A i duhet kujt gjuha shqipe?..

Postuar në 27 Shtator, 2012 03:56
Shpëtim Çuçka

U kërkoj ndjesë për këtë pyetje gjithë lexuesve, që besojnë me çiltërsi në domosdoshmërinë historiko-shoqërore të gjuhës sonë amtare dhe në të ardhmen e saj, që besojnë gjithashtu në bukurinë dhe fuqinë e saj shprehëse.

Por edhe unë, nga ana ime, besoj me çiltërsi – duke lënë këtu mënjanë keqardhjen – se numri i atyre, që shqetësohen dhe janë sinqerisht të lënduar për shkak të nëpërkëmbjeve të përditshme që i bëhen gjuhës sonë këtu në Shqipëri, është mjaft i vogël. Aq i vogël, sa nuk i shqetëson fare (jo më t’i frikësojë) as ata që përdhosin shqipen dhe as ata që kanë për detyrë ta mbrojnë por nuk e mbrojnë atë.

Le ta shikojmë të vërtetën në sy: ka njëzet vjet që ne kemi zgjedhur një sistem politiko-shoqëror dhe ekonomik, në thelb të të cilit janë interesat e pakicës së popullsisë së vendit dhe fitimet e kësaj pakice. Dhe gjuha shqipe, domethënë gjuha e njësuar shkencërisht, e kuptueshme për të gjithë shqiptarët, e çmuar dhe e dashur për të gjithë ata që duan përparimin e vërtetë të vendit dhe mirëqenien e çdo qytetari e jo vetëm të disave, nuk hyn për asnjë çast në këtë lloj sistemi të fitimit e të pasurimit, në këtë sistem të sundimit të pakicës. (A nuk flitet përditë e nga të gjithë para së gjithash për interesat e pakicave, qofshin edhe të atyre me shtrembërime të rënda morale?).

Gjuha e njësuar, letrare, shqipe, në të vërtetë gjuha mbarëpopullore (të folurat – krahinore dhe të kufizuara nga vetë natyra e tyre – nuk e kanë pasur dhe nuk mund ta kenë kurrë një shtrirje të tillë) nuk është as mineral, as truall a ndërtesë, as burim ujor, as plazh, as drogë e as energji a bukuri njerëzore, që të përvetësohet e të nxirret në shitje. Ajo nuk të siguron punësim jashtë vendit, për të cilin janë aq të shqetësuar zyrtarët e sistemit tonë arsimor duke i mëshuar në mënyrë krejt të posaçme mësimit të anglishtes. Ajo nuk të sjell sot nder shoqëror, ca më pak shtetëror.

Në të kundërt, të poshtëruarit hapur, pa u druajtur e pa u turpëruar, të gjuhës letrare shqipe u ka sjellë ndere dhe ofiqe shumë të larta poshtëruesve të saj të të gjitha ngjyrave politike. Dhe të shkruarit e saj me gabime e shtrembërime është kthyer jo vetëm në dukuri të paparë ndonjëherë më parë, por edhe në modë, pothuaj në argëtim. Televizionet tona të shumta gëlojnë nga shkrime e shënime me një shqipe barbare; gëlojnë edhe nga një varg qytetarësh, sidomos ata që hiqen si elitë, të cilët arrijnë deri atje në shpërfilljen që i bëjnë gjuhës shqipe dhe, rrjedhimisht, Shqipërisë (ku del se jetojnë me ndjenjë turpi e për ndonjë detyrë të veçantë në dëm të atdheut të tyre), saqë më parë i kumtojnë në anglisht ato që duan të thonë dhe vetëm pastaj begenisin t’i përkthejnë po vetë në gjuhën shqipe. Ka sot ndonjë shkrimtar a ndonjë poeteshë, për shkrimet e të cilëve bëhet bujë, ndërkohë që në këta libra gjen të përdorur vetëm një shenjë pikësimi (pikën) ose, sipas komenteve të lavdethurësve, nuk ka kurrfarë shenjash pikësimi. Këto shpërdorime na mbahen për shfaqje moderniteti, ecjeje përpara, ndërsa përdorimi i kujdesshëm dhe i përpiktë i gjuhës, ku ta dish, ndoshta shihet si mungesë fantazie, si shenjë rëndomtësie, si diçka bezdisëse. Në tërësi, edhe në gjuhë, si në të gjitha fushat e tjera të jetës sonë shoqërore rregullsia, sjellja e moralshme, interesi i përgjithshëm shihen si mbeturina parahistorike, ndërsa shkelja e të gjitha normave dhe ligjeve, qëndrimet e pamoralshme dhe skandaloze, interesi vetjak propagandohen si vlerat e vërteta dhe të vetme të shoqërisë së sotme.

Kur e përfytyron gjendjen shoqërore të gjuhës shqipe sot, të vijnë padashur në mendje vargjet:

Lulëkuqeja, e mjera

Asgjëkundi s’ka shtëpi,

E shkon jetën nd’arrati

Ajo s’është si të tjerat

S’ka stoli!

Është dëshpëruese të shihet se ç’bëjnë ndërkohë gjuhëtarët tanë, ata që do të duhej të ishin mbrojtësit e palëkundur të kësaj gjuhe, që na bashkon e na mban në këmbë si komb. Pakkush i ka demaskuar poshtëruesit e fuqishëm të gjuhës letrare shqipe dhe natyrën rrënuese të veprimtarisë së tyre kundër saj. Shumëkush e sheh si diçka të papërfillshme batërdinë, që i bëhet gjuhës në televizione dhe organe shtypi, dhe si shaka të padëmshme e kalimtare masakrimin që i bëjnë asaj një pjesë e të rinjve, ndoshta pikërisht ata që ditën e fundit të shkollës ndërluftojnë marrëzisht për dëfrim nën duartrokitjet e shtypit (!) duke u zhyer me ushqime të tilla aq të vlefshme si mielli dhe veza. Askush nuk shtron pyetjen: “Kur, ku dhe nga kush do të mësojnë (nëse vërtet do të mësojnë ndonjëherë!) të flasin dhe të shkruajnë shqip me rregull e me hijeshi, pra, si qytetarë këta të rinj?” Sepse askush nuk shtron publikisht pyetjen se si do të sigurojnë jetesën këta të rinj, shpërdorues krejtësisht të papërgjegjshëm të një pasurie që nuk e kanë krijuar vetë. Ka gjuhëtarë të tjerë që nuk lënë rast pa u përpjekur të përligjin vërshimin e barbarizmave, sidomos atyre nga anglishtja, duke dhënë vetë shembullin me artikuj të shkruar në një gjuhë të patëharrur e të pakrehur, thjesht pa qartësi, pa forcë tërheqëse. Ndokush, edhe kur parashtron historinë e krijimit të gjuhës letrare shqipe, e shpërfill Kongresin e vitit 1972 duke mos e përmendur fare, si të mos kishte ekzistuar. Në tërësi gjuhëtarët i ndryshojnë gjuhës letrare shqipe emërtimin dhe e quajnë “standarde”, cilësim ky që i shkon ndarjes së zarzavateve në kategori të ndryshme cilësie dhe gjithsesi vjen në kundërshtim të hapur me përcaktimin që i bën kësaj fjale “Fjalori i gjuhës së sotme shqipe” i vitit 1980, vepër e Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë. I rëndë dhe përçmimndjellës është fakti që edhe ndonjë bashkautor i këtij fjalori përfiton nga gjendja e sotme e sulmit të shfrenuar kundër të mirës dhe publikes për ta qortuar këtë vepër duke përdorur një aftësi thumbuese të denjë për raste më të përshtatshme.

Fare të paktë janë ata që nuk kanë përtuar (ose nuk janë trembur) t’i kundërvihen me qytetari e me argumente rrëmujës dhe rrëmetit në përdorimin e gjuhës letrare, por edhe në këto raste lëngata e sotme e gjuhës shqipe është parë si diçka ngushtësisht gjuhësore dhe jo kulturore, jo shoqërore, në fund të fundit jo politike.

E sikur të gjitha këto të mos mjaftonin, disa kanë marrë përsipër të ndreqin mangësitë e drejtshkrimit të përcaktuar nga Kongresi i vitit 1972. Kryeproblemi na del se qenkësh përdorimi i tingullit “ë”. Dhe, nëse në fjalët gjuhëtar, gojëtar, pjesëtar, anëtar, këngëtar ruhet ë-ja e fjalës rrënjë, ndërsa në të tjerat (lojtar, rojtar, furrtar etj.) ajo nuk ruhet, këta gjuhëtarë këshillojnë që njësimi të bëhet me anë të heqjes së tingullit dhe jo duke e ruajtur atë, sikurse do ta kërkonte arsyeja morfologjike, për sa kohë që ky tingull fundor “ë” përbën bazën e lakimit të tretë të shqipes, lakimit që ndoshta ka numrin më të madh të emrave të parmë ndër të gjitha lakimet tona. E çuditshme që gjuhëtarët nuk shqetësohen nga keqpërdorimi i apostrofit (faqet e gazetave janë të mbushura me raste të tilla si sështë për s’është, ska për s’ka, i’u drejtua për iu drejtua, ti them për t’i them etj.), nga lidhjet e gabuara emër-mbiemër/subjekt-predikat (e rëndësishme është plani afatgjatë... në vend të i rëndësishëm është plani afatgjatë ose, më shqip, rëndësi ka të miratohet plani afatgjatë etj.), nga pasaktësitë e mbaresave vetore të foljeve (do të kërkoi për do të kërkoj, kërkojë për kërkoi), për të mos folur për lidhjet e fjalëve në fjali në kundërshtim me natyrën e shqipes. Ata nuk i shqetëson gjendja e rëndë e përdorimit pa kulturë të gjuhës letrare, nuk i shqetëson hetimi dhe zbulimi i shkaqeve të thella – politike, ekonomike, shoqërore dhe kulturore më parë se gjuhësore – të një gjendjeje të tillë, nuk ndiejnë nevojën të shtrojnë përpara vendimmarrësve më të rëndësishëm të shtetit problemet reale që përjeton shqipja letare dhe të këshillojnë masat e nevojshme për mbrojtjen e saj. Duke përsëritur me fjalë të tjera një shprehje të njohur do të mund të thuhej se përgjithësisht shkencëtarët tanë shikojnë shkarpat dhe degët, por nuk arrijnë të kuptojnë se përpara kanë një pyll, zot të të cilit ata nuk janë.

Është e qartë se sot për gjuhën letrare shqipe nuk duan t’ia dinë të gjithë ata – dhe nuk janë të paktë – që në Shqipëri shohin vetëm interesat e tyre, vetëm e vetëm pasurimin dhe mirëqenien vetjake, dhe që kërcejnë përpjetë, madje janë gati të bëjnë edhe luftë me armë, sa herë u preket kjo “mbretëri”.

Ndërkohë ajo i duhet një vendi e një populli, që nderon veten dhe nuk dëshiron ta nëpërkëmbin. Ajo i duhet një qeverie që nuk dëshiron t’u lëpihet të huajve. Ajo i duhet një brezi të ri, që nuk mendon ta sigurojë jetesën vetëm për vete dhe me çdo mënyrë, para së gjithash ato më të pandershmet e të paligjshmet, por synon të ardhmen e gjithë shoqërisë. Ajo u duhet të gjithë atyre që jetën në shoqëri e shohin si triumf të punës së ndershme dhe të mirëqenies së përgjithshme dhe që pikërisht për këtë arsye nuk arrijnë sot të sigurojnë jo më të nesërmen por as të sotmen e familjeve të tyre.

Nëse e shohim në këtë këndvështrim, atëherë nuk ka më rëndësi nëse duhet shkruar i dushkët apo i dushktë (fjalë që në jetën tonë të përditshme nuk ndeshet as edhe një herë të vetme në 100 ditë), por ka rëndësi të shtrohet e të marrë përgjigje të ndershme pyetja se përse shqiptarët e shkruajnë gjuhën amtare kaq keq, kaq pa lidhje, kaq pa logjikë dhe, rrjedhimisht, kaq pa hijeshi, plot gabime të ndryshme, njëqind herë më të rënda se problemet e tingullit ë, që aq i shqetësoka disa gjuhëtarë.

Ta shohim të vërtetën në sy dhe jo të fshihemi pas shkronjës ë: shkaku i shkruarjes keq të gjuhës shqipe janë jo rregullat e përjashtimet e miratuara në Kongresin e Drejtshkrimit të vitit 1972 por jeta jonë e sotme e pakulturuar dhe në thelb e paqytetëruar (ç’është qytetërimi në mos rregull dhe a nuk është shoqëria jonë këta njëzet vjet një mbretëri e rrëmujës së gjithanshme?).

Nuk është qëllimi i këtij shkrimi të ndalet te sëmundja e akademizmit, nga e cila nuk është shëruar asnjëherë shkenca jonë, përfshirë gjuhësinë, dhe që është shfaqur sa herë që i është dhënë sadopak mundësia të jetë “absolutisht e lirë” nga jeta konkrete, nga nevojat e gjithë shoqërisë dhe të së ardhmes sonë.

Nuk është qëllimi i këtij shkrimi të theksojë faktin se gjuhëtarët tanë shumë dendur e kanë parë gjuhën thjesht si një objekt vrojtimi laboratorik, thjesht si pronë të tyre, duke harruar ta trajtojnë atë ashtu si është në të vërtetë, domethënë si mjet të komunikimit shoqëror, të njësimit të kombit dhe të kulturimit të qytetarëve, shkurt, si pronë shoqërore.

Vlen vetëm të theksohet se ky akademizëm, pra, shkëputje e shkencës nga jeta e gjallë, është i njëllojtë me sëmundjen e shëmtuar e të dëmshme të artit për art, nga e cila nuk u shëruan asnjëherë artistët tanë, domethënë me lëngatën e një arti, i cili nuk synon të lartësojë shikuesit e dëgjuesit, por thjesht e vetëm t’i përdorë ata si kavje të shijeve të përçudnuara të artistëve të gënjeshtërt, me fjalë të tjera t’i shfrytëzojë si trupa, ku këta artistë të parazitojnë duke thithur gjakun e një populli të tërë, që jeton i kredhur në hallet e përditshme të sigurimit të bukës së gojës dhe që ka aq nevojë për art e për dije të vërtetë, për dritë në mendje e në shpirt e jo për tymin e trullosjes.

Qëllimi i këtij shkrimi është të theksojë edhe një herë se shfaqjet e shëmtuara me gjuhën letrare, domethënë qytetëruese, shqipe, keqpërdorimi që i bëjnë asaj qytetarët dhe sulmet e ulëta kundër saj nga një numër politikanësh e mendarësh të rremë, nuk janë dukuri të veçanta, por hallka të një vargoi. Ato dëshmojnë për gjendjen e rrezikshme të zvetënimit, në të cilën ndodhet gjuha shqipe dhe që shkaktohet nga varfërimi dhe egërsimi kulturor i qytetarëve, nga zhvlerësimi i mësimit të gjuhës shqipe dhe i arsimit në tërësi, nga rënia e nivelit gjuhësor dhe e përgjegjësisë profesionale te trupi i mësimdhënësve (jo vetëm i atyre të gjuhës), nga rënia e nivelit gjuhësor të teksteve mësimore duke filluar nga tekstet për moshat e vogla, nga rënia e nivelit gjuhësor të letërsisë artistike dhe asaj shkencore, nga veprimtaria rrënuese edhe për gjuhën letrare – ashtu si për dijen, moralin, psikologjinë dhe estetikën shoqërore – e organeve të shtypit të shkruar, televiziv e radiofonik, nga rrënimi gjuhësor që sjellin reklamat tregtare. Problemet e mëdha me përdorimin e gjuhës shqipe dhe sulmet kundër saj kanë lidhje të ngushtë me gjendjen e përgjithshme të shoqërisë, ku fiton një grusht individësh dhe e pëson gjithë shoqëria, ku e sotmja e disave shkatërron pasurinë dhe bazën jetësore të së sotmes dhe të së nesërmes së të gjithëve.

Qëllimi i këtij shkrimi është të theksojë se problemi themelor, madje sot për sot i vetmi, lidhur me gjuhën letrare shqipe është të mbrohen vendimet e Kongresit të Drejtshkrimit të vitit 1972. Kjo do të thotë që shteti të mbikëqyrë mbi një bazë ligjore të qartë dhe të prerë zbatimin kudo e pa lëkundje, nga të gjitha institucionet e të gjitha subjektet e jetës shoqërore, të këtyre vendimeve. Dhe vetëm pasi gjendja të jetë rregulluar dhe mësimi i gjuhës letrare të ketë fituar vendin dhe cilësinë e merituar në sistemin tonë arsimor, mund të ndërmerret me qetësi e pjekuri përmirësimi i atyre normave, të cilat pas një studimi dhe debati të mirëfilltë shkencor, domethënë të kryer pa prapamendime, do të dilnin të papërshtatshme. Shkenca e vërtetë historike ka zbuluar me kohë se shoqëria është qytetëruar, domethënë ka përparuar me të vërtetë, atëherë kur njeriun e paqytetëruar e kanë drejtuar të ngjitej në nivelin e rregullit dhe jo kur rregullin e kanë zbritur në nivelin e njeriut të paqytetëruar. Natyrisht bëhet fjalë për ato rregulla që janë në interes të shumicës dhe jo të pakicës.

Qëllimi i këtij shkrimi është të theksojë edhe një herë pikëpamjen se krijimet e çmuara të kulturës sonë për fat të keq nuk janë edhe aq të shumta dhe ruajtja e tyre do të duhej të ishte një detyrë e shenjtë e të gjithëve, para së gjithash e shtetit. Ndër këto krijime të çmuara gjuha letrare shqipe qëndron pa kurrfarë mëdyshjeje në vend të parë. Dhe është pa kurrfarë mëdyshjeje më e pambrojtura.

Mirëpo kryerja e një detyre të tillë kërkon që interesat e shoqërisë të vihen mbi ato të të ashtuquajturave grupe të interesit, interesat e të nesërmes mbi ato të të sotmes, interesat e Shqipërisë mbi interesat e “miqve” të huaj.

Për fat të keq gjendja e sotme nuk jep asnjë shpresë se kështu do të ndodhë. Ndaj edhe kumti i keq për të ardhmen e shqipes sonë letrare është në thelb kumt i keq për të ardhmen e gjithë shoqërisë. Dhe zëri i qytetarëve që shqetësohen thellësisht për fatin e gjuhës letrare shqipe tingëllon si zëri i atij që thërret në shkretëtirë. Gjuha shqipe nuk i duhet zyrtarisht askujt. Me sa duket, as e ardhmja e popullit.

GSH

Comments

Submitted by Iluministi (not verified) on

Shkrim fantastik, i argumentuar deri ne palcë, brilant per nga stili, i pamatë per nga vlera kuptimore, brilant sa i takon stigmatizimit te se keqes, qe Berisha e Co e vaditin dhe prashtin per dite - te ndihmuar nga topallet e gjuhes.

Submitted by Lira (not verified) on

Shqetesimi per gjuhen po na bren cdo dite  ne, dashamiresve te saj, sidomos kur shohim programe televizive te njohura qe quhen "Opinion".  Per ta kuptuar se per cfare behet  fjale, duhet ditur nje gjuhe e huaj ...

Urime per shkrimin.  Sa me kishte marre malli qe te lexoja nje artikull te shkruar vetem ne shqip. Faleminderit!

Submitted by Bujar (not verified) on

Nje shkrim qe me vleresimin me yje nga 1 ne 5, meriton 5 me yll!

Nje shkrim qe te kujton se, kjo shoqeri qe duket nga jashte e ç'rregullt, ka brenda akoma energji per te ndryshuar per te miren e kombit.

Submitted by aba alba (not verified) on

Jam krejtesisht dakort  me Iluministin, i rrepte Iluministi; dhe me Liren padyshim, sidomos atje ku ajo shenon "... nje artikull te shkruar vetem ne shqip". Rrofte e perparofte, ne jete te jeteve, gjuha shqipe.

Submitted by Anonim (not verified) on

Çdo ditë po ndeshemi me një nëpërkëmbje të shfrenuar të Gjuhës Shqipe. Po e ndeshim këtë fenomen në televizione, në gazeta, në tabelat anash rrugëve  apo edhe në të folurën e zakonshme. Nuk e di se në shkollat e gazetarisë kërkohet gjuha Shqipe? Pse, p.sh., kur shkruajmë në gjuhën Angleze nuk na lejohet të bëjmë gabime? Më e keqja është se berishizmi, në përpjekjet e tij përçarëse të këtij populli, po bën përpjekje kolosale që përçarjen ta shtrijë edhe në fushën e gjuhës. Është një nga krimet e shumta që po bëhen në këtë vend. Dhe unë shoh në horizont një vrimë të zezë drejt së cilës po shkon ky vend sepse drejton rrugaçëria, drejton krimi, drejton injoranca. Faleminderit!

Submitted by gjergj (not verified) on

Shkruhej bukur shqipja ne Elbasanishten. C'ju desh Enverit te ndryshonte standardin e Zogut?

Aty duhet kerkuar rrenja e se keqes, por autori eshte vete qe fshihet pas gishtit duke e marre si te mirqene gjuhen qe krijoi Enveri e qe si duket mund te ekzistoje vetem permes diktatures. Po jap vetem nje shembull te vogel nga shkrimi i autorit, ate kur ai perdor fjalen e tmerrshme modernitet. Besoj se edhe atij ia vret veshin nje fjale e tille, por kultura e 72 nuk e lejon te perdore fjalen moderni' thjesht sepse kjo ushqehet per analogji nga gegnishtja. Me shembuj te tille mund te vijohet pa fund...

Submitted by Anonim (not verified) on

Gjon, mos ta zgjati, xhdo kundershtim të këtij artikuli të shkelqyer, te rradhitë në nivelet më të ulëta shqiptate!

Submitted by Niko Maloku (not verified) on

Shume  faleminderit zoti Cucka. Jam nga veriu dhe e duartrokas shkrimin tuaj dhe shpreh neverine per te gjithe varrmihesit e Drejtshkrimit te Shqipes.

Submitted by beso (not verified) on

nje shkrim qe sme jep asgje per te kuptuar ....asngje sthote pse dhe si po i bejne keq gjuhes dhe kuptoj qe gjuhen e do biznes ky shoku....se kuptoj duhet te qeverise pakica qe te kete gjuhe te mire ....se kuptoj   por nje gje me kujton ky shkrim  historin e ppsh dhe te M-l...

Submitted by Leonardo (not verified) on

Një shkrim i përkryer dhe një mësim i mirë për të gjithë ata që meren me gjuhën shqipe sa për qeverinë kur kemi një kryeministër Haxhi Qamili dhe ministrat janë bazhibazhukë çfarë të presim duhet bërë një punë e madhe që të fitojë prapë qytetaria  në të kundërt jemi të humbur

Submitted by Bard (not verified) on

Gjuha nuk ka pse te mbrohet nga askush: Ajo flak tutje me neveri ato qe nuk i duhen dhe perthith ato qe i shtojne vlere. Nuk ma ha mendja se gjuha letrare do ndikohet nga arkaizmat e Topallit, sepse nuk mendoj se ndokujt i pelqejne trashesite qe nxjerr nga goja, dhe stilit brutal me te cilin i imponon ato. Gjuha eshte nje organizem i gjalle,  dhe askush nuk mund te fuse me dhune  objekte verbale ne te, nese ato nuk jane natyrshem te intergrueshme ne corpus-in e saj. Ne mund ta vrasim gjuhen, por jo t'i imponohemi me shpikje Topallesh qe edhe shkodrançen e flasin per turp te tyre.

Submitted by Anonim DE RADA (not verified) on

Artikullshkruesi thote: "Le ta shikojmë të vërtetën në sy: ka njëzet vjet që ne kemi zgjedhur një sistem politiko-shoqëror dhe ekonomik, në thelb të të cilit janë interesat e pakicës së popullsisë së vendit dhe fitimet e kësaj pakice."

Nuk di qe sistemi paraprak te kete qene ne sherbim te te gjitheve dhe te mos t'i kete sherbye vetem nji pakice dhe fitimeve te saj.

Artikullshkruesi thote : (e rëndësishme është plani afatgjatë... në vend të i rëndësishëm është plani afatgjatë ose, më shqip, rëndësi ka të miratohet plani afatgjatëetj.).
Me shqip? Cka nese synimi i frazes "i rendesishem eshte plani afatgjate" eshte qe plani afatgjate eshte i rendesishem sepse duhet te zbatohet, jo te miratohet? Si behet me shqip interpretimi i artikullshkruesit atehere? Nje tregues i vete kufizimeve te tij ky.

Me e rendesishmja, per me e ndjeke frymen e artikullit, po marrim kete pjese: "Shkenca e vërtetë historike ka zbuluar me kohë se shoqëria është qytetëruar, domethënë ka përparuar me të vërtetë, atëherë kur njeriun e paqytetëruar e kanë drejtuar të ngjitej në nivelin e rregullit dhe jo kur rregullin e kanë zbritur në nivelin e njeriut të paqytetëruar."

Shkenca e vertete historike? C'kuptim ka kjo? Po mire, "perparimi" thote me tej atrikullshkruesi, po e marrim me kete kuptim.  Perparim paska pase atehere kur njeriu i paqyteteruar qenka vu me iu nenshtru rregullit, e jo anasjelltas.

Qe po e marrim nji rregull qe permend artikullshkruesi:
'gojëtar'kundrejt 'lojtar', 'rojtar'.

Pra rregulli parashkrun qe te ruhet grafema ëne rastin e pare, po jo ne te dytin e te tretin, sado qe kemi te bejme me te njejtin kontekst fonetik. Kush e ka nxjerre kete rregull? Si t'ia arsyetojme kete "njeriut te paqyteteruar" per ta vu "me u ngjite ne nivelin e rregullit"? Nese dalim me nji rregull te vetem per keto fjale me kontekste te njejta fonetike, a dmth kjo se e zbritem rregullin ne nivelin e "njeriut te paqyteteruar"? Kush e percakton se cili eshte "i paqyteteruari"? Nje pergjegje e vetme: fanatiku i rregullave te ketilla eshte i vetmi "i paqyteteruar" qe do ta shquja ne kete mes.

Submitted by Anonim (not verified) on

Na myten kamunistet. ene n'gjuh i fusin hunt me dogmat e stalinit. ala ke ura kto. jazek u qofte.

Add new comment

Plain text

• No HTML tags allowed.
• Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
• Lines and paragraphs break automatically.