Libani, aty ku çdo gjë shpjegohet dhe ku asgjë nuk kuptohet*

Postuar në 27 Qershor, 2019 04:22
Dominique Eddé - shkrimtare libaneze

 

Libani, po aq sa qendër e botës, aq edhe zorrë qorre. Fshati i shpartalluar i një planeti të sëmurë. Kaotik, i ndotur dhe i korruptuar përtej çdo imagjinate, ky është një vend ku bukuria dhe ngrohtësia njerëzore vazhdimisht gjejnë mënyra për t’u afirmuar. Është e pamundur që t’i gjesh emrin ndjesisë së të qenit i sulmuar dhe i joshur në të njëjtën kohë. Ti je në qendër të qytetit, po shëtit në një trotuar 18 inç të gjerë, i sulmuar nga të gjitha anët nga konfuzioni i godinave dhe trafikut, i ndarë mes grishjes së detit dhe kundërmimit të plehrave dhe papritur pamja jote zbutet nga lojërat e dritës mbi një mur guri, nga bugovilet që varen na një ballkon antik, nga vetë ballkoni.

Ti vazhdon të ecësh me kokë ulur. Sytë e fëmijëve të refugjatëve të luten për diçka për të ngrënë, padurimi yt zëvendësohet nga trishtimi dhe ndjenja e fajit. Nxiton drejt  një dyqani për të blerë ndonjë top me fije dhe është fillimi i një udhëtimi. I huaji që ke përballë të mirëpret sikur të jetë duke të pritur qysh dje. Të ofron një kafe, të pyet si ke qenë, të flet për të vetat dhe të tregon historinë e jetës së vet teksa shtrin topat në një banak metrik.

Teksa del nga dyqani ke atë ndjesinë sikur sapo ke lexuar një roman të madh: disi ndyshe. Kjo është padyshim e përbashkët në vendet mesdhetare, por në Liban është përherë një nivel më lart. Intimiteti është kaq i natyrshëm dhe i paturp, saqë papritur e shndërron skenën sociale në një skenë teatrore. Një gërshetim i çuditshëm i infantilizmit dhe pjekurisë gjeneron një ndjesi për të cilën nuk gjenden dot fjalët.

Nuk do të ishte ekzagjerim të thuhej se në Liban, çdo gjë mund të shpjegohet dhe asgjë nuk mund të kuptohet. Çdo vendim që merret për këtë vend, merret pas shpinës së tij dhe gjithçka ndodh këtu shembullizon pjesë tjetër të botës: përzierja e popullsive, brishtësia e kufijve, mashtrimi politik në formën më të keqe, ndërtim i së tashmes duket shkatërruar të shkuarën, një mungesë totale perspektive. Me një popullsi 4-5 miliojë banorë, Libani është strehë e 1.5 milionë refugjatëve. Rreth ¼ apo 1/3 e popullsisë janë të huaj: palestinezë të zhvendosur nga luftërat e 1948-ës dhe 1967-ës, sirianë dhe palestincë që I ikin represionit dhe luftës në Siri që nisi në vitin 2011, irakenë të zhvendosur nga dy luftërat e Gjirit. Shkalla e përthithjes së Libanit dhe mikpritjes së tij është thuajse proporcionale me shkallën e intolerancës. Ambivalenca është kudo, në çdo gjë.

Ne e dimë pak a shumë se çfarë e konstituon Libanin, por ne nuk e dimë sesi kjo funksionon. Nëse do të na duhej të dërgonim në hapësirë një vend që ka brenda botën mbarë, Libani do të përmbushte çdo kërkesë. Nëse do të donim të dërgonim një tjetër që nuk ka brenda atë që duhet për të qenë një vend i vërtetë, sërish Libani do të ishte përgjigja.

Presidenti maronit kristian, gjeneral Michel Aoun, mbështetet nga lideri i Hezbollahut Hassan Nasrallah, për të qëndruar në pushtet – ndonëse forcat e armatosura të kësaj partie shiite janë një kërcënim për autoritetin e ushtrisë libaneze. Libani është bankoprovë për zgjidhje të përkohshme të problemeve që nuk kanë zgjidhje. Njësoj si Izraeli ndjehet përherë në rrezik nëse bën paqen, edhe klasa politike libaneze është përherë në rrezikun e veprimit për të mirën publike.

Për sunduesit e Libanit, shpëtimi i të tashmes kërkon shkatërrimin e të ardhmes dhe vetë mbijetesa e tyre varet nga konservimi i konflikteve të brendshme. Për çdo lider që evidentohet nga mbështetja e një klani, lufta klanore siguron mbijetesën e tyre. Në vijë ajrore, vetëm disa qindra metra ndajnë lagjen Shiite të Bejrutit nga Achrafieh, lagje me predominancë kristiane, por ajo që i ndan këto dy distrikte mund të krahasohet me thyerjet që ndajnë kontinentet.

Mikpritës në mënyrë unike, Libani është gjithashtu shtëpia e formave më të ndyra të racizmit. Nga njëra anë, nëse ti thjesht ecën rrugës mes një fshati, do të të ftojnë për kafe nga njerëz që rrinë ulur nëpër ballkone. Nga ana tjetër, raportohet se çdo javë, se një shërbyese e huaj, shumë shpesh një emigrante etiopiane është vetëvrarë duke u hedhur nga një dritare.  Akti konsiderohet menjëherë si një aksident apo rastësi, çështja mbyllet pa hetime të mëtejshme.

Së fundmi, në mbarë vendin, në hyrjen e shumë fshatrave, janë shfaqur billborde gjigandë që njoftojnë se “punëtorëve të huaj dhe familjeve të tyre u ndalohet të ecin në rrugët e qytetit”. Aktivistët, gazetarët dhe artistët po bëjnë diçka për të ruajtur nderin e vendit duke parlajmëruar publikun për indinjatën ndaj një rracizmi dhe ksenofobije të tillë. Por turpi mbetet ende shkatërrues.

Rreth 360 mijë libanezë jetojnë në varfëri të thellë ndërkohë që xhepat e politikanëve fryhën me qindra milionë dollarë korrupsioni. Të gjithë duan që kjo vjedhje dhe plaçkitje e burimeve nga liderët politikë të përfundojë. Megjithatë vetëm një pakicë e vogël po lufton për ta arritur një gjë të tillë. Situata i acaron njerëzit, por nuk ushqen demonstratat, ose ato ndodhin shumë rrallë.

Edhe shifrat nuk thonë shumë për realitetin libanez; ato deformohen vazhdimisht nga jeta vetë. Horizontalisht i ngushtë – rreth 4000 milje katrorë – vendi është i gjerë në drejtimin vertikal. Është një mishmash fizik dhe mental besimesh, inovacionesh, aluzionesh, tmerresh dhe shkëndijash. Të gjitha ekstremet dhe të gjitha të bëra bashkë. Është si shamia e trukut të një magjistari: ti thjesht zbulon një cep dhe ajo do të tërhiqet pafundësisht. Kujtimet individuale janë të pasura dhe imponuese ndërkohë që kujtesa kolektive nuk gjendet askund, e pamundur për t’u rrëfyer. Çdo libanez shpik një Liban personal për një vend që nuk ekziston.

Që nga lufta civile që nisi në vitin 1975 dhe përfundoi në vitin 1990, identitetet janë përcaktuar nga komunitetet fetare, që janë tetëmbëdhjetë. Njësoj si bota arabe që në fillim u islamzua dhe pastaj u nda në sekte islamike, edhe këtu Libani ka qenë në pararojë dhe ka shkuar më tej. Njerëzit këtu janë shiitë, sunitë, maronitë, druzhë, apo grekë ortodoksë, përpara se të jenë të varfër apo të shtypur. Apo sërish, ata janë shiitë, sunitë, apo druzhe përpara se të jenë pjesë e të njëjtit besim. Levat e rebelimit social janë kështu të kompromentuara nga veprimi i komuniteteve të segreguara.

Dhe sa më defiçent dhe i korruptuar që është shteti, aq më posesive dhe më e ngërthyer është marrëdhënia e njerëzve me Zotin e tyre. Simbolet fetare janë kudo, lutja është në buzët e të gjithëve. Nuk mund të pyesësh për ndonjë adresë, apo të blesh një paund qepë pa u invokuar Krishti dhe Profeti. Musai – emri arabik për Moisiun – nuk është kurrë larg. Sipas Kuranit, Moisiu foli drejtpërdrejt me Zotin, pa një ndërmjetës. Ditën që këto tri figura do të dalin në vend të dytë, padyshim që rajoni do të nisë të marrë sërish frymë.

Rikthimi i fesë është një goditje e veçantë për ata që kujtojnë një kohë, gjysmë shekulli më parë, kur femrat festonin fundin e perçes dhe shekullarizmi ishte ideja kryesore në mendjet e njerëzve. Me pak përjashtime, pushteti është në duart e njerëzve, si në nivelin shtetëror ashtu edhe brenda shtëpisë. Shkalla e pranimit varion shumë në varësi të klasës sociale. Ka qenë një grua sunite, ministrja aktuale e Brendshme Raya El-Hassan që së fundmi risolli një propozim sipas të cilit martesa civile duhet legjitimuar, por drafti u rrëzua. Do të jenë padyshim femrat që do të frymëzojnë ndryshimin në mentalitetet në të ardhmen. Në të njëjtën kohë, situata e tyre mbete alarmuese në disa zona, sidomos në kampet e shumta të refugjatëve anembanë vendit ku poshtërimi i përjetuar shpesh degjeneron në abuzim seksual dhe dhunë në familje, që kalon pa u ndëshkuar.

Teksa vendi bëhet përherë e më shumë i fragmentarizuar, religjioni sa krijon lidhje në njërën anë, aq edhe ndan në anën tjetër. Ky ekuacion i dyshimtë po përhapet globalisht, por sikurse në shumë gjëra të tjera, Libani është edhe këtu është një hap përpara kur është fjala për simptomat që sapo shfaqen dhe rregullimet e pashpresa. Fjala arabe për nuancën në fjalë është farq saghir: ndryshim i vogël. E kotë të thuhet, Libani merr çmimin për “ndryshimin e vogël”.

Kështjella e nuancës dhe karikaturës është burimi i përhershëm i argumenteve të pafundme, të parëndësishme dhe pa kuptim, të gjitha në funksion të interesit për të siguruar çekuilbrin permanent. Libanezët kanë thyer të gjitha rekordet për ndarje, përçarje dhe kontradikta. Ata janë cinikë dhe sentimentalë, të lodhur dhe gjithë energji, të aftë për t’u përkulur për familjen dhe miqtë, të paaftë për t’u bashkuar për të mirën e vendit.

Shpejtësia është një refleks, natyrë e dytë. Kur një shofer ngecet në trafik, dora e tij mbi bori parakalon ndaj këmbës së tij mbi pedalin e gazit. Është më pak një përpjekje për të lëvizur përpara sessa një mënyrë për të mos u dorëzuar kur çdo gjë po copëtohet. Ai ndryshim i vogël përmbledh vijnë e hollës mes defekteve dhe virtyteve libaneze: anarki dhe vulgaritet nga njëra anë dhe kurajua për të mos e pranuar asnjëherë humbjen nga ana tjetër.

Diçka e ngjashme gjen zbatim në peizazhin libanez – hapësira fizike ajo mendore operojnë në të njëjtën mënyrë, karakterizohen nga përputhja e të kundërtave. Nëse ti largohesh nga qyteti, ti rritesh duke u mësuar të kalosh nga i nxehti në të ftohtë çdo pesë minuta. Nga veriu në jug, ndërtimet e jashtë rregullave e shfigurojnë bregdetin. Ato pak gjurmë të një parajse të dikurshme, të rizgjojnë kujtime të një kohe kur pllakat e betonit nuk e kishin mbuluar ende detin. Në fshat, drita dhe skena natyrore janë unike, por kodrat po zvarriten me pallatet e zengjinëve të rinj, ndërtesat e tmerrshme dhe shtëpive të papërfunduara me blloqe, duke e detyruar syrin të vazhdojë të zhvendoset nga fushat me lulëkuqe drejt fushave me plehëra.

Në vende ku çmenduria e zhvillimit, nuk ka - apo tërësisht - triumfuar ende, shtëpitë e vjetra me gur dhe vegjetacioni i larmishëm e i pasur, krijojnë një lidhje të menjëhershme, magjike, mes natyrës dhe historisë. Kur nuk sfigurohen nga portrete gjigande të politikanëve mbi billborde, një lis shekullor apo një ullishte evokojnë shekuj heshtjesh dhe bisedash. Ka diçka biblike për secilin nga këto oaze të vogla. Në perëndim, ngjyrat janë ngjyrosur me ar. Duke parë qiellin të skalitur nga valëzimi i maleve, ti e harron vogëlsinë e vendit që qëndron në këmbët e tyre. Pastaj ti ndjen një dashuri të thellë për vendin që urreje një orë më parë.

Mund të merret një gjë fare e vogël për këtë popullsi të ndarë dhe të fragmentarizuar që ta bërë bashkë si një qenie e vetme. Thuajse agjë: një bisedë e improvizuar në një dyqan, një pritje në dhomë, në aeroport, në taksi, gjatë një ngushëllimi, në një cep rruge, në ashensor – më e vockla nga këto takime është e aftë të fshijë në pak sekonda të gjitha dallimet që kam përshkruar. Apo më shpesh, dallimet që bashkohen në një mënyrë të tillë saqë ato befas krijojnë një humor, një marrëveshje, një ngjashmëri, një të tërë hermetike, të pashkatërrueshme që mund të quhet mrekullia libaneze. Një lloj kënaqësie e ndarë në thënien e të njëjtës gjëje ndryshe.

Tranferojeni këtë skenar në mbarë planetin dhe ju do të arrini paqen botërore. Por tragjedia është se mrekullia e Libanit është i lidhur me një sahat, njësoj si bomba.

Burimi: The New York Review of Books 

Përshtati shqip: ResPublica 

*Titulli  origjinal:  ‘The Compatibility of Opposites’: A Portrait of Lebanon

Comments

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.