Mos e nxini bukurinë e disfatës!

Më në fund u shkërrmoq përbindëshi politik që u formësua dhe u rrit para syve tanë. Ai përbindësh që fitoi ekzistencë kur PD filloi të përdorë pushtetin e marrë nga populli për të zëvendësuar shtetin. Çdo parti-shtet, fjalë për fjalë, është një përbindësh dhe ishte e thënë që ky vend i varfër të mos shkëputej kurrë prej superpeshës dhe kthetrave të tij. PD-shtet u krijua dhe lulëzoi në kushtet e ekzistencës së të kundërtës së saj, të pluralizmit politik, dhe kjo vetëm sa e shtoi akoma më shumë dhimbjen dhe hutimin e shqiptarëve. Shqiptarët jetuan për një kohë të gjatë absurdin e pranisë së pluralizmit dhe partisë-shtet në të njëjëtën kohë dhe të hutuar, megjithëse kishin kohë me barkun e zbrazur, bënin pyetjen se si është e mundur që ky vend të kishte shumë parti dhe vetëm njëra prej tyre të kishte në dorë shtetin, t’i kishte në dorë ata, jetën e tyre. Ky hutim zgjati deri sa doli termi regjim hibrid, te i cili, shqiptarët, të tmerruar, kuptuan që paska edhe raste kur pluralizmi jeton me partinë-shtet, kur demokracia jeton me totalitarizmin; pra, paska edhe raste kur pas rrëzimit të totalitarizmit pushtetin e marrin në dorë totalitarët. Të ndjekur nga fati tragjik, megjithatë, shqiptarët patën kohën e mjaftueshme për të kuptuar se demokracia ishte vetëm në letër, ndërsa jeta e tyre sundohej nga partia-shtet. Intuitivisht shqiptarët e kuptuan që në regjimin hibrid demokracia ishte ajo që dukej, pa fuqi qeverisëse, dhe ajo që nuk dukej, ajo që fshihej nën të, pra partia-shtet, ishte fuqia e vërtetë qeverisëse dhe sunduese e vendit. Prandaj shqiptarët goditën përbindëshin me të vetmen armë që kanë: votën. E goditën atje ku duhet, duke i ndarë të dy pjesët nga njëra tjetra, pra, duke ndarë partinë nga shteti, ose më mirë, duke çliruar shtetin nga PD. Si në çdo rast të tillë, e mbetur pa shtetin si mjet sundimi, pra, e mbetur pa pjesën që i jepte energjinë e ekzistencës, e mbetur tek pullë, PD pritet të shkërrmoqet në ditët që vijnë. Pjesa pa shtetin, ose PD e vetme, nuk ka më asnjë mjet për t’i thirrur shqiptarët në opozitë. Nuk ka më karrige administratash, nuk ka më koncesione nën dorë, nuk ka më asistencë false, nuk ka më oferta korrupsioni, nuk ka më emërime të dyshimta mësuesish, nuk ka më të komanduar në sistemin e drejtësisë, nuk ka më asnjë fuqi për të vënë në krye të paaftët dhe izoluar të aftët, nuk ka më taksidarë të paskrupull për të trembur sipërmarrësit, dhe në fund të fundit, nuk zotëron më asnjë mjet demagogjik për të vazhduar gënjeshtrën elektorale. Të gjitha i ka djegur ose në qeverisje, ose i djeg tani me shkëputjen nga shteti. Çka i mbetet PD në opozitë është ekzaktësisht ajo që nuk e ka: vlerat morale dhe vizioni politik. PD u shndërrua brenda një dite në një parti opozitare që realisht ka mbetur pa motivin e ekzistencës. Që mund ta fitojë atë vetëm nëpërmjet rithemelimit të saj.
* * *
Pa u ftohur ende disfata e hatashme, autoritetet kryesore politike të PD, përfshirë edhe kryetarin e saj, nxituan të formulojnë deklarata te të cilat shkruhet se atyre iu vjen keq për gjithçka: për popullin, për demokratët, për partinë, për humbjen. Madje, si të ishin në situatën në të cilën nuk spjegohet disfata e thellë por fitorja, ata, sunduesit e PD, fillojnë e numërojnë sukseset, nga përmasat e të cilëve do të mund të parashikoheshin jo vetëm si fitues të zgjedhjeve në Shqipëri, por si fitues të çdo zgjedhjeje që mund të zhvillohej në hapësirën e kontinentit. Pa përjashtim, asnjë prej tyre nuk përmend në deklaratën e vet se pse humbën kaq thellë, pse është zvogluar kaq dramatikisht mbështetja popullore e PD. Të gjithë thonë të njëjtën gjë dhe ajo që thonë nuk ka lidhje me disfatën, përkundrazi, përdoret për të fshehur shkakun më të thellë të saj. Një sjellje e tillë zbulon se, në subkoshiencën e tyre, sundimtarët e PD vazhdojnë të besojnë akoma që, pavarësisht nga disfata elektorale, ata mund të mbeten përsëri të tillë, sundimtarë. Jo të shtetit, por të PD. Vazhdojnë të besojnë se, duke mos paraqitur shkakun më të thellë të disfatës, pra degradimin moral të tyre dhe të PD, ata mund të ndalin reformimin e partisë, aq më shumë, mund të zerojnë mundësinë e rithemelimit të saj. Rithemelim në të cilin ata nuk do të jenë të pranishëm. Pasi kanë nxirë fitoret e dikurshme elektorale të PD, pasi kanë poshtëruar sa kanë mundur popullin që i ka mbështetur dikur, ata, sundimtarët e PD, tani po mundohen të nxijnë edhe disfatën, e cila, për nga përmasat e jashtëzakonshme, duhet të vlersohet si një dhuratë nga zoti, si një disfatë e bukur. Në kuptimin që mund të përdoret për të shpëtuar edhe njëherë PD, vetë ekzistencën e saj. Pashallarët blu nuk mundën të ndalnin fuqinë e votës oqeanike të shqiptarëve. E keqja është se ata po mundohen të fshehin sa munden faktin që kanë humbur edhe votën brenda PD. Të cilën ndoshta nuk e kanë patur kurrë. Nuk po kuptojnë që, pavarësisht intrigave, deklaratave gjasme naive, gurëve nën rrota, përmasat e disfatës elektorale janë të tilla që do ta kthejnë atë, disfatën, në një fitore të demokratizimit të PD së nesërme. Të një PD-je pa sundimtarë, pa pashallarë blu.
* * *
Disfata e qershorit është në thelbin e saj një bekim për demokratët. Ajo nuk është një disfatë e zezë, përkundrazi, ajo është një disfatë e bardhë, e bukur. Bukuria e saj qëndron në mundësinë e madhe që iu jep demokratëve për të rithemeluar PD-në, për të ndërtuar një parti tjetër, pa sundimtarë. Fatkeqësisht, të parët që e kanë kuptuar këtë janë vetë sundimtarët, pashallarët blu. Ata kanë nuhatur më së miri se humbja e qershorit është jo vetëm një humbje e pushtetit-shtet, por edhe një humbje e pushtetit-parti. Prandaj janë të parët që po reagojnë dhe përgatiten për të mos ta humbur atë. E gjitha kjo po formëson deklaratat e tyre të shkruara me nxitim për të fshehur të vërtetën dhe përgjegjsinë e tyre partiake ndaj disfatës. Kjo është e keqja më e vogël. Në deklaratën e dorëheqjes së kryetarit të PD thuhet, në thelb, se z. Berisha do të qëndrojë “në timonin” e PD për të organizuar zgjedhjen e lidershipit të ri të saj. Ky është lajmi më i keq, jo vetëm për demokratët, por për të gjithë shqiptarët. Një deklaratë e tillë tregon qartësisht se zoti Berisha synon të krijojë një lidership “copy paste” të PD, pra, një lidership që edhe të jetë si z. Berisha, edhe të jetë nën komandën e tij njëkohësisht, duke treguar në mënyrë përfundimtare që nuk do ta kuptojë kurrë realisht se shkaku më i thellë i humbjes dhe zvogëlimit dramatik të mbështetjes popullore të PD është autoritarizmi, kulti i individit.
* * *
Është e vërtetë që kryetari i PD ka përgjegjësinë e vetme për disfatën. Vetëm në një sistem autokratik, totalitar, një disfatë kolektive merr formën e një përgjegjsie individuale. Sepse vetëm në sisteme të tilla, si fitoret ashtu edhe humbjet, i takojnë një njeriu; ashtu sikundër i gjithë pushteti i ka takuar vetëm atij. Z. Berisha e pranoi këtë përgjegjësi në deklaratën e tij të dorëheqjes, por e gjitha kjo, fatkeqësisht, nuk u bë për shkak të artikulimit të së vërtetës, përkundrazi, për shkak të mbulimit të saj. Skenari është i thjeshtë dhe sipas një stili të vjetër tashmë, demode. Ai, skenari, mund të zbulohet në konfliktin që krijohet midis marrjes mbi vete të të gjithë përgjegjësisë së disfatës dhe në të njëjtën kohë edhe të përgjegjsisë për formimin e lidershipit të ri të partisë. Të dy këto përgjegjësi nuk mund të qëndrojnë sëbashku dhe në të njëjtën kohë, sepse ato eleminojnë njëra tjetrën. Ai që ka marrë përgjegjësinë e humbjes nuk mund të jetë garant për formimin e një ekipi të ri që nuk do të humbë nesër. Aq më shumë kur nuk i ka bërë publike shkaqet e disfatës, aq më shumë kur asnjë nuk e di se sa i ka kuptuar ato dhe se sa vullnet ka për t’i eleminuar në të ardhmen. Qartësisht, z. Berisha e merr përgjegjësinë mbi vete për të mos ia lënë atë njerëzve që do të komandojë në krye të PD nesër. Që nesër PD të ketë në krye të njëjtin sekretar të përgjithshëm që përbuz katundarisht kundërshtarët, të njëjtët nënkryetarë me cene publike, të njëjtët servilë. Që nesër, silueta e projektuar e pasardhësit problematik, të shndrrohet në profilin real të liderit të ri të partisë. Të njëjtët pashallarë blu, por pa z. Berisha. Sejcili me nga një çip të ngjitur diku në karrierën e tij, jo nga ato elektronikët, por të mjaftueshëm për t’u komanduar nga larg prej telekomandës së ish kryetarit.
* * *
Nëse deklarata e tij e dorëheqjes shihet me vëmendje, z. Berisha kërkon t’i japë legjitimitet procesit të krijimit të lidershipit të ri të PD. Për këtë, ai lexon në deklaratën e tij se “e ka detyrim statutor të qëndrojë aq sa duhet për të organizuar zgjedhjen e lidershipit të ri të partisë”. Së pari, autori i këtij shkrimi mund të vërtetojë se ajo që i ka interesuar më pak z. Berisha në krejt jetën e tij politike ka qenë Statuti i PD, të cilin e ka shkelur sa herë që ka dashur ta bëjë këtë. Së dyti, nuk është dhe nuk mund të jetë detyrë e atij që dorëhiqet për të organizuar procesin e zgjedhjes së atij që vjen, sepse, përveç të tjerash, e gjitha kjo qartazi tregon se më shumë se sa të zgjidhet, lideri i ri trashëgohet, gjë që i humbet legjitimitetin procesit, akoma më shumë, edhe moralitetin. Procesi duhet të lejohet të fillojë nga poshtë dhe jo nga lart. Demokratët duhet të jenë të lirë të mblidhen dhe të propozojnë kandidaturat e liderit dhe të udhëheqjes së re të PD. Përveç drejtimit poshtë lart, procesi duhet të jetë sa më përfshirës, në kuptimin që në të duhet të marrin pjesë sa më shumë personalitete të shoqërisë shqiptare. Thjesht, procesi i zgjedhjes së lidershipit të ri të PD nuk i takon lidershipit të vjetër. I takon demokratëve. Të gjithëve.
Comments
Vetem ne PD ndodh qe i ikuri
<p>Vetem ne PD ndodh qe i ikuri dhe i vdekuri te bejne perseri ligjin. E ndersa thone se po veprojne ne menyre demokratike, kane kundershtimin edhe ne kete proces te me shume se 70 % te shqiptareve. Aq sa i denuan me vote. Perseri me keq per PD. Por nuk do te jete mire as per demokracine dhe ne fund te fundit as per Shqiperine.<span style="font-size: 1.2em; line-height: 1.7em;"> </span></p>
iliret, Nesa ka votuar pak
<p>iliret,</p><p> Nesa ka votuar pak me shume se gjysma e popullsise (53%) dhe nga keto vetem 60% kane votuar per koalicionin e majte, i bie qe diku tek 32% e popullsise te kete votuar per koalicionin e majte. A me thua ku e gjete kete 70% ?</p>
Add new comment