Ne nuk meritojmë vetëflijimin e askujt; Ne meritojmë Sali Berishën

Postuar në 06 Nëntor, 2012 03:48
Mustafa Nano

Nja dy ditë pasi Gjergj Ndreca i vuri flakën vetes, unë fola në telefon me Mero Bazen, e ramë dakord t’u bënim një vizitë ish të përndjekurve në grevë për t’u thënë se “këtë grevë do të ish mirë ta mbyllnin”, se “kjo grevë nuk po gjente mbështetjen e shqiptarëve”, se “kjo grevë nuk po gjente as një minimum mirëkuptimi mes ish të përndjekurve që s’ishin në grevë”, dhe se “prandaj nuk kish kuptim të sakrifikonin më shumë përballë, e për shkak, e për kënaqësinë e bandës në pushtet”. Atë vizitë nuk e bëmë, pasi pak orë më pas policia bëri rrethimin e grevës dhe nuk lejonte askënd, dhe asgjë, të hynte e të dilte prej territorit të rrethuar.

Të gjithë e dinim se ish kështu. Ajo ish një grevë e izoluar. Shumë vetë kanë fajësuar më pas (edhe këto ditë) gjithë shoqërinë shqiptare që nuk u vu në mbështetje të kësaj greve, por mendoj se nuk kanë plotësisht të drejtë. Shoqëria shqiptare mund të paditet gjithë ditën e ditës për nervin e sqaqur civik të sajin, por ky nuk është rasti më i mirë për ta ilustruar natyrën ngordhalaqe të kësaj shoqërie. Thellë-thellë, motivet e grevës kanë qenë, ose janë bërë, edhe politike (kish kohë që grevistët kishin demonstruar se Berisha e të tijtë ua kishin sjellë në majë të hundës), por ato motive nuk u artikuluan asnjëherë si të tilla, rrjedhimisht nuk ishin gjithëpërfshirëse. Në planin deklarativ, ato motive kishin të bënin me interesin ekonomik të një pjese të shoqërisë. Sigurisht, një shoqëri normale do të duhej t’u ndihej në borxh, a në mirënjohje, ish të përndjekurve, por është ca vonë për të kërkuar solidaritetin e shoqërisë për një kauzë të tillë 22 vjet pas përmbysjes së komunizmit, të cilat janë dhe 22 vjet të një flirti të këtij grupi social me qeveritë e regjimet e Sali Berishës. Në këtë kuptim, nuk ka pse të jetë marrë si befasi solidariteti i munguar me këtë grevë nga ana e shoqërisë në tërësi.

Çfarë të bënte përshtypje në këtë mes ishte solidariteti i munguar i dikujt tjetër, solidariteti i ish të përndjekurve. Dhe në këtë mes, mua personalisht, nuk është se më ka shock-uar solidariteti i munguar me kauzën, pasi pritej të kish të tjerë që të thoshin se “kjo qeveri ka bërë shumë për ish të përndjekurit”, se “nuk është e drejtë të protestohet me mjete të tilla ekstreme”, se “kjo qeveri nuk ka ku t’i gjejë paratë për të dëmshpërblyer ish të përndjekurit në këto kohë krize”, se “ky dëmshpërblim nuk është punë vullneti, por edhe punë ligjesh” etj., etj. Por më ka shock-uar heshtja për ditë të tëra e ish të përndjekurve të tjerë përballë gjuhës rrugaçërore të pushtetit e të Kryeministrit. E më pas më ka shock-uar solidariteti i dy a treve syresh, njerëz publikë, me pretendimet halucinante të Kryeministrit, se “grevistët janë vegla të opozitës, grevistët kanë marrë pará, grevistët janë bixhozçinj, janë pijanecë” etj., etj. Prisja që të ishin ata të parët që do të denonconin këtë gjuhë, por jo, as që bëhej fjalë.

E kështu, kur kauza e grevistëve dukej si një kauzë vetëm e grevistëve, ishte e lehtë të merrje me mend se greva ish e destinuar të dështonte, e prandaj ideja për t’u bërë një vizitë e për t’i këshilluar ta ndërprisnin atë grevë nuk na u duk gjëja e duhur. Por, siç thashë, nuk mundëm ta bënim atë vizitë. Nuk është se më gënjente mendja se “do të mundnim t’i kandisnim ta linin atë grevë”, por ndoshta do të kishim rast t’i ftillonim për faktin që jashtë grevës pakkush jetonte me hallin e tyre. E ky fakt mund të shkurajonte ndonjë ide për vetëflijim. Ky fakt mund të shkurajonte edhe Lirak Bejkon. Ndoshta.

Lirakun nuk e kam njohur. Veç në një rast kam folur në telefon me të, në një nga ditët e grevës, nja dy ditë para se të bënte atë gjest të fortë, si pasojë e të cilit gjeti vdekjen. Unë isha në spital për t’i bërë një vizitë Gjergj Ndrecës, i cili lëngonte në shtrat prej plagëve që kish marrë prej vetëdjegies, dhe aty takova gruan e Lirakut, që përpiqej ta mbante të fortë e ta ngushëllonte gruan e Gjergjit. Kur po dilja, e po u jepja dorën, gruaja e Lirakut më dha telefonin e vet, e më tha se ish Liraku që donte të fliste me mua.

Në terma konkretë, nuk mbaj mend ndonjë gjë kushedi se çfarë nga biseda disa minutëshe me të, por pata një ndjesi e shije të mirë, që më pas e lidha, ndoshta kotmëkot, edhe me një empati e simpati të natyrës ‘tribale’ (ai ish nga Skrapari). Por pasi ai bëri gjestin e vetëdjegies, unë zura t’i bëja një lexim aposteriori bisedës me të, dhe më erdhi inat që nuk mund t’i bëja interpretimin e duhur qysh në momentin e bisedës vendosmërisë së tij, që më pas e çoi drejt aktit që synonte vetëflijimin. M’u duk krejt i pandërdyshur në atë që bënte, madje dhe i bindur se kjo grevë do t’ia arrinte qëllimit. Nuk pati në bisedën tonë asnjë nënvizim të llojit politik, ashtu si nuk pati asnjë pretendim publik të grevistëve për ndonjë natyrë politike të kësaj greve, por motivimi politik, edhe në mos pastë qenë në origjinë të grevës, është përftuar gjatë grevës, pas reagimeve të Kryeministrit tonë rrugaç. Grevistët bënin çmos ta fshihnin këtë motivim, dhe kjo i la pa mbështetje, por personalisht e kam ndier motivimin e fortë politik të grevës. E nuhata këtë dhe tek ajo gjendje vibrante e Lirakut në bisedën që pata me të.

E theksoj këtë, pasi ndryshe nuk mund të kuptohen aktet e vetëflijimit të Gjergjit e të Lirakut. Interesat ekonomike, sado të rëndësishme të jenë, mund të të hedhin në lloj-lloj betejash, por është e zorshme dhe e rrallë që të shërbejnë si një motivim për vetëflijim. Unë vijoj të besoj se Lirak Bejko vdiq për një kauzë politike, s’ka gjë se ai, tok me grevistët e tjerë, nuk e artikuluan kurrë një kauzë të tillë.

Nuk ndiej asnjë lloj ngushëllimi te ky fakt. Përkundrazi, ndihem si në faj, s’ka gjë se e vetmja marrëdhënie e imja e drejtpërdrejtë me Lirakun ish ajo bisedë telefonike, për të cilën sapo fola. Ndihem si në faj, që nuk bëra asgjë për ta lexuar atë gjendje të tijën teksa bisedonim në telefon, që nuk arrita të shihja në atë vendosmëri të tijën për t’i shkuar grevës deri në fund një shenjë paralajmëruese të aktit të vetëdjegies, e që nuk bëra asgjë për t’ia larguar nga koka idenë e vetëflijimit.

Ne shqiptarët – dhe ky është rasti për t’iu kthyer shoqërisë shqiptare e për ta vënë në bankën e akuzës – nuk meritojmë flijimin e askujt për qëllime, e me motivime impersonale. Ne meritojmë, me sa duket, veç banditin që kemi në krye të qeverisë, të cilit edhe në këtë rrethanë nuk iu ndenj pa u bërë i gjallë, e pa thënë se “greva e Lirak Bejkos ishte e paguar, se Liraku ishte zgjedhur për në grevë mbi bazën e kartelës shëndetësore”!!!??? E meritojmë, jo vetëm se nuk jemi në gjendje ta ndalojmë ta bëjë Lirak Bejkon t’i vërë flakën vetes, por nuk jemi në gjendje as ta ndalojmë ta mbyllë gojën e vet të ndyrë, pasi Lirak Bejko ka vdekur.

Comments

Submitted by Faruku (not verified) on

Po mir  o Muc kur e ndate mendjen bashke me Meron per te shkuar per nje vizite tek grevistet pse nuk iket? Ishte kordoni i policise thua ti? Po ta kishit tentuar njehere, kamerat aty ishin. Edhe po te kishte bere ndonje gje policia per tju ndaluar ju prape te tuajen do e kishit bere.

Tregojuni te sinqerte o burre, jo si Sala, Edi dhe politikanet e tjere. Thuaje troc qe te mos ishte etiketuar si kunder Sales kjo greve, as per grevistet, as per "kauzen" e tyre, as per Lirakun me shoke as do te jua kishte ndjere, as jua ndjen.

Submitted by filan fisteku (not verified) on

te kapi dhe ty o mustafa trishtimi. e them dhe e rithem neper forume qe prej 2 vjetesh. nuk na e ka fajin saliu, edi apo nderkombetaret....e ka fajin 50% e popullit injorant (bajraktar, malok, fshatar, militant) qe e adhurojne MBRETIN BERISHA I. stereotipia e atij personazhit te palare qe del tek Portokallia dhe thote "rroft Birisha" eshte per fat te keq jo vetem humor por Realitet! keshtu qe Salit i mjafton te vjedhe e bleje vetem pak vota ne zgjedhjet e ardhshme (qe do jene si 26 maji)..... ne jemi popull kope'! ska protesta e kryengritje, as kunder Zogut (mbret buzequmesht i vetshpallur)....as kunder Hoxhes (ne te gjithe vendet e lindjes pati Levizje ne vitet 70-80, vetem tek ne ra komunizmi ne 91, kur kishte RENE VETE, dhe vajten ca studente te TREMBUR qe i serviloseshin Ramizit)..... dhe as kunder Berishes!!!!!! edhe 1 here qe pati REVOLTE ne '97 ishte thjesht per parate e xhepit e jo per parime......pfffff

Submitted by f d (not verified) on

Ne vuajme nga ' Rregulli Franklin' : I lumtur ai qe nuk pret asgje, pasi nuk do te zhgenjehet kurre .

Submitted by I3VI5 (not verified) on

Populli gjithmone e merito "eliten" e vendit te vet. Kjo shtrese politike (me ne krye Berishen) nuk na ka rene nga qielli. Ne e kemi vendosur aty dhe vazhdojme ta mbajme aty. Kemi dhe goje te ankohemi, megjithse votojme per te njejtet plehra dhe cuditerisht presim rezultate te ndryshme.

Fatkeqsisht zgjidhja nuk besoj se do vije thjesht nga zevendsimi i tyre (nese ndodh); zgjidhja do vije kur te ndryshoje mentaliteti i shumices se popullsise. Dhe kjo do kohe, shume kohe. Brezi i atyre qe do jetojne ne nje shqiperi europiane nuk ka lindur akoma.

Submitted by hapi (not verified) on

Z. Nano,

E filloni artikullin me arsyetimin se çfare i mungoi grevës (artikulimi i qarte i kerkesave te saj si politike ) dhe thoni se e kuptoni se pse mungoi mobilizimi i shoqerise,  dhe pastaj e mbyllni me duke u shfryre se shoqeria Shqiptare nuk meriton gje tjeter pervec Berishes.

Nuk ju kuptoj ku doni te dilni!

Grevistet vete nuk kerkuan mbeshtetje nga forcat opozitare,  duke thene se kerkesat e tyre ishin ekonomike dhe duke i meshuar fort kesaj ne deklarata. Kush prisni se do ti dilte zot greves pa patur mbeshtetjen organizative te partive politike? Qytetaret e thjeshte qe kane frike se mos i rreh policia e i perndjek Saliu familjarisht ne vende pune e biznese? Kush do te ishte aq kurajoz sa te thote: " Do te dal te perkrah kerkesat ekonomike te ish te perndjekurve, edhe pse rrezikoj qe tatimet te me vijne te dera e biznesit apo te me pushojne familjarisht nga puna e shtetit apo nga puna e privatit? ".  A nuk e keni pare se si i kercenon Berisha te gjithe tregtaret, fermeret qe takohen me njerez te opozites?

Problemi me organizimin e greves ishte se ata nuk deklaruan qarte qysh ne fillim orientimin politik te greves, dhe kjo ia humbi shkelqimin. Nuk kerkuan mbeshtetje politike te qytetaret dhe çdo force politike qe aspiron per drejtesi, por deklaruan se kishin qellim vetem demshperblimin e kategorise se tyre. Kjo i izoloi nga kategorite e tjera te shoqerise, qe jane po aq te pakenaqur e te merzitur nga qeveria e Sali tiranit. Ne vend qe te kerkonin te federonin sa me shume organizata, parti, shoqata rreth nje çeshtjeje shume te drejte (drejtesi per jetet e shkaterruara nga diktatura per fjalen e lire ) , ata e ngushtuan ceshtjen nga frika se mos ua merr njeri ...

E vetmja gje qe arriti greva ishte ti fuste friken ne palce Sali Berishes se ne Shqiperi ka njerez qe nuk kane frike nga vdekja per hir te dinjitetit. Dhe kjo eshte nje arritje madhore, por nuk do te mjaftoje per ta trembur kriminelin qe kemi kryeminister, i cili ja hodhi dhe kesaj radhe.

Ne qofte se duam ta heqim qafe Berishen atehere nuk duhet te trembemi e te kompleksohemi nga organizimi ne parti, ne shoqata e ne grupe interesi. Nuk duhet te kompleksohemi nga militantizmi per ceshtje te drejta, jo vetem duke u angazhuar personalisht siç beni ju te medias (sepse keni mbrojtjen nga publiciteti i opinioneve tuaja) por duke u angazhuar bashke, ne grupe, ku diskutohet, ku rrihen mendime dhe ku ka kundershti e debate. Por mesa duket ca nga ne jemi teper "liberale" e individualiste per te menduar se mund te punojme per nje te mire te perbashket.

Jetojme akoma me friken se frytet e kontributit tone mund ti shijoje dikush tjeter, por harrojme se shumicen e gjerave perreth i gjetem te gatshme kur lindem, qofte edhe catine mbi koke...

Add new comment

Plain text

• No HTML tags allowed.
• Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
• Lines and paragraphs break automatically.