Morali i shimpanzesë
I dashur Palokë!
E mbaj mend si sot, kur në vitin 1989, shteti i Floridas i ruajti një vend në karrigen elektrike njëfarë Theodore Robert Bundy, pasi gjykata e kishte gjetur fajtor për vrasjen në seri të tridhjetë e ca vajzave të pafajshme. Deri dy ditë para ekzekutimit, z.Bundy i kishte refuzuar të gjitha akuzat, duke e shpallur veten të pafajshëm, e duke refuzuar me kokëfortësi një marrëveshje me gjykatësit, të cilët i ofruan faljen e jetës në këmbim të rrëfimit të krimeve të tij. Por kur i kishin mbetur veç pak orë jetë, i dashur Palokë, z. Bundy, mbase i mposhtur nga dhuna në burg, presioni dhe urrejtja nga jashtë tij, ose nga frika e përballjes me të Gjithëfuqishmin pa u penduar për mëkatet, vendosi të rrëfehej. Ndër të tjera, ai u mundua t’ia atribuonte makabritetet e tij një zëri të parezistueshëm në kokë, që sipas tij e urdhëronte të rrëmbente, të përdhunonte e më pas të vriste viktimat. Në çastet e fundit rrëfeu gjithashtu një varësi të tij qysh adoleshent nga pornografia, e cila siç pretendonte, e kish nxitur edhe më përflakjen e skëterrës në shpirtin e tij.
Sot e kësaj dite, i dashur Palokë, psikologë e doktorë shkencash të fushave të ndryshme që studiojnë natyrën e robit, nuk kanë gjetur një shpjegim të përshtatshëm për rastin Bundy. Asgjë në jetën e tij, i dashur mik, nuk paralajmëronte një krim të tillë; i pashëm, karizmatik, me një elokuencë që linte gojëhapur edhe prokurorët e akuzës përballë tij, me një karrierë të shkëlqyer përpara, me një fëmijëri e familje të patrazuar, e gjithë kjo, për jo pak njerëz dukej si një inskenim për të dënuar një të pafajshëm, teksa e kishin të pamundur të besonin që një njeri në dukje kaq i zakonshëm të ishte në gjendje të kryente krime të tilla. Nga ana tjetër, pretendimit të tij, që varësia nga pornografia e kishte shtyrë drejt përdhunimit e vrasjes, për shumë studiues të natyrës njerëzore, konsiderohej si një përpjekje e fundit e zotit Bundy për të flakur fajin tutje: Për të qenë të ndershëm deri në fund, kohët moderne që jetojmë, kanë sjellë me vete bollëkun e pornografisë, me të cilën secili prej nesh në një periudhë a një tjetër të jetës duhet të jetë gjendur në një përballje jo dhe aq të lavdishme. Nëse pornografia apo tundime të tjera do të shpjegonte humnerën e njerëzores në rrathët e ferrit, do të na duhej të gjithëve të dilnim në rrugë të armatosur me mitralozë e bomba dore, ngaqë sejcili prej nesh do të ishte një keqbërës potencial.
Por, shyqyr Zotit, Palokë, shumica prej nesh zgjohen në mëngjes e shkojnë në punë të përunjur e besimplotë për një ditë më të mirë, pa tundime të tilla. Kemi kaluar goxha në qytetërim, sa edhe mendimi që një i ngjashëm me ne mund të përbëjë kërcënim për fëmijën apo jetën tonë, na bën të kruspullosemi nga neveritja. A do të thotë kjo që qytetërimi e ka mposhtur kafshën brenda nesh në mënyrë përfundimtare? Unë nuk besoj, teksa gjendem dëshmitar i përditshëm i falimentit të asaj çka është më e mirë tek njeriu, përballë tundimeve të gjithfarë lloji.
Problemi është, Palokë, që ne i gënjejmë fëmijët tanë për një të ardhme të garantuar, edhe kur ata rrinë gjithë ditën shtrirë duke konsumuar kot më kot jetët e tyre, duke përgjuar njëri - tjetrin në fejsbuk, apo duke ndarë me njëri - tjetrin me kërshëri kriminale filma e foto porno, në vend që të lexojnë ndonjë libër. Një zot e di Palokë, sa miliona janë jetët e shkuara dëm nga bindja që secili është një qenie e papërsëritshme (e për pasojë , titullar i një lumturie imagjinare që ekziston vetëm në paragjykimet e filmave vizatimorë ) e cila e meriton të arrijë maksimumin e mirësive me minimumin e sakrificës. Po rrisim invalidë emocionalë Palokë, duke i gënjyer që jeta është dhe duhet të jetë një lodër fëmijërie. Druhem se një ditë ata do të fillojnë të qëllojnë njëri-tjetrin në shkollë, Palokë, ngaqë dhuna do të jetë i vetmi mjet për të fituar vëmendje në një shoqëri indiferente ndaj lëndimeve të kyçura aty ku fshihen sekretet më të thella.
Mu kujtua historia e Ted Bundy-t Palokë, teksa po shfletoja gazetat që lajmëronin përdhunimin e një adoleshenteje nga bashkëmoshatarët e saj në shkollë, në një qytezë të humbur të Shqipërisë së Mesme. Njerëzit janë bërë si të ndërkryer, teksa shkumëzojnë e ngrejnë grushtet përpjetë në kërcënim, njësoj si ata mijëra njerëz që prisnin me brohoritje ekzekutimin e Ted Bundy-t në rrethinat e burgut, me parullat në duar ku shkruhej: “Digju në ferr Bundy, përzhitu!”. Nuk arrij të shpjegoj, përse këta njerëz mundohen të gënjejnë veten që janë imunë ndaj krimit dhe të distancuar nga çdo lloj perversioni. Ndoshta kjo sa kohë që krimi shfaqet diku tjetër. I shoh moralistët tek kalojnë në zhgjëndërr Palokë, vetëm kur shimpanzeja me emrin njeri hungëron afër avllisë së tyre. Asgjë nuk i bën të dyshojnë që instinkti i saj i dhunshëm gjallon si bakter në gjithsecilin, i gatshëm të shkaktojë dhimbje e vuajtje sa herë çmenduria e mposht arsyen.
I rezistova tundimit Palokë , për të mos e trazuar ndërgjegjen me të tilla shënime që nuk i hyjnë as dreqit në punë , duke shpresuar që sa të fashitej poterja që na ka përfshirë të gjithëve, mendimet do të vinin më të kthjelluara. Një shpresë e kotë , tani që e mendoj, sepse krimet e gomarllëqet ndjekin njëra- tjetrën si një procesion mortor në këtë vend të çuditshëm; një oficer policie e fitoi përjetësinë në ndërgjegjen e kombit me një video ku shfaqej ndërsa përkëdhelte nënveten. Ekzekutime në familje, dinamit e kapsolla, vetëgjyqësi, spektakle televizive ku transmetohet pa pushim soft porn, qeveria që i prin me marrsh të sigurtë një shoqërie të tërë drejt greminës, mynxyra që nuk sosen Palokë , që të shtyjnë të mendosh që në mungesë të drejtësisë gjindja i nënshtrohen një ligjësie allasoj që përsëritet rëndom në kohë krizash të thella: Morali i majmunit.
Comments
Mire e ke ti, po kujt i je
Mire e ke ti, po kujt i je drejtuar per te degjuar!?!
Add new comment