Që nesër të mos pendohemi

Letër Kryeministrit Rama
Zoti Rama, një histori e trishtë njerëzore më bëri të të nis këtë letër. Nuk e di nëse do ju bjerë në dorë, gjithsesi po e shkruaj. Ju njoftoj se mbrëmjen e së shtunës që shkoi vdiq një grua 87-vjeçare. E quanin Sofie. (Nëse JU keni lexuar këto tri radhë, ju lutem mos e ndërprisni leximin, pasi nuk po ju tregoj përralla dimri. Nuk kam as kohë dhe as tagër për këtë).
E moshuara humbi jetën pak e nga pak, në sy të banorëve të një qyteti. Kishte 6 javë që ishte “ngujuar” së bashku me nipin 67-vjeçar (djalin e motrës) në një stol para Bashkisë dhe Prefekturës së Durrësit. Imagjino pak dy të moshuar që natë-ditë rrinë kruspull mbi një stol, mbështjellë me kartonë. Ata më bujarët u jepnin ujë dhe bukë. Askush nga bashkiakët nuk i pa. Edhe nëse i panë, dua të mendoj të kundërtën, pasi është makabre, shumë makabre. Sofisë, iu dehidratua trupi nga të ftohtët dhe të pangrënët. Lëkura e hollë afër bërrylit i ishte shqyer dhe i kullonte gjak. Përfundoi në koma në dyert e spitalit. Aty dha shpirt.
Drama e saj nuk mbahet mend kur nisi. Ajo përzihet me dramat e shumicës së shqiptarëve, që zënë fill në keqqeverisjen e 22 viteve të fundit. Sofie Qëndro ishte përzënë nga shtëpia e ish-pronarëve së bashku me nipin, ku kishin jetuar prej 70 vitesh. E di që kjo nuk ka të bëjë me TY. Por vdekja e saj, në njëfarë mënyre ka të bëjë me të gjithë ne. E them këtë, pasi nuk ishte Zoti që i caktoi një ditë e një datë dhe çoi ZONJËN VDEKJE ta merrte Sofinë. Atë e vranë njerëzit që qeverisin.
Dy të moshuarit kërkuan ndihmë në Bashki që t’iu gjenin një strehë ku të fusnin kokën. Por, e di çfarë përgjigjeje morën nga i pari i këtij institucioni?! TI nuk do e besosh këtë. As unë nuk e besova, por Llazi Qëndro deklaroi në një intervistë për “GSH” se kryetari i Bashkisë i tha: “Na keni nxirë faqen duke qëndruar në lulishte. Ikni prej andej, se është turp të qëndroni aty!” Larg qoftë të jetë e vërtetë. Larg qoftë dhe dyshimi se kreu i Bashkisë ka lexuar shkrimin e botuar më 21 shtator në “Gazeta Shqiptare” për dramën e dy të moshuarve. Nëse kjo e fundit është e vërtetë dhe i pari i kësaj bashkie nuk reagoi, i bie që në Shqipëri nuk ka gazetarë, por vetëm gazetarucë që nuk u pi ujë fjala dhe se ky vend është fundosur nga politikanë dhe qeveritarë të papërgjegjshëm e kriminelë.
Dikush mund të thotë se ka me qindra të tjerë si Sofia që janë të pastrehë, se ka qindra lypsarë që shtrijnë dorën rrugëve, dhe Bashkia nuk ka se çfarë t’iu bëjë. Por unë po ju pyes JUVE zoti Kryeministër se, çfarë mund të bënte Sofia? Një fëmijë lypsar i pangrënë do bënte diçka për të mbushur barkun me bukë, do vidhte xhepat e kalimtarëve, do vidhte diçka në një dyqan, në treg apo supermarket, e pastaj t’ia mbathte. Por çfarë mund të bëjë një plakë që mezi lëviz këmbët dhe duart?! Sofinë, edhe sikur të donte, nuk e linte pleqëria të kthehej në hajdute.
Unë nuk jam mërzitur me Sofinë që, pa dashje prishi imazhin e qytetit. Nuk jam mërzitur as me kryetarin e Bashkisë dhe as me biznesmenët e këtij qyteti, që edhe pas vdekjes së zonjës së pafat u treguan aq dorëcungët sa nuk morën përsipër t’i gjenin një garsoniere nipit të saj, Llazit, dhe t’ia paguanin vetë muaj për muaj. Është zgjedhja e tyre që, paratë që kanë t’i marrin me vete kur të ikin në varr.
Jam e mërzitur me qytetarët e thjeshtë, me njerëzit si unë, që bëjmë “obobo” dhe kërcasim gishtat e duarve pasi ndodh tragjedia. Jam e rebeluar me nervin tonë të vdekur. Nesër mund të vdesin rrugëve e shesheve shumë të tjerë si Sofia. Ka me mijëra të papunë që në moshë të tretë nuk do të kenë mundësi të marrin pension. Kështu, i bie që të gjithë ata të vdesin. Tamam kështu i bie, pasi të zgjedhurit nga ne nuk kanë as vizion në detyrën që iu është caktuar, por nuk kanë as shpirt dhe as zemër.
Po i shkruaj këto, jo për të akuzuar të zgjedhurit, por për të akuzuar veten e të tjerët si unë. Për t’i thënë vetes dhe të tjerëve, që kurrë më të mos japin votën aty ku nuk duhet. Po të shkruaj zoti Kryeministër, me dëshirën për të të besuar në premtimet që ke bërë, për të besuar në vizionin tënd se ky vend nuk bëhet me zyrtarë e drejtues institucionesh harbutër. Po të shkruaj që të mendohesh dy herë kë zgjedh në ekipin tënd qeverisës, që nesër të mos pendohesh, që nesër të mundesh ta meritosh të jesh KRYEMINISTËR.
Gazeta Shqiptare
Comments
Te lumte shpirti dhe pena !

Te lumte shpirti dhe pena ! Bravo , nje bravo e madhe ! Ke folur dhe per ne te gjithe !

Nuk kam cfare te them tjeter : FALEMINDERIT !

Medet per ate milet qe jeton

Medet per ate milet qe jeton ne Shqiperi. Gjynah per Sofien e turp per politiken e atij vendi. Allahu e meshirofte te ndjeren aty ku eshte.

Bravo zonja Visha, na bere te

Bravo zonja Visha,

na bere te na vije turp nga vetja. Jemi bere si kafshe, e shpresojme qe femijet et na behen te mire.

Pika qe nuk na bie.

Nuk e kuptoj se si qeveria e

Nuk e kuptoj se si qeveria e re nuk e shfuqizon aktin normativ nje akt kriminal qe nxorri gra,burra pleq ,plaka si dhe femije ne rruge te madhe.

Pronen pronarit nuk ja kishin marre keto familje te thjeshta qe ashtu si gjithe te tjeret kane paguar qera te rregullt per 50-60 vjet,pronen atyre ja kish marre shteti dhe ai tja jepte.Nuk zgjidhen problemet e qeverise ne kete menyre,se kjo nuk eshte zgjidhje por perkundrazi e komplikon me shume problemin.

Z.Kryeminister Rama duhet ta shikoje me perparesi kete ceshtje ku qytetare te vjeter ,te ndersheme te respektuar te qyteteteve jane nxjerre ne rruge si te ishin kafshe ,pa piken e dininjitetit dhe jane strehuar perkohesisht per meshire tek te afermit e tyre.Pse te ndodhe keshtu ,a mund te me thoni se c´faj kane bere keta njerez?

Si mund te nxirren njerez te tille ne rruge dhe nga ana tjeter te legalizohen shtepite e ndertuara mbi tokat e zaptuara nga njerez te ardhur ne qytete si Tirana e Durresi?Per normalet ,ky eshte kulmi!!!!!!!

Eshte ne nderin dhe detyren e Z.Kryeminister Rama qe ky palo ligj i hartuar dhe zbatuar nga Olldashi me frymezues Berishen dhe Nishanin te cfuqizohet dhe qytetaret te fitojnete drejten e tyre dhe bashke me te edhe dinjitetin e marre perkembe nga qeverisja rrumpalliste e Sali Berishes.

Mund të themë se më duket si

Mund të themë se më duket si një vjershë Migjeniane dhe kjo tregonë fytyrën tonë të pa fytyrë dinjitetin tonë që nuk ekemi dhe sa për atë ( në qoftëse është e vërtetë)kryetarin e bashkisë nuk dua ta besojë por nëqoftëse është qënka një kafshë që në vënd të interesohet për lehtësimin e vuatjeve të bash qytytarëve të tijë i interesohet imazhi i qytetit E pra të tillë politikanë dhe Bashkiakë të tillë nuk na duhen dhe zoti KRYEMINISTËR duhet ta lexoni këtë letër dhe sa sështë vonë duhet të reagoni si ju i ministri i juaj dhe zonjës Visha një FALEMINDERIT TË MSDHE

Add new comment