të mrekullueshëm – sa këtu.” Kur e madhja Anna Netrebko të kthehet në 17 Janar për të luajtur pjesën si çifti i tretë, do ta ketë të vështirë të krahasohet.
Ndërsa Jaho shkëlqen në Londër, Shqipëria është e përmbytur me informacione për “arritje të mëdha” jashtë shtetit të atyre pseudo-artistëve që kanë kuptuar që në këtë vend mjafton pak vetrekalmim agresiv e i rremë që njerëzit të të quajnë artist të suksesshëm. Prandaj restorantet e diasporës na i shesin si skena të mëdha koncertesh, konkurset e katundeve europiane si më të mëdhenjtë në botë, shtëpitë botuese të qytezave të panjohura si botime të mëdha.
k. c.
Comments
Eshte nje model i shkelqyer
<p> Eshte nje model i shkelqyer per te gjitha vajzat e vogla, se vetem mesimet, studimet jane shkallet e sigurta qe te çojne drejt majave. E kam ndjekur intervisten e saj me gazetaren e talentuar Rudina Xhunga ishte me te vertete mbreselenese. Eshte rasti tipik se nuk ka rendesi nga vjen, nuk ka rendesi se kush jane paraardhesit apo prinderit e tu, rendesi ka Kush je Ti. Thjeshte e mrekullueshme. Bravo!</p>
Add new comment