Një vit pas…

Postuar në 16 Gusht, 2013 03:17
Arben I. Kastrati

…E kam shumë të vështirë të shkruaj, ndërkohë që ndjej nevojë të papërshkruar ta kujtoj mikun tim. Por ç’të shkruaj. Ku ta nis e ku ta përfundoj letrën. Me ç’ta mbush, kur kam aq shumë për të dëftuar…

***

Jam në Strugë. Nga balkoni dëgjoj fqinjtë të flasin në gjuhën e tyre. Sllavo maqedonasit, në gjuhën e tyre, dikur pyesnin: “cila është kafsha me jetëgjatësinë më të madhe ndonjëherë” dhe përgjigjeshin: “rraku (kanceri) i Arbën Xhaferit” (që po e linte kaq gjatë të rronte). Banorët e hapwsirës (siç i quaj unë sllavo-maqedonasit)  ishin të vetëdijshëm për peshën e Arbnit, ashtu siç ne ishim të vetëdijshëm për të kundërtën, (ne nuk e vlerësonim peshën e Arbnit). Ata kujtonin  se Arbni vuante nga kanceri (rraku), ndërsa në të vërtetë, Arbni vuante nga problemet kombëtare.

Pastaj të njëjtit vazhdonin: “Arbën Xhaferi ka vetëm një të metë, që nuk është maqedonas”. Ndërsa Arbni (them unë) me të vërtetë kishte (vetëm) “një të metë”, që ishte shumë shqiptar, dhe që e donte shumë kombin shqiptar, i cili i dhuroi sëmundje kombëtare, nga e cila nuk arriti të kurohej asnjëherë…Sepse Arbni ishte nga të paktit shqiptarë që dëgjonte dënesën e atdheut...

***

Arbni vuante mw shumë nga Altruizmi se sa nga Parkinsoni. Dhe më shumë se sa nga Altruizmi, vuante nga problemet kombëtare. Bartte më vete të tëra këto “sëmundje”…

Duke ditur altruizmin që posedonte Arbni, njerëzit vazhdimisht i kërkonin shërbime. Dhe vazhdimisht mundohej t’iu ndihmonte të tërëve. Ndër ata që vazhdimisht i kërkonin shërbime, “prijësi” isha unë. Vazhdimisht i kërkoja të lexonte shkrimet e mia, vazhdimisht i kërkoja mendim për skenarët e filmave të mi, romanet në dorëshkrim, filmat t’i shikonte…Dhe ia merrja kohën për të cilën kishte shumë nevojë dhe e çmonte shumë…

Fundja ishte ai motivi që më shtyri të realizoja të tëra projektet e mia të viteve të fundit. Ishte ai përkëdhelës dhe mbështetës i ëndrrave të mia. Ishte ai që cmonte këmbëngulësinë time për të krijuar…

***

Parametrat për t’u bërë politikan, ishin dhe mbetën të ulta. E politikanët tanë i binden vetëm rregullave të mentalitetit.

Arbni ishte shumë i moralshëm për të qenë politikan. Prandaj ai hoqi dorë kur ishte në kulm të karrierës politike. Të heqësh dorë kur je i suksesshëm nuk është sikur të heqësh dorë. Dhe të heqësh dorë nga politika është të heqin dorë nga ty. Të të mohojnë.

Por heqja dorë nga politika aktive (edhe pse s’la zëvëndësues), i dha mundësinë dhe kohën të merrej me analiza, për ç’gjë ishte i paarritshëm.

Ai u ballafaqua me shumë vështirësi, me sëmundjen dhe të jetuarit – para kohe…Kjo e dyta duhet të ketë qenë e mundimshme…

***

Në kafene ose në shtëpi, hera-herës na ndodhte të rrinim ashtu të qetë, pa biseduar dhe kuptoheshim për mrekulli. Shpesh na kaplonte ndjenja e pandjesisë. Kënaqësia e të mos bërit asgjë. Shijimi i kotësisë. Qe një nevojë organike për të dy. Endërronim duke shijuar kofeinën e nikotinën që i shtynim me ndonjë koment mbi ëndërrat. Fundja, aty ku jetonim ne, s’kishte mbetur gjë tjetër përpos të – ëndërronim.

Gjatë asaj qetësie, mendoja për të e vitalitetin unik mendor që kishte. Ishte ndër të paktët njerëz që mund ta quaja intelektual dhe t’mos ndjeja dhimbje.

Ai i kishte bërë autopsi jetës. Pastaj e pyesja se ç’ndjenjë është të jesh i ditur, e ai më përgjigjej: ç’e do, dija s’të hyka në punë…Pastaj, sikur të kishte bërë ndonjë gabim, i shfaqej modestia dhe thoshte se s’ishte i ditur…

Ai ishte i zhgënjyer, por nuk e shprehte asnjëherë. Sepse ai kishte aq dije që: jashtë vëmendjes së shtetit ishte çdo shqiptar. Ai kishte aq dije që: ne ishim një popull padronësh…Që vetëm populli shqiptar përbëhej nga “të tërë ekspertë dhe njerëz të ditur që kërkojnë lëmoshë” thoja unë…

***

Tek kafeneja jonë e preferuar ënderronim të dy, por ëndërrat i kishim kualitative. Pinim kafe, cigare me të thurur (të cilat i thurja për të dy), se përkundër dëshirës së tij, ishte e dridhura që vinte si pasojë e sëmundjes, që nuk e lejonte të thurte, e për ç’gjë me atë sensin e vecantë të humorit që e karakterizonte thoshte: unë mendoja se s’di të thur cigare, por paska qenë sëmundja…Pastaj kur unë s’qeshja, për të më disponuar thoshte: shpejt do jemi protagonistë të shtypit rozë. Do thonë: dy Arbenat po thithnin hashish, se tërë kohën po qesheshin në kafenenë…Ndërsa ne qesheshim me mundësinë për të përmbushur ëndërrën tonë, të arrinim të prodhonim verën tonë të përbashkët që do t’a quanim:…

***

Mu aty, tek ajo kafene, shkoj të të kërkoj shpesh, se kam nevojë për ty. Nga dera e kafenesë, të kërkoj me sy tek tavolina jonë. Konstatoj se s’je aty. Megjithatë, ulem për një çast. As nuk pi kafe, as nuk thur cigare e as nuk flas me njeri. Dhe ndjej mungesën tënde si mik, se s’kam asnjë të tillë. Më mungon si analist, të më dhurosh qetësi duke amnistuar gabimet e të gabuarve. Më mungon si shqiptar, se kanë mbetur të paktë ata shqiptarë prej vërteti.

Marr celularin të të thërras. Numri nuk ekziston më. Në celular gjejë porosinë tënde të fundit (që e ruaj me fanatizëm): “pse, a është keq të jesh ëndrrimtar”. “Kam frikë se zgjohem e mund të më prishet koncepti”, dua të të them sërish. Prandaj, vazhdoj të mbetem ëndrrimtar. Dhe në ëndrra, unë krijoj. Dhe në krijimet e mia, ti rron.

Mirutakofshim, tek kafeneja jonë e preferuar, miku im.

Comments

Submitted by Zapbone (not verified) on

<p>Shkrimi eshte shume i ndjere e i bukur, si nje homazh per filozofin shqiptar Arben Xhaferri.&nbsp;<span style="color: rgb(76, 76, 76); font-family: helvetica, arial, sans-serif; font-size: 12.222222328186035px; line-height: normal;">Kush jeton ne memorje, ai nuk ka vdekur, po vetem eshte larguar. I vdekur eshte ai qe harrohet. Arber Xhaferri ka vendin e arte ne panteonin e kujteses shqiptare.&nbsp;</span></p>

Submitted by Blerta (not verified) on

<p>Shume shkrim i bukur dhe ndjehet vertetesia e ndjenjave te autorit. I nderuar qofte kujtimi i Arben Xhaferrit!&nbsp;</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.