Forca e fotografisë

PS-ja, në tubimin e madh të zhvilluar në Tiranë, për të paraqitur kandidatët për deputet, solli dy risi: fotografinë, në të cilën paraqitej Edi Rama në një takim me Presidentin Obama, dhe koncertin e përbashkët festiv të kandidatëve për deputetë dhe popullit.
Çdo kandidat për deputet, duke përfshirë edhe Edi Ramën, kishte zë s’kishte zë, këndoi solo një copë të këngës së zgjedhur enkas për atë ditë. Disa dashakeqë e quajtën këtë mënyrë të kënduari dhe atë shfaqje aheng. Ndofta këta nuk e dinë se në botë pjesëmarrja e udhëheqësve si artistë në gëzime popullore është një gjë e zakonshme. Mjafton të përmendim këtu pjesëmarrjen e Putinit, Xhorxh W. Bushit, të dy princërve britanikë, Uiliam dhe Heri e të tjerë e të tjerë që bashkohen me masat në një gëzim të përbashkët dhe kërcejnë e këndojnë, apo siç thuhet sot: përformojnë bashkë me të, për t’i dhënë gjallëri atij gëzimi. Masat i vlerësojnë udhëheqësit që shkrihen me to.
Por risia më e madhe e atij tubimi ishte fotografia që Edi Rama kishte bërë me Presidentin Obama nja një vit më parë dhe që u ruajt me kujdes për t’u shpallur tashti. Në fotografi paraqitej Edi Rama tek bisedonte me Presidentin Obama. Të dy dukeshin të qeshur e të gëzuar, të dy kishin tokur duart. Fotografia u ekspozua në një ekran të madh elektronik. Edhe për fotografinë thanë se nuk ishte ndonjë gjë kushedi se çfarë, se udhëheqësit bëjnë fotografi të tilla jo vetëm me udhëheqës të tjerë, por edhe me njerëz fare të zakonshëm. Unë nuk jam i atij mendimi dhe ja sepse.
Po kalojmë nja 30 vjet më parë, në kohën kur po zhvillohej fushata e madhe e tufëzimit, fushata që populli shqiptar e priti me gëzim të madh, ashtu sikurse kishte pritur dhe çdo fushatë tjetër të Partisë. Të gjithë, fshatarë e qytetarë, ose duhej t’i thernin bagëtitë private, ose duhej t’i bashkonin në tufat kooperativiste. Prona private ishte e rrezikshme dhe ajo duhej zhdukur. Të mbaje, jo një lopë, por edhe një pulë, do të thoshte të kishte tendenca kapitaliste, do të thoshte të mbaje të ndezur frymën e kapitalistit. Megjithatë, tek tuk, kishte edhe nga ata që nuk iu bashkuan menjëherë asaj fushate madhështore, e cila do të çlironte njeriun nga varfëria dhe do ta drejtonte atë nga bollëku dhe nga kultura.
Tregohej në formë shakaje, por mund të ketë qenë plotësisht e vërtetë se, në këtë kohë, aty nga fillimi i viteve 1980, në një fshat në Lezhë, një familje mbante ende një derrkuc të fshehur. Organizata e frontit e fshatit dhe veprimtarët e saj, nuk mund të pranonin që në fshatin e tyre, ndryshe nga fshatrat e tjerë, të kishte edhe një familje me tendenca kapitaliste. Një ditë ata i bënë një kontroll të befasishëm asaj familjeje e cila dukej se kishte nuhatur për kontrollin dhe kishte marrë masat e saj. Kontrolli u bë, u kontrollua çdo vrimë e shtëpisë, por nuk u gjet gjë. Edhe organizata e atij fshati deklaroi me mburrje se në fshatin e tyre nuk kishte më gjë të gjallë private. Ç’kishte ndodhur? Burrat e shtëpisë që mbante derrkucin, i kishin dhënë derrkucit raki, e kishin dehur, e kishin vënë në gjumë dhe një nga nuset e shtëpisë e kishte vënë në djep, e kishte mbuluar dhe kur veprimtarët e frontit u futën në dhomën ku nusja po tundte djepin dhe po këndonte një nina-nana, ajo ua bëri me shenjë që të mos lëshonin zë, se po i zgjonin fëmijën. Kështu, derrkuci shpëtoi. E paraqita këtë rast për të kuptuar atmosferën e kohës kur do të zhvillohet ngjarja që do të tregoj më poshtë.
Punoja në Institutin Hidrometeorologjik të Akademisë së Shkencave, që nga viti 1974 e deri në vitin 2000. Qendra ime ishte tek ai që quhej Observatori i Institutit dhe që ndodhej ngjitur me klubin e futbollit “Partizani”. Ishte një ndërtesë e vogël dy katëshe që kishte një oborr të bukur përpara dhe një kopsht mjaft të madh anash dhe mbrapa në të cili kryheshin matje e eksperimente të ndryshme meteorologjike e hidrologjike. Kur shkova para tri vjetësh për ta vizituar, kopshti ishte tkurrur dhe shkretuar dhe sot besoj se nuk ekziston më. E mori me vete demokracia, ashtu siç mori edhe vetë Akademinë e Shkencave dhe të gjithë institutin tonë. Në atë kohë, oborri dhe kopshti mbaheshin mirë, ishin gjithë bar e lule. Një herë apo dy herë në vit, bari korrej dhe i shitej një ndërmarrje komunale që i nevojitej si ushqim për kuajt që kishte.
Në njëfarë kohe na erdhi si rojë një ish-polic. Azbi quhej. Azbiu, rrinte që rrinte në atë kopsht të bukur e plot bar, mori edhe një dele dhe e kulloste aty. Pas pak kohe delja i mbeti me barrë dhe Azbiu u gëzua. Do të merrte edhe një qengj prej saj. Gëzimi i Azbiut zgjati pak. Fronti Demokratik i lagjes, si gjithnjë vigjilent, mori vesh se Azbiu mbante një dele. Një ditë i shkoi dhe e urdhëroi ta therte delen, përndryshe Azbiu do të kthehej në kapitalist dhe mund të pushohej edhe nga puna. Azbiu nuk ia bëri dysh fjalën Frontit. Ai e theri delen. Nuk i erdhi aq keq që humbi delen, por, sidomos, i erdhi keq se mishi i deles më barrë as nuk hahej. Prej deles, Azbiu fitoi vetëm 100 lekë nga shitja e lëkurës.
Po në këtë kohë, vinte dhe fuste nja 7-8 dele në kopshtin tonë edhe një person që na tha se ishte nga Kukësi, një prej atyre që me dashakeqësi quheshin “dru me pre”. Emrin nuk ia mbaj mend, por po e quaj Zylfi. Zylfiu jo vetëm që fuste në kopsht delet për t’i kullotur, po na vinte edhe brenda në laboratorë dhe ne tregonte për jetën e tij. Një ditë e pyetëm se si ishte puna që Azbiu kishte vetëm një dele, një dele me barrë, dhe fronti e detyroi të therte, ndërsa atij që kishte disa dele nuk i bënte gjë. Pa e zgjatur, Zylfiu zbërtheu xhaketën, e hapi, futi dorën në një xhep të madh të qepur mbi astar dhe nxori prej tij një fotografi relativisht të madhe me kornizë dhe me xham. “E shikoni këtë, - na tha - kjo m’i zgjidh problemet mua. Pamë komandantin, Enverin, që kishte tokur duart me një person të sëmurë në shtrat, tek bisedonin të dy të gëzuar.
“Ç’është kjo?” – e pyetëm.
“Ky është Shoku Enver dhe ky tjetri jam unë, Zylfiu. Jemi pas provokacioneve greke të gushtit të vitit 1949. Unë kam qenë ushtar në atë kohë, mora pjesë në luftë dhe u plagosa. Shoku Enver erdhi e më takoi në spital. Më pyeti se si isha dhe unë i thashë se, gjersa kishim mirë Shokun Enver të gjithë ishim mirë. Biseda qe shumë e përzemërt dhe miqësore. Më pyeti për familjen dhe unë e pyeta për partinë. ‘E kemi të shëndoshë partinë,’ - më tha. Nuk na i marrin dot fitoret as armiqtë e brendshëm, as armiqtë e jashtëm, përderisa të kemi djem si ju.’ ‘Partia në ballë, populli në këmbë!’ - iu përgjigja unë zjarr për zjarr. ‘Ashtu de, të lumtë! - më tha – Dëgjo këtu, po të kesh ndonjë hall, se jetë është kjo, ti e di ku më gjen’. ‘Faleminderit, Shoku Enver’. Kështu u ndamë me Komandantin. Shoku Enver kishte sjellë me vete edhe fotografin dhe pas ca ditësh persona të dërguar prej atij vetë më dhuruan këtë fotografi të cilën e mbaj gjithnjë me vete.”
“Po, - e pyetëm ne – shkove ndonjëherë te Enver Hoxha për ndonjë hall?” “Përse do të shkoja, të gjitha hallet m’i zgjidhte fotografia. Kudo që shkoja, u tregoja fotografinë dhe punët më zgjidheshin. Nuk pati asnjë që të më kundërshtonte”.
E pra, kjo është forca e fotografisë, kur di ta shfrytëzosh. Thonë se një fotografi, vlen sa për 1000 fjalë. Unë sot besoj se vlen edhe më tepër. Zylfiu nga Kukësi e kishte kuptuar këtë para të gjithëve. Edhe të tjerë mund të kenë pasur fotografi me udhëheqës, por nuk kanë ditur t’i shfrytëzojnë.
Comments
Rrofshin Zylfitë domethënë.

Rrofshin Zylfitë domethënë. Apo i bie Zylyfët në shumës?

O Rama, dil e sqaro

O Rama, dil e sqaro deklaraten e Nacos per Meten kryeminister dhe leri reklamat. Populli qe voton i do gjerat shkoqur, Po ose Jo e jo duke u perdredhur me deklarata diplomatike. Na pelqen apo jo, Meta eshte shoku i saliut, nuk e ka per gje te na e ngrije buzeqeshjen ne buze dhe atehere ti Rama do te jesh figura me e urryer per zhgenjimin qe do te sjellesh. Pra dil dhe bej deklaraten qe presin te gjithe, mjaft me llogje e idealizma, se troc o lum miku, une po dhe shume si puna ime nuk kemi per te shkuar ne kuti te votimit per Meten e LSI. Mos neglizho se eshte shume e rendesishme, shihe realitetin ne sy.

Ca dite me pare krrreve nje

Ca dite me pare krrreve nje shkrim te bukur, zoti Harshova...

Ishte fjala per servilet dhe puthadoret..., dhe ishe i sakte.

Me keto fotografite e djallose fare, kam frike se u bere si ata!

Ne kohen e shokut Enver, ashtu ndodhte vertete: nje foto me Qoftelargun

te shpetonte nga te gjithe djajte e vegjel.

Por nuk me rezulton e tille nje foto me Bushet, Bleret, Obamat...

Bje fjala, Saliu, ka bere fotografi me me shume nga kreret e Botes,

madje, kam frike se e keni harruar qellimshem, Sala ka nje foto

te mrekullueshme ne...Varrin e Jezu Krishtit ne Jeruzalem!

S'di pse nuk e perdor kryeministri kete fotografi!

Edhe diten kur preu shiritin e perurimit te Xhamise me Kater

Minare, mund te perdorte...!!!

Servilizem i dnyre...qe

Servilizem i dnyre...qe tregon paaftesine totale te politikes shqiptare...Edhe Enveri ishte se paku me pak formalist ne te tilla servilizma politik me kinezet ose ruset, edhe pse kish nevoje Enveri te ish pak servil...E kane doren e rende keta amerikanet…nje foto 80,000 $…nje shkelje syri 40,000$…nje hedhje krahu 50,000$…nderkohe qe populli merr buke me lista

Add new comment