Letër me shumë kuptime nga Serenissima

Postuar në 27 Shtator, 2019 22:02

Publikimi i draft/opinionit të Komisionit të Venecias është celebruar si fitore e një kauze nga ana e njërës palë në Tiranë. Dikush flet për komplot, një tjetër i kërkon Ilir Metës të mbajë fjalën kur tha se do dorëhiqej nëse Venecia do mendonte ndryshe prej tij për shtyrjen e zgjedhjeve. Të gjithë luajnë teatrin e shahistit që jep shah në mënyrë të përsëritur.

Në fakt ngjan se Venecia dhe komisioni i saj kanë thënë në përfundimet e veta se Presidenti tejkaloi kompetencat e veta kushtetuese kur anulloi zgjedhjet, por ka cilësuar se motivet mund të kenë qenë të ligjshme. Ky lloj dualiteti argumentativ në thelb sugjeron se kuadri kushtetues aktual nuk e zgjidh dilemën që krijohet mes nevojave politike, atyre shtetërore, rolit të balancimit dhe dispozitës strikt kushtetuese.

E cila është një normë që duhet respektuar, por që patjetër që ka nevojë të pasurohet. Venecia ka vënë në dukje tejkalimet e Metës në detyrë, ajo ka përdorur termat “mundet”, “e dyshimtë” dhe “e vështirë për të ndërtuar një argument”, por nuk ka thënë askund se Presidenti ka konsumuar shkelje kushtetuese.

Çka do të thotë se Kushtetuta jonë nuk i përgjigjet si duhet situatës së krijuar në qershor të këtij viti. Dhe kur kuadri kushtetues nuk përgjigjet, atëherë siç pohon Komisioni i Venecias, ka nevojë për konsensus. Dhe kur nuk ka konsensus atëherë duhet iniciativa. Po të shohim konkluzionet e komisionit aty lexohet qartë se nisma e shumicës për shkarkimin e Presidentit është e papërligjur, pasi aktet e tij nuk janë aq serioze sa ta justifikojnë atë.

Presidenti tejkaloi kompetencat kushtetuese duke anulluar së pari dhe mandej shtyrë zgjedhjet

konkludon Venecia, duke shtuar se është Gjykata Kushtetuese që e vlerëson seriozitetin e kësaj shkeljeje.

Por nëse e lexojmë korrekt, tejkalimi i kompetencës nuk është i njëjtë me ushtrimin e një kompetence tjetër që nuk i njihet pushtetit në fjalë, pasi përndryshe do të thoshim se kemi vetiu të bëjmë me shkelje të rëndë. Kujdesi te termat ka rëndësinë e vet në këto lloj opinionesh që marrin vlerën e një referimi. Ndaj përtej konsideratave politike, presidenca e Ilir Metës ka sjellë një kontribut në debatin kushtetues në vend që herët apo vonë do të pasqyrohet në ligjin themeltar apo aktet plotësuese.

Kjo nuk do të thotë se shkelje nuk ka nga Presidenca. Por se nëse Ilir Meta duhet shkarkuar ai duhet shkarkuar për arsye të vërteta dhe qenësishme, jo për gjëra që nuk provohen dot. Në fund, opinioni i Komisionit të Venecias, duhet marrë në konsideratë edhe për të vlerësuar në një dritë tjetër vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që e cilësoi dekretin presidencial për anullimin e zgjedhjeve si një akt absolutisiht të pavlefshëm.

Dikush foli se KQZ-ja bëri histori. Ironikisht KQZ-ja e Denar Bibës neutralizoi pasojën e një akti presidencial duke e ruajtur presidentin nga pesha e rëndë e saj që në dritën e arsyetimit të Komisionit të Venecias, do të ishte anullimi de facto i zgjedhjeve. Është shmangia e kësaj pasoje që e lehtësoi pozitën e Presidentit në shqyrtimin e Venecias, që nuk i jep gjithësesi përgjigje pyetjes: një akt i marrë në tejkalim të kompetencave, apo në kufijtë e tyre, mund të shpallet absolutisht i pavlefshëm nga një organ administrativ në raportin e varësisë siç është KQZ-ja me Presidencën për zgjedhjet, apo duhet të shqyrtohet nga Gjykata? Dhe tjetra: Çfarë quhet shkelje e rëndë e Kushtetutës?

Sepse nëse shtyrja e zgjedhjeve cenoi një të drejtë siç thotë Komisioni, edhe zhvillimi  tyre pa alternativë, pavarësisht se ky ishte një vendim i njërës palë dhe jo përjashtim, e cenon po aq këtë të drejtë. Thënë shkurt, përgjegjësia është e dyanshme dhe nuk ka Kushtetutë që nuk prostituohet nga politika nëse ajo udhëhiqet nga një vullnet malinj dhe konfliktual.

Re.Pu

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Mbetet ne fund te fundit pyetja: kush ka te drejte te caktoje shtyrjen e zgjedhjeve lokale dhe atyre per parlamentin!?! (Dhe ku dreqin gjindet ky opinion i Komisionit te Venecias? Cila gazete e ka botuar te plote e te perkthyer?)

Submitted by Anonymous (not verified) on

Linku i mesiperm esht thjesht nje shkrim i Meros ne gazeten TEMA! Vete faqja zyrtare e Komisionit te Venecias nuk kishte deri dje ndonje opinion, as deri dhe sot! Dicka eshte pregatitur per Shqiperine, mirpo materiali nuk eshte i gatshem dhe i lire per tu lexuar ne internet. Materiali duket pret driten jeshile te ketij komisioni. Ndaj behet pyetja: nga e gjeti TV-Top-Chanel kete material, meqe ky televizion ishte i pari qe pretendon se ka ne dore kete material paraprak?!? Dhe, a u interesua ndonje nga gazetaret shqiptare tek Komisioni i Venecias per te verifikuar, nese tekstet e dhena nga Top-Chanel dhe mediat e tjera pasuese jane konform materialit te saj te papublikuar ende?

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.