Shqipëria vijon të jetë fener ndriçues në brigjet e Adriatikut!!!
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/2015/07/31/1956_11_64.jpg?itok=DTFwWkCv)
Edhe këtë vit që lamë pas, Shqipëria jonë e dashur, e bukura e dheut, e vetmja që njeh veç zhvillim e rritje, e ndriti tokën anë e mbanë me modelin e saj të suksesshëm. Nën udhëheqjen e Partisë kombi njohu zhvillim të gjithanshëm, lulëzim (veç atij bashkiak) ekonomik dhe përparim të prekshëm nga çdokush që ka privilegjin të jetojë në këtë ishull të lumtur të rrethuar nga oqeane të turbullta krize dhe depresioni. Askush nuk mund të mos i ketë ndjerë begatinë dhe lumturinë që na kanë përfshirë mbarë si rrjedhojë e këtyre sukseseve të njëpasnjëshme.
Statistikat flasin vetë, bilanci është i pakundërshtueshëm, ziliqarët e pesimistët mbetën pa fjalë. Dukshëm standardi i mirëqenies është rritur rreth 20% krahasuar me një vit më parë dhe me 200% krahasuar me kohën e largët kur qeverisnin armiqtë e Partisë. Rritje kjo që është reflektuar në të gjitha zërat, duke bërë që objektivat e planit 5-vjeçar jo vetëm të jenë arritur por edhe të jenë tejkaluar përtej çdo parashikimi.
Përtej shifrave, ky vit do të mbahet mend për disa ngjarje, ku veç të tjerash u tregua edhe se sa e pathyeshme dhe e pamëshirshme është Partia përballë nepërkave helmatisëse që provojnë më kot të sabotojnë mbarëvajtjen e planeve të saj në të mirë të popullit.
Me të hyrë viti, në muajin e tij të parë, u organizua një ceremoni madhështore në bulevard nga njerëzit e thjeshtë për të falenderuar Partinë për gjithë të mirat që u kish sjellë. Gjithaq duke marrë shkas nga një filmim i fshehtë ku shfaqej nën-kryetari i Parti-Qeverisë në debat me vartësin e tij, duke u përpjekur të siguronte një fond për t’ua kaluar familjeve pjesëtare të skemës së ndihmës ekonomike, ndërkohë që ky i fundit këmbëngulte që përfitues të fondit të ishin minatorët e Bulqizës. Me t’u shfaqur publikisht ky filmim, gjindja shpërtheu në gëzim e u derdh në festime rrugëve, ndërkohë që u caktua data 21 Janar për ceremoninë e madhe të falenderimit. Mirëpo ndodhi që mes turmës të kishte infiltrime të armiqve të jashtëm, - siç u vërtetua më pas agjentë grekë të celulës anti-shqiptare “kokëpalaris-mercenarus”, - të cilët shkaktuan trazira dhe sulmuan efektivët e policisë me një egërsi të paprecedent. 4 agjentë vandalë të armatosur me armaturë të sofistikuar si çadra-pistoletë e thika me maja të helmatisura u vranë brenda pak momenteve. Rreziku u zhduk sa hap e mbyll sytë. Turma vazhdoi festimet e çliruar.
Gjithashtu do të mbahet mend momenti pas zgjedhjeve lokale të muajit Maj, megjithëse duhet pranuar se qetësia u arrit vetëm dy muaj më vonë, kur Partia me gjykatat e saj më në fund dëgjuan zërin e demonstruesve që klithnin për përmbysje në tavolinë të rezultatit të kryeqytetit, pasi ishte faktuar me prova të pakundërshtueshme se një i infiltruar serb kishte shtuar 10 vota kundër kandidatit të Qeveri-Partisë. Me fundin e kësaj beteje të fituar, mund të thuhet se çdo gjë iu kthye rrjedhës së zakonshme dhe i gjithë populli nisi në qetësi e seriozitet të thellë përgatitjet për të marrë nën kontrollin e vet (të Partisë) dy institucionet e fundit që mbeteshin në duar të armikut: Presidencën dhe Prokurorinë. Por kjo betejë do të konsumohet gjatë vitit të ardhshëm. Pa dyshim që fitorja është e sigurt.
Veç këtyre ngjarjeve madhore, rendi publik dhe qetësia nuk u cënuan më gjatë vitit, u shënuan pak raste sporadike ku të tjerë agjentë të huaj tentuan të sabotojnë festimet e zakonshme, por këto u neutralizuan shpejt pa shkaktuar pasoja. Kriminaliteti pothuajse u zhduk, në institucionet përkatëse u reduktuan ndjeshëm denoncimet për vjedhje, e ndërkohë që vrasje nuk u shënuan shumë, veç atyre të sabotatorëve krejt të përligjura nga siguria kombëtare e të do tradhtarëve të atdheut që fyen rëndë e cënuan dinjitetin kombëtar të trashëguar brez pas brezi nga pellazgët.
Megjithë deformimet e mediave të huaja dhe agjencive anti-shqiptare të rankimit, sipas të cilave Shipëria rezultoi e dyta në Europë në klasifikimin e fuqive ekonomike për frymë pas Gjermanisë, nuk ka shqiptar që të mos e dijë se vendi ynë nën udhëheqjen e Partisë nuk njeh rivalë. Super-fuqi ekonomike, rritje rekord vit pas viti, papunësi që tashmë nuk ekziston, varfëri që është harruar bashkë më kohën e qoftë largut, bollëk prodhimesh e ushqimesh, eksporte që fluturojnë (arra, shegë, erëza e këpucë që kanë pushtuar tregjet ndërkombëtare), model arsimor frymëzues që na e ka zili bota mbarë, spitale luksoze ku të sëmurët refuzojnë të lirojnë shtretërit edhe pasi janë shëruar, drejtësi efiçente dhe pa kosto duke qenë se paditë janë sporadike dhe ndjekja penale rezervohet kryesisht për sabotatorët, mjedis të pastër porsi vetë Partia, rrugë e pafundësi shërbimesh publike për secilin prej pjesëmarrësve të mrekullisë shqiptare.
Jeta në Shqipëri po ngjan gjithnjë e më tepër më një oaz paqeje dhe lumturie.
Nuk mund të lindë tjetër ndjenjë veç mirënjohjes për Partinë dhe Udhëheqësin e saj të pamposhtur, falë të cilëve gëzojmë sot këtë jetë të re e të lumtur, si kurrë më parë në historinë tonë, nga Skënderbeu e tutje.
Ne e duam Parti-Qeverinë, ne e duam me gjithë shpirt, se na bëri edhe këtë vit akoma më shumë të kuptojmë se ç’do të thotë të jetosh në një vend kaq të begatë, kur rrotull nesh kudo shohim qytetarë që vriten nga pushteti në bash të vendit, shkelen e poshtërohen çdo ditë, vidhen e plaçkiten bashkë me pasurinë publike e ku të varfërit e të pambrojturit sundohen nga më të fortët që i shkelin me çizmen e pushtetit tribal, të paprekshëm në xhunglën e tyre. Jo, falë Partisë (se Zot nuk kemi) nuk i njohim këto drama. Jemi me fat që nuk na duhet fare t’i shpiem nëpër mend të tilla skenare, as na duhet t’i mendojmë.
Fundja nuk kemi nevojë as të mendojmë më. Përse të mendojmë? Jemi të lumtur në pavetëdije. Të pavetëdishëm e të lumtur.
Comments
Koment Papademos, frika se

Koment

Papademos, frika se Greqia shndërrohet në Shqipëri

Idriz Tafa

“Nuk duhet lejuar kurrsesi që Greqia të shndërrohet në Shqipëri”, kjo deklaratë e bërë më 22 dhjetor 2011, vjen nga Athina dhe i takon kryeministrit aktual, teknicienit. Z. Lukas Papademos, për 8 vjet (31 maj 2002 – 31 maj 2010) zëvëendëspresident i Bankës Qendrore Evropiane, pastaj guvernator i Bankës së Greqisë deri në kohën që politika e thirri në krye të qeverisë. Mediat qeveritare shqiptare e censuruan.

Është një thirrje joplitike që i drejton financieri me emër ndërkombëtar (i diplomuar në të famshmin amerikan MTI (Massachusetts Institute of Technology) kastës partiake helene për të nxjerrë mësime nga kolapsi financiar, ku u zhyt Shqipëria në vitin 1997. Me tepër elegancë z. Papademos kritikon të dhënat e rreme të qeverive greke kur raportonin në Bruksel, as më shumë e as më pak, të barabarta me piramidat shqiptare. Nëse një teknicen i evropianizuar i bën thirrje ndërgjegjes ballkanike të politikës së Athinës për të mos pasur një edicion grek të “vitit të mbrapshtë shqiptar”, aq më tepër kjo duhet t’i vlejë Tiranës, madje, njërit prej strategëve të piramidave, kryeministrit z. Sali Berisha. Por ai nuk nxjerr mësime. Ai vazhdon të falsifikojë të dhënat me INSTAT, me Bode e kompani. Të mohosh krizën është njësoj si të shndërrosh Shqipërinë në... Shqipëri 97!

Madje është kthyer në sindromë ndërkombëtare “Shqipëria piramidale”. Alarme të ngjajshme si të Papademosit, kanë dhënë politikanë të shteteve buzë greminës, duke filluar nga Rusia dhe duke përfunduar në Nigeri. Sindromi “Shqipëria piramidale” studiohet dhe në fakultetet ekonomike amerikane, evropiane. Askush nuk dëshiron të përjetojë tmerrin shqiptar.

Add new comment