A e do publiku Radio-Televizionin Publik?

Para një viti isha i ftuar në tryezën që organizoi PS-ja me analistë, gazetarë e pronarë të mediave shqiptare rreth reformave që ajo parashikonte për këtë sektor të rëndësishëm për konsolidimin e demokracisë sonë të brishtë. Një nga shqetësimet që u ngrit në tryezë ishte ai rreth njëanësisë së skajshme të Radio-Televizionit Publik. Dhe unë ofrova në atë tryezë disa ide për reformimin e tij, të cilat po i ndaj me lexuesin, ngaqë janë fare aktuale sot që PS-ja është në pushtet.
Radiot dhe televizionet publike, në shumicën dërrmuese të vendeve, financohen kryesisht me paratë e taksapaguesve. Kjo sepse, si shumë shërbime të tjera që ofrohen nga shteti, ato konsiderohen si të mira publike (të mirat publike ose nuk ofrohen dot nga privatët, ose nuk janë fitimprurëse për ta). Por në disa vende, radio dhe/ose televizione publike financohen në mënyrë vullnetare nga vetë publiku.
Kështu për shembull, në SHBA, radioja dhe televizioni publik, ndërkohë që nuk i ndërpresin programet me spote publiçitare (siç bëjnë simotrat e tyre private), financohen kryesisht prej pagesave vullnetare të dëgjuesve e shikuesve dhe prej sponsorizimeve të kompanive të ndryshme (subvnciontet e shtetit zënë një peshë të vogël).
Një model i tillë financimi ka të mirën se teston drejtpërdrejt vlerën që kanë programet e stacioneve publike për dëgjuesit/shikuesit e tyre, ndërkohë që nuk u kalohet barra financiare taksapaguesve që nuk janë të interesuar t’i ndjekin ose që nuk mendojnë se ia vlen të paguash për to. Por a do të funksiononte një model i tillë në Shqipëri? Ndoshta jo.
Shumica e dëgjuesve/shikuesve të programeve të Radio-Televizionit Publik mund të jenë njerëzit me aftësitë më të vogla financiare për të kontribuar vullnetarisht për mbajtjen e tij në këmbë. Ndërsa shumë nga ata që i kanë xhepat e ngrohtë, falë mpirjes së ndjenjës së komunitetit, ndoshta nuk do ta merrnin mundimin t’i dërgonin vullnetarisht ndonjë çek Radio-Televizionit Publik.
Në mungesë të testimit të drejtëprdrejtë të vlerës që kanë programet publike për dëgjuesit/shikuesit e tyre, dhe duke presupozuar se ato do të duhet të mbahen në këmbë me paratë e taksapaguesve, vlen të zhvillohet një vrojtim statistikor rreth preferencave të shtetasve shqiptarë për programet që ata nuk i gjejnë dot në stacionet private, dhe që do të dëshironin të transmetoheshin në Radio-Televizionin Publik. Sepse nuk ka kuptim që paratë e taksapaguesve të përdoren për financimin e një kopjeje jokonkuruese të radiove dhe televizioneve private, ndërkohë që këto të fundit mund të ndiqen falas pothuaj në çdo cep të vendit.
Vrojtimi statistikor rreth programacionit të Radio-Televizionit Publik mund të zbulojë se sa interes ka publiku për emisionet rreth historisë kombëtare, gjeopolitikës së vendit e rajonit, kulturës shqiptare, sportit, zhvillimit të arsimit, për tema të diasporës, të zhvillimit ekonomik, të përvojave të përparimit dhe emancipimit shoqëror, të jetës së përditshme të qytetarit, etj. Gjithashtu vrojtimi mund të zbulojë se ç’fraksion të programacionit duhet të përbëjnë emisionet e lajmeve dhe debatet e karakterit politik.
Dhe meqenëse këto dy të fundit kanë qenë mollë sherri mes krahëve kundërshtarë të politikës që prej lejimit të pluralizmit, vlen të pyeten të intervistuarit nëse do të deshin që Radio Televizioni Publik të kishte dy departamente paralele të lajmeve - njërin të kontrolluar nga pozita, e tjetrin nga opozita.
Në rast se publiku preferon dy departamente lajmesh paralele, mund të ndiqet modeli italian i TG-1 dhe TG-2, të cilat i transmetojnë lajmet me gjysëm ore diferencë dhe debatet politike jo në të njëjtën ditë dhe/ose orë. Gjithashtu, duke ndjekur shembullin e TG-1 dhe TG-2, standardet e gazetarisë profesioniste do të duhet të zbatohen nga të dyja departamentet. Sepse, përndryshe, emisionet e tyre ndoshta do t’i ndiqnin vetëm militantët e zjarrtë përkatës. Pra, që kjo të mos ndodhë, çdo deklaratë, intervistë, lajm, qëndrim, e koment i njërës palë do të duhet të ballafaqohet me ato të palës tjetër. Ndërkohë, secili department mund të zgjedhë vetë se cilave lajme do t’i kushtojë më shumë kohë e cilave më pak.
Në një model të tillë, departamentet paralele të lajmeve do të funksiononin si entitete më vete, të cilat thjesht do të përdornin pa pagesë studiot dhe dy frekuencat aktuale të Radio-Televizionit Publik. Dhe në këtë mënyrë, puna e KDRTSH-së do të bëhej shumë më e lehtë. Sepse ky këshill nuk do të kishte më barrën e ekuilibrimit politik të programacionit – ai do të kujdesej kryesisht që emisionet jopolitike të plotësonin kërkesat që publiku ka për to.
Mazhoranca aktuale mund ta bëjë reformimin e Radio-Televizionit Publik sipas modelit të mësipërm, apo sipas ndonjë modeli tjetër (madje edhe ta shkrijë fare, si Gardën e Republikës), por një gjë nuk duhet ta bëjë – të vazhdojë ta mbajë atë si një megafon propagandistik të partisë së rradhës në fuqi!
Comments
Dakort me te gjitha sa

Dakort me te gjitha sa shkruan autori. Por nje gje nuk kuptoj. Perse nuk jane nderruar ende te gjithe drejtoret dhe shefat e redaksive ne RTSH-???!!! POota shohesh me kujdes RTSH-ne do veresh se edhe tani ky stacion publik vazhdon te mbaje anen e regjimit te shkuar. Kjo verehet ja vetem nga vendi qe zene ne emisionin e lajmeve pozita dhe opozita e re, por edhe ne menyren se si paraqiten, zgjidhen dhe trajtohen lajmet politike. Para se te merrej me fotografite, qeveria e re duhej te kishte ndryshuar teresisht dhe urgjentisht stafin drejtues te RTSH-se.

Përshendetje zoti

Përshendetje zoti Zaloshnja.

Në shkrimin tuaj preket një nga elementet kryesore, në mos më kryesori për zhvillimin e programeve televizive, ai i matjes statistikore të shikueshmërisë së tyre. Në Shqipëri akoma nuk egziston ky parametër.

N.q.s qeveria e re ka në plan të riformatojë TVSh-në në radhë të parë duhet të mendojë se si të bëjë pikërisht matjen e këtij parametri. Për mendimin tim është një gjë shumë e lehtë ose të krijohet një Këshill apo organizëm shqiptar me pjesmarrjen e të gjitha televizioneve të liçencuara kombëtare dhe rajonale ose n.q.s ka dyshime midis palëve, të atashohet në Ministrinë e Kulturës një zyrë e veçantë për këtë problem. Kjo zyrë apo këshill midis palëve ka vetëm një detyrë përmes një tenderi publik të hapur të angazhojë një shoqëri të huaj apo shqiptare që të merret me vrojtimin statistikor të programeve televizive siç bëhet në të gjitha vendet e botës. Detyrimi financiar për këtë shoqëri për financat e shteti shqiptar do të ishte shumë i vogël sepse kostot e punës së saj do të përpjestoheshin midis të gjitha televizioneve pjesmarrëse.

Duke qenë se para 2 vjetësh u bë edhe regjistrimi i përgjithshëm i popullsisë atëherë do të ishte më e lehtë edhe për të përzgjedhur kampionin statistikor për të kryer të gjitha vrojtimet.

Për implementimin e këtij, le të themi instrumenti statistikor, nuk ma merr mendja që mund të duhet më shumë se 6-9 muaj dhe 3-6 muaj për kolaudimin e tij.

Pasi kjo të bëhet atëherë mund të kryehen të gjitha vrojtimet statistikore dhe mbi bazën e tyre të ngrihet një platformë për reformimin e televizionit publik.

Pas kësaj dua të ndalem tek elementi i dytë që ju shkruani në artikullin tuaj. Atë të cilësisë së informacionit.

Mendoj që qeveria e re duhet të rishikojë në radhë të parë funksionimin ligjor të TV Publik. Dhe me anën e mekanizmave ligjore të sigurojë punonjësit e këtij televizioni që partizanëria e tyre në funksion të pushtetit politik nuk është një pashaportë për qëndrimin në punë por krejt e kundërta. Mënyrat se si mund të bëhet kjo janë të shumta dhe nuk është rasti këtu që të përmenden.

Sa për idenë tuaj për ndarjen e informacionit politik nën shembullin e televizionit italian jam plotësisht kundër sepse partitë politike në bazë të peshës elektorale do të kërkonin aksesin e militantëve të tyre në televizionin publik dhe kjo do të na çonte në po të njëjtën pikë që jemi sot. Mendoj që për informacionin politik shëmbulli që duhet marrë është ai anglez, francez apo gjerman. Një gazetar pavarsisht bindjeve politike e ka shumë të qartë që n.q.s emisioni i tij nuk arrin të shikohet mbi një përqindje të caktuar dhe nuk arrin të marrë një sasi të mjaftueshme financimesh nëpërmjet reklamave është i detyruar të mbyllet rrjedhimisht do të ngelet pa punë. Vetë tregu i punës i rregullon këto gjëra më së miri. Matja e shikueshmërisë televizive dhe të ardhurat që përfitojnë programet e informacionit politik do të bëjnë të mundur jo vetëm thithjen e elementëve më të mirë por edhe uljen deri në zhdukje të partizanerisë televizive në televizionin publik.

Me respekt

Emigranti

Media eshte pushteti i katert

Media eshte pushteti i katert ! Dhe si cdo pushtet duhet medoemos te jape llogari perpara shoqerise ! Po flas per median publike sepse media tjeter private jep "llogari" nepermjet financave te saj . Per kete fundit eshte e mjaftueshme te funksionojne tatimet , dhe ajo , do nuk do , do te drejpeshohet , pasi do rezultatin financiar ! Ndryshe mbytet !

Persa i perket asaj "publike" , une mendoj se Keshilli i saj drejtues , nuk duhet te jete fare ndikim i politikes ! Menyra se si do te zgjidhen , duhet te anashkaloje pushtete dhe te mos jete i ndervarshem prej tyre , pervec pushtetit te drejtperdrejt te publikut ! Partite politike duhet te rrine larg , po ashtu edhe pushtetet shteterore ! Duhet direkt te vendoset nga komuniteti ! Se si do te organizohet , kjo eshte ceshtje vullneti , pasi e dime qe vullneti poltik eshte i njenashem dhe keshtu sic e kemi ne realitet shume demprures !

Te njejten "vuajtje" ka drejtesia ! edhe kjo konsiderohet "pushtet" me vehte , por qe nuk jep asnjehere llogari , para askujt , pervec poltikes ! E keni pare se si eshte shnderruar ne nje kenete ? Eshte parim qe "uji qe nuk leviz" eshte i destinuar te qelbet , ose te levize sipas poltikes eshte i destinuar te mbaje "eren" e saj !

Formula per te dale nga gjendja ka ! Por a ka vullnet real ?

Add new comment