100 ditët e Berishës

Këto 100 ditë pamë me saktësi histerike tërësinë e formës së qeverisjes së Sali Berishës. Sikur të kishte qenë mbret dhe të kishte mbretëruar hegjemon, siç do të dëshironte, nuk do të kishim patur rezultat më të mirë në kuptimin e botëkuptimit të tij për pushtetin. Mirëpo, që mos ta kthejmë këtë vërejtje në goditje shumë personale, duhet të themi paraprakisht se ai nuk ishte (është?) fenomen i izoluar. Është shprehja më e arrirë e zhvillimit shoqëror shqiptar dhe ballkanas, diku midis dëshirës për sukses të shpejtë, për pasurim të beftë dhe kënaqësisë së të ndjerit i padiskutuar nga askush, e gjitha kjo në një klimë pasigurie fizike dhe verbale. Diku kjo shtresë shoqërore që donte të borgjezohej, por kioskëzoi trutë, duhet të shprehte veten dhe për dreq, e shprehu më mirë në Shqipëri.Këto 100 ditë të qeverisjes në miniaturë treguan dëmin e pallogaritshëm që një qeveri mund t’i bëjë vendit të vet. Në fakt ka një paradoks të çuditshëm, sepse këto dëme nuk do i kishte bërë kaq të mëdha brenda një kohëzgjatje qeverisjeje normale. Jo se nuk i ka munguar dëshira, por disa mekanizma kushtetues, ligjor, etik, moral e të tilla fenomene të çuditshme, nuk e lejuan të shpërdoronte detyrën e tij aq sa do të dëshironte.Duke mos harruar megjithatë, 21 janarin, sepse këtu ai arriti perfeksionin e shkeljes së dinjitetit të njeriut, atë për cilin bota perëndimore ka 200 vjet që rend së përsosuri dhe ai, me rastin e parë që gjeti nuk rreshti së përdhosuri, jo njëherë po katër herë. Por këto 100 ditë ai nuk pati ndonjë kundërshtim të fortë kundër veprimeve abuzive që kreu, kështu që nuk ishte i detyruar t’i tregonte vendin ndokujt. Prandaj dhe i liruar nga detyrimet kushtetuese, detyrimet etike dhe politike, sepse është qeveri në ikje, ai shprehu tërë talentin e tij në 100 ditët më rrënuese që një vend me demokraci mund të njihte.Rrënuese sepse veprimtaria e qeverisë u krye jashtë kontrollit parlamentar. Dikush do të thoshte që nuk ka gjë, pasi Parlamenti në verë nuk ka sesione. Mirëpo nuk është është kështu. Pasi me fillimin e sesionit të dytë, qeveria do të jetë gjithmonë nën kontrollin e Parlamentit dhe për veprimtarinë e saj të kryer gjatë kohës kur Parlamenti nuk ka qenë i mbledhur. Kësaj here, Saliu do ia hedhë lumit sepse është qeveri në ikje, nuk ka kujt t’i përgjigjet, në mungesë të gjykatave serioze, përveç ndërgjegjes së vet (nëse ka) dhe ndoshta vendosmërisë së Parlamentit të ri dhe qeverisë së re për të rikthyer këto vendime mbrapsht.Ekzistojnë dyshime të forta se aktet e konçesioneve janë dhënë pa respektuar as procedurat, ende të paqarta, as afatet që parashikon ligji i ri për konçesionet. Këto revokime kanë një faturë financiare, por duhen bërë sepse nuk mund të qeveriset me krahët e prerë nga 100 ditëshi i Saliut. Sikur ka ardhur ky i fundit në pushtet dhe duhet të shikojmë si do të qeveris në katër vitet e ardhshme dhe jo PS-ja me aleatë… Por të paktën ky absurditet shërbeu për të parë se frikërat e iluministëve të shekullit të 18, u mishëruan në formën e parodisë me qeverinë despotike, në variantin më rrëmujaxhi, në ikje por pa ikur, të Saliut.Rrënuese sepse veprimtaria e qeverisë rezultoi në një masakër ende më të thelluar të territorit shqiptar. Është e ditur dhe nuk do shumë mend për të kuptuar se pa territor asnjë shtet nuk mund të mbijetojë. Ky i yni është katandisur si mos më keq për shkak të ndërtimeve pa leje, të pyjeve të prerë për gurore, a thua se do të shtrohen dhe kokat tona, tavolinat ku hamë bukë dhe muret e shtëpive ku jetojmë. Për shkak të plehrave që Kryeministri në ikje që s’do të ikë importon ende. Për shkak të zhvillimeve ekonomike pjesore të paplanifikuara. Si për shembull hidrocentralet e famshme të madhësive të vogla që do të sillnin ndryshimin e padyshuar në Shqipëri.Askush nuk e di ç’mund të jetë bërë me to, përveç fshatarëve të zonës që shikojnë një ditë papritur se përroi nuk rrjedh më. Si për shembull me minierat, të cilat nxjerrin pasurinë e pakontestueshme që ka territori ynë dhe që banorët e zonave përreth nuk marrin përfitime, qoftë dhe me pikatore. Si për shembull me naftën, ku asnjë banor i zonave përreth puseve të naftës nuk jeton në kamjen e pritshme që duhet të kishin, por përkundrazi, marrin goditjen e tërmeteve artificialë të shpimeve jashtë çdo lloj kontrolli. Si për shembull me ish pronarët, shtresë e vënë në hutim të përgjithshëm për ta rrënuar dhe më shumë. Rasti ShQUP-it tregon sesa rëndësi kishte ish pronari për PD-në. Një zero me xhufkë. Ndoshta ka ardhur koha ta kuptojnë këtë gjë…Por rrënimi nuk vjen vetëm nga shpartallimi i territorit për shkak të mungesës së projekteve te qenësishme dhe vizionit. Vjen dhe nga poshtërimi i shtetit shqiptar përpara dëshirave nga më imagjinare të fqinjëve. Çdo shtet që na rrethon ka zbuluar këto vitet e fundit minoritete në numër shumë të madh në vendin tonë. Por askush nga këto shtete rreket të rikonsiderohej marrëdhëniet e vajtueshme që ka me popullsitë shqiptare në territorin e tyre. Një shtet tjetër u ngrit në mbrojtje të disa besimtarëve, sepse gjoja po u shkeleshin të drejtat, ndërkohë që ky shtet nuk ka asnjë lloj tagri për një gjë të tillë.Konflikti i Përmetit, sado absurd, ishte një konflikt shqiptaro-shqiptar dhe ndërhyrja e shtetit grek në këtë konflikt më së miri vërtetoi dhe njëherë dekadencën e vazhdueshme të shtetit shqiptar që u jep duart shtetasve të vet sa herë ka ndonjë konflikt apo mosmarrëveshje. Mungesa e shtetit tregon se tanimë ai nuk e ka më kontrollin mbi territorin e vendit, ose nuk dëshiron ta ketë më dhe se rrjedhimisht, askush nuk mund t’i vërë fre pasioneve zaptuese të shteteve fqinj, përveç pasionit ekzuberant dhe komplet të papërdorshëm të individëve të izoluar që shprehin patriotizmin e tyre, fatkeqësisht, në një nivel me tifozllëkun e tyre. Sepse nuk duhet të jemi naivë. Asnjë aleancë nuk është ngritur për të qenë e përjetshme. Askush nuk mund të na mbrojë interesat më mirë sesa ne vetë. Mirëpo për këtë na duhet një shtet që të ketë kontrollin e tij në të gjithë territorin e tij.Këtë shtet nuk e kemi më. Vjen një moment që çdo despotizëm shfaq fytyrën e saj të vërtetë. Fashizmi italian, para se të zhdukej, e tregoi fytyrën e tij kriminale me Republikën jetëshkurtër të Salosë. Më në fund iu desh të çirrte maskën dhe të shfaqte hapur se çfarë ishte në gjendje të bënte. I lënë i lirë, pa trysni dhe pa kontroll mbi kokë, despotizmi i Berishës tregoi tërësinë e mënyrës së vet të të vepruarit. Tashmë nuk është më sekret për askënd. Despotizmi i tij ishte rrënim për shtetin dhe për pasurinë publike. Për këtë do të mbahet mend berishizmi si formë e pushtetit, sepse si vijë mendimi nuk është çrrënjosur ende.
Shkrimi u botua sot te Shqiptarja.com / print
Comments
“Askush nuk mund të na mbrojë
<p>“Askush nuk mund të na mbrojë interesat më mirë sesa ne vetë. Mirëpo për këtë na duhet një shtet që të ketë kontrollin e tij në të gjithë territorin e tij. „ Me duket nje artikull interesant dhe vetem kaq, se keto gjera jane thene e rithene e i bihet po me nje brime. po do te ishte nje artikull i mire sikur te bente pergjegjes dhe opoziten. Ketu ku jam une mediat per shume probleme i referohen kopetenteve dhe kur them kopetenteve flasim per njerez akademike profesioniste ne fushat perkatese, e kam fjalen per institute te pavarura qe orjentojne politiken. Per situaten ne Siri dhe qendrimin e politikes pothuajse ne intervista mirren autoritete te tilla ne interviste, por mbledhjen e G.20 ne Rusi po e njejta gje, per krimet,per trafikun, per ekonomine e per cdo gje. Me kete dua te them se politikanet te ne flasin si kofini pas te vjeli dhe nuk ka nje oponence te mirfillte akademike qe te kritikoje politikat e qeverise ne format suveren. Flet Besnik Mustafaraj, po kur nuk eshte me ne qeveri. flet! Flet Pellumb Xhufi, flet e uleret tani qe nuk eshte me ne politike dhe, kerkon te orjentoje politikat per problemin Cam e per politikat me Greqine. Dhe mire e bejne. Po problemi eshte qe do te ishte me mire qe te kishim nje berthame, nje institut te pavarur te pa partishem qe te orjentonte e te bente oponence per problemet qe kemi. -“Askush nuk mund të na mbrojë interesat më mirë sesa ne vetë.“- eshte definicion i goditur po i pa shtjelluar deri ne fund. Po ne vete per te mbrojtur interesat duhet te jemi te pamjegulluar e te manipuluar e nen daren e politikes, duhet te jemi suverene. Asnje pronocim nuk ka bere Edi Rama, dhe kur them Edi Rama them opozita/pozita apo me sakte qeverisja per problemet me nderhyrjen dhunshem ne problemet e brendeshme qe ben Greku!!! Edi Rama ben shoun butaforik marramendes e plot efekte dhe nuk ka asnje tagrin si institucion kopetent ta orjentoje jo vetem Edi Ramen po dhe popullin qe kjo qe ben Edi rama ka shume shou brenda, ka shume manipulim, shkelqim marremendes nga forma dhe permbajtja del ne plan te dyte. Edi Rama duhet te beje te pavarur nje berthame apo ekip oponence rilindje dhe ate ta celebroje gjithe shkelqim: me Juriste,Historiane Diplomate, Sociologe, Ekonomiste, Arkitekte, Gazetare e titullare mediatike, etjer e tjer personalitet te pavarura akademike. Se si do ta beje une kete nuk e di, po duhet ta beje sic e ka gjithe europa qe orjenton popullin dhe politiken duke i bere oponence. Po te kishim me te vertet nje tradite dhe intrigitet e ne pamvarsine intelektuale do ti mbronim shume me mire interesat e vendit dhe nuk do te arrinim deri aty qe shteti nuk do te kontrollonte territorin e tij. Edi Rama eshte kreativ per te bere ndryshime ne kushtetute qe te beje ZAP te tjeret dhe i ka bere ZAP. Asnje transparence per zyren e deputetit ne vlore. Per luksin e zyres. Per tre persona se si punojne dhe kush i paguan, ne qofte se paguhen. Dhe ne qofte se jane honorar nderi te partise perseri duhet transparence per keto njerez qe jane kaq te partishem e te devotshem e militante. Te gjithe apo jo, e ne gjithcka duhet transparence. Po, vetem ne lagjen ku une jetoj ne cdo treqin metra, ka nje zyre te tille deputeti. Sigurisht kurren e kurres me luksin e salltanetin e zyres se deputetit Edi rama. Jo qe jane shume te thjeshta, te ngushta e te vogla, po kryejne dhe funsione te tjera ne disa raste si; imobiliare e te tjera pune. Sic duket nuk e perballojne financiarisht. krahas funksioni propagandues, informues e kontaktues e prospekteve partiake qe rreklamojne kane dhe matreale te tjera prospektesh per shitje shtepiash e ku di une. Qe ti bie shkurt e kam fjalen per ekipin e zyres se deputetit Edi rama dhe te gjithe deputeve te tjere qe, eshte mire qe te kene nje zyre te tille ballafaqimi e komunikimi me popullin po duhet te na tregojne si do ta zgjidhin ceshtjen financiare, dhe kjo duhet te behet transparente ne popull. Dhe mediat duhet te jen sycelet per kete se ne nuk kemi nje institut rilindje me akademike e profesioniste te pavarur qe te bje oponencen e qeverise.</p>
Add new comment