Kapitalizmi. Si e humbi e majta davanë?

Dikush mund të mendojë që një krizë e sjellë nga kapitalizmi i çrregulluar dhe i babëzitur do ia ndërronte mendjet disa të tjerëve rreth natyrës së themeleve të ekonomisë globale.
Por ky dikush do ishte i gabuar. Është e vërtetë, ndjenja antikapitaliste në botën e sotme ekziston pa barriera, sidomos kur ekonomia globale vazhdon të shkatërrohet dhunshëm nga kriza e sjellë prej tejkalimeve më të rënda të sistemit. Më e pakta, ne po dëshmojmë një mbingarkesë kritikash ndaj tmerreve të kapitalizmit: Libra, gazeta investiguese dhe reportazhe televizive të cilat na paraqesin kompani që pamëshirshëm ndyjnë ambientin, bankierë që vazhdojnë të marrin bonuse te majme ndërkohe që bankat e tyre shpëtohen nga paratë e taksapaguesve, si dhe rrobaqepësi me kushte të këqija pune, ku fëmijët punojnë edhe jashtë orarit.
Ndërkohë, pavarësisht sa i rëndë shpërdorimit ose pavarësisht dëftimit të një shkalle të gjerë të dështimeve të njëpasnjëshme, kritikat mbeten të kufizuara. Qëllimi vazhdon të jetë demokratizimi i kapitalizmit në emër të luftës ndaj tepricave si dhe përzgjatja e kontrollit demokratik të ekonomisë nëpërmjet presionit mbikëqyrës së mediave, ligjeve më të ashpra, hetimeve parlamentare dhe investigimeve policore të ndershme. Megjithatë, ajo çka nuk vihet ndonjëherë në diskutim është natyra borgjeze e ligjeve nga të cilat varet kapitalizmi. Kjo vazhdon të jetë ‘lopa e shenjtë’ të cilën as kritikët me radikalë, si për shembull ata të lëvizjes ‘Occupy Wall Street’ si dhe ‘World Social Forum’, nuk guxojnë ta prekin.
Si rrjedhim, nuk është për tu çuditur që shpresat e optimistit të majtë se krizat e vazhdueshme do ishin një moment qartësie — zgjim nga një ëndërr — rezultuan rrezikshmërisht dritëshkurtra. Viti 2011 ishte me të vërtetë ai i ëndrrave të rrezikshme, i përtëritjes së politikave rrënjësisht emancipuese në të gjithë botën. Mirëpo një vit më vonë, çdo ditë sjell prova të reja se sa delikat dhe kontradiktor ishte në të vërtetë ky rizgjim. Entuziazmi i Pranverës Arabe është njollosur nga kompromiset dhe fundamentalizmat fetarë; Occupy po humbet vrullin, aq sa spastrimi i bërë nga policia në parkun Zukoti të Nju Jorkut i ngjau një bekimi të maskuar. E njëjta histori është edhe në vende të tjera të botës: Maoistët e Nepalit duken të dobët përpara forcave reaksionare mbretërore. Eksperimenti “Bolivarian” i Venezuelës po prapësohet shumë e me shumë drejt populizmit militarist, ndërkohë që edhe lëvizja kundër shtrëngesave ekonomike në Greqi, e cila ishte edhe më shpresëdhënësja, ka humbur energjinë pas humbjes elektorale të partisë së majtë Syriza.
Tani duket se efekti politik parësor i krizës ekonomike nuk ishte lindja e të majtës radikale, por ajo e populizmit racist, më shumë luftëra, më shumë varfëri në vendet më të varfra të Botës së Tretë, si dhe zgjerimi i mëtejshëm i ndarjes midis të varfërve dhe të pasurve. Kur të gjitha këto kriza shkatërrojnë vetëkënaqësinë e njerëzve, reagimi i parë nuk është revolucioni, por paniku, i cili çon drejt rikthimit në zanfillë; streha dhe ushqimi. Premisat themeltare të ideologjisë sunduese nuk vihen në dyshim. Ato praktikohen ende më dhunshëm.
Mos vallë po shohim përshtatjen e kushteve për një radikalizim të mëtejshëm të kapitalizmit? Filozofi gjerman Peter Sloterdijk më pat thënë se në qoftë se dikujt që është gjallë sot do i ngrenë monument pas 100 vitesh, ai do jetë Lee Kuan Yen, udhëheqësi i Singaporit i cili ka bërë më shumë se kushdo tjetër për të nxitur dhe zbatuar martesën e kapitalizmit me autoritarizmin — një martesë të cilës ai ju referua me eufemizëm si “Vlerat Aziatike”. Virusi i këtij kapitalizmi autoritar po shpërndahet ngadalë, por pa u zmbrapsur në të gjithë botën, por më shumë se kudo në Kinë.
Të përballur me shpërthimin e tashëm të kapitalizmit në Kinë, analistët pyesin shpesh se kur do të vendoset demokracia politike si shoqëruesja e mirëfilltë e kapitalizmit. Po sikur demokratizimi i premtuar të mos vij kurrë?! Çfarë ndodh nëse kapitalizmi autaritar i Kinës nuk është vetëm një ndalesë në rrugën e demokratizimit të mëtejshëm, por stacioni i fundit drejt të cilit po shkon e gjithë bota?!
Leon Trotsky njëherë e përshkroi Rusinë cariste si ” ndërthurje e ligë midis kamxhikut aziatik dhe bursës evropiane”, përshkrim i cili i përshtatet edhe më mirë Kinës së sotme. Ky kombinim i përsëritur në Kinë mund të rezultojë më i qëndrueshëm se modeli kapitalist demokratik, të cilin e kemi parë si të natyrshëm.
Kështu që viktima kryesore nuk është kapitalizmi, që duket se po merr forma edhe më depërtueshëm të dëmshme, por demokracia, pa përmendur të majtën, paaftësia e së cilës për të ofruar zgjidhje praktike globale ka dalë sërish sheshit. Ishte e majta ajo që u kap e papërgatitur. A thua se kriza u shfaq që të tregojë se e vetmja zgjidhje për dështimin e kapitalizmit është më shumë kapitalizëm!
Perktheu: Erion Banushi për opolitike.org
Comments
Teresisht e drejte si

Teresisht e drejte si analize. Demokracia eshte ne krize dhe modeli i singapurit do te mbizoteroje nje dite. gjithe ato libra dhe aspirata per demokracine jane kthyer ne luge boshe. kete mund ta shohesh qarte ne europe. problem ne kontinentin tone do te jete si gjithmone gjermania, nese del nga kursi.

E dini atë modelin e lopëve

E dini atë modelin e lopëve aplikuar për demokracinë e Singaporit? Ti ke dy lopë, i ushqen dhe i mjel, pastaj vjen qeveria dhe t'i heq, pasi mban kafshë pa leje në apartamentin tënd...

Analize e shkelqyer. Asnje

Analize e shkelqyer. Asnje fjale nuk ishte e tepert ose e pavend. Do te shtonja se kapitalizmi dhe demokracia nuk jane sinonime. Perkundrazi kapitalizmi, sipas ekonomistit te njohur francez, Zhak Attali, perben nje rrezik per demokracine sot. Pra pak nga pak Europa dhe bota do rreshqasin drejt autoritarizmit. Do te ringjallen regjimet fashiste, si po ndodh sot ne Greqi, Itali, France etj. Periudha e arte mbaroi.

Shkrim shume i goditur. E

Shkrim shume i goditur. E majta u zu e papregatitur se lluksi ia mbylli syte mbas L2B. Tani jemi ne dore te nje sistemi qe gllaberon gjithcka, nga pasurite dhe energjite e njerezve deri tek pasurite e natyres. E gjitha, ne te mire te nje pakice shume te vogel qe s'paska te ngopur. Pa dashur te dukem pesimiste, me duket se niveli gjithnje e ne renie i shkollave shteterore, gazetarite private me qellim fitimin dhe jo demaskimin e perfituesve, qeverite gjithnje e me te korruptuara, lobit qe bejne ligjin dhe politikat e jo ne me votat si dhe popujt qe s'kane fuqi te luftojne se duhet te merren me mbijetesen, po kthehemi ne mesjete.

I ka ra shumë shkurt Zizeku,

I ka ra shumë shkurt Zizeku, sistemi politik i Kinës nuk është i paparë, as ai i Singaporit. Jam i zhgënjyer se si Zizeku priste që pranverat arabe të nxirrnin në dritë qysh në ditën e parë demokracinë e barazinë, duke ditur se popujt arabë janë formuar me mentalitetin e diktaturës dhe të fesë e nuk kanë shumë dijeni se çfarë është demokracia (flas populli nëpër fshatra e provinca, jo elitat e kryeqyteteve). Për analogji, revolucioni rus ndaj kapitalizmit carist, nuk nxorri në dritë një sistem demokratik por Stalinizmin. Prapë për analogji, pas revolucionit francez që shpalli demokracinë e barazinë erdhën jakobinët, që nuk ishin shumë demokratikë. Dhe një analogji shumë më dramatike, dhunimi i Gjermanisë pas luftës së parë botërore, shkatërrimi i ekonomisë së saj, në vend që të sillte në pushtet komunistët (që përbënin thelbin e të majtës në atë kohë), solli në pushtet nazistët... Por të gjitha këto sisteme autoritare që pasuan kriza të mëdha nuk zgjatën pafundësisht, ndaj dhe nuk shoh arsye se pse kapitalizmi Kinezçe të jetë stacioni i fundit, siç e sugjeron autori.

Pak vendosje në kuadrin historik është e dobishme nganjëherë.

Për shembull, problemi është çfarë do të ndodhë nëse kriza ekonomike që ka kapur dy tregjet më të mëdhaja ku Kina eksporton mallra Europa dhe Amerika, thellohet duke çuar edhe Kinën në krizë ekonomike? Kina nuk është ai vend uniform që na paraqet media, kapitalizmi kinez ka problemet e veta, duke filluar nga pushteti i Partisë ku luhen interesat e personazheve (shiko procesi i Bo Xilai) deri tek revoltat e fshatarëve (që natyrisht nuk dalin shumë në media sepse censurohen). Mjafton të bisedosh me disa kinezë për të kuptuar se në fakt forca e kapitalizmit kinez është në faktin që i ka dhënë punë e mirëqenie shumë kinezëve, por në momentin që rritja ekonomike do të fillojë të bjerë (në 3-4% psh) e njerëzit do të ngelin pa punë, do të shfaqen menjëherë problemet e Kinës.

Në përgjithësi nuk jam dakort me fatalitetin e shkrimit!

Ka shume faktore duket,qe e

Ka shume faktore duket,qe e majta nuk arrin te fitoje hapesire.Nje korrespondent italian i Repubblica(F.Rampini"Alla mia sinistra"=Te majtes sime)rrefen se fushata e Obames kete vit do kushtoje rreth 1 miliard$,qe veshtire se jane fonde te mbledhura nga punetoret.Pra,edhe e majta e Obames eshte e detyruar te loze ne fushe te djathte.Fushata e Romney do kushtoj me shume,dmth ata qe dhurojne miliarda$ e bejne kete per te perfituar lehtesira per shume e shume miliarda,se diku e ka nje hesap kjo pune.Televizioni dhe massmediat,kryeisht ne dore te shumekombesheve dhe Co.me te medha mbushin masat me shembuj pozitive menaxhimi nga privatet,trembin masat me shtetin taksativ,a thua se shteti do vrare ne mes te dites.Fushatat mashtruese dhe propaganda hipnotizuese funksionon,fuksionojne metodat letargjike dhe programet qe bindin se shkurtimet dhe flakja ne rruge e punetoreve jane masa te paevitueshme qe prodhimi te rritet,por ja qe GM,Ford,Chrysler u shpetuan nga ndihma qe u dha shteti.Mjaft kompani amerikane te lidhura me Mbrojtjen do falimentojne sikur Pentagoni te mos shperdoroje qindra miliarde ne vit per arme e mekanizma te reja,por keto jane para publike.Ka 30 vjet qe e djathta eshte ne mesymje,ka krijuar Trilateral Commision(ent mbiqeveritar privat qe planifikon pas kuintave qeverisjet e shteteve,ku padron,themelues dhe financues eshte David Rockefeller),dominon CFR(commision on foreign relations)dhe shkurt fare,keto ente vendosin mbi qeverite se çfare do behet ketu e 20 vjet.Por e majta ka lene gjurme te pashlyeshme qe nuk harrohen kollaj.Nje nga arritjet me te medha jane sindikatat,qe Marksi(utopisti?!)i kishte sugjeruar si levizje per te drejtat e punetoreve.Sado i keq socializmi i Lindjes,ai ndikoi qe ne Perendim tu njiheshin punetoreve shume te drejta,te marra me pike e me presje direkt nga Manifesti...i Marksit.Pra e majta e atehershme e beri punen e vet,eshte kjo e sotmja qe eshte stepur dhe nuk po ngrihet dot,ngaqe kapitalizmi(turbokapitalizmi elitar)po shet edhe imperializmin per globalizem.Nejse,do thote ndonjeri qe "ky robi RP paska shkalluar",Pirros po i them se kam lexuar qe Izr. posedon nga 400 deri ne 600 tstata,diku ne nje emision kam pare se praktikisht Kanada-Usa-Meksike po shkrijne ne nje shtet te vetem dhe do futin nje monedhe e perbashket,amero,se tani e kane rradhen Venezuela e Irani,nuk ka interes K.Veriut,se ajo do bjere vete.Sistemi me njerezor deri tani duket jo Singapori,por vendet skandinave.Gjermania u njeh sindikatave pjesemarrjen ne vendimarrje,kane perfaqesues ne keshillin e administrimit te nderrmarjeve.Me i bukur eshte shembulli qe citon Rampini,kur thote qe popullsia e sotme e botes,po te aplikosh dendesine e New York do futej e tera brenda shtetit te Teksasit.Analogjisht,me vjen per te qeshur,po te aplikosh dendesine e Komunes se Parisit ne Tirane do mjaftonte nje qytet mesatar si Elbasani.Megjithate,e majta ka fituar terren jo si demagogji sesa si mendim filozofik.Sa me shume njeriu shikon sesa e eger eshte mbijetesa ne kapitalizem dhe sa me e pasigurt eshte substanca e perpjekjeve te tij aq me shume e majta fiton terren dhe fiton konsensus.

Add new comment