Gëzuar harresën!
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/2015/07/31/2507_1_2221.jpg?itok=P0qBt71M)
Festat e fundvitit sjellin me vete kaosin e përvitshëm në Shqipëri. Ai shfaqet jo vetëm në dyqanet ku blihen pa fund produkte nga më të ndryshmet, të nevojshme apo jo, por edhe në fishekzjarret e shumta, që, më shumë se përskuqjen e qiellit, kanë për qëllim adrenalinën e pashpjegueshme që përjetojnë shumë njerëz nga efekti zanor traumatik që shkakton zhurma e shpërthimit të tyre. Gjatë ditëve të fundit të dhjetorit, vërehet zakonisht një ekzaltim masiv i njerëzisë, në padurim të pritjes së momentit të shpërthimit të madh në mesnatën e tridhjetëenjëtë, kur viti që kalon ekzekutohet barbarisht, në një batërdi krismash e shpërthimesh zbrazura si me komandë nga një togë gjigande pushkatimi. Në të vërtetë, në këtë ekzaltim duket se ka më shumë harbim se hare. Vështirë të hetosh shenja lumturie në fytyrat e njerëzve që gëzojnë në këtë mënyrë, pa kuptim, pa motiv, pa emocion. Eshtë më tepër një nevojë për të shfryrë e një shoqërie të mbingarkuar me tension, stres, varfëri, lakmi, babëzi…
Raste të tilla përbëjnë më tepër shfaqje me interes observativ, nga ku mund të vëzhgosh devijacionet e larmishme që po shfaqen dendur në sjelljet e reja shoqërore. Megjithatë nuk po ndalemi të bëjmë një analizë të hollësishme, gjë që do të duhej të bëhej patjetër, nëse në këtë vend do të kishte qendra studimore të specializuara. Po përpiqemi thjesht të vëzhgojmë se si shoqëria i përgjigjet një realiteti që gjithnjë e më shumë po sundohet nga tregu dhe media. Në nivel të konsiderueshem, kjo katrahurë e ndërrimit të viteve është feedback-u që shoqëria shqiptare ofron përballë mënyrës sjelljes së tregut, duke përfshirë edhe atë mediatik.
Një prej tipareve më të spikatur, kryesisht në shoqëritë e pazhvilluara, është niveli i lartë i masivitetit që shoqëron ngjarjet publike dhe njëkohësisht ndikimi i madh që mediat kanë në mobilizimin dhe prodhimin e shfaqjeve të turmave. Të dhënat studimore tregojnë se vendet më të pazhvilluara kanë edhe nivele më të larta të shikueshmërisë televizive, si dhe nivelet më të larta të përpunueshmërisë mediatike. Institucionet e komunikimit masiv në vende të tilla kanë pushtet absolut në provokimin e sjelljeve shoqërore, duke u bërë edhe faktorët dominues në krijimin e efekteve kulturore. Për këtë arsye, në këto vende, zhvillimet kulturore nuk krijohen ashtu si kudo, si përgjigje ndaj ndryshimit të kushteve sociale që sjell moderniteti, si pasojë e ndryshimit të marrëdhënieve të prodhimit, komunikimit apo edukimit, por ato u imponohen artificialisht njerëzve, nëpërmjet modeleve të gatshme komerciale të ofruara prej medias. Ka studime që na tregojnë se psh, emigrimi rural drejt qyteteve, në Europën Lindore nuk vjen për arsye ekonomike, të kushtëzuara nga industrializmi, siç ka ndodhur natyrshëm kudo në vendet e zhvilluara, por ato simulohen kulturalisht prej efektit që televizioni krijon mbi botëkuptimet e të rinjve në zonat rurale. Kjo masë e madhe e të rinjve e braktis fshatin, jo për një jetë më të mirë, por për një jetë në përputhje me perceptimet që kanë krijuar për jetën nëpërmjet medias. Ata emigrojnë për shkak se mjedisi ku jetojnë nuk përputhet me mënyrën e jetës që duan të bëjnë. Pikërisht, një pjesë e madhe e turmave festive në ngjarje të tilla, mbushen nga ky kontigjent qytetarësh.
Dolli për tregun
Ajo që spikat në mënyrën e të festuarit këto raste është natyra kolektiviste, masovike e shoqëruar me mungesën e sensit të masës. Shoqëria shqiptare duket ende larg kultuës së kremtimeve në mënyrë të përmbajtur, qytetare e intime. Tipike në këtë mes është, nevoja për t’i përfshirë e për t’u përfshirë të gjithë, në pavarësi të plotë se kujt i drejtohet festa, e mbi të gjitha, në shpërfillje të plotë të motivit të saj. Njerëzit festojnë pa ditur çfarë dhe pse, dhe kjo tregon, ndër të tjera, përjashtimin e të menduarit në shoqërinë tonë, distancën prej nevojës meditative që duhet të shoqërojë çdo festë.
Për këtë arsye nata e ndërrimit të viteve, pas një dëndjeje mbarëkombëtare me mish, yndyrë, alkool e humor televiziv, gjithçka shndërrohet në një harmagedon lëndësh plasëse të kalibreve nga më të rëndat, e cila terrorizon çdo kafshë shtëpiake që ka taksiratin të jetojë mes njerëzish, si dhe çdo foshnje, që nuk ka ende moshën e mjaftueshme për të kuptuar se, ajo që po ndodh është hare dhe jo tërbim. Asgjë meditative, reflektuese, sensibilizuese nuk ka në këtë ritual që procedon me përpikmëri itinerarin e vet nga stomaku deri tek pushka e ahengu. Gjithçka duket se kërkon vetëm sasi, harresë, tjetërsim. Të gjitha këto presupozohet të sjellin çlodhje dhe gëzim, por e vërteta është se në fund, mbetet vetëm rëndesë dhe lodhje nga pagjumësia dhe harbimi si dhe dhembje koke prej pijes, gjë që kërkon, të paktën një ditë tjetër për rekuperim. Eshtë një dëshirë e papërmbajtur e këtij tipi njeriu që po kultivohet në këtë vend, për t’u strehuar në turmë e zhurmë, ndoshta për t’i ikur sadopak vetvetes, për t’iu vjedhur asaj për pak çaste.
Festa të tilla janë në të vërtetë produkt i konsumizmit. Gjithçka gatuhet prej fabrikës, supermarketit dhe medias, aleatët më të ngushtë të betejës midis mallit dhe njeriut në mejdanin e ashpër të tregut. Pikërisht këta agjentë determinues në transformimin e qenies njerëzore në qenie konsumatore, janë regjisorët kryesorë të kësaj shfaqjeje, e cila në Shqipëri duket më spektakolare se kudo, për vetë faktin se nënshtrimi i individit ndaj mrekullisë së tregut është shumë më i madh se kudo, në pavarësi prej nivelit ekonomik. Pra pushteti i tregut dhe sidomos i medias, ka krijuar tashmë totalitarizmin e ri, që ka zënë vendin e diktaturës së vjetër të proletariatit, duke riprodhuar rreshtoren kolektive të masave të transformuara tashmë nga masa punonjëse në konsumatore, por të mbetura revolucionare, ndonëse sipas formave të reja të revolucioneve dixhitale. Rama, Berisha dhe e gjithë armata e politikanëve, artistëve, analistëve, shoumenëve që përfshihen në këtë teatër, nuk janë vetëm se xhonglierët apo kllounët e rastit dhe të rradhës, të cilët i shërbejnë këtij sistemi, duke përfituar dhe bashkëvuajtur gjithashtu hisen e tyre prej tij.
Nuk po fantazojmë aspak. Studiues të shumtë janë përpjekur të na ndërgjegjësojnë për atë që disa prej tyre e quajnë “totalitarizëm latent” të modernitetit dhe tregut. Konsumi duket se i ka përqendruar të gjitha pushtetet në dorën e tij. Ai është tashmë cezar edhe papë njëkohësisht, duke premtuar shpëtimin e amëshueshëm nëpërmjet çastit, i cili duket se e ka përfshirë përjetësinë, ashtu si turpi e ka përfshirë tashmë shpirtin. Gjithçka gjendet e përmbedhur tek malli, dhe parajsa ku ndodh e gjithë mrekullia është, pa dyshim, tregu.

Para pak javëve, Tirana dhe e gjithë Shqipëria, ishte dëshmitare e një prej shfaqjeve më spektakolare të gjithë kësaj që po themi. Hapja e një prej qendrave tregëtare që mendohet të jetë nga më të mëdhatë në Ballkan, rezultoi një dyndje masive e pamenaxhueshme e njerëzisë nga një rreze e gjatë distance gjeografike. Makina pa fund, të nisura deri nga rrethe jo fort të afërt me Kryeqytetin, e shndërruan ditën inagurimit të kësaj sipërmarrjeje në një mahsher të vërtetë. Turma që shtyheshin nëpër vitrina, trafik kilometrik, agjentë sigurie që përpiqeshin të mbanin turmat për të vënë sadopak rregull… Në fund të ditës, sipas të dhënave nga stafi menaxhues, të cilët nuk ka përse të mos jenë të besueshëm nga aq sa u demonstrua, rezulton një shifër prej rreth 120 mijë vizitorësh. Me një fjalë, që në ditën e parë të hapjes, më shumë se 1/40-a e banorëve të Shqipërisë kanë nxituar, në mes të atij kaosi të asistonin në këtë ngjarje. Natyrisht, shifra do të kish qenë më e madhe, nëse harta e Shqipërisë dhe rrjeti rrugor do të kishin qenë më të favorshëm duke ofruar për Tiranën më shumë barazlargim nga skajet. Kjo është mrekullia e medias. Ajo lëshon komandamentin e saj të vetëm që bëhet menjëherë në ligj për të gjithë: Bli! Dhe turmat – i madh e i vogël – si me telekomandë brofin në këmbë të bindur, duke iu përgjigjur thirrjes plot devocion.
Televizori i gjithëdituri
Në Shqipëri, gjithçka që shihet në televizor, hahet. Kam punuar gazetar për disa vite dhe më ka rastisur që shpjegimet e mia mbi ngjarje të caktuara politike të ndeshin në kundërshtimin e të tjerëve me te vetmin argument se fjalët e mija binin në kundërshtim me lajmet televizive. Argumenti në këto raste përmblidhet me një fjali të shkurtër: “E tha televizori”. Jo ndonjë televizion konkret: “Televizori”. Eshtë institucioni që gëzon autoritetin e informimit, të cilit i besojmë të gjithë, ndonëse të gjithë e pranojmë që mediat mashtrojnë. Eshtë magjia që zbret mbi të gjithë ne, duke na e mbushur kokën me gjithçka që na duhet për të funksionuar në realitetin ku jetojmë, të prodhuar po prej tij. Megjithëse në rastin konkret pas “televizorit” qendronin kolegë të mi, që bëjnë lajmin një soj si unë, nuk kisha asnjë autoritet mbi ta duke qenë i pranishëm në tryezë, prej mishi e prej gjaku. Patjeter, gjërat mund të ishin ndryshe vetëm nëse të njëjtën gjë do ta degjonin në lajme, qoftë edhe sikur lajmin t’a kisha përgatitur po unë. Natyrisht, fjala nuk mund të marrë vlerë, e thënë ashtu, ex cathedra, jashtë objektit të kultit të informimit, ekranit, i cili është i kushti i domoshëm për të prodhuar të gjithë solemnitetin e duhur, për të kryer siç duhet procesionin e ushqimit të përditshëm informativ.
Ajo çfarë media ka arritur mbi të gjitha të krijojë në çdo fundviti, është nevoja e patjetërsueshme për festë. Në një nga emisionet interaktivë të mëngjesit, ku qytetarët kanë mundësinë të zbrazin të gjitha çuditë që u fanepsen gjatë orëve të pagjumësisë apo edhe gjatë ëndërrave të natës, ndoqa një rast domethënës për këtë. Një pencioniste, tepër e indinjuar, reagoi ashpër ndaj qeverisë, për faktin se këtë vit, pencionistëve nuk do t’u shpërndaheshin paratë që u taksen çdo vit për Vitin e Ri. Zonja në fjalë, e indinjuar thellësisht, nuk ngurroi të shprehë në mënyrë demonstrative vendimin e saj nga ky fakt: “Po nuk na dhanë paratë e gjelit (bëhet fjalë për gjelin e tryezës së Vitit të Ri), unë nuk votoj më për këtë qeveri”.
Përtej indikacioneve të jashtëzakonshëm në lidhje me mënyrën e orientimit të votës, prej këtej mund të kuptojmë rëndësinë që merr “gjeli”, tryeza e kësaj darke, në jetën e individit. Të festosh këtë natë, është tashmë diçka jetike, e domosdoshme, e pashmangshmem është një detyrë kombëtare për të cilën ja vlen të rrëzosh edhe qeverinë. Pse jo, zonja mund të ish shprehur ndryshe edhe: “Nuk duam as ujë, as bukë e as drita, thjesht duam një tryezë të struar për Vit të Ri”. Kjo është mënyra sesi tregu dhe mediat, ashtu siç thotë Markuze, u imponojnë njerëzve dëshira artificiale që njerëzit i marrin për të vetat, duke i konsideruar të natyrshme dhe të domosdoshme. Këto dëshira tashmë janë kthyer në nevojë e patjetërsueshme.
Ky është kurthi ku është kapur sot “njeriu njëdimensional”, i robëruar ndaj vetvetes, në kushtet kur veten ia konstruktojnë të tjerët. Ky është “totalitarizmi latent”, për të cilin flet Nisbet, totalitarizëm që e ka lidhur pas vetes qenien njerëzore në thelbin e vet, aq sa nuk i mbetet tjetër vetëm se t’i bindet duke zgjidhur qesen për të paguar çastin, sado i vogël qoftë, që i mundëson harresën e vetvetes. Ndërkohë, asnjë çështje vërtetë serioze, që ka të bëjë me drejtësinë, të vërtetën, virtytin, të bukurën nuk përbën sot interes publik. Jo më kot ky vend ka mbetur i asfiksuar, ku çështje të tilla si prona, zhvillimi, institucionet, drejtësia sociale, dënimi i krimeve të komunizmit, etj. mbeten të pazgjidhura nën hundën indiferente të një publiku që aty ka edhe kufirin e shikimit. Njerëzit duan gjel për vitin e ri, pa për hallet e tyre nuk ia vlen të mendojnë. Për to mendon televizori, ai që krijon edhe tregun edhe qeverinë. Ai na i zgjidh si me magji të gjitha hallet, duke na mësuar të mos mendojmë për to. Këtë e bën, qoftë duke ekzekutuar mendimin, reflektimin, meditimin, qoftë edhe duke ushqyer nevoja artificiale, që na preokuptojnë me gjëra të tjera nga nevojat e vërteta. Mrekullia e medias, është kështu mrekullia e harresës, e cila vepron si një anestezi popullore që na bën të mos e ndjejmë majisjen e plagëve.
Të harrojmë për një cast gjithçka! Jemi bashkë, të gjithë duke iu gëzuar çastit, mbretit të botës së mallit, të gjithë duke numëruar countdoën plot hare, në pritje të momentit kur jep shpirt edhe ky vit.
Comments
Analize e goditur

Analize e goditur psikologjike !

Me sundimin e globalizmit efekte te tilla do rezultojne akoma me shkaterrimtare sidomos per shoqerite me baze te gjere te prejardhjes fshatare !

në pritje të momentit kur jep

në pritje të momentit kur jep shpirt edhe ky vit.

Ky ishte nje vit qe vertet mu duk sikur dha shpirt. Flm per artikullin.

Artikull i mire e i

Artikull i mire e i kthjellet.

Artikull shume i bukur dhe

Artikull shume i bukur dhe real!

Nga ky artikull shumëqka për

Nga ky artikull shumëqka për te mësuar......

Shumë i mire per ta lexuar.!

Add new comment