33 qindarka për të nxënë, 67 për të ngrënë…

Postuar në 19 Gusht, 2013 01:47
Eduard Zaloshnja

Arsimi, së bashku me shëndetësinë dhe rendin, janë përcaktuar nga PS-ja si fusha ku do të ketë një reformë pluguese në katër vjetët e ardhshme. Gjatë fushatës elektorale, Ledi Shamku-Shkreli, kryetarja e grupit të programit për arsimin, bëri një punë të mirë për të evidentuar faktin se fëmijtë shqiptarë nuk po shkollohen siç duhet, por nuk i dha një përgjijge të qartë pyetjes "Si mund të shkollohen më mirë fëmijët shqiptarë?" Barrën e dhënies së një përgjigjie ekzekutive për këtë pyetje do ta ketë tani Lindita Nikolla, ministre e ardhshme e arsimit dhe ish-drejtoreshë e një gjimnazi të Tiranës. Por kjo përgjigje që mund të jepet vetëm duke parë përtej interesave politike të momentit.

Pse fëmijët shqiptarë nuk shkollohen siç duhet?

Pavarsisht nga ndryshimi i regjimeve, modeli i financimit të arsimit publik në Shqipëri nuk ka ndryshuar aspak deri më sot. Ai është bazuar në të njëjtën skemë të centralizuar që kalon nga kryeministria, tek ministria e arsimit, tek drejtoritë e arsimit në rrethe, dhe përfundimisht, tek shkollat. Dhe qesja e shtetit ka paguar njësoj si për familjet që me zor sigurojnë bukën thatë, ashtu edhe për ato që financiarisht kanë qënë më me fat.

Ndërkohë, për t’i bërë me dije taksapaguesit se ku i çojnë paratë e tyre, si shumë qeveri të tjera të botës, edhe qeveritë shqiptare kanë publikuar çdo vit statistika mbi fondet e caktuara për arsimin publik. Por një statistikë gjithnjë ka munguar – ajo që do t’i tregonte publikut se ç’përqindje e fondeve shkon realisht për shkollimin e nxënësve. Dhe për ta mbushur tërthorazi këtë boshllëk, paradoksalisht, publikut shqiptar mund t’i vijë në ndihmë ish-guvernatori i Kalifornisë, Arnold Schvarzenegger.

Për të demonstruar se administrata e guvernatorit paraardhës kishte qënë shkaktare e deficitit rekord në buxhetin e shtetit, gjatë fushatës së tij guvernatoriale, aktori i njohur nuk pushonte së cituari konkluzionet e një studimi që tregonte se për çdo dollar të shpenzuar nga Kalifornia në sistemin e arsimit publik, vetëm 33 cent pikonin direkt në kandilin që ndriçon mëndjet e fëmijve. Nga kjo statistikë, pavarësisht se natyra e shpërdorimit të fondeve në Shqipëri mund të ndryshojë kryekëput me atë të Kalifornisë, nuk është vështirë të abstragohet se për çdo lek të buxhetit shqiptar dedikuar arsimit publik, jo më shumë se 33 qindarka shkojnë realisht për shkollimin e nxënësve.

Në përgjigje të një situate të tillë, ata prindër shqiptarë që i kanë xhepat e thellë i çojnë fëmijët në shkolla private. Ndërsa disa të tjerë, me xhepa jo aq të thellë, i dërgojnë në shkolla publike, ndërkohë që pagojnë mësuesit për kurse individuale në shtëpi. Kurse prindërve të “Lulave të vocërr”, të cilët janë të pafuqishëm të bëjnë të njëjtën gjë, iu ngelet të kënaqen me gjoja shkollimin që garanton ai 33 qindarkëshi i mbetur në fund të piramidës së arsimit publik...

Si mund të shkollohen më mirë fëmijët shqiptarë?

Siç mund të kuptohet edhe nga shembulli i Kalifornisë, në themel të shpërdorimit të fondeve të arsimit publik në Shqipëri, është një problem universal për të gjithë vëndet e kohërat – ai i tendecës që ka çdo burokraci të përdorë pa efektivitet apo (në rastin më të keq) të abuzojë me fondet publike, në qoftë se frerët që e kontrollojnë atë nuk shtrëngohen sa ç’duhen. I ndërgjegjshëm për ekzistencën e këtij problemi, ish-kryetari i bashkisë së Uashingtonit futi një skemë shumë novatore për financimin e shkollimit të fëmijve në qytetin e tij. Me disa modifikime të imponuara nga specifikat tona lokale, ajo mund të zbatohet edhe në Shqipëri, për të siguruar kështu një shkollim më të mirë të fëmijëve anembanë vëndit.

Në thelb të kësaj skeme, është eliminimi i ingranazheve të shumtë që ekzistojnë midis qeses së shtetit dhe nxënësve të vegjël që shkollohen në sistemin publik. Kështu, në vënd që të kalojë nëpër 100 duar të pakujdesshme (për të mos thënë abuzuese), fondi i caktuar për shkollat publike mund të shkojë drejtpërdrejt tek duart e prindërve që kanë fëmijë në ato shkolla. Shpërndarja e fondit mund të bëhet me çeqe ose në çdo formë tjetër që do t'i krijonte mundësinë prindërve të pagonin shkollat më të mira të mundëshme me paratë e caktuara për fëmijët e tyre.

Duke patur parasysh varfërinë e qeses së shtetit shqiptar, kjo skemë, ndryshe nga ajo e kryebashkiakut të Uashingtonit, do duhej të linte jashtë financimit publik ato familje që janë në gjëndje të paguajnë shkollim privat, ose edhe ato që janë në gjëndje të paguajnë për kurse individuale. Në këtë mënyrë, fondet aktuale publike, plus të ardhurat nga dhënia me qera e shkollave në pronësi të shtetit, do të përpjestoheshin vetëm midis familjeve të varfëra dhe të mesme. Ky kufizim do të bënte që pjesa e çdo familjeje të ishte më e madhe se sa në rastin e përpjestimit midis të gjitha familjeve pa përjashtim.

Si rezultat i favorizimit të familjeve të varfra dhe të mesme, si dhe paksimit të ndjeshëm të shpërdorimeve me fondet, këtyre familjeve do t'u krijohej mundësa të paguanin për shkollim pothuajse po aq sa të pasurit paguajnë sot për fëmijët e tyre. Dhe me krijimin e mundësisë që prindërit të zgjedhin vetë shkollën e fëmijve, si dhe nëpërmjet licensimit dhe inspektimit të shkollave, do të krijohej presioni i nevojshëm për daljen nga gjëndja e mjeruar ku gjëndet sot arsimi publik 12-vjecar në Shqipëri.

Si çdo skemë e paprovuar, edhe e mësipërmja duket shumë e thjeshtë kur shkruhet për të. Por në raste të ngjashme, historia ka treguar se dhimbjet e kokës fillojnë vetëm kur vjen koha e zbatimit të skemave të reja.

Në rastin në fjalë, një nga vështirësitë më të mëdha për zbatimin skemës do të ishte seleksionimi i familjeve sipas të ardhurave. Dhe me nivelin e korrupsionit që ekziston në Shqipëri, nuk do të ishte çudi që fill pas zbatimit të skemës, disa familje të krimbura me para të përfundonin në listën e "të varfërve". Dhe menjëherë kritikuesit do të thoshin: “Fondet publike për arsimin përsëri po shpërdorohen”. Dhe konstatimi i tyre do të ishte i saktë. Por vetëm në sensin absolut. Nga pikpamja relative, po të kihen parasysh shpërdorimet aktuale, si dhe efektet pozitive që ofron konkurenca midis shkollave, nuk është vështirë të konkludohet se nga kjo skemë vetëm përmirsim mund të presësh – përkeqsimi thjesht e ka probabilitetin zero.

P.S. I juaji sinqerisht e mori guximin të sugjerojë skemën e mësipërme me shpresën se kryeministri i ardhshëm Rama do ta bëjë zemrën gur për t’i ndarë punët në mënyrë të tillë që Ministria e Arsimit të merret me gjërat më interesante (sic janë p.sh. përgatitja e programeve dhe miratimi i teksteve), pushteti lokal të merret me gjërat më pak interesante (sic janë p.sh. liçencimi dhe inspektimi i shkollave), dhe prindërit të merren vetë me gjënë më të bezdisshme të sistemit të arsimit – administrimin e parave…

Comments

Submitted by Anonim (not verified) on

Kjo skeme favorizon shkollat qe arrijne te mbledhin shume nxenes. Ne kete menyre favorizohen indirekt shkollat ne qytete ku numri i nzeneseve eshte i larte dhe zunat rurale ku numri i nzenesve nuk eshte i larte do perkeqesohet akoma me shume. Nga ana tjeter akoma ne shqiperi nuk ka nje vetdije per cilesine e shkollimit keshtu qe drejtuesit e shkollave do jene te prirur te marrin sa me shume nzenes ne shkolle qe te jete e mundur duke i tejmbushur klasat, te cilat edhe tani jane jashte stadarteve perendimore, duke perkeqsuar akoma me shume nivelin e arsimit. Nje pervoje e tille mund te merret nga Kili, qe praktikon prej kohesh nje sistem te perafert me cka ju propozoni... quhet "Voucher" ose kupon. Cdo femije qe registrohet ne nje shkolle merr automatikisht nje kupon dhe ne baze te kuponave te mbledhur shkolla merr leke nga sheteti... I nisur si nje sistem qe do favorizonte femijet e familjeve te varfra dhe do rriste cilesine e shkollave tanime ky sistem ka marre dhene dhe shkollat ne kili po behen makina parash ku per tu rregjistruar prinderit dhe femijet duhet te bejen intervista per tu pranuar, shkollat nuk bejne reklame me cilesine e arsimit por me uniforma dhe me pishina. Kam frike se nje iniciative neoliberale si kjo per momentin ne shqiperi eshte shume e hershme.

Nga ana tjeter nje sistem i tille qe ndan te varfrit nga te "pasurit" me ligj do ishte i padrejte kundrejt femijeve te te "pasurve". Kushtetuta garanton trajtim te barabarte te qytetareve nga shteti. Ligjerisht mund te kishte probleme per te miratuar nje ligj te tille.

Me gjithe respektin qe kam per ju zoti Zaloshnja per aftesite tuaja ne fushen e statistikave propozimet per arsimit duhet ti bejne ekspertet e arsimit.

Submitted by RP (not verified) on

Ndoshta kjo mund te provohej ne disa qyteza te varfra,dmth qe entet lokale te paguanin bonuse per nxenesit.Por nese bashkia e Bulqizes psh ka te ardhuar te bollshme nga akciza e minierave,ajo e Koplikut apo Corovodes nuk kane kete mundesi.Di qe krahina e Lombardise ne Itali jep bonuse shkolle,per te blere libra e mjete shkollore(edhe kompjuter),por ka krahina te tjera qe japin ne proporcion me te ardhuarat lokale,por kjo nuk do te thote se te paguan shkollen,dmth gjithe shpenzimin;nuk e di ne ka dashur autori te thoje kete.Ose psh ne ndonje qytet si Filadelfia bashkia mbulon pjesen me te madhe te studimeve per dy-tre studentet me te mire,por forma ketu eshte per meritat dhe jo te ardhuart familjare.Kam parasysh qe Rama ka ngulmuar ne arsimin profesional,dmth ndryshe nga Saliu qe favorizoi mbushjen e Shqiperise me divizione te diplomuarish kryesisht ekonomiste dhe juriste(se ketu behet leku sipas gojedhenave popullore),Rama do ngulmoje te nxjerre çirake,kamariere,elektriçiste - pune per te gjithe;ne parim Rama dhe keshilltaret e tij mendojne qe te rinjte duhet ta shpenzojne ne praktike ate periudhe qe sistemi i deritanishem e nxiste per ta shpenzuar ne teori-diplome per te gjithe!Sidoqofte,ne kapitalizem te eger,si ky joni,kush nuk ka para t'a harroje shkollen;eshte luks dhe luksi ka kushte te renda.Herman Hesse,qe braktisi liceun, thote per shkollen:"Ne shkolle une kam mesuar latinisht dhe shume genjeshtra".Ne Shqiperi kurset private pasditeve fillojne qe klasen e pare.Kush ua organizon?Mesuesit e tyre,qe logjikisht paradite,ne kohen kur paguhen nga shteti,bejne te pamunduren te mos ua shpjegojne te gjithe mesimin,se ndryshe ku do"fitojne"ndonje lek?

Submitted by jopermbysje (not verified) on

Nuk eshte mire qe zhvillimet tona te shkojne gjithnje neper skema permbysjesh. Kjo skeme e propozuar eshte permbysje e skemes aktuale dhe tradites sone.

Add new comment

Plain text

• No HTML tags allowed.
• Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
• Lines and paragraphs break automatically.