Mos jam martuar vallë me Wikipedian?

Postuar në 02 Gusht, 2013 07:15
Umberto Eco

Çdokush prej nesh, teksa punon e lipset të verifikojë një emër apo një datë, i falet Wikipedia-s në Internet. Për një grusht profanësh, më duhet të kujtoj se Wikipedia është një enciklopedi on line, e cila shkruhet e rishkruhet prore, nga vetë përdoruesit e saj. Ia vlen të përmendim se kur ju kërkoni një zë, bie fjala, "Napoleoni" dhe vëreni se të dhënat janë të paplota apo të pasakta, mund të regjistroheni, t'i korrigjoni dhe ky zë pastaj ruhet ashtu, sikurse e ndryshuat ju.

Natyrisht, kjo u krijon mundësinë dashakeqëve apo të marrëve që të përhapin të dhëna të rreme, por sigurinë na i ofron fakti se këto të dhëna kontrollohen nga miliona përdorues. Në rast se dikush ndërhyn në keqbesim dhe bën korrigjimin se Napoleoni nuk vdiq në Shën Elenë, por në Santa Domingo, miliona dashamirës do të ndërhynin menjëherë dhe do ta korrigjonin këtë ndryshim dashakeq (pastaj, besoj se pas disa orvatjesh ligjore të personave që cënohen nga shpifjet e dikujt, një lloj redaksie do ta bënte një verifikim, të paktën për korrigjimet me përmbajtje të qartë shpifëse). Në këtë kuptim, Wikipedia do të ishte një shembull i bukur i asaj që Charles Sanders Peirce e quante Komuniteti (shkencor), i cili falë një vetë-ekuilibri fatlum i fshin gabimet dhe ligjëson zbulime të reja, duke çuar përpara pishtarin e së vërtetës, sikurse e quante ai.

Por nëse kjo syçeltësi kolektive mund të funksionojë për Napoleonin, a mund të themi të njëjtën gjë edhe për një Filan Fisteku, cilido qoftë ai? Le të marrim shembullin e një personi pak më të njohur se Filan Fisteku, por më pak të njohur se Napoleoni, sikundër jam unë. Fillimisht ndërhyra për të korrigjuar sa shkruhej për mua, ngaqë vërejta të dhëna të gabuara dhe njoftime të rreme (për shembull, thuhej se isha i pari ndër trembëdhjetë vëllezër, fakt që s'ka të bëjë me mua, por me tim atë). Mandej hoqa dorë sepse, sa herë më shtynte kureshtja të kontrolloja të dhënat e vëna në emrin tim, gjeja qyfyre të reja, që s'dihet kush i vinte. Njëherë ca miq më njoftuan se Wikipedia shkruante se isha martuar me vajzën e botuesit tim, Valentino Bompiani. Ky lajm nuk ishte asfare shqetësues për mua, po mbase mund të prekte mikeshat e mia të dashura, Ginevra dhe Emanuela, ndaj ndërhyva fill dhe e fshiva.

Në rastin tim as që mund të bëhet fjalë për një gabim të kuptueshëm (si historia e trembëdhjetë vëllezërve), as për të besuar thashetheme të rëndomta: s'besoj që dikush ta ketë shkuar në mendje që unë mund të akaparoja një martesë të tillë. Kështu që, bashkë-autori i panjohur i Wikipedias besoj se ka ndërhyrë për të publikuar thjesht një fantazi të tij, pa i shkuar fare ndërmend që t'i verifikonte të dhënat, të paktën nga ndonjë burim tjetër.

Atëhere, sa mund t'i besojmë Wikipedias? Po ua them menjëherë që unë e besoj, sepse profesioni i studjuesit më ka mësuar përdorimin e disa teknikave: një argument të caktuar, pasi e konsultoj në Wikipedia, shkoj pastaj dhe e krahasoj me të dhënat e dy ose tri site-ve të tjera. Nëse rezultatet përkojnë të tria herët, atëhere ka shumë gjasa që e dhëna të jetë e vërtetë (por kujdes, site-t që konsultojmë nuk duhet të jenë parazitë të Wikipedia-s, sepse kësisoj gabimi do të përsëritej). Një mënyrë tjetër është që, i njëjti zë, të shihet si në italishte, ashtu edhe në ndonjë gjuhë tjetër (po e keni të vështirë me gjuhën urdu, me siguri do ta gjeni në anglishte). Zakonisht të dy zërat përkojnë (janë përkthime të njëra-tjetrës), por nganjëherë edhe ndryshojnë dhe mund t'ia vlejë barra qiranë nëse gjenden kundërthënie. Kjo mund t'ju shtyjë (përkundër besimit tuaj tek virtualja) që të çoheni dhe të konsultoni një libër enciklopedie.

Solla shembullin e studjuesit, i cili ia ka marrë dorën ballafaqimit të burimeve të ndryshme. Po të tjerët? Si t'ia bëjnë ata që besojnë kollaj? Po djelmoshat që i turren Wikipedias për të bërë detyrat e shtëpisë? Mbani parasysh që sa thamë vlejnë edhe për çdo site tjetër, ndaj kohë më parë sugjerova, edhe për grupet rinore, ngritjen e një qendre monitorimi të Internetit, përmes një komiteti të përbërë nga ekspertë të fushave të ndryshme, në mënyrë që site të ndryshme të kontrolloheshin (ose on line, ose nëpërmjet botimeve të shtypura) dhe të bëhej një vlerësim për besueshmërinë dhe plotësinë e tyre. Por le të marrim, shpejt e shpejt, një shembull dhe le të mos kërkojmë emrin e një figure historike si Napoleoni (për të Google ofron 2.190.000 site), por të një shkrimtari të ri, Paolo Giordano, autor i "Vetmia e numrave prim", i cili u bë i njohur kohët e fundit, pikërisht kur fitoi çmimin Strega 2008. Sitet që flasin për të janë 522.000. Atëhere si i bëhet hallit për t'i monitoruar të gjitha?

Njëherë i dhamë karar të monitoronim vetëm site-t që lidheshin me autorë, të cilat paraqitnin interes më të madh për studentët tanë. Por, po të marrim fjala vjen Peirce-n, që e përmenda më sipër, për të na japin informacion plot 734.000 site.

Ja pra, një goxha problem që ende nuk ka gjetur zgjidhje.

Shkrim i vitit 2009, por aktual

Comments

Submitted by zam (not verified) on

Pse duhet te perktheht John Smith me Filan Fisteku? Nuk arrij ta kuptoj, te gjithe perkthyesit shqiptare kane bere ate kursin e Edmond Tupes dhe perkthejne si ai, keq, shume keq dhe vecanerisht ne menyre qesharake!

Submitted by Bard (not verified) on

ke te drejte per Tupen, po te shohesh si e ka shperfytyruar vepren e Prustit, te vjen ta lexosh ne anglisht me mire. Nje armate e tere perkthyesih qe paguhen ne baze te faqeve te shqiperuara, dhe jo sipas cilesise se perkthimit, jane duke perdhunuar kryevepra boterore, duke i sjelle ne shqip sipas logjikes se te berit biznes.

Submitted by Kult (not verified) on

"Filan fisteku" eshte shqiperim i rregullt per "John Smith". Nuk e kuptoj kete nderhyrjen tuaj. Ajo qe thua per Tupen pastaj eshte teme tjeter. Por, sa i takon termit ne fjale, eshte nje gjetje e mire nga ana e perkthyesit te mesiperm.

Shenim: po e marr si te mireqene nga sa thua se ne origjinal eshte "John Smith". Pak e cuditshme me tingellon ne fakt, pasi normalisht Ekoja duhet ta kete shkruar artikullin ne italisht, me idiomat perkatese.

Submitted by Edi (not verified) on

Kam frikë se ai filani ka hyrë nga arabishtja fulan - فلان, nëpërmjet turqishtes filân - akcili (so-and-so).

Submitted by Bujar (not verified) on

Problemi qe nge Eco per Wikipedian eshte per t'u shqetesuar, ne fakt, sidomos ne Shqiperi, ku nxenesit kopjojne pa asnje lloj redaktimi tekste qe i dorezojne te nesermen ne shkolle dhe marrin 10-ta qe permiresojne 4-en dhe 5-sen qe marrin zakonisht. Keshtu rrisim cilesine fiktive te shkolles sone.

Debati qe kthehet te Filan Fisteku, ne fakt eshte devijim nga mesazhet e shkrimit. Perkthyesi prandaj eshte, qe te perktheje kuptimin nga nje gjuhe e huaj ne gjuhen shqipe. Ndryshe per cfare duhet perkthyesit kur kemi Google Translation?

Submitted by Shqip (not verified) on

Mendoj se ne kete rast Filan Fisteku eshte emri i duhur, por per ata qe jane qibar mund te kishte perdorur edhe Aqif Kopertoni.

Submitted by davidi (not verified) on

Perkthyesi i mesiperm ka aplikuar per john smith perkthimin qe ne kete rast nuk eshte i domosdoshem. Po te kishte qene i domosdoshem do ta kishte aplikuar vete Eco me ate qe atij do ti vinte per mbare, italishtja ofron variante. Eco nuk e ka zevendesuar termin sepse ka dashur te ruaje referimin nga anglishtja, wikipedia vertet ofrohet ne disa gjuhe por eshte angleze si realitet, ne kete rast nje realitet mbartes i nje problematike qe Umberto ngre me te drejte.

Add new comment

Plain text

• No HTML tags allowed.
• Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
• Lines and paragraphs break automatically.