Rreziku që vjen nga Edi Rama

Postuar në 03 Maj, 2019 11:56
Frrok Çupi

Në historinë tonë të afërt,  psikoza e formatuar sipas modelit “Përtej jush jam unë”, ka ardhur të paktën tri herë. Hera e parë, por në mes të historisë së keqe, ka ndodhur në vitin 1929, që lidhet me Benito Musolinin. Ky, pasi kthehet nga Zvicra ku ishte shpallur “Vagabondi” prej policisë së vendit, ngjitet në malet e Austrisë dhe thërret në Kongresin e Partisë Socialiste: “Ju socialistët italianë nuk jeni më… Përtej jush jam unë, do të ringjall Italinë”.  Në atë periudhë e Majta italiane kishte pësuar rënie të llahtarshme, duke u kthyer në pre për çfarëdo egërsire që shqyen kërmat në fund të greminës. M’u në mes të fatkeqësisë dhe të natës me “kërma” politike, u shfaq vagabondi Benito Musolini dhe mori në dorë të majtën italiane, duke e kthyer në rrezik për botën qytetare.

Hera e dytë, kur u shfaq rrezikshëm psikoza “përtej jush jam unë”, shënon periudhën 1915-1918. Në Rusinë mbretërore atëherë rronte një energji e pashembullt njerëzore, që kërkonte ndryshim për atë pjesë të rruzullit që përjetonte “netët e bardha”, por në fakt nuk ishte “botë” shumë e bardhë. Në atë periudhë u shfaq një “mësues” i turmave të varfra, që quhej Çerniçevski. Filozofi Çerniçevski ishte edhe mësues i Leninit. Mësuesi i dha revolucionarit të pashembullt mësimet se si të ishte një masovist, si të ishte një njeri i turmave. Sapo Lenini u ngjit në majë të turmave dhe të lavdisë, lëshoi një urdhër makabër: “Të pushkatohet Çerni-çevski!”. Filozofi masovist dhe mësues i Leninit, u pushkatua. Menjëherë Lenini thërriti para turmave: “Tani para jush dhe pas Çerniçevskit jam unë”.

Hera e tretë e thirrjes “përtej jush jam unë”, është shënuar në epokën e komunizmit shqiptar. Udhëheqësi gjysmëshekullor i Shqipërisë, Enver Hoxha, për disa dekada përpiloi teorinë e masave dhe më në fund erdhi në përfundimin se “jeni ju, pa jam unë”, që në thelb thoshte “jam përtej jush”.
Ndërsa në Rusinë leniniste dhe në Italinë fashiste, psikoza  “jam unë pas jush” ka perënduar; në Shqipëri është ringjallur rreziku i ardhjes së një enverizmi “anti-enverist”. Pinjolli më i rrezikshëm i regjimit totalitar tashmë quhet Edi Rama, kryetar i Partisë Socialiste. Ky po rrëshqet poshtë Çerniçevskit, anash Duçes dhe përmes dritëhijeve të Enver Hoxhës; por me një pamje ekstravagante. Enver Hoxha nuk mund të përfytyrohej as me pantallona të shkurtër në mes të qytetit, as nudo në faqet e gazetave; Vladimir Lenin nuk mund të përfytyrohej në tribunë duke thërritur “ia kam bërë nënën atij që kërkon lekët e tij në xhepat e mi”; as Musolini nuk mund të përfytyrohet duke thërritur “as të majtë, as të djathtë; këtu jam vetëm unë”.
Iniciativën për të thërritur “jam unë, nuk ka as të majtë, as të djathtë”, e ka marrë vetëm kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama. Ky, duke mohuar formatimin politik pluralist “e majtë dhe e djathtë”, i ka hipur në kurriz shoqërisë shqiptare dhe historisë demokratike, duke e zhveshur nga pluralizmi politik dhe nga vlerat qytetare. Njësoj si të zhvishte rrobat në një plash nudo të Perëndimit dhe të dërgonte mesazhin e lakuriqësisë në vendin më të varfër të Evropës. 
Kryetari i Partisë Socialiste, tashmë as socialist as djathtist, as modern as primitiv, as i lexuar as injorant, as i varfër as bos, as mashkull as femër; ka ardhur në historinë tonë moderne që t’i bjerë me fshirëse përpjekjes sonë qytetare e politike për të krijuar pluralizmin politik. Edhe sikur asgjë tjetër të mos kishim krijuar gjatë këtyre dy dekadave, të paktën krijuam pluralizëm opolitik dhe u ndamë nga sistemi monist. Mirëpo kryetari i PS-së, i ardhur tmerrësisht vonë në jetën publike e politike, ka guxuar të thotë se “unë jam përtej jush, përtej së majtës dhe së djathtës”. Para dy ditësh, më në fund, arriti të thotë se “nuk jam politikan”.

Cilat janë qëllimet e kryetarit të së majtës?
Qëllimi i parë është që ta bëjë zero shoqërinë; pas kësaj, në hapësirën e zeros do të mund të shikohet vetëm portreti i tij. Të njëjtën gjë bëri Musolini kur e pa shoqërinë politike italiane duke lënguar; këtë gjë kishte bërë Lenini pasi rrëzoi Romanovët dhe Çerniçevët. Ata që nuk përshtaten me shijen dhe me qëllimin e Edi Ramës, nuk do të mund të jetojnë në këtë shoqëri. Ai ka shpallur hapur: “Kush nuk është i politikës së re, nuk ekziston”. Se cili është i politikës së re, edhe këtë e përcakton vetë kryetari i PS-së. Mund të dalë që më shumë se gjysma e popullsisë nuk i përkasin politikës së re dhe meritojnë … fabrikat e sapunit.

Qëllimi i dytë është që të shlyejë nga kujtesa historinë e afërt. Historia e afërt është e ngarkuar me akuza të rënda ndaj kryetarit të PS, Edi Rama. Ka akuza se ka marrë pjesë në kartelin e drogës në rrugën e Kavajës ku janë vrarë disa djem; ka akuza se ka marrë pjesë edhe në një vrasje tjetër që sipas kryeministrit aktual është thënë "ashensori"; ka akuza për abuzime me fondet publike në kohën kur luante si ministër i Kulturës; ka akuza për shpërdorime të mëdha si kryetar i Bashkisë së Tiranës. Këto, të gjitha, duhen shlyer, sipas psikozës së kryetarit socialist. Viti i rëndë 1997 nuk po afrohet dhe nuk besohet se mund të vijë. Po të ishte ai vit, do të ishte një lumturi për kryetarin e së majtës, sepse në pusin e luftës civile mund të hidhte mëkatet e veta. Por, përderisa mungon viti 1997, ky do ta kthejë vitin 2008 apo 2009 në një pus ku të mbyten mëkatet e veta. Mëkatet mund të mbyten vetëm duke e kthyer në nul çdo vlerë që ka krijuar shoqëria dhe duke thërritur: “nuk jam politikani; përtej jush jam unë”.
Qëllimi i tretë është mëkatimi i një turme të madhe popullore, që quhen anëtarë të Partisë Socialiste ose pjesëtarë të familjeve të tyre. Çfarë do të ndodhë nesër kur të zbulohet rreziku i madh i kryetarit të së Majtës? Do të thërriten një për një, para fatit njerëzor, të gjithë anëtarët e Partisë Socialiste që votuan kryetarin e rrezikshëm.
Atëherë, ku do të mbetet ai? Ai nuk do të ekzistojë, ai do të jetë përtej jush, të varfër miq.

Botuar fillimisht në vitin 2008

Comments

Submitted by Denis Brini (not verified) on

Nuk e di nga e lexon historinë zotni Frroku, por desha të saktësoj që Çernishevski nuk është pushkatuar nga Lenini, por ka vdekur në 1889, shumë vite para revolucionit rus. Ju lumshin komët.

Submitted by X (not verified) on

Rroku (Ne shenje mirnjohje e afersie per Frroku), leri shkrimet fillozofike e shko ne berberhane e qethu se mbajtja e flokeve te gjate nuk te ben fillozof, por flokepaprere (QAFLESH).
Cili Lenin lëshoi një urdhër makabër: “Të pushkatohet Çerni-çevski!”?
Sipas Enciklopedise Britanike Çerniçevskiai lindi 12 korrik 1828 dhe arrestua në 1862. Pas dy vjet burgim, u internua në Siberi , ku qëndroi deri në 1883. Ishte një pro perëndimor dhe kundërshtoi sllavofilët nacionalistë. Vdiq me 17 tetor 1889 (61 vjeç) kur Lenini ishte 19 vjec dhe student, me nje fjale kishte ate mikun ne dore kur shurronte. Vdekja e Çerniçevskit ishte natyrale, PRA NUK U PUSHKATUA.
Kush te tha o fillozof se historia e Italise (Benito Musolini) eshte historia jonë të afërt ? Ne 1929 (historia jonë të afërt)) ne kishim Zogun i pare. Apo e ke fjalen per historine e afert te njerzimit ?
MBLIDH ORE MENDJEN SE TE JANE THINJUR FLOKET E PAPRERA VECANERISHT PAS QAFE.

Submitted by Arben (not verified) on

Ideja e artikullit qendron edhe mjaft biles. Rama eshte i modelit: me mua fillon gjithcka dhe as qe me plas per pasojat dhe se cfare do jete pas meje. Por nuk eshte vetem Rama faktor i kesaj psikoze! Eshte nJe pjese e madhe e ketij popull sidomos pjesa jugore dhe e Shqiperise se mesme, te cilet ndoshta edhe pa vetedije, adhurojne nje lider pertej tyre! Ata as qe e duan dhe as qe e kuptojne pluralizmin si sistem! Te behej referendum per rikthimin e sistemit me nje parti populli do e votonte kete rikthim, sikur mos te perzihej faktori nderkombetar! Ky mentalitet popullor krijon pastaj edhe Ramen pertej nesh!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.