Pabesi dhe një pështymë nga Erdogan në fytyrën e “shtetarëve” të Kosovës

Postuar në 01 Prill, 2018 17:52

Ajo që ndodhi në Kosovë i meriton të gjitha analizat. Kushtetuta dhe ligji kanë rënë në tokë. Kosova mund të jetë çdo gjë, por vetëm subjekt i denjë për t’u quajtur shtet jo. 

Rrëmbimi i gjashë shtetasve turq që strehoheshin dhe banonin në Kosovë me urdhër të presidentit turk, Erdogan, realizuar dhe kryer nga shërbimet turke me miratimin e dy zyrtarëve është një akt që ka poshtëruar në çdo drejtim institucionet e Kosovës. 

Erdogan nuk nguroi madje të shkonte më larg kur deklaroi se edhe kryeministri i Kosovës do ta paguante që shkarkoi nga detyra ministrin e Brendshëm dhe shefin e shërbimeve sekrete që u bënë dorëzanë të këtij akti. Një pështymë në fytyrë për kapadainjtë e pabythë politikë të Kosovës që njësoj si vëllezërit në Tiranë janë të zotë të gëlltisin çdo gjë që u thuhet nga jashtë. 

Ky është akti i parë që Turqia ndërmori në këtë formë ndaj gulenistëve. Në Shqipëri ajo arriti të merrte një person, por me vendim gjykate. Në Greqi ka 8 ushtarë që i akuzon si pjesëmarrës në grusht shteti dhe nuk po ndërmerr operacione rrëmbimi. 

Kaq pak duhej që i ashtuquajtur shtet i Kosovës të shfaqej për atë që është: një hiç i madh, i zoti vetëm të vjedhë njerëzit e vet dhe të shesë miqtë. 

Për këtë paturpësi është prononcuar edhe kreu i kishës katolike në Kosovë, sipas të cilit kemi të bëjmë me tradhëti. Në fakt fjala e duhur është Pabesi dhe ky akt do të duhet të shërbejë si një shembull për të gjithë ata që ende i besojnë përrallave të “mikpritjes shqiptare”. Apo të Besës së shqiptarit, që është më shumë një temë fabulash përkëdhelëse që nuk ka të bëjë me këto që shohim. 

Në fund aspekti njerëzor mbetet më gjatë sesa aktet e politikës dhe të shtetit dhe parë në këtë vështrim, akti në fjalë mishëron një hile dhe tinëzari që nuk përputhet me asnjë normë.  Mikun është mirë të mos e pranosh kur nuk ngre dot brekët e tua. Dhe këtë do ishte mirë ta mësonin edhe muxhahedinët iranianë në Tiranë. 

Comments

Submitted by Taras (not verified) on

Juve po ju vjen keq per disa anetare te nje organizate terroriste si FETO e nuk merakoseni se mzrredheniet midis Kosoves e Turqise pesojne perkeqesime si pasoje e injorances se Haradinajt. Pastaj, c'fare ka ketu per te marre per baze prononcimin e kishes katolike? Kjo e fundit eshte e ndare nga shteti dhe duhet ti terhiqet vemendje.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.