Shkëlqimi dhe rënia e aspiratave djathtiste

Postuar në 29 Tetor, 2012 14:04
Genci Kojdheli

Në vitin e largët 1865, me përfundimin e Luftës Civile Amerikane, Partia Republikane e Abraham Lincoln u gjend përballë një sfide ideologjike ekzistencialiste: arsyet themelore për të cilat kjo parti ishte krijuar (anti- skllavëria, mundësitë ekonomike për gjithkënd, punësim për të gjithë, tokë për të gjithë, liri për të gjithë, dhe favorizimi i emigracionit, pra një sërë qëndrimesh deri diku majtise) duket se ishin zgjidhur ose arritur me mbarimin e luftës. Logjika e ftohtë do të kërkonte që partia të merrte fund, por e tillë logjikë nuk mund të sundonte mbi shtrirjen territoriale dhe demografike të partisë e cila kishte baza dhe mbështetje të fortë në gjithë veriun industrial dhe veri-perëndimin tregtar-manifakturor të SHBA-ve. Duke shfrytëzuar lidhjet dhe mbështetjet e fortë nga bizneset dhe trustet, në një ndryshim radikal të politikës dhe qëndrimeve ideologjike, në më pak se 20 vjet Partia Republikane u shndërrua nga një parti majtiste në një mbrojtëse të flaktë të interesave të biznesit të madh, një politikë e djathtë e cila vazhdon të ruhet edhe sot pas gati një shekulli e gjysëm.

Në një pozitë të ngjashme si Republikanët amerikanë të fund 1800ës ndodhet edhe Partia Demokratike e Shqipërisë (kuptueshëm, vetëm pozicioni është i njëjtë, jo esenca e dy partive). Pjesa më e madhe e shtyllave kryesore ideologjike të PD-së në krijimin e saj sot nuk ekzistojnë ose nuk janë më prioritet. PD-ja erdhi e u krijua si një parti që synonte shkatërrimin e sistemit komunist, dhe pas 22 vitesh mund të themi se ky qëllim politik mund të konsiderohet i përfunduar. Po ashtu, një ndër synimet fillestare politike të PD-së ishte përfaqësimi i shtresës së pronarëve legjitimë të tokës, por me legalizimin e tokëpushtuesëve në vitin 2006 PD-ja tregoi se më tepër i nevojiteshin votat e qindra mijëra informalëve dhe se dhjetra mijëra pronarë legjitimë mund të liheshin pas dore. Një tjetër themel ideologjik i së djathës së fillimviteve 90të, ai i patriotizmit nacionalist, gjithashtu duket tepër i zbehtë duke marrë parasysh evente si kontrabanda e stërprovuar e naftës drejt ish-Jugosllavisë, marrëdhëniet tepër miqësore të pushtetit me biznesmenë të dyshimtë serbë, marrëveshja për dhurimin e ujrave territorialë në favor të Greqisë apo mungesa totale e pretendimeve zyrtare në lidhje më çështjen e Çamërisë.  Dhe, pas përfundimit  të grevës së urisë prej të përndjekurve politikë dhe politizimit të tejskajshëm të pretendimeve të tyre nga mazhoranca, është e logjikshme të mendosh se shumica mes kësaj shtrese e kanë kuptuar se nuk përfaqësohen më politikisht nga e djathta në pushtet.

Vetë PD e ka kuptuar prej kohësh këtë delegjitimim politik dhe ideologjik, dhe rrjedhimisht e në mënyrë të ndërgjegjshme është shndërruar në një parti elektorale, e cila mbledh, administron dhe shpërndan pushtet, përfitime, e interesa me qëllimin e vetëm për të qëndruar në lojën politike. Me praktikat e saj ekonomike dhe fiskale ajo ka treguar se i interesojnë shumë më tepër biznesmenët e mëdhenj, korporatat që përfitojnë konçesionet kryesore, dhe oligopolet që kontrollojnë sektorët kyç të ekonomisë, sesa shqiptarët e thjeshtë. Ndërkaq, retorikat tejet populiste dhe aspak ideologjike si integrimi në NATO e Bashkimin Europian përdoren rëndom për të justifikuar mungesën e shtyllës kurrizore ideologjike. Duhet theksuar se PD nuk është se ka treguar ndonjë sens të madh inovacioni në këtë transformim të sajin. Shumica e partive të djathta europiane (konservatorët në Angli, Kristian-Demokratët në Gjermani, Poli i Lirisë në Itali, Bashkimi Populist në Francë, etj.) kanë ndjekur pak a shumë një itinerar të ngjashëm për t’u transformuar në parti elektorale, si një mjet për t’u përballur me bazën tepër të fortë ideologjike të partive të majta.

Në zgjedhjet e ardhshme politike të 2013-ës, ndryshe nga PS që prezantohet me program tejet të qartë politik të bazuar në shtylla pastërtisht të majta, mazhoranca aktuale vjen me mangësi të theksuara ideologjike e programore, duhet të gjejë kurajon e t’u tregojë shtresave që historikisht e kanë votuar se pse nuk ka zbatuar asnjë politikë në favor të tyre, dhe më e rëndësishmja, duhet t’i bindë shqiptarët që të jetojnë edhe katër vjetë të tjera me rroga të dyfishuara por çmime të katërfishuara, me korrupsion endemik por asnjë zyrtar të lartë të ndëshkuar, me kriminalitet galopant por me mungesë të qartë reagimi nga shteti, e të tjera dështime të pambulueshme me prerje shiritash.

Comments

Submitted by Nazmi Kraja (not verified) on

Artikull i dyshimte. Sot me shume se kurre PD ka nevoje te forcoje me tej tiparet e saj te djathta, vizionin e saj liberal, nderkohe qe qe kriza ve ne dyshim politikat e majta. Kemi te majte te trasheguar me shumice, por kollonat e djathta kane nevoje te konsolidohen dhe te shtrihen edhe ne fusha te tjera jashte ekonomise.

Submitted by Hektor Pula (not verified) on

Llogjike e gabuar. Sipas autorit ka me shume se 120 vjet qe e djathta amerikane ekziston ne menyre te gabuar sepse misioni i saj ka mbaruar. Ide gjeniale, vertet!

Submitted by Leonardo (not verified) on

Erdhi koha që PD të mbydhet forcat e tjera të djathta të bashkohen dhe të jenë një forcë e denjë për të bërë politikë

Submitted by Genci (not verified) on

Hektor, nuk eshte aspak kjo logjika ime! Republikanet u krijuan si nje force aspak e djathte; u transformuan ne nje force te djathte me kalimin e kohes! Thjesht kam vene ne dukje dilemen (qe realisht partia republikane pati) pas mbarimit te luftes civile, duke qene se ishin arritur objektivat per te cilat ishte krijuar! Nuk kam thene qe u krijua e vazhdoi ekzistencen gabimisht! Gjithe te mirat

Add new comment

Plain text

• No HTML tags allowed.
• Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
• Lines and paragraphs break automatically.