Apostazia e Majkos në një optikë tjetër

Postuar në 21 Shtator, 2012 05:04
Bard Camaj

Ka një këndvështrim sipas të cilit jo pak njerëz duhet të ndihen në siklet në lidhje me debatin që është hapur mbi qëndrimet e Majkos mbi arratisjen - aktin juridik të zyrtarizimit të pushtimit, siç e quan ai - të Ahmet Zogut më 7 prill 1939, apo rivlerësimin e figurës së tij në historiografinë shqiptare. Pas këtij pohimi, të cilin deri dje edhe vetë legalistët dhe rivendikuesit e monarkisë guxonin veç ta pëshpërisnin nëpër biseda të rëndomta kafenesh, një tjetër lloj “legjitimiteti” ka hedhur rrënjë në opinionin publik. Një dorë nënokeje me dashamirësi të përkorë ( “majko” nga serbishtja  më duket se përkthehet “nënë”)  u ofrohet si shtysë bijve të vet rakitikë, ndërsa ngjisin me mundim të përpjetën e apoteozës së pamundshme. Ky lloj legjitimiteti na sugjeron se të qënit neutral, mospjesëmarrja, heqja dorë, zbythja, mosangazhimi apo në rastin më të keq edhe dezertimi, në realitete të deformuara sociale si ky ku jetojmë, mund të vihen në të njëjtin kandar të historisë me konfrontimin e drejtpërdrejtë me të keqen, angazhimin vetëmohues, sakrificën kolektive. Me këtë formulë, një dorë arrogante dhe e trimëruar zgjatet t’u qëndrojë si patericë atyre që deri dje qëndronin kërrusur dhe kokulur para historisë. Me këtë aksiomë të vërtetat relativizohen deri në atë pikë sa askush të mos ketë nevojë më për to. Aksiomë e cila si të gjitha aksiomat refuzon të mbështetet në pohime apo fakte të tjera për të provuar vërtetësinë, por që është e domosdoshme për nënkuptimet që vijnë më pas. Epo mirë, le t’i flakim tutje ato që s’na duhen.

Nuk dua t’i shtoj klishé të tjera këtij debati, apo ide inkompetente të përsëritura deri në diarré intelektuale nëpër forumet online e offline; largqoftë të më shkojë mendja për ndonjë argument historik; le t’ia lemë një të tillë peshë supeve të sprovuara të Akademisë sonë të përnderuar të Shkencave, e cila ndër vite me përpjekje titanike na ka servirur një historiografi të katërciptë të bëmave të së ëmës së Zeqos majë thanës, veprave erotike të bejtexhinjve të gjysmës së dytë të shekullit XIX e të tjera suksese si këto (nuk po permend këtu sprovat e fundit për drejtshkrimin e shqipes, apo përpjekjet e paepura për të shpjeguar toponiminë azteke sipas gjuhës së stër-stërlashtë shqipe, se ka njerëz dashakeqë që nuk i cilësojnë këto si suksese.) Në vend të kësaj trimërie që s’guxoj ta shpalos, dua të sjell këtu një përsiatje që e ka burimin te një film bestseller i Hollivudit, me të cilin po përtypja para ca ditësh mërzinë e pasdites, dhe që më frymëzoi që për një çast të vesh petkat e avokatit të djallit. Duke zhgënjyer të gjitha pritshmëritë, do të përpiqem të interpretoj dhe analizoj nënkuptimet që vura re te ky film dhe analogjinë me debatin që po zhvillohet në këndvështrimin e Majkos, domethënë që “jo çdo e keqe është absolutisht e keqe dhe jo çdo e mirë është e mirë aq sa duket.” Narrativa e filmit,  të cilin shumë prej jush duhet ta kenë parë, është pak a shumë kështu:

Xander Cage (Vin Diesel) është një hajdut makinash dhe drogaxhi, të cilit i pëlqen të hidhet me parashutë, të bëjë skateboard, të ketë 2-3 dashnore njëherësh e të tjera qyfyre, popullore për rininë tonë të postmodernizmit të ardhur dy dekada më vonesë. Meqënëse policia nuk ka të njëjtin këndvështrim me Z.Cage mbi stilin e tij të jetesës, ai arrestohet, por më pas i ofrohet një ujdi: të infiltrohet në një organizatë terroriste ndërkombëtare ruse, në këmbim të lirisë.Ai pranon. Sandri (po i shqipëroj emrin pa kurrfarë keqdashje për ndonjë Sandër që mund t’ju vijë në mendje) infiltrohet me sukses në bandë, u jep informacionet e duhura shërbimeve sekrete, eleminon shefin e mafias dhe në fund arrin ta shpëtojë Pragën nga shfarosja nga një armë e shkatërrimit në masë.

Ka njëfarë simbolizmi që shkon përtej efekteve speciale dhe stunt-eve të dublantëve në këtë film, të cilin dua t’ua sjell në vëmendje para se të kthehem edhe njëherë në idenë me të cilën e fillova këtë shkrim: Heronjë e sotshëm (ata që kërkojnë sot përmendore dhe ata që do të duan nesër të kenë një), janë ndryshe. S’kërkohet më që ata të jenë të edukuar, të aftë në retorikë dhe në shpatë, vetëmohues, të virtytshëm, fanatikë në atë që besojnë dhe për çka luftojnë etj. Ky lloj modeli do të klasifikohej automatikisht në partinë e madhe të idiotëve sipas kritereve bashkëkohore të gjykimit. Në vend të tij, një lloj tjetër heroi na serviret sot nga media, tip business-oriented, kompromisaxhi, matrapaz, macho muskuloz i tatuazhuar gjer në gjenitale, që urren sakrificën në periudha afatgjata, që e ka të vështirë të besojë në diçka, që gënjen pa iu dridhur qerpiku dhe thotë të vërtetën vetëm nëse është vërtet me leverdi. Në përgjithësi, ky tip është antipodi i heroit konvencional (ja ku pa dashur dhe krejt rastësisht ngritëm hipotezën mbi shkakun e zhdukjes së një specieje). Për këtë arsye, na sugjerohet, nuk mund t’i themelojmë më pritshmëritë tona apo qoftë edhe narrativën historike mbi heroin konvencional me të cilin ishim mësuar në kohën e Zerzeles, për një arsye të thjeshtë: vendi i tij në histori është zënë prej kohësh nga heroi-maskara apo maskarai-hero, i cili i kryen detyrat që i jep koha shumë më mirë se i pari.

Po e sjell në vëmëndje këtë stereotip, duke u përpjekur deri në keqardhje që ta mirëkuptoj z.Majko duke e  lexuar qoftë edhe për një çast historinë ashtu siç e lexon ai. Në fakt, në mënyrën e vet të të lexuarit dhe të riprodhuarit të historisë, ai pa vetëdije na ka folur mbi protagonistët e historisë së re të shqiptarëve (ku përfshihet edhe periudha që ne jetojmë). Ai indirekt po na kërkon ta ulim pazarin kur gjykojmë këta protagonistë, nëse duam të krijojmë një narrativë historike të përbashkët, përndryshe duhet të marrim parasysh rrezikun që sa herë të duam të dërgojmë një tufë lule pranë monumentit të një figure historike me të cilin identifikohemi dhe që e admirojmë, të gjejmë dikë aty poshtë që me keqdashje kryen nevojat e veta fizologjike. Një tentativë për t’u lavdëruar apo jo?

Megjithatë, ka një efekt anësor në këtë filozofi  mirëdashëse nënokesh, që kërkon t’i shndërrojë simbolet e palëkundura kombëtare në pupacë të padëmshëm dhe qesharakë prej dylli e leckash, me të cilët mund të sajosh ndonjë lojë, sa për të gënjyer camërdhokët e prapë që janë gati t’i hidhen në grykë njëri tjetrit; Historia e lexuar dhe e treguar sipas kësaj metodologjie shëndrrohet në legjendë bukolike, një katundarizëm i aplikuar në shkencë, i cili i ndërton figurat e veta prej plasteline, mjaft që secili të ketë mundësi që me një zgjatje të duarve të bëjë idhull-surratin që i pëlqen, dhe të identifikohet me të. Në këtë lloj historie, ngjarjet dhe faktet shkrihen si në pikturën e famshme të Salvador Dali, duke na privuar nga çdo mundësi apo të drejtë morale interpretimi të përbashkët. Dhe kjo në vetvete është rrënimi i arsyes për të cilën ajo ekziston.

Të mllefosurit dhe të sikletosurit nga kjo mesele, duhet që gjithsesi të marrin parasysh që e gjithë kjo nuk fillon me Majkon-nënoke-shëlbues shpirtrash. Kjo shëllirë në fakt duhet ta ketë zanafillën në atë doktrinën “Përtej së Majtës dhe së Djathtës” që kërkon të zhbëjë çdo “po” dhe “jo” përpara saj, për të ndërtuar të vërtetat e saj xhelatinoze (i keni dëgjuar besoj kur flasin për ri-Rilindje Kombëtare, sikur kjo të ishte nje restart kompjuteri). Kjo dorë e palarë nënokeje nuk preokupohet  për edukimin e bijve të vet brekëgrisur, mjaft që ata të kene të hanë e të rrijnë urtë. TengHsiaoPin-izmi këtu merr nuanca butaforie, duke premtuar të shembë ideologjitë me çekiçin e vet prej plasmasi.

E parë në këtë kënd, është e pakuptimtë që  ndokush t’i vërsulet Majkos për mënyrën si e lexon ai historinë, madje është po aq e pakuptim që të ketë të sikletosur në këtë mes. Rama, Majko dhe ndjekësit e tyre, nuk po përpiqen të rishkruajnë historinë; ata thjesht po na ofrojnë leximin e tyre diletant si narrativë të jetës së tyre politike. Ata po na thonë që protagonistët e historisë moderne shqiptare s’kanë qenë kurrë dhe nuk do jenë aspak të ngjashëm me Sigfrid Therësin e Dragonjve në Këngën e Nibelungëve; nga do të na vijë e sido të na shfaqet, heroi që ne presim të na zgjidhë hallet (ose që tashmë gjendet midis nesh, por që për një koinçidencë fatkeqe rrethanash nuk e kemi vënë re) do të jetë në thelb një maskara, njëfarë Xander Cage i ballkanizuar me tipare të murrëtyera bizantine. Do të jetë ajo  lloj specie që s’e ka për gjë të shkelë mbi të tjerët për të arritur qëllimet e veta. Do të jetë mjaft i ngjashëm me paraardhësit e vet gjatë këtyre njëqind viteve të shtetit shqiptar, me po ato delire të sëmura madhështie që e shtyjnë të eleminojë këdo që i del përpara në rrugën drejt pushtetit absolut, paçka se fryma e kohës ku jetojmë ia ndrydh disi thanatos-in.

Apologjia që Majko i ofron Zogut nuk është në fakt apologji për Zogun; më shumë se kaq, është apologji për një brez të dështuar, i cili në 22 vjet riprodhoi dhe perfeksionoi të gjitha veset e brezave paraardhës, duke e tërhequr zvarrë një komb të tërë pas përrallës së integrimit. Është një apologji paradhënie për historianët e ardhshëm, të cilët të tërhequr për hunde prej doktrinës “Përtej së mirës dhe së keqes” që na sugjerohet sot, do të jenë të detyruar të mbushin me broçkulla  faqet bosh të këtyre 22 viteve. Për këtë arsye, nuk ka pse të ketë të sikletosur apo të mllefosur për historinë e Zogut, Luftë Nacional Clirimtare apo periudhën komuniste. Sikleti që s’mund të shmangim, dhe mllefi të cilit s’mund t’i ikim, duhet të ketë lidhje me tjetër gjë: Me ndjenjën e fajit të viteve që jetuam, dhe dëmin që u shkaktuam brezave që do vijnë.

Comments

Submitted by Bard Camaj te l... (not verified) on

Nuk ka rendesi nese une bie dakort apo jo me qendrimin qe autori ka per Ahmet Zogun, por duhet ta shkruaj patjeter vleresimin tim te eperm per cilesine e shkrimit dhe thellesine e mendimit ne kete shkrim. Qendrimi i autorit per Zogun, eshte personal, e megjithate renditja e mencur e argumentave te tij ne kete shkrim eshte me te vertete mahnitese. E pelqej shume. Urime e shpresoj te lexojme me shpesh nga ky autor. Bard Camaj mos humb. Vazhdo te shkruash.

Submitted by Mustafa (not verified) on

Shkrime si te ketij Bard Camajt, Falma Fshazit e ndonje autori/publicisti qe jane te vetmet prova qe Shqiptaret dhe Shqiptaria jane ende gjalle. Me siguri qe ky vend qe lindi Fan Nolin e Arben Xhaferrin do linde te tjere njerez me inteligjence e klas. I lutem zotit te mos na lere ne dore te "analisteve" te kafeneve tip Fevziu, qe masakrojne edhe gjuhen edhe mendimin.

Urime Bard, te lumte pena!

Submitted by pilo (not verified) on

Bravo!

Submitted by Niko Maloku (not verified) on

Nje nga shkrimet e rralle qe ke deshire te lexosh. Sigurisht, per ata qe e kuptojne.

Submitted by Qyfli (not verified) on

Me njembedhjete rreshtat e fundit ma ke thene tere artikullin.E lexova dhe kur lexova paragrafin e fundit ,i kuptova te gjitha.Pergezime per shkrimin.

Submitted by RP(rrezik publik) (not verified) on

Cilesia e rralle qe zoterojne te drejtet eshte se nuk t'a pertojne reston,le te jete çfare te jete konfrontimi.Ky shkrim nuk mbron dhe as shan Zogun,se nuk ka ate qellim,ky shkrim eshte nje sirene kunder konformizmit te semure.Thuhet se Zogu pati te mira e te keqija,qe zor se shume njerez te sotem i kane provuar mbi shpine.Pra,meqe flasim per ngjarje te shkuara,te rrefyera,te shkruara(i kujtoj Majkos se historia eshte ajo disipline qe shqyrton ngjarje te se shkuares nga burime te ndryshme gojore,te shkruara,etj-kaq gje duhet te dije Majko,sado thote qe s'eshte historian),fjala nuk eshte te varrosim apo zhvarrosim njerez akoma,se kjo pune specifike eshte objekt per arkeologet,por te gykojme gabimet e te shkuares qe ato te mos perseriten me.Ngritja ne apoteoze e Zogut nuk eshte problemi ne thelb;problemi ne thelb eshte se a eshte kjo rruga e edukimit te brezave tane?Dmth,nese Zogu dezertoi e ky u quajtka akt juridik,a nuk eshte kjo nje apologji e demshme qe mund te nxite shtetaret e sotem e te neserm qe ta ribejne kete qe beri Zogu,te sigurt se jane duke bere nje"akt juridik"te legjitimuar?Lufta ne vetvete eshte irracionale,por pergjithsisht njera nga palet eshte shume racionale;ajo qe ben luften mbrojtese,se zakonisht njeri sulmon e tjetri mbrohet.Se ndryshe nuk do kish kurre lufte nese te gjithe mbrojtesit ia mbathnin e jo kot,qe ne antikitet dezertoret denoheshin me denimin kapital.Konkluzioni i autorit eshte sikur te kete hyre ne mendjen time;keta si Pandi jane nje brez i ri(me mosha e thinja te vjetra),qe direktivat sesi te udheheqin i presin te henave nga EvroAmerika,te martave ua perkthejne sekretaret sado anglisht dine mire,te merkurave merren me projekte shtepiake,te enjteve zihen ne parlament per leshte e jozefines(e kisha fjalen per zhelet),te premteve shkojne me delegacione te pijne uje mineral ne hollet e parlamenteve evroamerikane me shprese se nenndihmesi i shtate sereve te nendihmesave do t'i takoje per te mesuar se ku ndodhet ne harte Shqiperia,te shtunave mblidhen bashke dhe numerojne parate me dollare kokemadh,te djelave i fusin nje futboll laraman,ku mbrojtesi me i keq mbulon te dy krahet"pertej te majtes e te djathtes";me nje fjale,po deshet"spagheti alla puttanesca"i keni te gjetur guzhinieret.Ne fund fare,kur e shohin se gjella vjen ere te djegur,si pa gje te keqe thone si Pandi:"Une s'jam historian!"Hahahha,keta shkrine estraden e Tiranes se e ndjejne qe kane me shume potencial se aktoret profesioniste.Se fundi,siç me te drejte e kujton autori,te jesh kryetari i nje partie te majte(trashegimisht te majte)dhe te shpalosesh programin"pertej te majtes dhe te djathtes"eshte goxha bast,njelloj sikur une te them se jam duke ngare gomonen i hipur ne nje kamionçine.Nuk do ishte me kollaj te formonte nje parti tjeter?

Submitted by Bamba (not verified) on

Dergojani Majkes  kete artikull !

Lere fare , se cfare them dhe une ...... Ku do te kuptoje gje Majka ?

Submitted by Rosinand Xhaferri (not verified) on

Kur ke vetem dy sirtare, nje per trima dhe tjetrin per tradhetare, atehere behet e veshtire te merresh me Zogun. A lejohet te kemi edhe personazhe te tjere ne histori, qe nuk jane as heronj, as tradhetare, po njerez si ti i dashur shkrues apo ti i dashur lexues. Ju nuk jeni sprovuar me nje fatkeqesi te tipit "Firmos kapitullimin, perndryshe erdhem te ta shkrijme morrin!". Zogu mund ta kishte pranuar ultimatumin e Musolinit, mund te kishte veshur edhe kemishen e zeze te kolaboracionit, ashtu si mundej edhe te vritej maleve, bashke me djalin-foshnje qe sapo kishte hyre ne ditet e para te jetes. Por zgjodhi te ikte. Sa per trim, ka qene adoleshent kur i ka hyre puneve te pushkes Ahmet Zogolli; kur i dergoi Beqir Valterin klika per ta vrare, e hengri plumbin ne mes te parlamentit, po nuk iku prej aty;  nxorri patllaken e vet dhe kerkoi te vazhdonte rendi i dites. atentatori ishte mbyllur ne hale dhe kendonte kenge patriotike. Kete e fali Zogu, po nuk fali ata qe ia derguan per ta vrare.

Xhaxhi Enver, tek "Zeri i Popullit" i kohes para Mukjes, lavderonte gegenisht Abaz Kupin si Hero te 7 prillit. Bazi, e po ashtu edhe ushtaraku Mujo Ulqinaku (te cilin Xhaxhi e kurseu)  bene rezistence simbolike, sa per te treguar se Shqiperia refuzon pushtimin. Fuqi per me teper Shqiperia nje milion, nuk kishte te merrej me Italine 40 milion, se me lufte frontale dihet si shkon puna. Zogu la njerezit e vet ne terren per te organizuar rezistencen, e cila filloi qe me 7 prill, nga njerezit e Zogut, si edhe nga te tjeret. Ajo qe harrojne kritiket e Majkos, eshte se vendi ishte i percare, dhe pati turma njerezish qe dolen t'i prisnin me lule fashistet. Brenda disa ditesh pas pushtimit, u ngrit ne kembe Partia Fashiste Shqiptare.

Akrobacite me te cilat Zogu mbajti pushtetin, e ruajti rendin per vite me rradhe, midis kaq e kaq kryengritjesh, grushtesh shteti, atentatesh, nuk mund te funksiononin pafundesisht. Ne nje bote te rreshtuar dyshe, si ne luften e ftohte, kollaj te mabsh pushtetin si e mbajti Enveri 40 vjet; kollaj edhe Nano me 1998 kur e perzune berishistet, u kthye prape, se ka padron tani Ballkani; po Zogu ishte vetem. Juve mbani gati sirtaret: ose tradhetar, ose hero; po logjikes historike i varim thepin.

Submitted by Jabanxhiu (not verified) on

Shkrimi eshte shume i bukur, eshte aristrokat shkrim, eshte karate me fjale qe te hudh ne toke tuc. Retorike mjeshterore qe te ngelet ne mendje dhe ja keni arritur qellimit. Po une ndjej nje lloj streriliteti te retorikes s’uaj, me vjen keq po do ta them ate qe ndjej: ky lloj steriliteti(lexoje pasterti) me tingellon e shkon gati gati deri si shterpesi, si shkeputje nga realiteti. Ju beni ushtrime Judo me fjale, finte e spektakel dhe, jeni i pastresuar si orator sa notoni ne mitologjine nordike dhe takoni Sigfridin heroin qe vrau kucedren. Bukur, anologji e bukur. Po kucedren jone fle brenda nesh dhe, hero eshte ai qe vret kucedren brenda vetes, edhe pse ne jete ben ndonje vjedhje, komromis e pislliqe te delikteve banale. Mua me duket se te gjithe herojte ne bote jane te tille, te oksiduar me xhulin e kohes ne te cilen kane jetuar dhe brezat vetem ndricojne anen e mire te tyre, duke e pastruar e llakuar deri ne shkelqim dhe injoruar anen banale, te keqe te heroit. A nuk e llakojne e rrespektojne nordiket mbreterit e tyre amorale qe kane bere veprime qe nuk mund te trajtohen si delikte po si te denueshme ligjerisht. Ky eshte njeriu, ky eshte mbreti yne Zogu i I dhe ai duhet te kete nje vend nderi ne histori. Me kete dua te them nje vend nderi te llakuar e te ndricuar dhe ne vend te monumentit psikopatik te Jenicerit; themeluesit te Tiranes qe me nje tapi ne njeren dore e shpaten ne doren tjeter  seshte vetem nje mesazh skicofrenik i dhunes qe duhet xhdukur dhe ne nje kryqezim te tille mbreteror duhet te vendoset monumenti i mbretit. Edhe ne kemi herojte tane mitologjike qe me bemat e tyre jane plot gjak e leng jete me shume se herojte nordike si Zikfridi. Po herojte reale ne te gjithe boten pervec bemes se tyre kane dhe anen njerzore; banalitetin e jetes. Per mua heroj jane dhe gazetaret qe punojne ne nje mega stres mbijetese. E keqja eshte se ne keto 22 vjet heroi yne eshte i poshtri, hajduti, vrasesi, psikopati e me radhe i keqi. Megjithe ate shkrim shume i bukur dhe me pelqeu shume.

Submitted by Ba Bái (not verified) on

Nga vetë përkufizimi, heroi është një personazh që përballë rrezikut dhe armikut, shpesh nga pozita pushteti, shpalosin kurajë dhe vullnet për t'u vetësakrifikuar - kuptohet, vetëm vullnet dhe jo sakrificë në vetvete - për një të mirë më të madhe. Se për llogari të kujt shkon kjo e mira e madhe, kjo është diçka që mbetet ende për t'u përcaktuar. Mos harro rukolën!

Submitted by FREIHEIT (not verified) on

me pelqeu,stili dh renditja e fakteve.sei nella tua scritta come il Dio nell universo,dovonque presente e in nessun luogo  visibile.

Add new comment

Plain text

• No HTML tags allowed.
• Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
• Lines and paragraphs break automatically.