Të udhëtosh pa biletë
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/2015/07/31/1166_ardian-vehbiu_5.gif?itok=9e7gsS4f)
Kur studioja në Romë, si pasuniversitar, merrja nga shteti italian një bursë fare modeste: 600 mijë lireta në muaj (në atë kohë, rreth 400 dollarë). Kombinimi i këtyre pak liretave me nevojat e një shqiptari të lëshuar nga zinxhirët e Shqipërisë autarkike kish efekte veçanërisht toksike – sidomos për një person të vdekur kulturalisht urie, si puna ime. Mes përpjekjeve patetike që bëja në atë kohë për të kursyer para, ajo që më ka futur në mendime më pas ka qenë që hipja pa biletë në urban. Një biletë autobusi kushtonte 700 lireta; po të bleja një abone mujore, çmimi binte shumë – e megjithatë, të gjithë ne, studentë e pasuniversitarë shqiptarë, udhëtonim pa biletë. Në urbanët e Romës nuk kishte faturino; por vetëm një automat që e stamponte biletën, në pjesën e pasme të autobusit. Kompania e transportit publik e Romës (ATAC) dërgonte kontrollorë herë pas here; por këta mbanin uniformë, dhe ne i pikasnim në kohë (nga kapelet me strehë) dhe dilnim nga autobusi në momentin që i shihnim në stacionet. Gjoba po të të kapnin pa biletë, ishte 50 mijë lireta; mua s’më kapën ndonjëherë, por gjithnjë i mbaja 50 mijë lireta me vete, që të mos më dilnin probleme me policinë; të palosura me kujdes dhe të futura në të njëjtin këllëf plastik transparent ku mbaja edhe permesso di soggiorno-n. Nuk di si ia përligjja vetes atëherë këtë shkelje; dhe nuk është se më vriste shumë ndërgjegjja. Vija nga Shqipëria e viteve 1980, ku gjithçka mbikëqyrej drejtpërdrejt – dhe nuk më ishte formuar mirë kultura e pasurisë së përbashkët, ose the commons; kujtoja se mund t’ia hidhja sistemit, i cili më dukej fare i lirshëm. Kam pasë bërë plot budallallëqe atëherë, për të kursyer: p.sh. haja Würstel në vend të mishit, ose prisja të më dërgonin me pako djathë të bardhë nga Shqipëria; ndonjëherë piqja edhe bukën vetë, në furrë. E gjithë kjo, për shkak të trysnisë së paparë për të blerë plaçka dhe për t’i çuar në Tiranë. Dua të them se udhëtoja pa biletë jo ngaqë kisha gjë kalamaj për të ushqyer, ose shpenzimet e spitalit të ndonjë të afërmi a të vetes për të përballuar; por thjesht nga një simptomë e grykësisë të fukarait. Ndonjëherë qëllonte që ndonjë shokun tim e kapte kontrolli – dhe ky paguante gjobën përkatëse, ose 50-mijë liretat fatale. Më pas, vite më pas, më ka ndodhur të pyes veten se vallë këta qyqarë, që ngecnin në rrjetën shpirtmadhe të ATAC-ut, nuk po paguanin edhe biletat e mia, shkelësit të shkathët. Kur kam lexuar më vonë për mënyrën si organizohen sisteme të tilla, si transporti publik, për t’u mbrojtur nga free riders, ose përfituesit parazitarë, kam mësuar se, në fakt, këta që kapen dhe paguajnë gjobat, mbulojnë me ato gjoba edhe kostot e biletave që s’i kanë paguar të tjerët – duke marrë parasysh, në këtë rast, edhe koston e pagave të kontrollorëve, numri i të cilëve rritet ose pakësohet në varësi të të ardhurave që siguron sistemi nga shitja e biletave. Në ato vite, kur gjithnjë e më shumë bashkatdhetarë të mi po dilnin në Europë, mjeshtëria e të qenit free rider po shndërrohej në një lloj profesioni – kështu të gjithë pak a shumë specializoheshim në blerjen e sendeve të lira, të vjetruara dhe të përdorura, ose shfrytëzimin e dyqaneve për diplomatët, ose heqjen e IVA-s dhe plot marifete të tjera; dhe këtu futej edhe udhëtimi pa biletë, në transportin publik. Kjo ishte vetëm preludi i çfarë do të ndodhte më pas – kur, me dyndjet e mëdha të vitit 1991 dhe më pas, me qindra mijëra shqiptarë u shndërruan në free riderstë sistemit social europian-perëndimor, i cili nuk ishte në gjendje t’u bënte ballë këtyre trysnive. Nuk është vendi këtu që të zgjatem më tej për temën; por të gjithë kemi dëgjuar për kërkesat për strehim politik, të mbështetura në dokumente të rreme; pasaportat që shisnin kosovarët dhe të tjerë, në Shqipërinë e atyre viteve; tregtinë me vizat dhe emigracioni ilegal (skafet, etj.); trafikun njerëzor; dhe plot mënyra të tjera, për të përfituar me hile nga sistemi i andejmë. Për një periudhë të gjatë, shqiptarët në Europë e panë veten të ngecur në një zonë gri, midis ligjit dhe paligjshmërisë; ose në situata të tilla ku edhe thjesht mbijetesa do të ishte e pamundur, pa shkelur ligjet; fatmirësisht shumica janë sistemuar tashmë, dhe janë çliruar prej dilemave etike. Një situatë të ngjashme gjeta edhe me bashkatdhetarët në ShBA, kur erdha në 1996; të njëjtat mashtrime për azil politik, pretendime për persekutime dhe gjakmarrje; pozime si homoseksualë e si rom; dhe më pas si kosovarë të përndjekur e të përdhunuar prej serbëve. Nga njëra anë, shumë prej nesh e bënin këtë nga halli dhe dëshpërimi; sikurse shumë të tjerë e bënin nga lakmia, ose nga shtysa për të gëzuar të mirat e një jete në Perëndim, të cilat në Shqipëri nuk do t’i arrinin dot. Por ç’të thuash kur një masë e madhe bashkatdhetarësh gënjyen, për të përfituar nga ndihmat që dha shteti i NYC (ose ndihmat federale), për viktimat e 11 shtatorit; pa përmendur të gjithë ata të tjerë që mashtrojnë, rregullisht, për të përfituar dëmshpërblime; nga sigurimet e makinave ose, më keq akoma, nga sigurimet shoqërore? Më thonë: të gjithë bëjnë kështu. Ndoshta, unë nuk jam në gjendje të them se çfarë bëjnë “të gjithë.” Por, në rrethanat kur dikush gënjen dhe një tjetër jo, sepse nuk e lë ndërgjegjja etike, edhe pse janë në rrethana të njëjta, atëherë problemi është moral. Përndryshe, çfarë gjithnjë më ka shqetësuar, në komunitetet e shqiptarëve, është lehtësia me të cilën përcillen marifete të tilla, ose admirimi i hapur, i kolektivitetit, për free riders, ose për të gjithë ata që arrijnë t’ia hedhin sistemit dhe të përfitojnë prej tij, madje ndonjëherë (në rast dëmshpërblimesh për aksidente të stisura) edhe të pasurohen. Kur kam dëgjuar dikur, në Itali, të thuhej se të ishe shqiptar nuk ishte përkatësi identitare, por profesion, e kam shpërfillur këtë si shaka në rastin më të mirë dhe racizëm në rastin më të keq; por, në të vërtetë, toleranca jonë e jashtëzakonshme për free riders, gatishmëria me të cilën i përligjim, i kuptojmë, ua qajmë hallin, i konsiderojmë si tanët, e shpesh jemi gati deri edhe t’i emulojmë, i jep komunitetit, dashur pa dashur, tiparet e një organizate parakriminale, e cila ekziston dhe funksionon në mos duke iu kundërvënë ligjit, së paku duke i rrëshqitur anash. Natyrisht, free riding është mëkat venial; tek e fundit, një person që e lexon një libër të tërë në librari, ose ai tjetri që këput lulet në park për t’ia çuar një buqetë nënës në spital, janë edhe ata free riders, njëlloj si unë që udhëtoja pa biletë, ose ai tjetri që martohet për letra. Për disa, këto janë shkelje, për të tjerë krime; kostoja sociale e dukurisë nuk mund të matet saktë. Një grup ose komunitet i vogël me free riders, brenda një komuniteti të madh që dukurinë e dënon, mund të ketë sukses (këtë e shpjegon edhe teoria e lojërave, ose parabola e ujqërve dhe deleve); madje të ketë aq sukses, sa të dalë në krye të komunitetit. Nga ana tjetër, kur një shumicë anëtarësh të komunitetit duan t’i bien qylit – për ta thënë shqip – atëherë rezultati është gjithnjë negativ: ujqërit e mbetur pa dele do të hanë njëri-tjetrin. Nëse të gjithë qytetarët e Romës do të provonin të udhëtonin pa biletë, atëherë kompania e transportit ose do të falimentonte, ose do të rikthente në punë faturinot – çka do të sillte, logjikisht, rritjen e çmimit të biletave, për të përballuar rrogat e faturinove dhe shpenzimet e tjera. Prandaj një student xhepshpuar mund të udhëtojë pa biletë në urban me kusht që të tjerët biletën ta kenë prerë; ashtu kostoja e biletës së tij përballohet nga komuniteti. Dhe kur komuniteti fillon ta kuptojë se çfarë po i shkaktojnë free riders, atëherë do të reagojë negativisht ndaj tyre; sikurse edhe ka ndodhur, me shqiptarët dhe të tjera grupe në zgrip të shoqërive në Perëndim; sepse këta free riders, me kalimin e kohës, rrezikojnë t’i shkatërrojnë të gjitha sistemet dhe strukturat e amortizimit social. Këto vitet e fundit kemi dëgjuar shpesh të thuhet, nga ana e zyrtarëve të BE, se Europa mund t’ua kthejë shqiptarëve regjimin e vizave, në qoftë se këta do të vazhdojnë me kërkesa të shpërpjesëtuara për strehim politik dhe ndihma sociale. Edhe një herë, përpjekjet e disave për t’ia mjelur sistemit deri edhe pikën e fundit të qumështit, rrezikojnë të kthehen mbrapsht si kosto për të tjerët, që kushedi kanë edhe më shumë nevojë, për të shfrytëzuar mekanizmat e mbrojtjes sociale që ofron Perëndimi. Dashur pa dashur, opinioni publik në Perëndim, përfshi këtu edhe opinioninzyrtar, krijon një përshtypje të llojit profilues për të ardhurit; kjo ka ndodhur me shqiptarët, sikurse ka ndodhur me arabët, me romët, me nigerianët, me rumunët, etj. Një gjykatës i ndodhur para një kërkese të kopsitur mirë për azil politik, edhe pse me dokumente të falsifikuara, nuk mund të mos ia njohë azilantit kërkesën; edhe kur, me intuitë, e ndien se e kanë mashtruar. Në fakt,free riders nuk shfrytëzojnë aq sistemin si të tillë, sesa dobësitë e sistemit; njëlloj siç futen pa biletë kalamajtë në stadium, duke kaluar përmes një të çarenë gardhin rrethues. Kjo bën edhe që dukuria e free riding ta vërë sistemin e amortizimit social në rrezik që para se ky sistem të fillojë të komprometohet nga ana ekonomike. Italianët sot e kësaj dite, në ShBA, e vuajnë profilimin si mafiozë, ose si komunitete parakriminale, të sunduara nga omertà-ja dhe admirimi për shkelësit e ligjit; me gjithë suksesin e jashtëzakonshëm të Italisë në botë, dhe të vetë italo-amerikanëve, që shkëlqejnë në të gjitha fushat: shkencë, art, politikë, televizion, financë. Tani, nëse free riders janë shqetësim për komunitetin shqiptar në NYC ose në përgjithësi në ShBA, për këtë nuk di ç’të them; vetë shoh plot simptoma të dukurisë dhe, sidomos, më shqetëson toleranca e theksuar ndaj mashtrimit, ose lehtësia me të cilën ne u rrejmë institucioneve dhe njëri-tjetrit. Por unë me siguri nuk jam personi më i përshtatshëm, për të profiluar komunitetin; edhe pse refuzoj të pranoj që free riding është një vulë turpi që të gjithë ne e kemi sjellë me vete, nga Ballkani dhe që nuk mund ta shlyejmë dot; dhe aq më keq, që kjo është mënyra jonë për të reaguar ndaj një sistemi në thelb të padrejtë, i cili ushqehet me varfëri; ose, më keq akoma, ndaj një sistemi që e shohim thjesht si mundësi plaçkitjeje. Mund të them vetëm se, nëse jashtë Shqipërisë free riding te shqiptarët kthehet dhe i godet komunitetet e këtyre si boomerang, në Shqipëri duhet të jetë një nga pengesat më formidabël, edhe pse pak të përfolura, për konsolidimin e shoqërisë civile dhe etikën e komuniteteve. Të paktën kaq gjë ma kanë mësuar njëzet e kusur vjetët, që kam jetuar larg vendit.
Nga: Peizazhe të Fjalës
Comments
600 mije lireta ne muaj

600 mije lireta ne muaj Vehbiut i dukeshin fare pak? Une ne 1993 punoja 25 dite ne muaj ne Rome dhe merrja 800 mije lireta.....

Ka qen djal doktori Vebiu o

Ka qen djal doktori Vebiu o shqipo, jo dokudo si ty dhe une... a m'kuupto. Elite! Tani e ka kthyer medaljen, eshte i majte... (Edhe pse ai thote se ka qene gjithnje i majte...)

Vehbiu duhet te di se cdo

Vehbiu duhet te di se cdo komunitet dhe popullsi e cdo shteti eshte full of ''free riders'' sic ia ka enda atij ti quaj. DHe, si pasoj e ketij trendi kapitalizmi eshte ne krize kolapsi. Dhe nuk po del prej kesaj. Duke ia nisur nga bankieret dhe Bosset e kompanive ajrore apo tokesore qe i ngrene cmimet sic ua ka qejfi.

DHe se fundi, shqiptaret do te ''edukohen'' kur dalin jashte shteti kur te ndertojne shtetin e tyre. Edukata nis nga aty ku lind dhe meson a b c-ne kurse pjekurine e merr ne cdo vend qe shkon, njesoj sic e ka marre edhe autori.

zoti Eridor ka deri diku te

zoti Eridor ka deri diku te drejte. shoqeria ne perendim i ngjan nje sanduici: sper rrine Bosset qe spekulojne me miliarda, ne mes ata qe punojne dhe poshte free riders (thejsht hajdutet).

sidoqe te jete ceshtja nga ana morale, ata qe kane jeten me te veshtire dhe me te shpifur jane pikerisht free riders.

Mire, mor zotni qe paske

Mire, mor zotni qe paske udhetuar pa bilete ne Rome,e morem vesh. Po nga e di ti qe te gjithe shqiptaret kane bere te njejten gje?!? Te pelqen te mendosh "te gjithe fajtore, asnje fajtor". Ja ku po ta them pra se une njof personalisht te pakten 5 shqiptare qe blinin abone', tre nga keta ne Rome, dy ne Vjene, prandaj ik e laj surratin perpara se te na futesh te gjitheve ne nje thes.

By the way, 600,000 lireta ne muaj qe ke marre ti ne ate kohe ishin gjithe ato pare, qe te rroje ne Rome sigurisht jo si Berlusconi, po jo edhe si rreckaman.

Edhe tani ka shqiptare sa te duash qe rrojne te integruar neper komunitetet ku i ka hedhur fati e jane te nderuar e bejne pune te kualifikuara.

Ka erdhur koha te heqim dore nga ky vete-viktimizim dhe sidomos te mos presim moral kunder free-ride-izmit prej atyre qe kane qene vete free-riders, kur ua ka dashur puna.

Kisha me shume respekt per ju, deri sa lexova kete shkrim.

o daje,ti ke probleme me të

o daje,ti ke probleme me të kuptuarit të asaj që lexon!!këtë problem duhet ta kesh dhe kur shkruan,trurin se ke të sinkronizuar me sytë!!

Qysh kur ti anticensure je

Qysh kur ti anticensure je bere etaloni i "te kuptuarit?!? Dhe kush ta njofi kete veti te mrekullueshme? Nga pikpamja ime (qe mund te jete e pasinkronizuar me syte e tua), ti me dukesh nje lloj llafollogu konfuz qe operon me koncepte te pervehtesuara per gjysem me lexime autodidakte. Te kuptuarit eshte sport i rende, kurse sinkronizimi eshte proces i ngaterruar, shpesh atyre qe nuk i kane u duket sikur u mungojne te tjereve.

njeriu, çdo veprim i tij

njeriu,

çdo veprim i tij është një "bumerang"!ky "bumerang"i veprimit njerzor,ka gjithnjë një shënjë!të gabuar a të drejtë,në fund të fundit ka një shënjë!!kur "bumerangu" qëllon më shumë në shënjë se del huq,shoqëria shkon përpara!kur "bumerangu"herë qëllon në shënjë e herë del huq,shoqëria qëndron në vënd,kur"bumerangu"del më shumë huq se shënon,shoqëria shkon pas.me tendencë për të mos ngritur kurrë kokën!!

në të gjithë botën kemi përfitues!njerëz që përfitojnë nga shoqëria pa i dhënë asgjë!e keqja është se në shqipëri ke mi më shumë përfitues se dhënës!!në shqipëri ne vlersojmë përfituesin,e fetishizojmë dhe përpiqemi ta kopjojmë!!për këtë arsye kemi korrupsionin që fillon nga kreu i shtetit,700 mijë €,dhe përfundon tek dhënja e një 50 lekshi policit të trafikut për tu vendosur para makinës që ka radhën!

përsa kohë nuk do të mendojmë se shteti jemi ne dhe jo sali berisha e edi rama,për aq kohë nuk do të mund të ndërtojmë shtet!për sa kohë nuk do të mendojmë se mospagimi i taksave,ruajtja e pasurisë shtetrore,mosdhënja e ryshfetit,mos denoncimi i rasteve të korrupsionit,nuk është një "bumerang" që do të na këthehet ne në kokë,për aq kohë ne do të jemi vetëm shtet shkatërrues!!nuk do të mund të kemi përfitimin e vërtet nga shteti!!kur them përfitim i vërtet nga shteti them se do të kenë të gjithë njerzit mundësi të përfitojnë nga fuqia e shtetit!nga të mirat që sjell shteti!nga siguria që ai sjell për qytetarët e tij!!sot jemi në një pasiguri totale!nuk jemi të sigurtë në asgjë!
shpresojmë që të punohet më shumë me ndërgjegjësimin e shoqërisë sesa me zënjet ndërmjet pordhitikanëve!për ndërgjegjsimin e shoqërisë duhet të punojmë të gjithë,sidomos elita(e përgjumur)intelektuale,intelektualët e thjeshtë dhe ne njerëzit e thjeshtë,që bëjmë shumicën e shoqërisë,shtetit!!

po nuk filluam të pastrojmë shoqërinë nga" free riders",në shtet,në dogana,në pagesën e taksave,në qarkullimin rrugor e në shumë e shumë aktivitete të tjera,nuk duhet të kërkojmë gjë nga shteti!duhet ti lutemi vetëm fatit që të mos jemi delja e radhës nën thikën e kasapit!kasap që në të vërtet është " free riders"i i radhës!!

Ketu po perpiqeme te te bej

Ketu po perpiqeme te te bej TY te kuptosh sa absurde dhe jo praktike jane gjerat qe ti shkruan ne kete koment:

1. (cit) "përsa kohë nuk do të mendojmë se shteti jemi ne dhe jo sali......" kush jane NE? I gjithe POPULLI, antaret e PS, antaret e PD, ata qe shkojne ne pune cdo dite, ata qe nuk paguajne taksat, ata qe votojne, ata qe nuk votojne etj. etj. Kjo fjali eshte impersonale, kjo fjali buron thjesht nga mendimi utopik dhe deshira e mire per te rregulluar ne nje cast, dicka qe eshte kultivuar ne shekuj ne psiken shqiptare dhe sado bukur te tingelloje nuk mund te realizohet vetem se ca si ty o anticensure shohin endrra me sy hapur.

2.(cit) "shpresojmë që të punohet më shumë me ndërgjegjësimin e shoqërisë sesa me zënjet ndërmjet pordhitikanëve!" Perseri totalisht impersonal, totalisht pa tregues konkret, praktik. Kush shpreson dhe kush do te punoje per ndergjegjesimin e shoqerise (kete e ke marre nga ndonje liber i vjeter shkollor i filozofise m.l.). A e di ti mor zoteri qe shoqeria perbehet nga nje larmi shtresash, grupesh, komunitetesh lokale etj, shpesh me interesa te kunderta, keshtuqe pallavrat me ndergjegjesimin e shoqerise nuk shkojne me. Po te kishe folur per ligj dhe per zbatim ligji, hajde edhe mund te haeshe, por me kete "ndergjegjesimin e shoqerise" ke arritur maja humori, ndonese pa qene i vetdijshem. Ndergjegjesimi i shoqerise ka cuar ne menyre spontane tamam ne ate qe ti kujton se po lufton, ne shtimin e shpejte te free-riders.

3. (cit)"po nuk filluam të pastrojmë shoqërinë nga" free riders".... perseri kush do te filloje ta beje pastrimin, TI duke komentuar ketu tek Respublica apo forume te tjera? Si do t'i pastrojme? A kane ata ndonje damke ne balle qe zotrote te marresh fshesen dhe uuuup i pastrove?

Ti mund te kesh vrejtje per sinkronizimin tim sa te duash (sic kishe shkruar si pergjigje e nje komentit tim te mesiperm), por une te ftoj te mendohesh pak para se te fillosh te me japesh kualifikime personale (gje qe une nuk e kisha bere ndonjehere per ty).

daj ceni, duket që ke shkruar

daj ceni,

duket që ke shkruar me emocion,inat,prandaj ke shkruar budallallëqe!po ja lë fajin momentit emocional,se për ndryshe duhet të them se spaske lidhje me llogjikën!!nuk paske kuptuar asgjë si nga ajo që shkruar vehbiu dhe nga ajo që kam shkruar unë!!!

impersonale?!?kur flitet në përgjithësi,për një popull nuk mund të thuash diçka "personale"!populli jemi të gjithë ne.PD,PS,ata që qëndrojnë "drejt" dhe ata që qëndrojnë "shtrëmbër",paguajn a spaguajnë taksa!janë jasht a bre¨nda,burg!!

"Kush shpreson dhe kush do te punoje per ndergjegjesimin e shoqerise"Kush shpreson dhe kush do te punoje per ndergjegjesimin e shoqerise"

nuk është aspak i"impersonale",unë dhe ti të parët,vehbiu e ka shkruar,të tjerë duhet ta pasojnë!!

"perseri kush do te filloje ta beje pastrimin,",uuuuuunë e tttttiii,gjithë shoqëria!!ti me të vërtet e ndjen veten të pa vlerë,por po të them se ke po aq vlerë sa unë vebiu e rama me sali bashk!!mjafton të mendosh se duhet të bësh diçka për shoqërinë!mjafton të fillosh dhe të mendosh se dhe ti je pjesë e shoqërisë dhe se shoqëria nuk është një gjë abstrakte!!mjafton të kuptosh se shoqërinë e ndërtojnë individët,ne njerëzit e thjeshtë dhe se nuk kemi më nevojë për "skënderbe"e "moze" e as duhet të presim që të zëbresë zoti në tokë për të na mësuar/drejtuar në jetën tonë!!

kështu o dajë ceni,fillo e konsiderjoje vetën të parë dhe jo gjithnjë si ai demi me unazë në hundë!fillo e shko përpara dhe jo pas!!ky shkrim emocional është vetëm pengesë për atë që kërkon vehbiu,për atë që kërkoj unë!!

Eh mor bir, perseri i jep

Eh mor bir, perseri i jep vehtes rybe dhe hyqme qe as i ke e as mund t'i kesh. Megjithate, perpara per fitore te reja e sa me shume suksese.

PS. Emocion dhe inat?!? Kjo eshte shakaja e rradhes. Njeriu normal nuk mund te kete as emocion as inat me tastieren e kompjuterit, se tek e fundit kjo je ti per mua, dhe une per ty. Merre shtruar kur fillon e flet per llogjiken e tjetrit, kij kujdes, ne pasqyrat konvexe ose konkave (i mban mend i ke bere ne fizike ne shkolle te mesme, nqs e ke bere shkollen e mesme) realiteti paraqitet i deformuar, por mos kujto se ky eshte faji i realitetit, guess what, eshte faji i pasqyres. Nejse, tashti e gjithe kjo mesele po merr kohe me shume se sa meriton, keshtuqe Gezuar Vitin e Ri dhe vazhdo te kontribuosh me intelekt te shkelqyer, sic ke bere deri tani ketu ne forum te Respublikes.....

flm daje këshillat i ke

flm daje

këshillat i ke gjithnjë të forta!

shkollën e mesme se kam bërë,por në kohën time konkavja e konveksja bëheshin në 8 vjeçare!

gjithashtu gëzuar vitin e ri e gjithë të mirat!!

Jo te gjithe jane free rider

Jo te gjithe jane free rider si Vehbiu, qe diten e pare qe me shkeli kemba ne itali para dy dekadash e deri me sot asnjehere nuk kam udhetuar pa bilete, riperseris, kurre. Vehbi, nuk je ti etaloni i shqiptareve. Ben mire te mos i futesh te gjithe ne nje thes me veten.

robocop në këtë rast vehbiu

robocop

në këtë rast vehbiu nuk e ka me "free rider" fjalë për fjalë!

e ka me mentalitetin "free rider"shqiptar!!ai ka ndershmërinë të thotë se dhe ai ka qënë pjesë e "free rider"të thjeshtë dhe pothuajse të padëmshëm!ai thotë gjithasht se ka dhe njerëz të ndershëm,jo "free rider" si puna tënde,por po ta marrësh të përgjithësuar termin "free rider",nuk e di në del ti po aq i pastër sa dhe pretendon!!unë nuk dal i kulluar!shpresoj që ti të jesh i kulluar. me një fjalë të mos jesh "free rider"në ndonjë aspekt tjetër të jetës!!

Edhe me koncepte ekonimike

Edhe me koncepte ekonimike paska vendosur ky të mirret? E ka bërë ujë publicistikën dhe tash do të na sh[jegojë dhe koncepte ekonomike, paçka nuk ka bërë një muaj studim! O tempora o mores! Zotrote Vehbiu, dini ju që ka shqiptarë që paguajnë miliona dollarë taksa për bizneset e tyre në SHBA? Dini ju që ka shqiptarë që janë mjekë në Bronx që punojnë nga tetë orë në javë falas për të ndihmuar fëmijët amerikanë? Pse jeni kaq racist xhanëm???

Add new comment