‘Zhgënjimi’ i vërtetë fillon pas statusit, nëse...

Postuar në 30 Nëntor, 2013 03:46
Ben Andoni

Që në krye të herës duhet të theksojmë se Shqipëria edhe nëse e merr statusin e vendit kandidat do jetë sërish shumë larg udhës së anëtarësimit në BE. Që do ta marrim, kjo pëshpëritet ende me gjysmëzëri dhe më shumë duket si një dorë ndihmë për Shqipërinë dhe inkurajim për z.Rama në malin me reforma që ka premtuar të ndërmarrë. Anipse edhe nëse nuk do ta marrim dhe kjo ka gjasa po aq të ndodhë, me logjikën e zakonshme, autoritetet evropiane e lirojnë veten nga një ‘mëdyshje’ e madhe pas artikulimeve patetike proevropiane të zyrtarëve shqiptarë.

Dy “Jo-të” kategorike që iu dhanë Shqipërisë nga Brukseli më 2010 dhe 2011 dhe një rekomandim për statusin e kushtëzuar të kandidatit më 2012 në vend që t’i bënte të reflektonin politikanët shqiptarë, u dhanë një fushë beteje të re kundër njëri-tjetrit. Sa i përket Brukselit, reagimin e vërtetë të politikanëve shqiptarë ndaj tyre e dhanë më së miri ish-Ministrat e atëhershëm të Berishës, znj. Bregu dhe z. Haxhinasto, që u rregjistruan në audio teksa artikulonin shkujdesur se “Na çanë...” evropianët. Idioma banale shqiptare në fakt duhej t’i shkonte më së miri gojës se autoriteteve të Brukselit, që prej vitesh reken t’i mbushin mëndjen shqiptarëve dhe ballkanasve për udhën e vështirë evropiane.

Megjithëse mbetet ende një shpresë e vakët se Shqipëria do ta marrë statusin e kandidatit edhe pse vendi ruan një polarizim të frikshëm politik. Brukseli zyrtar, nga ajo që thuhet, e ka parë si shumë premtuese punën e burokratëve shqiptarë për reformat kryesore dhe sidomos zgjedhjet e fundit, që përcollën transformimin e qetë të pushtetit. Por, për të marrë një mbështetje unanime nga Evropa në këtë stad, duket se mungon zëri i  Holandës dhe Gjermanisë, për të provuar realisht sesa ka ndryshuar vendi. Kryesoret mbeten disa prioritete të munguara politike, në një listë të propozuar nga Ekzekutivi i Brukseli që janë pengesat drejt finishit nga ku duhet të kalojë vendi.

Rrugë gati e njëjtë është edhe për ballkanasit e tjerë. Ku, ajo që mbetet një problem i përbashkët dhe gati i pakalueshëm për të gjitha vendet e rajonit, është sfida për një sistem gjyqësor të pavarur, lufta ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, respektimi i të drejtave bazë humane, mbështetja dhe zhvillimi i shoqërisë civile dhe ndërtimi i një administrimi efiçent publik. Në rastin e Shqipërisë, zhgënjimi është i pranishëm gati në të gjitha këto hallka: Zbulimi i vazhdueshëm i korrupsionit të drejtësisë dhe hapësira se ku ka shkuar gangrena e përgjithshme e korrupsionit në të gjitha fushat tregon se ministrat tanë referojnë progres gati informal. Krimi është gati më i lulëzuari në rajon dhe në rastin e Shqipërisë e gjen që në nivelin e maskave në terren, për të arritur në Lazaratin, kthyer tashmë si Stalingradi. S’ka vend që ballkanasit e tjerë të fërkojnë duart: Na bashkon njësoj kurrupsioni dhe vështirësitë ekonomike. Jo më kot, në Strategjinë e Zgjerimit të Komisionit për 2013 thuhet se: Rajoni është në një nevojë të skajshme të reformave makroekonomike dhe fiskale, shtuar me problemet strukturore dhe programeve konkurruese dhe ka ende shumë punë për të bërë të arrihen kriteret ekonomike të Kopenhagenit për anëtarësinë në këtë moment dhe tjetra: që as edhe një nga vendet ballkanike nuk e plotëson statusin e një ekonomie tregu funksionale.

E të ishte edhe vetëm kjo, atëherë do të quhej një gjysmë mirë, por historia është fusha e fundit që e ruan një sfond që errëson edhe më shumë rajonin tonë. Kontrabanda, kufijtë që janë ende të pazgjidhur, problemet me minoritetet që vazhdojnë të jenë problem dhe pengojnë dukshëm procesin e bashkëpunimit rajonal, si edhe pajtimi në rajon, duken ende shumë e shumë larg në horizontet e vendeve tona. Shqipëria, nga ana e saj, vazhdon marrëdhënie jo të mira me minoritetin grek dhe nuk sillet aspak normal me romët, ashtu si Serbët vazhdojnë me sjellje meskine dhe të ulëta ndaj shqiptarëve në Preshevë, për të mos vazhduar me Bosnjën dhe Maqedoninë, si vende aspirante. Ndërkohë edhe pse kryeministri i ri shqiptar, pothuaj i ka takuar në 100 ditët e tij gati të gjithë liderat rajonalë, marrëdhëniet me vendet ballkanike dhe bashkëpunimet as nuk po reflektohen fare në praktikë. Ndërkohë mungesa e konfliktit s’do të thotë progres. Me pak fjalë, ngërçet mes vendeve ballkanike janë njësoj dhe ende peng i të shkuarës.

Duket se koha e fjalëve nuk ka fund, por edhe vetë vendet evropiane përcjellin realitete jo të qarta në gadishull me anë të zyrtarëve të tyre, ndërsa parlamentet e tyre respektive ua bëjnë edhe më konfuze zërat zyrtarëve të tyre. Në vetvete, procesi i zgjerimit të Ballkanit, ku Shqipëria ka pjesën e vet, është bërë edhe më shumë i paparashikueshëm, duke na e hapur edhe më humnerën mes besimit dhe realitetit, që duket se do jetë një proces i gjatë.

Nga ana tjetër, futja e kokës si struci i BE-së në Ballkan dhe adresimi i disa problemeve specifike nuk e justifikon dot më Evropën, pasi nëse realisht zgjerimi mbetet një qëllim i Evropës duhet që të investohet realisht. Këtë s’e kupton dot nga artikulimi gjysmak i përfaqësuesve në Tiranë dhe në kryeqytetet ballkanike. Duhet që vetë BE-ja të vendosë disa prioritete të kapshme: ti nxisë në praktikë institucionet, të ndikojë direkt në forcimin e ekonomisë, ku nëse do punohej më shumë do duhej të jepej dorë drejt modernizimit, përmirësimit ekonomik, infrastrukturës, energjisë, kulturës etj. Në një farë mënyre, Evropa po arriti t’ia dalë në Ballkan, do jetë një ogur i mirë për vetë atë. Të paktën të ketë se çfarë të krenohet me 25vjetorin e rënies së Murit të Berlinit.

Në rastin e Shqipërisë, edhe pse vendi mori nota pozitive nga Parlamenti Evropian, duhet të bëhet e vetëdijshme se udha e vështirë vjen paskëtaj. Pasi, duam apo s’duam Bashkimi Europian mbetet partneri kryesor ekonomiko-tregtar i Shqipërisë. Tek e fundit në një familje me rregulla duhet të përshtatësh. Dhe, Bashkimi Europian për Shqipërinë  dhe shqiptarët, përkthehet vërtetë në më shumë siguri, më shumë stabilitet ekonomik dhe, si rrjedhojë, më shumë prosperitet, por njëkohësisht e dimë të gjithë se janë edhe shumë detyrime që duhet t’i mendosh mirë sesi do t’i mbash. Këto, Rama dhe stafi i tij, ashtu si paraardhësi, momentalisht i kanë në letër pasi justifikimi për përgjegjësinë e madhe të Qershorit 2013, është ende hipotetik. E të mendosh, dera e kandidatit ende s’është hapur.

GSH

Comments

Submitted by Shqipo (not verified) on

<p>Pas shuplakave Islandezo-Turko-Ukrainase&nbsp; BE do na e jape edhe sikur mos ta duam ne.Marrja e statusit eshte vetem nje premtim elektoral nga politikanet shqiptare per te genjyer e marre votat e atyre qe nuk e dine rrugetimin per anetaresim ne BE.Ashtu si edhe Stabilizim-asocimi nuk do sjelle asgje me rendesi per shqiptaret e thjeshte.Do jepen nja 200-300 milione euro per reforma e llafe pa buke qe do zhduken ne vrimat e zeza qeveritare si jane zhdukur edhe me pare.</p>

Submitted by Student (not verified) on

Vertet pas Ukraines burokratet idiote ne Bruksel do ja japin Shqiperise kete rradhe, por realisht kjo nuk eshte ndonje gje e madhe. Shihni Turqine. Te fusim Evropen ne Shqiperi, ky duhet te jete qellimi, dhe jo te presim Evropen te fuse Shqiperine ne Evrope. Ajo nuk e ka bere kete asnjehere, dhe me nivelin aktual te racizmit, nuk jam i sigurt se ne shqipot do ndjehemi mire. Per sa kohe ne shihemi si lypsare per para nga Evropa nuk ka hyrje reale ne te.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.