Zgjedhjet 2013, e pamundur të jeni më simbol i unitetit, Ju, zoti President!

Postuar në 24 Qershor, 2013 09:16
Ben Andoni

Ka shumë të ngjarë që figura e presidentit Nishani t’i bashkojë të dyja forcat politike pas zgjedhjeve të 23 qershorit! Për një element: heqjen e tij. Ai nuk mund të përfaqësojë më vendin, por më shumë se kaq, unitetin e tij. Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë e ngarkon konkretisht Presidentin me rolin e garantit të organeve institucionale dhe njëkohësisht i jep rolin e garantit primar të ligjshmërisë në Republikën e Shqipërisë. Por, ky autoritet primar e ka të pamundur ta kryejë më këtë detyrë.

E ka të pamundur ta realizojë, për shkak të vetëdijës partiake që e ka të rrënjosur thellë në thelb, për shkak të profilit të ulët që përfaqëson si individ dhe për mospërshtatjen dot me problemet që po kalon Shqipëria. E fundit për momentin lidhej me zgjedhjet parlamentare, ku deklaratat e tij ngjanin të fliste për një vend që s’kish të bënte fare me Shqipërinë, apo me barazlargimin e tij prej problematikës fare të dukshme të tyre si zgjedhje që rezultuan nga më të turpshmet në historinë shqiptare. Kurrë ndonjëherë nuk ka qenë në këto përmasa kërkesa për devijimin e votës si këtë herë, kurrë s’ka qenë i tillë presioni mbi administratën, mbi njerëzit, aq sa denoncimet e Avokatit të Popullit dhe strukturave të tjera të Shoqërisë Civile ngjanin si subjekte filmash thrilleri. Ndërsa ky autoritet, me fjalën e tij të vakët, në ditët finale, u mjaftua me fraza të thata dhe pa asnjë kuptim.

Por, kaq i pakuptimtë është bërë ky personazh, saqë të mjafton të kujtosh se si instinktivisht gazetarët e sportit e kishin të vështirë ta bënin diferencën e protokollit në stadiumin “Qemal Stafa” në ndeshjen e përfaqësueses kundër Norvegjisë. Të gjitha kamerat dhe komentet ishin kah Berishës, kurse presidenti Nishani, simboli i unitetit shqiptar, u fokusua në pozitën e njeriut të shpurës së tij. E më keq akoma, ky episod jo vetëm që nuk e bezdiste, por e rehatonte në atë atmosferë aq kombëtare që mbartte stadiumi.

Me pak fjalë, ka vite që shqiptarët nuk e ndjejnë më institucionin e presidencës si institucionin e tyre. E bjerrur në një institucion thjesht kortezial, ajo nuk kryen dot dhe atë për të cilën më së shumti kanë nevojë njerëzit: Mbrojtjen e imazhit të vendit dhe ngjalljen e emocionit kombëtar. Dhe, me z.Nishani steka institucionale ka zbritur si kurrë herë kaq ulët. Në muajt që ndodhet në krye të institucionit shqiptar, as edhe në një herë të vetme, nuk ka mbajtur një qëndrim që të ishte mbi palët apo që të ngjallte besim tek njerëzit. Deklamimet e vakëta, sintaksa e varfër, prezenca e ulët dhe më shumë akoma mospërshtatja me rolin e presidentit e ka bërë që shqiptarët gati ta harrojnë se ai është presidenti i tyre.

Janë të shumta bëmat e tij, por dekretet për transferimin e dy gjykatësve të Gjykatës së Lartë, të akuzuar për mbylljen e dy gjyqeve për korrupsion të nivelit të lartë në Gjykatën Kushtetuese, kanë hedhur dyshime lidhur edhe për qëllimet e tij. Dhe s’mbaron këtu.

Po kush do harrojë vallë ankesat e të përndjekurve tek Presidenca, kurse ai, me memecerinë e tij, jo vetëm nuk reagoi si duhet, por i la edhe të përcëllohen vetëm pak orë më vonë pasi dolën nga dera e tij, para të gjitha kamerave; po kush do t’i harrojë vallë kërkesat që bënë njerëzit në mënyrë që ky njeri t’u fliste si duhet palëve në zgjedhjet e fundit dhe votuesit të mos shpërdoroheshin ashtu; kush do të harrojë joefikasitetin e tij me forcat e armatosura, dhe kush mund t’i thotë se sot shqiptarët janë gjithnjë e më të përçarë? Askush s’mundet dot. Ai nuk kupton. Përballë është një njeri që nuk kupton asgjë, ose më saktë, nuk ka fuqi për asgjë.

Përgjigjja më e mirë ndaj dekreteve të tij do ishte ajo e deputetit të PD-së, Marku: “Votova kundër kandidaturave të paraqitura nga zoti Nishani, përkatësisht për faktin e thjeshtë se, në CV-në e tyre e paraqitur në Kuvend, të dy rezultonin të kishin qenë ish-funksionarë të lartë të sistemit represiv të Enver Hoxhës. Mendova se zgjedhja e tyre do të ishte një fyerje për kujtimin e mijëra viktimave të regjimit komunist, si dhe një fyerje për një institucion të lartë si Gjykata Kushtetuese. Votimi im kundër ishte protestë ndaj propozimeve amorale, fyese dhe banale të Presidentit Nishani dhe të atyre që ia kanë servirur atij këto dy kandidatura”.

Ka një shfajësim të përgjithshëm për të: Nuk ka shumë kompetenca, edhe pse dihet se ka kaq kompetenca garancie për ruajtjen e ligjshmërisë. Janë të rralla rastet kur në deklarimet publike që bën, të gjesh edhe një koment të vetëm dashamir për të si përfaqësues i popullit, nga tërësia e shtetasve të Republikës, të atyre që lexojnë mesazhet e tij, të atyre që qëllohen në ditën për diell në Republikën që ai kryeson, të atyre që ndjekin qëndrimet e tij për drejtësinë e munguar akoma sot e kësaj dite dhe përmasën e frikshme të krimit shtetëror.

Dhe më e madhe nga të gjitha nuk janë kufizimet e tij të panumërta, ku më e madhja është pafuqia morale për t’u ngritur mbi palët dhe për t’u parë si presidenti i shqiptarëve, por thjesht pakënaqësia se në çdo ditë të drejtimit të tij, ai ka qenë thjesht një zgjatim i Sali Berishës. Në ditët e fundit, problemi ka qenë që asnjëherë nuk mundi të këshillonte si duhej dhe t’i vinte fre kësaj mase të frikshme manipulimesh dhe parregullsie që notoi kudo në zgjedhjet 2013.

Të gjitha bashkë, sepse lista e tij është e pafundme, e bëjnë argumentin që, kushdo që do jetë trupa e re e ligjvënësve të këtij vendi dhe cilido që do të jetë në të ardhmen kryeministër i këtij vendi, nuk mund të përfaqësohet nga ky president. Nuk mund të përfaqësohet për atë kërkesë që ka në vetvete Shqipëria e shekullit XXI.

GSH

Comments

Submitted by riza (not verified) on

Beni ti mos fol se ke konflikt interesi se je nip Vunoi si dhe Rama.

Pastaj mos thuaj gjera te tilla se nuk i perballon dot Presidenti dhe na e gjen gje, e na ngelet ne ndergjegje humbja pastaj.

Submitted by liku (not verified) on

Bravo zoti Andoni

Submitted by ilirAnonim (not verified) on

Me pelqeu shkrimi, ishte konciz dhe korrekt. Duhet gjetur nje zgjidhje. Nje zgjidhje qe do ta shpetonte Bujarin nga nje detyre qe nuk mund ta beje, jo se eshte zgjatim i saliut, mpor se nuk ka kapacitet intelektual dhe fizik. Po te kishte kapacitetin intelektual, nuk do ta kishte pranuar kete detyre dhe kjo thjesht nga pa aftesia fizike.Eshte pikerisht kjo arsyeja qe me mubush mendjen se ai nuk ka kapacitet intelektual.

Nuk dua ta ofendoi dhe per kete kerkoi ndjes, por i nispiruar nga ky shkrim mendova qe prononcohem, jo se njeriu duhet ti thote ato qe di por ato qe ndjen.

Add new comment

Plain text

• No HTML tags allowed.
• Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
• Lines and paragraphs break automatically.