Ja pse e kam krahasuar Berishën me Esad Toptanin dhe Ahmet Zogun

Postuar në 07 Korrik, 2013 03:49
Intervistë me Pëllumb Xhufin

Pyetje: Prof. Xhufi, si e lexoni votën e shqiptarëve më 23 qershor?

Përgjigje: Mendoj se në 23 qershor (23 Qershor!) shqiptarët dhanë, më në fund, mesazhin se populli as ka vdekur, e as nuk është zhburrëruar: se ai është atje, me sy, me veshë e me mendje, dhe të gjykon e të ndëshkon kur e mbush kupën. Në 23 qershori populli morri me “dhunën” e votës sovranitetin, të cilin ia kishte rrëmbyer një pushtet gjithnjë e më shumë antipopullor. Një pushtet, që e kishte zhveshur politikën nga misioni i saj kryesor, shërbimi për publikun, për ta kthyer atë në një instrument të dhunës e të intrigës në funksion të pasurimit e përjetësimit të një lukunie njerëzish të babëzitur, pa moral e pa ndërgjegje qytetare, të cilët jo shërbimin ndaj qytetarëve, por shërbimin ndaj vetes së tyre e kishin shpallur qëllim të angazhimit të tyre publik. Si të mos mjaftonin bëmat e Berishës, kjo lukuni oborrtarësh handikapatë, opozitarësh renegatë, gjyqtarësh të korruptuar, policësh xhahilë, opinionistësh të qurravitur, intelektualësh të jargavitur, pra gjithë lëtyra e shoqërisë shqiptare e viteve të tranzicionit, i pushtoi si asnjëherë mediat për ta kushtëzuar votën popullore në favor të Berishës. Unë gjykoj se rezultati i zgjedhjeve do të kishte qenë diçka më ndryshe, sikur kjo lukuni lakejsh pa dinjitet e personalitet të mos i kishte provokuar qytetarët shqiptarë me reklamimin e shëmtisë së vet morale e shpirtërore. Deri edhe rrethet më afër Berishës nuk e fshehën pakënaqësinë e revoltën ndaj organizatorit të kësaj maskarade, kur ky, duke fyer e nëpërkëmbur ndjenjat e bashkëluftëtarëve të betejave demokrate, flirtonte e katapultonte në listat e PD kanakarët e vet brenda kampit të majtë, sikur të donte t’i përqeshte të vetët duke u thënë: “Ju kam dh…. me një Kaç”! Ky ishte kulmi i një sjelljeje sado-mazokiste, të cilën, pasi e eksperimentoi me opozitën, doktori filloi ta aplikojë edhe me të vetët. Dhe kjo, padyshim, u reflektua në 23 qershor, kur votuesi i djathtë e parandjeu humbjen tek vështrimi i venitur, i demotivuar e demotivues i drejtuesve të PD. Në këtë kuptim, votën e 23 qershorit unë do ta quaja votë mbarëpopullore, pavarësisht që ishin të shumtë votuesit e djathtë, të cilët edhe kësaj radhe “nuk e tradhtuan” votën e tyre. Në thelb, ata janë pjesë e popullit opozitar: larg kamerave dhe jashtë kutive të votimit, ata rezultojnë të jenë po aq të pakënaqur sa edhe të tjerët nga arroganca dhe amoraliteti i një pushteti, tek i cili nuk e gjejnë më veten.

- A duhet konsideruar si një triumf vota dërrmuese e shqiptarëve kundër Sali Berishës?

- Do ta quaja “triumf” në rast se do të isha i sigurt se pas “mbretërisë së të keqes” do të vijë “mbretëria e së mirës”. Por nuk më duket se është kështu. Së pari, sepse vetë opozita e majtë që pritet të qeverisë, do të ndodhet përpara një misioni të vështirë, thuajse të pamundur. Në këta tetë vjet keqqeverisjeje sistematike janë tronditur themelet e shtetit, është shpërfytyruar vetë imazhi i demokracisë, janë plaçkitur e shpërdoruar pasuritë e paçmuara të këtij vendi, është rrënuar ekonomia, janë boshatisur financat, është shkretuar e helmuar mjedisi, janë diskretituar e zhvlerësuar ushtria, policia, gjykatat, është banalizuar arsimi, kultura, arti dhe sporti, është shëmtuar e çnjerëzuar shërbimi shëndetësor e çdo shërbim tjetër, është korruptuar administrata, është prishur njeriu. Opozita dhe të gjithë ne të tjerët jemi pjesë e kësaj katrahure, që e jetuam dhe e duruam në mënyrë të përsëritur dhe shpesh herë pa bërë as gëk as mëk, në këta 23 vjet “demokracie hibride”. Pra, nëse do të flisnim për triumf, do të duhej të pranonim se kemi triumfuar mbi vetveten, gjë që do të ishte tepër mazokiste për njerëz krenarë, siç jemi ne shqiptarët, që jemi mësuar ti shohim virtytet dhe veset tek të tjerët, dhe asnjëherë te vetja jonë. Prandaj, votën e 23 qershorit do ta përkufizoja thjesht si një zgjim, apo si një shpëtim të minutës së fundit, siç ka ndodhur shpesh në jetën e popullit tonë të shënuar nga vonesa të mëdha historike. Fitorja e opozitës ishte mbresëlënëse, tronditëse për dimensionet e saj, por entuziazmi i përmbajtur i fitimtarëve, është shënjë e një ndërgjegjësimi për humnerën e frikshme që ka lënë prapa qeverisja e mbrapshtë e PD. Duhet mbushur kjo humnerë përpara se vendi të hedhë hapa përpara, dhe kjo do të thotë se cilësia e jetës së qytetarëve shqiptarë nuk pritet të ketë ndonjë ndryshim esencial në muajt e në vitet e para të qeverisjes socialiste. Si fillim, do të na duhet të mjaftohemi me qetësinë shpirtërore që do të na dhurojë largimi nga ekranet dhe nga jeta jonë e figurave të zhurmshme e të dhunshme, si ishin ato të z. Berisha e të sejmenëve të tij. Dhe kjo, si fillim, nuk është pak. Por, le të shpresojmë që tërheqja nga politika  e z. Berisha të jetë e vërtetë, mos të jetë si ajo e Teng Hsiao Pinit, siç dyshon me të drejtë Dritëro Agolli.

- Ju kini qenë tepër kritik kundër Berishës, madje e keni quajtur një figurë më të errët se ajo e Esat Toptanit. Pse?

- Do mund ta krahasoja Sali Berishën edhe me Enver Hoxhën, për sa i përket intolerancës, egërsisë, qasjes përjashtuese, fanatizmit, depersonalizimit, frymës së voluntarizmit në ekonomi, përdorimit të njerëzve si kavje për të eksperimentuar “njeriun e ri”. Të gjitha këto sjellje, në një masë apo në tjetrën, z. Berisha i ka manifestuar gjithashtu. Por, parë nga këndvështrimi historik, sjelljet e tij antidemokratike janë edhe më të dënueshme e të patolerueshme se ato të Enver Hoxhës, për sa kohë manifestohen në kushtet e një sistemi e të një kulture të re politike, në kushtet e thyerjes së izolimit komunist dhe të integrimit me botën demokratike. Nga njëherë më duket se Sali Berisha dhe e gjithë klasa drejtuese e viteve të tranzicionit post-komunist, qëndrojnë edhe më poshtë se paraardhësit e tyre komunistë përsa i përket moralit dhe integritetit. Në delirin e tyre ideologjik, këta i varfëruan shqiptarët duke i tufëzuar e duke i zhveshur nga çdo pronë e pasuri. Por, të paktën, e filluan këtë aventurë duke dorëzuar të parët pronat e pasuritë e tyre dhe në fund rezultuan po aq të varfër sa edhe të tjerët. Kurse “udhëheqësit” e sotëm, thuajse të gjithë, kur i hynë politikës kishin nga një kacidhe në xhep. Tani, janë latifondistë e bankierë të tillë, që do t’i kishin zili edhe Verlacët e Sinat e dikurshëm. Por përtej këtyre përkimeve me qeveritarët e epokës së komunizmit shqiptar, më ka tronditur ngjashmëria e sjelljeve politike të Sali Berishës me përfaqësuesit më domethënës të një rryme historike të mendimit politik shqiptar, që e ka shprehjen e vet më domethënëse te figura e Esad Pashë Toptanit dhe, deri diku, tek Ahmet Zogu. Individë të tillë, injorantë e gjysmë-injorantë, e mbështetën autoritetin e vet jo në votën e lirë të popullit shqiptar, por në mbështetje krahinore e tribale të fituara me dhunë, para dhe injorancë. Si Esadi, ashtu edhe Ahmeti e trajtuan qeverisjen jo si një të mirë publike, por si një instrument të intrigës e të pabesisë, për të eliminuar kundërshtarët politikë dhe për të vjedhur e plaçkitur popullin e vet. I zgjodhën miqtë dhe aleatët e huaj pikërisht mes armiqve të Shqipërisë. Këtyre u shitën territore, pasuri, interesa dhe dinjitet kombëtar, mjaft që të mernin në këmbim një tufë me mercenarë, një grusht me para dhe një qerre me armë për të shtypur e skllavëruar popullin e vet.  E pra, pas një historie 100-vjeçare të shtetit të tyre, shqiptarët kanë trashëguar në gene përçmimin dhe refuzimin për këtë model esadist të qeverisjes. Askush, as edhe demokrati më i thekur nuk mund të kapërdinte miqësitë e dyshimta të Berishës me individë si Damir Fazlliç, Nikolas Gaxojanis, Vasil Bollano e pse jo, me  “shushunja” të llojit Ridge-Podestà, që shfrytëzojnë emrin e fituar dikur gjatë angazhimit në administratën amerikane, për të bërë para në kurriz të xhepit dhe të lirisë së shqiptarëve, qoftë edhe duke mbështetur politikanë të korruptuar e autoritarë, si këta tanët. Akoma më shumë, nuk kishte shqiptar, edhe nga ata që kanë nxjerrë përfitime nga ky pushtet, që të kapërdinte faktin, që pasi pushtoi çdo institucion, Berisha e përdori makinën shtetërore për të përjashtuar, për të ndjekur, për të spiunuar, për të rrahur e për të vrarë shqiptarë të tjerë. I lëpirë, i zgërdhirë e bujar sa më s’bëhet me të huajt. I përdalë, i shpërfytyruar e mizor me shqiptarët. Personalisht e ndjeva humbjen e këtij modeli, të mishëruar sot në qeverisjen e Berishës, kur pashë si u dyndën në Vlorë, në 28 Nëntorin e shkuar, me qindra mijëra shqiptarë nga të gjitha trevat, përfshirë edhe ato më verioret të Traboinit, Gucisë e Malësisë së Gjakovës. Ishte prova se populli i kishte qëndruar besnik mesazhit rilindas të bashkimit kombëtar, dhe e kishte refuzuar kumtin e urrejtjes e të përçarjes ndërshqiptare të Kryeministrit e të paladinëve të tij. Ndoshta jam gabim, por zanati im më shtyn t’i japë një copë të mirë historisë në këtë fund të palavdishëm të karrierës politike të z. Berisha. Ky, pasi e ndërtoi dhe e zbatoi në praktikë, gjeti pikërisht 100-vjetorin e shtetit shqiptar për të ngritur edhe në piedestal modelin esadist të qeverisjes, duke diktuar për çdo ditë nga foltorja e Kryeministrit versionin e vet të historisë, duke përmbysur rilindasit e duke lartësuar tradhtarët. Kjo përplasje me historinë rezultoi fatale për fatet politike të tij. Të paktën, kështu më pëlqen mua të besoj. Fundi i Berishës filloi në vitin 2012, në 100-vjetorin e Ismail Qemalit, dhe përfundoi në vitin 2013, në 100-vjetorin e Esad Pashës. E thënë kështu, do të dukej sikur një dorë hyjnore, që kujtohet për Shqipërinë një herë në njëqind vjet, i rregulloi gjërat të rridhnin ashtu siç rrodhën.

- Ju jeni deklaruar si një mbrojtës i flaktë i çështjes çame. Si e shikoni perspektivën e saj pas këtyre zgjedhjeve?

- Për fat të keq, bashkëpatriotët dhe miqtë tanë çamë treguan në këto zgjedhje se e kishin të vështirë të bashkoheshin me prirjen mbarëpopullore për ndryshim. Në emër të një “uniteti” të rremë, parapëlqyen të refuzojnë ndryshimin e të rreshtohen edhe njëherë pas flamujve të grisur të një “nacionalizmi” e “konservatorizmi” të dalë boje. I dhanë konsensus një grupi të sprovuar në ineficiencën dhe makiavelizmin e vet me çështjen çame. Kur PDIU zgjodhi të bëhej pjesë e koalicionit të djathtë dhe të qeverisë së tij, shumëkush priti që deputetët e saj të ushtronin presionin e duhur politik mbi qeverinë Berisha për ta përfshirë në axhendën e vet politike një problem kombëtar, siç është problemi çam. Përkundrazi, deputetët, njëherësh drejtuesit e PDIU, nuk deshën ta bëjnë këtë, edhe pse kishin në dorë dy mandate të arta, me të cilat mund të kushtëzonin mbijetesën e qeverisë.

Në mënyrë kuptimplotë, vetë z. Berisha ka refuzuar në këta gati 20 vjetët e fundit deri edhe t’i artikulojë termat “Çamëri” dhe “çështje çame”. E megjithatë, drejtuesit e PDIU nuk bënë as “çak” e as “bam”, nuk u ankuan, madje filluan të justifikohen se përderisa qeveria nuk kishte guxim e vullnet t’i trajtonte, do të ishin ata vetë që do t’i zgjidhnin problemet e tyre, qoftë edhe duke i blerë me para tokat e të parëve nga të cilat u dëbuan me gjak e me dhunë. “Në fund të fundit, ne jemi aq të pasur sa t’i blejmë pronat tona”, arsyetonte një prej tyre, duke mos patur frikë se po e banalizonte një çështje kombëtare, në një çështje xhepi. Jo vetëm kaq, por drejtuesit e PDIU iu bënë krah qeverisë Berisha në veprat më të kontestuara të saj, të konsideruara si antishqiptare nga një pjesë e madhe e opinionit, siç ishte marrëveshja për delimitimin e hapësirës ujore me Greqinë, ajo për ndërtimin e varrezave greke me nëntekst të hapur shovinist, vendimi për regjistrimin e popullsisë mbi bazë besimi e kombësie apo edhe vetë tentativa e dështuar për t’i hequr emrin “Avni Rustemi” sheshit historik në mes të Tiranës, dhe për ta ripagëzuar atë me emrin “Çamëria”.

Veprime të tilla janë të destinuara ta dëmtojnë çështjen çame dhe, akoma më keq, rrezikojnë t’i transferojnë risentimentet e kuptueshme ndaj drejtuesve të PDIU edhe tek komuniteti çam, i cili nuk është në dijeni të prapaskenave që përcaktojnë sjellje të tilla të përfaqësuesve të tyre në parlamentin shqiptar. Sigurisht, fakti që komuniteti çam dërgoi në parlament 4 përfaqësues të tij, pa përfshirë këtu Idrizin e listave të PD, është një befasi e bukur që do gëzonte gjithkënd. Por mbetet për t’u parë se ku mbaron demagogjia e ku fillon sinqeriteti, mbetet për t’u parë integriteti dhe produkti real i përfaqësuesve çamë nga pozitat e një pakice të djathtë, ndërkohë që në 4 vjetët e legjislaturës që u mbyll, në kushtet shumë më të të favorshme të të qenit në qeveri dhe të të qenit faktor vendimtar për mbijetesën e saj, ata përfaqësues nuk e avancuan qoftë edhe një centimetër të vetëm çështjen çame. Shenjat nuk janë aspak inkurajuese, nëse kihet parasysh raporti historik aspak pozitiv i PD me çështjen çame, dhe nëse mbahet parasysh se indikatori i vetëm i “vokacionit çam” të PD është ai deputeti i përjetshëm me origjinë çame, të cilin Berisha e zgjidhte dhe e rizgjidhte në çdo legjislaturë pikërisht sepse kishte pranuar ta “përfaqësonte” komunitetin çam… me heshtjen e tij.

Nisur nga këto premisa, them se do të kishte qenë shumë më mirë që vota çame të kishte anuar nga ana e koalicionit fitues të këtyre zgjedhjeve, aq më shumë që dy partitë kryesore të tij, e kanë integruar çështjen çame si pjesë të programit të tyre politik dhe, siç tregoi projekt-rezoluta e shkëlqyer e paraqitur në mënyrë solemne nga z. Edi Rama, janë të vendosura ta trajtojnë atë në mënyrë serioze.  Dhe gjithsesi, duhet theksuar që forca e re, Aleanca Popullore dhe ekipi i saj vërtet i zgjedhur e premtues, mori rreth 9 mijë vota që nuk janë pak për një parti me vetëm 2 muaj jetë, duke u renditur e pesta në koalicionin e majtë.

- Flitet se Vangjel Dule mund të bëhet ministër në qeverinë e re, ndërsa vendin e tij do ta zerë Vasil Bollano. Si ju duken këto zhvillime?

- Nëse kjo do të ndodhte, do kishim të bënim me finalizimin e një ujdie të fshehtë të arritur pas shpinës së zgjedhësve. Ndjesinë e saj e dha më së pari lista e kandidatëve të atij qarku, bashkë me listën po ashtu të papërshtatshme të Gjirokastrës. Ato lista nuk ishin përfaqësuese, dhe Edi Rama duhet ta dijë se është në borxh të madh me zgjedhësit e atyre dy qarqeve. Përtej ndonjë paragjykimi që mund të ketë mbi personin tim, unë jam ndër ata që mendoj se minoritetet në Shqipëri, më së pari minoriteti grek, duhet të kenë një përfaqësim të denjë në parlamentin e në institucionet shqiptare. Konkretisht, do të isha i pari që do gëzohesha po të shihja në listat e zgjedhjeve dhe të qeverisjes së PS kandidatë minoritarë me bindje socialiste, nga ata që përfaqësojnë më së miri traditat e bashkëjetesës e të miqësisë shqiptaro-greke, të mbrujtura në luftërat tona për liri, demokraci dhe ndërtim të atdheut tonë të përbashkët.  Por më duket tepër e guximshme dhe e pamenduar të promovosh në listat e PS individë si z. Vangjel Dule e z. Vasil Bollano, zëdhënës të deklaruar të qarqeve më radikale antishqiptare. Nuk ka arsye të bëhet një gjë e tillë, aq më shumë në një kohë kur ata refuzohen nga bashkëqytetarët e tyre në Dropull e në Himarë. Dhe pikërisht janë refuzuar e nuk votohen aty, pasi nuk merren me hallet e problemet e banorëve të atyre zonave, por janë angazhuar këmbë e kokë për të realizuar axhendat nacional-fashiste të sillogjeve e kongreseve vorio-epirote. Të gjithë i kanë parasysh piruetat, thirrjet, presionet e kërcënimet për “përjashtim nga BE” të terxhumanit Vangjel Dule, sa herë që në tryezën e qeverisë shqiptare janë hedhur kërkesat megalideiste për të ndryshuar kufijtë, për të zhbërë autoqefalinë e kishës ordodokse shqiptare, për të mbjellur me varre greke jugun e Shqipërisë apo për të regjistruar popullsinë sipas orekseve të qarqeve shoviniste greke. Z. Rama e ka vërtet gabim nëse mendon se minoriteti grek nuk mund të ofrojë diçka më të mirë se dyshja fatale Dule-Bollano. Nëse rokada e paralajmëruar Dule-Bollano do ndodhë vërtet, kam frikë se z. Rama do hapë një konflikt të panevojshëm me votuesit e tij në Vlorë, Gjirokastër e në gjithë Shqipërinë. Por shpresoj se nuk do ta bëjë këtë. Një Dule në parlamentin shqiptar është në vetvete një mbidozë intrige, vreri e sherri. Por, një Zot e di se ç’do të ndodhë, nëse atij i shtohet dhe Bollanua….

- Si duhet trajtuar çështja kombëtare e shqiptarëve pas 23 qershorit?

- Mendoj se, duke kapërcyer demagogjinë e përhershme, çështja kombëtare duhet trajtuar si një tërësi objektivash e prioritetesh të qeverisjes. Të tilla, që janë përcaktuar mirë edhe në programin e PS, janë ndërtimi i shtetit dhe vendosja e ligjit, realizimi pa vonesë i ndryshimeve Kushtetuese dhe i një reforme të re zgjedhore, lufta kundër korrupsionit dhe trafiqeve, rivlerësim i pasurive të vendit, i bujqësisë dhe i turizmit, reforma administrative, reforma në sistemin e drejtësisë, forcimi i kohezionit social nëpërmjet politikave të duhura në fushën e edukimit, punësimit, asistencës sociale e shërbimeve, reforma në arsimin parauniversitar dhe atë universitar, etj. Këto e masa të tjera do ta afrojnë Shqipërinë me Evropën, dhe ky do të ishte shërbimi më i mirë për çështjen kombëtare. Përtej kësaj, duhen shfrytëzuar të gjitha hapësirat për intensifikimin e të gjithë spektrit të marrëdhënieve me Kosovën e me shqiptarët e Maqedonisë e të Malit të Zi, duhen normalizuar marrëdhëniet me Greqinë nëpërmjet zgjidhjes së problemeve ekzistuese, sipas normave e praktikave ndërkombëtare dhe duhen riformatuar marrëdhëniet me të gjithë partnerët rajonalë dhe ata evropianë. Këto janë vërtet detyra të vështira, ndaj deri më sot politika e ka patur më të lehtë të artikulojë një frazeologji tymuese patriotike e nacionaliste, se sa të bëjë hapa konkrete drejt realizimit të objektivave kombëtarë.

- Çfarë do t’i këshillonit qeverisë së Edi Ramës pas largimit të Berishës?

- Nuk kam absolutisht asnjë tagër për t’i dhënë ndonjë këshillë z. Rama apo kujtdo tjetër. Por meqë më nxisni, nga pozita e një profesori të historisë do të dëshiroja të njihnin më mirë historinë e Shqipërisë, për të shmangur gabime që përsëriten fatalisht në çdo ndërrim pushteti.

Intervistoi Xhevdet Shehu, Dita

Comments

Submitted by Leonardo (not verified) on

Si gjithmon një intelektual i përpiktë për çështjen kombëtare dhe jemi me fatë që historigrafia jonë ka historianë të tillë

Submitted by raimondi (not verified) on

Ama qenka nje leshko ky profesori i historise Pellumbi qe s'e paska shokun

Po akoma nuke e ke kuptuar ti ore profesor ..foli murit ..se  dushka eshte nje shebretor i bindur i grekut ..?

Edi e vuri Vloren, Gjirokastren dhe Sarenden nen kthetrat  e grekut ,,Vangjel Dulen e votuan me urdher duke ju thene socialsiteve votoni Dulen.......

Edi e ktheu PS-ne ne nje parti qe me votat e shqiptareve te perfaqsoje interesat e krimineleve greke

Ik ore profesor se nuk qenke gje -Ka dy gjera ketu :: Ose ti ke nivel shume te ulet intelekti, ose ke nivel shume te ulet moral

dhe ben sikur nuke e kupton qe Edi ne keto zgjedhje i sherbeu me devocion ceshtjes kriminale te Greqise duke vendos ne lista gjithe qelbesirat e politkes qe bejne propagande per copetimine e Shqiperise

Submitted by Dardan (not verified) on

Shkrimet e Prof. Xhufit nuk mund të komentohen, ato vetëm duhet të përvetësohen nga të gjithë ne për të shtuar  arsenalin e dijes së gjithëseicilit në luftën për mbarëvajtjen e kombit shqiptar. Faleminderit, Profesor!

Submitted by asnjanes (not verified) on

Pyetjes se parafundit per ceshtjen kombetare ju pergjigje si njeri normal dhe i ekuilibruar ,ndersa kur permend emra si fazllic apo gaxojanis dhe sidomos Bollanon me dukesh nje njeri llafazan qe nuk ke argumenta dhe meresh me teori konspirative,le nam kur quan kundershtar bollanon nje ish mekanik i thjeshte ,duke vene ne pah emrin e tij lind dyshimi te cdo shqiptar qe himara ka probleme minoriteti pra je ti dhe sera jote qe mban te ndezur kot kete debat duke permendur emra,dhe i fryn zjarrit kot ne nje kohe qe po te mos ta permendesh fare emrin e tij nuk do te permendej as ceshtja e himares,prandaj te hoqen nga cdo force politike sepse je populist qe prish pune me idiotizmat qe nxjer nga goja.

Submitted by Zapbone (not verified) on

Une lexoj se pari nje shkrim shume emocional dhe, emocioni eshte ne konflikt te vashdueshem me historianin. Une lexoj kudo ne shkrim qe, Ju jeni nje historian i mberthyer e i burgosur ne ideologji dhe, ideologjia si mjegull ne tru e ne shpirt, e si mantel ne trup, nuk ju len te vizatoni e intrepetoni faktet as si guximtar qe kerkoni te hiqeni dhe, as si realist, po qe kerkoni te hiqeni. Per mua, Ju, nuk keni neutralitet shkencor te historianit, Ju nuk i beni emocionet t´uaja ZAP, interpretimi plot pasion e zell deri ne ekstrem ju nxjerr lakuriq e ju pozicionon i partishem e plot ideologji. Sali Berisha eshte nje Satan, dhe ai eshte Satan po aq sa eshte Fatos Nano, Ilir Meta dhe Edi rama dhe po aq sa jeni dhe Ju. Dhe perpara se ti coni keto politikane ne dializen e historise coni veten ne dializen e ideologjise. Jam e jemi deshmitare te dy kohrave apo epokave te diktatures, e te demokracise, dhe e nohim dhe ne detaj e perjetojme perdite, dhe Ju nuk mund ti deformoni faktet duke i tonuar grafikisht ashtu sic doni Ju, nga emocionet dhe nga ideologjia.

Submitted by Anonim (not verified) on

Nuk eshte per tu shqetesuar nga ajo qe thote Xhufi, nga pikepamjet e tij marksiste  ad hominem. Ne fund te fundit ai eshte familjar i Enver Hoxhes dhe ka probleme personale. Ceshtja eshte se si e vleresojne kete emocion dhe urrejtje qe ai shfaq te tjeret madje e quajne Xhufin dijetar dhe mbrojtes  te njereiut dhe lirive te tij.

Submitted by anticensurë (not verified) on

çfar ka lidhje në këtë intervistë të xhufit që nuk shkon??

çhyn këtu bindja marksiste dhe lidhja familiare për enverin??

ti përveç një retorike koti nuk ke paraqitur asnjë fakt,dryshe nga xhufi!!

"..paraardhësit e tyre komunistë..... Në delirin e tyre ideologjik, këta i varfëruan shqiptarët duke i tufëzuar e duke i zhveshur nga çdo pronë e pasuri. Por, të paktën, e filluan këtë aventurë duke dorëzuar të parët pronat e pasuritë e tyre dhe në fund rezultuan po aq të varfër sa edhe të tjerët"!mos vallë nuk është  e vërtetë kjo??

mos vallë nuk e varfëruan,e zhveshën nga pronat?mos vallë në rënjen e tyre në '91shin ishin po aq të varfër sa shqiptarët??mos më thuaj se kishin 5 lek më shumë!?

"Kurse “udhëheqësit” e sotëm, thuajse të gjithë, kur i hynë politikës kishin nga një kacidhe në xhep. Tani, janë latifondistë e bankierë të tillë, që do t’i kishin zili edhe Verlacët e Sinat e dikurshëm."

po këtiu ka ndonjë gjë që s'qëndron!?mos vallë nuk është e vërtetë që këta politikanë të sotëm e filluan njëlloj si të gjithë shqiptarët dhe ndryshe nga ata,populli,janë të krimbur në para??

për atë që thotë për çamët mos vallë nuk është e vërtetë?nuk është e vërtetë që idrizi ishte krah i saliut në tërë pazaret me grekët??mos vallë abstenimet fallco të idrizit ishin e gjitha që ai mund të bënte???

anonim xhufit nuk i mbaj pishën por në këtë intevistë nuk ke çi thua!!!

Submitted by lulzim kupi (not verified) on

eshte e vertet se Xhufi eshte orator dhe historian  por varet se kuj historie i perket dhe dihet se Xhufi i perket asaj te lavdishmes komuniste  nuk esht i sinqert kur thote se enver Hoxha me kliken e tij e filloj nga vetja se Xhufi e din shum mire se Hoxha dhe shoket e vet kishin vetem morra dhe asgje tjeter , po me falni kishin injorancen qe i paraprinte ne qeverisje dhe synimin per te eliminuar shtresen e ditur ate nga mund ti vinte rreziku ,dhe ne qofte se ata nuk u pasurun si per shembell Berisha ose Rama sot ishte se nuk munden , se nuk diten jo se nuk deshen , nuk esht i sinqert kur tregon se si moren pushtetin esati dhe ahmeti dhe len me ni ane faktin se enverin e prune ne pushtet serbet me meladin popovicin .un nuk jam simpatizant i berishes as demokrat se per fat te keq ne shqiperi  demokracia eshte shum e brisht ose nuk existon por me vjen keq kur historianet nuk jan te sinqert dhe mundohen ta shkrujn historine te bazuar ne bindjet e veta politike , jam i sigurt se ne qofte se xhufi do ta lexonte nje liber ne se nuk gabohem me titull ( 15 vjet mretni dhe pikepamjet per prosporitet) te shkruajtun nga nje vezhgus anglez ne shqiperi do te gjente dhe shum ane pozitive te ahmet zogut , ose duhet ta gjente nje veti te mir te berishes .Duhet qe xhufi dhe te gjithe historianet dhe analistet ta xhveshin vetveten nga egot politike qe artikujt dhe analizat e tyre te ken ma vlere ,qe te lexohen nga te gjithe ata qe e huthen voten me 23 qershor dhe jo nga gjysa .

Submitted by anticensurë (not verified) on

lulo

ke të drejtë kur thua:" Xhufi i perket asaj te lavdishmes komuniste.. "

të paktën xhufi ashtu u formua përpiqet të jetë sa më objektiv,kurse ti o lul i ke me të dëgjuar!ndoshta shpesh,por prapë me të dëgjuar e ke!!maksimumi ke lexuar këtë anglezin që të ka pëlqyer,por nuk ke pranuar asnjë nga të tjerat kunër që ke lexuar a dëgjuar për zogun!!është mirë kur njeriu ka një ideal,por është e kundërta kur nuk e shikon me sens kritik!!kështu o lulo,xhufi,të sigurojë unë,e ka lexuar atë librin e anglezit,por duke e vënë në kandar si kanë dalë llogaritë e tua!!

lulo me të vërtetë e thua se "dhe ne qofte se ata nuk u pasurun si per shembell Berisha ose Rama sot ishte se nuk munden"??patën kohë 45 vjet o lulo!!mendo se ai shtet në momentin e falimentimit pati një prodhim që shteti i sotëm i legenëve demo-socialistë asqë i është afruar!!po të deshin dhe me fuqinë që kishin do të ishin miliarderë të paktën!!lulo mos fol budallalliqe kot!!

o lulo me të vërtet e ke:"len me ni ane faktin se enverin e prune ne pushtet serbet me meladin popovicin"?me të vërtetë e beson këtë që thua??mos mor mos,supermenët sërbë prunënë pushtet enverin???jo mor lali,mos ja fut pordhës!!se po të ishte se mjaftonin 2 sërbë për të çliruar shqipërinë gjermani e italiani nuk do të kishin luajtur vëndit!sdo tua kish mbajt bytha të kapeshin me sërbin!!por më e keqja është o lulo se ai enveri ju çliroi gati gjysmën e vëndit supermenëve sërbë!!

"Xhufi e din shum mire se Hoxha dhe shoket e vet kishin vetem morra dhe asgje tjeter"me të vërtet kujton se është kështu o lul??me të vërtetë që shumica e luftëtarëve për liri ishin popull!morracak si thua ti,mbetur të tillë na naltmadhnia që ju vodhi dhe lekun  e fundit,por në radhët e këtyre luftëtarëve kishte dhe shumë patriotë që ishin të pasur!ishin nga ata që dhanë pasurinë për shqipërinë,jo si naltmadhnia tënd që bëri pasurinë mbi shqipërinë!!

në do të përmënd të tillë,por nuk ja vlen!ata direkt pas çlirimit dhanë të parët pronat e tyre!të paktën unë njoh nja 3 a 4 në labëri!prandaj o lul,urreje enverin se ska gjë të keqe është e drejta jote,ashtu si është dhe gënjeshtra,e drejta jote!!të jesh një njeri i mbushur me urrejtje dhe të gënjesh nuk të ngrë vlerat!përkundrazi ti ul ato!!

kjo është për rastin nëse ti përpiqesh të arrish atë që ti do duke e ditur që je në gabim!

rasti që nuk ti ul vlerat është nës ti mendon me të vërtetë kështu si shkruan!!niveli i zgjuarsisë ose ai arsimor mun të jenë të ulët,në një farë mase nuk është faji tënd!të gjithë historianë nuk do të jenë!!ti mund të jesh shumë i zoti në zanatin tënd besoj se kjo të mjafton si ty dhe mua!!është gjë e mirë që lexon bile dhe që komneton në raste të tilla.me kalimin e kohës diça do të të mbetet në tru!!

shnet lulo dhe mos u mërzit,lexo ndonjë gjë më tepër dhe përpiqu të mësosh e jo të kundërshtosh!!në kandar përpiqu të rëndojë më shumë dija se kundërshtimi!!po ndodhi e kundërta të bëhet truri shelg i thatë!!!nuk ha pyka!!

Add new comment

Plain text

• No HTML tags allowed.
• Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
• Lines and paragraphs break automatically.