Kujdes, Dyfekun e Mbush Shejtani!

Postuar në 04 Qershor, 2013 10:27
Sokrat Habilaj

Nëse pas baltosjes nuk ka ndonjë vlerë të veçantë të numërosh stërkalat e baltës së hedhur, sepse baltosje quhet edhe pas një stërkale të vetme edhe pas grumbujsh pa fund balte, ajo që ndodhi me reagimin e Berishës ndaj liderit të Partisë Socialiste, ishte tej çdo imagjinate. Me një fjalor tipik të një burri të zemëruar, ku përziheshin brutalisht jo më imazhi i politikanit, por i babait, i mashkullit, i mashkullit jo të plotë, i kompleksit të Edipit, i gjyshit të plotë, i gjysmë gjyshit, i burrit, i gjysmë burrit, i prindit të butë, a inatçiut deri në ekstrem, si të donte të thoshte se kishte edhe ca armë të tjera, të cilat ia kishte kursyer deri tani kundërshtarit. Nuk dihet se çfarë ka ndodhur në sedrën e tij që ka sjellë këtë reagim krejt të pazakontë, por ajo që kuptohet qartë është fakti se ai është ndjerë shumë i sikletosur. Duke qenë me një sedër të lënduar, ka vendosur të dalë në llogoren e sharjeve ndryshe nga herët e tjera, të thotë edhe disa të që thuhen në mosha të tjera, por jo në pleqëri, i bindur se po mbron privatësinë e tij. Por në emër të kësaj bindje, ashtu siç ndodh në inat e sipër, ai ka injoruar disa detaje të kësaj deklarate, jo thjesht të përmbajtjes së saj, por edhe të anës formale.
Së pari, edhe pse kryeministrit nuk mund t’i jepet mendje nëse qëndrimet politike duhet t’i bëjë të njohura vet apo nëpërmjet zëdhënëseve të tij, kjo ishte një deklaratë e cila duhej të lexohej nga vet Berisha, sepse ato që u thanë ishin jo vetëm thellësisht private, por kishin të bënin me faza të tjera të moshës së tij, me rizgjime të fazave të ndryshme të moshës së tij. Nëse do të ishte vepruar kështu do të kishim mundësi të krijonim ide më të qartë mbi koncepte të tilla si gjysmë burri, a burri të plotë, si gjysh me kohë të pjesshme a gjysh me stërkohë, a thjesht të kuptonim arsyet e risjelljes nga lashtësia të kompleksit të Edipit. Absolutisht nuk duhet ta kishte lënë atë deklaratë në duart e zëdhënëses së tij, qofte edhe për shkak të moshës së saj krejt të re. Ajo kurrë nuk mund ta kuptojë saktësisht ato që mund të ndodhin brenda ndërgjegjes së një burri në moshën e gjyshit. Edhe po të donte, ajo nuk do të mundej kurrë të sqaronte koncepte të tilla, si gjysmë burri, çerek burri, gjysmë gjyshi, çerek gjyshi, a gjyshi me kohë të plotë, apo koncepte të tilla si kompleksi i Edipit.
Së dyti, kjo deklaratë nuk duhet të ishte bërë fare, sepse ajo ecën në dy shtigje krejt të kundërta, ose më saktë në një shteg të sigurt dhe në një tjetër krejt të trazuar që nuk ofron asnjë garanci. Kështu mund të mos kemi asnjë ndrojtje, asnjë paragjykim për shtegun ku ecën gjyshi, gjysma e gjyshit, a dhe çerek gjyshi qoftë, sepse këto fjalë tingëllojnë shumë të arsyeshme në gojën e një shtatëdhjetëvjeçari, po nuk mund të themi të njëjtën gjë për turravrapin e burrit, gjysmë burrit, a çerek burrit që shpallet në këtë deklaratë. Mund ta besojmë plotësisht në të gjitha ato që thotë në lidhje me shtegun e parë, por vrapimi drejt shtegut të burrit, gjysmë burrit, a çerek burrit, duket si një vrapim i çuditshëm dhe krejt pa kuptim. Edhe të mundohesh të gjesh çfarë ka dashur të thotë Berisha, duke folur për konceptin e burrit dhe për më tepër të gjysmë burrit a çerek burrit, nuk e gjen dot. Kur ai flet për gjysh, gjysmë e gjyshi, a dhe çerek gjyshi, nuk kuptohet pse duhet folur veçanërisht edhe për burrin, kur dihet se burri është brenda konceptit të gjyshit, gjysmës së gjyshit, a dhe çerek gjyshit qoftë. Për konceptin “burrë” duhej folur në një moshë tjetër. Një gjysh, gjysmë gjyshi a dhe çerek gjyshi i denjë, është në të njëjtën kohë dhe një burrë i vërtetë e pas kësaj, nuk kuptohet pse duhej theksuar me aq forcë qenia burrë, gjysmë burri a çerek burri. Meqenëse kjo ishte një pjesë e pakuptueshme e deklaratës lind edhe e drejta e hamendësimeve që shkojnë tej “burrit”, duke filluar që nga koncepti i parë dhe krejt natyral i këtij përcaktimi. Të hysh në debat me dikë që është pak më shumë se gjysma moshës tënde, për konceptin e burrit, gjysmë burrit, a çerek burrit, siç vepron Berisha, kjo do të tingëllonte jo vetëm si e pamatur, jo vetëm si një përpjekje e dëshpëruar, diktuar nga mosha, por edhe e pabesueshme. Tej çdo trilli, tej çdo krenarie burrërore, një orvatje e tillë, nuk do të ishte gjë tjetër veçse një thinjë më shumë në pleqërinë që nuk mund të fshihet.
Së treti, një sqarim kaq i gjatë i asaj se çfarë je, në kuptimin e burrit, nuk shkon në çdo moshë, për me tepër kur je duke prekur të shtatëdhjetat kjo tingëllon më shumë se qesharak. Asnjë motiv nuk mundet të tundojë njeri që të ndërmarrë një sqarim të tillë, sepse koha e ikur ka qenë e mjaftueshme për të treguar veten se ishe “burrë”, “gjysmë burri”, a “çerek burri”. Në ato pak vite që mbeten, asgjë nuk mund t’i shtohet këtij tipari. Kjo moshë nuk është më mosha e të qenit “burrë”, por mosha e të qenit e një të moshuari fisnik
Njeriu flet bukur kur në çdo moshë thotë ato që i shkojnë për shtat moshës në të cilën është edhe pse shpesh njeriu mund të dalldisë drejt kohës që iku. Për t’i dhënë pak humor këtij problemi, le të kujtojmë historinë e një burri të moshuar, i cili ngacmonte një grua, thuajse sa çereku i moshës së tij. Gruaja duke parë pamjen e tij të rrëgjuar nga mosha, tallej me plakun, por ai vazhdonte të ngacmonte dhe ajo po ashtu vazhdonte të tallej me të, deri sa një ditë ai i tha asaj që të kishte kujdes se dyfekun e mbush shejtani. Nuk dihet si vazhdoi më tej historia e plakut, por ajo që duhet të theksojmë është fakti se kur në një moshë të caktuar, nuk themi atë që i ka hije moshës, kur në vitet e pleqërisë harrojmë të flasim urtësisht dhe fisnikërisht, kur edhe në këtë moshë ngutemi të tregojmë se jemi “burrë”, “gjysmë burri”, a “çerek burri”, këto janë ato që më së paku nuk duhet të bëjmë.
Edhe Berisha është në një moshë ku me të folurën e tij duhet të rrezatonte mirësi. Është mosha kur atij nuk i lejohen gabime, apo fluturime, qoftë edhe me fjalë, drejt deficiteve të së kaluarës. Është në një moshë kur duhet të besonim me naivitet se ai ka lënë pas gjysmë jetën e tij, jo në konceptin e “burrit”, por gjysmë jetën e tij në një sistem tjetër. Por nëse ndodh që gjuha e folur edhe në gojën e një të moshuari, vjen si atavizëm i kohës që iku, nëse ndodh që edhe një i moshuar flet me gjuhën e sistemit të gjysmës së moshës së tij, nëse ndodh të mendojmë se Berisha nuk është më ai i pari, ndoshta duhet kujtuar thënia, kujdes, dyfekun e mbushë shejtani!

gazeta DITA

Comments

Submitted by Luan B (not verified) on

<p>I ngrati Habilaj i ka hyre nje teme qe e ben te duket se ka vene kapelen me te madhe se sa koken, prandaj vjen verdalle e nuk dio nga te dale!</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.