Post-analfabetët

Analfabetizmi asht nji plagë e madhe e shoqnisë së sotme shqiptare, ai ushqehet prej mungesës totale të politikës (tek ne mbizotnojnë pazaret mes tarafeve, jo politika) dhe prej mosfunksionimit të sistemit arsimor në të gjitha nivelet. Shkollat e ulta, të mesme e të nalta – edhe pse furnizojnë njerëzit me diftesa e diploma – kontribuojnë gjallnisht në krijimin e nji shtrese analfabetësh të pajisun me sigurinë e nji cope letër në dorë.
Në vetvete parashtesa “post” nuk i shton asgja skajit “analfabet”, si nga pikëpamja logjike si nga ajo kronologjike, ajo shenjon vetëm statusin social, nji njohje dhe nji pranim të detyrueshëm prej shoqnisë të nji kategorie të gjanë njerëzish që jo se kanë qenë të përjashtuem krejtsisht prej mundësisë së shkollimit, por shkolla tek ata nuk ka lanë asnji gjurmë të randësishme.
Post-analfabeti mundet shumë mirë me dijtë me shkrue e me këndue, por prapseprap gjendja e tij mjerane përcaktohet prej mëtimeve që ka e që janë të tepërta përballë forcave dhe dijeve që ai zotnon.
Kur nji gjeometër pretendon me “projektue” (asht thjesht eufemizëm) e me ndërtue në detaje nji pallat, ai asht në pozitën e atij që tue dijtë me zor shkrim e këndim mëton me shkrue drama e romane, apo në pozitën e atij kasapit që bante bé e rrufé se dinte me ba nji operacion apendisiti.
Era e post-analfabetizmit na ka furnizue me gjeometra që losin rolin e arkitektit, me kasapë që operojnë njerëz, me ministra që nuk dijnë me shkrue as edhe nji fjalim të vetëm, me gjykatës me shkolla plepash, me bjerraditas që sillen studiove televizive tue i mësue mend botës për gjithçka…
Këta janë ajka e post-analfabetëve, ka mandej nji masë të tanë post-analfabetësh që kanë spostue vendqëndrimet e tyne prej klubeve të katundeve e të qyteteve në internet. Kjo asht kategoria e të papunëve, e atyne që në shkollë kanë shkue krejt rastësisht e kanë dalë menjiherë tue marrë me vete aq dijeni sa mjafton me tregue se janë karabusha.
Megjithatë, çka nuk funksionon në vendin tonë asht sistemi dhe jo njerëzit, edhe pse sistemin e drejtojnë njerëzit. Kjo mund të duket si kontradiktë, por në vetvete asht shenj shpreset, pse sistemi mund të ndryshohet, madje rranjësisht.
Ky sistem prodhon nji post-analfabetizëm militant e partizan që po ia heq Shqipnisë të drejtën me pasë nji të ardhme. Vendin e kulturës e ka zanë tarafi dhe partishmënia politike, dje e majtë e sot e djathtë.
Në nji kohë kur nuk jemi në gjendje me prodhue sport, kulturë dhe shkencë të zonjat me “konkurue” të paktën në Ballkan, duken qesharake të gjitha përpjekjet me diskutue për pellazgët, hititët, ilirët, perandorët romakë, vezirët osman apo tema tjera luksoze si këto.
I vetmi emën që sot na përfaqson në fushën e kulturës botnore asht Ismail Kadareja.
Ka edhe emna tjerë me randësi të veçantë në fushën e shkencës, por post-analfabetizmi sistemik shqiptar i shpenzon fondet për konkurse bukurijet e për koncertet e militanteve të veta, e jo për me promovue shkencën e vërtetë.
Për shembull, askush nuk e ka ftue në gjithë këto vite, të paktën me e ndie tue folë, fizikanen me famë botnore Laura Mersini-Houghton të Universitetit të North Carolina!
E pra ajo asht nji prej formuluesve të teorisë së multiversit, tue qenë njikohësisht pjesmarrëse e këtij debati shumë aktual në fushën e kozmologjisë.
Po çka u intereson teoria e multiversit analfabetëve, gjysëm-analfabetëve dhe post-analfabetëve me diploma e me poste ministrore?
Tek ne politikën e bajnë ish magazinierët, veterinerët e volejbollistet, Shtetin e drejtojnë ish nënoficerat e Dullës, leksionet e historisë merren nga berishat, majkot e dokat, vijat politike shpalosen nga islamët dhe nanot, aleancat politike përcaktohen nga babaliket me shokë… ky asht post-analfabetizmi, gjysëm republikë e gjysëm mbretni, nji vend jashtë kohës dhe progresit, nji vend që vijon me u tregue me gisht në Europë.
Mapo
Comments
Kur per te dhene mesim, ne
Kur per te dhene mesim, ne brezat qe vijne, shkojne dhe pergatiten ata, qe kane mbaruar me nota pesa nga klasa e pare, deri ne te dymbedhjeten, cfare pret qe ne kete vend te lindin shkencetar.
Ke bere debat me nje mesuese? Une po. Me tha: - pse c' me di mua ti, alfabet jam une ? - Jo i thashe, se disa alfabete, une i kam mesuar. Po te ishe alfabet mbase do te kisha mesuar dhe ty. Por une s'mund te le femijen tim, qe t'ja mesosh ti alfabetin. Se ti nuk je alfabet. Ti je anal-fabete, moj mesuese....
Post-analfabetet - nje tjeter

Post-analfabetet - nje tjeter term i goditur qe meriton te futet ne fjalorin terminologjik te kohes qe kalojme. Lind pyetja edhe sa kohe do te vazhdojne te na qeverisin post-analfabetet? Mendoj se ritestimi i administrates shteterore pas rotacionit duhet te jete nje pike e rendesishme ne programin e partive opozitare.

pas-analfabetet , mbase

pas-analfabetet , mbase duhet.

se ''post''-i te ben euro-analfabet

Spektakolar ky shkrim, nje

Spektakolar ky shkrim, nje retorike e ngritur ne apoteoze, gati migjeniane...

shkrimi eshte shume i

shkrimi eshte shume i sakte.Kete te shkrete shqipe zyrtare akoma po refuzon t'a perdoresh!Te prish pune apo si?

I nderuar Zoti Ndreca, ne

I nderuar Zoti Ndreca,

ne kete analfabetizem apo post-alfabetizem sic e keni quajtuar keni kontribuar dhe ju kur keni botuar ne librin e gjuhese letersise shqipe te klases se 10-te nje artikull ku hidhni balte mbi shkencetarin e huaj Oliver Schmitt dhe te ndjerin Ardian Klosi, te dy persona qe jane perpjekur ti hapin mendjen shqiptareve e ti bejne ata me pak "analfabete". Mjafton te kujtoj ketu shkrimin "Manipulimi i mendjeve" qe ju i beni te rinjve te Ardian Klosit. Per te patur integritetin moral per te bere shkrime te tilla duhet se pari te kesh kujtesen e gjate, dhe se dyti ndergjegjen e paster.

Add new comment