A ishin vitet '90 më të mirat e historisë?!

Postuar në 21 Nëntor, 2024 19:55
Skerdilajd Zaimi

Brezit që po e dëgjon këtë më 2095. Unë kam vdekur shumë vite më parë. Vitet ’90 ishin dekadat më të mira në historinë njerëzore. Një dashuri

Ky mesazh është postuar tre vjet më parë nga një përdoures “i zakonshëm” në një postim në Youtube të hitit të famshëm të 2Pac, “California love” dhe pasohet nga 598 përgjigje.

Dy janë çështjet që shtron ky epitaph digjital: së pari Rrjeti do të jetojë përgjithnjë. Me miliarda komente, përdoures, pseudonime, like, përgjigje pëlqime, debate. E bashkë me të aty do të përjetësohet edhe një copëz nga kujtimi ynë, pa adresë, pa identitet. Fjalë, imazhe në librin e madh të internetit. Kjo pafundësi të gjallësh të vdekur gjen një analogji tokësore me Wadi-us-Salaam- lugina e Paqes në Najaf të Irakut. Varreza më e madhe në botë, me 6 milionë trupa, në planin fotografik përfaqëson megalopolin e vetëm të të vdekurve. Deri më tani!

E dyta është pyetja: a ishin vërtet vitet ’90 më të mirat në historinë njerëzore?

Nëse sheh ngazëllimin e shumë njerëzve me muzikën apo kinemanë e atyre viteve, kupton se ne kemi humbur diçka. Diçka shumë të madhe që na detyron ta mbajmë kokën pas. Diçka prej njeriut humbi dhe u tret në rrjedhën e një gare tërësore dhe globale që po gllabëron çdo sekondë të qenies sonë. Njerëzimi humbi njeriun, ndoshta shpirtin e tij, reflektimin, meditimin, pulsin emotiv dhe dilemën morale. Nëse i hedh një sy Wikipedias për të parë se çfarë ka hyrë si e dallueshme për ato vite, mund të kuptosh se koha e sotme është aspekt ekzekutiv e ndoshta degradues i paradigmave të asaj kohe.

Fundi i Luftës së Ftohtë deri në sulmet e 11 shtatorit 2001 quhen vitet ’90. Rënia e Murit të Berlinit, interneti, world wide web, media alternative, hip hop, videogame, PC, globalizmi, multikulturalizmi. Në klasifikimin perëndimor – amerikan, ishte koha e Gjeneratës X që të hyjë në skenë, një gjeneratë që karakterizohet nga ajo “free range parenting” që konsiston në rritjen e fëmijëve pa kontroll të rreptë dhe duke inkurajuar iniciativën. Dhe kështu ka qenë në të vërtete.

Këto cilësi mund të themi se gjejnë shprehje universale te ideja e përgjithshme e lirisë që përfshiu të paktën hemisferën veriore në atë kohë që u asociua emocionalisht me kulturën e Perëndimit. Emblema e ndjesisë së lirisë si kryeurë e dy njerëzimeve të Luftës së Ftotë është ndoshta koncerti i shtatorit 1991 i grupit “Metallica” në Sheshin e Kuq në Moskë, ku thuhet se u mblodhën 1.6 milionë njerëz. Një ngjarje e pamundur për muzikën e sotme nëse mund të themi. Sepse në atë kohë, muzika dhe kinemaja ishin agjentë të ndryshimit, të bashkimit në një etos të lirisë dhe shkundjes së kontrollit.

Emigrimi në vetvete edhe në vende si Shqipëria shoqërohej jo si dramë e një vendi, por nën shenjën e një emocioni pozitiv të ndryshimit, të çlirimit me etjen për të prekur botën matanë murit. Duhet thënë se në të gjithë atë klimë në lindjen komuniste kishte një dozë të madhe naiviteti, ndaj edhe lumturia e asaj kohe që vinte me aq pak.

Por vlerësimi edhe në Perëndim i viteve ’90 si më të mirat, bën të mendosh se në thelb ajo që ka humbur është qëllimi njerëzor përveç fitimit, një kauzë dhe një besim, të gjitha këto burim i vlerave dhe parime organizimi që i japin jetëgjatësi qenies njerëzore.

Sigurisht që kujtesa përzgjedh dhe do të ruajë ato gjëra që janë pozitive, me parimin “ishim mirë kur ishim keq”, por rënia intelektuale dhe shpirtërore, rënia e shkollës, e të gjitha autoriteteve që nuk asociohen me fitimin, asgjësimi i nocionit të punës reale, në terren dhe virtualizimi i realitetit, shkëputja e të rinjve nga çdo lidhje organike me të shkuarën si mënyrë jetese, nuk janë perceptime depresive por çështje të shumicës së shoqërive. Të cilat për më tepër po uniformizohen nën emëruesin e teknologjisë dhe po humbasin identitetet.

Gjërat e bukura kanë ndodhur në të shkuarën! Mund të jetë edhe kështu, mund të mos jetë, por epitafi i sipërcituar zgjon për shumëkënd kujtime të rëndësishme në një kohë me të vërtetë domethënëse për njerëzimin. Por edhe apelojnë që herët apo vonë secili të mendojë pak më gjatë sesa na e lejon ritmi i imponuar i një “jete që na merr shumë kohë”, sa për të cituar Stanislaw Lec.

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Vitet '90 jane te ngjashme me vitet '20 te shekullit te kaluar, por me mw shumw kolor, me mw shumw liri te individit, vitet mw me shpresw e mw mbreslwnwse! Kjo u rrezatua edhe nw muzikw, ku u krijuan shumw kwngw tw mwdha. Fatkeqwsisht -per Shqiperinw kjo- kwto ishin vitet ku qelbwsirat njerwzore mashkullore rrwmbenin femra e i conin ne prostitucion, digjnin fabrika e uzina, vidhnin e grabisnin pasuri shoqwrore e shtetwrore, atw private gjithashtu, gwnjenin e mashtronin, fallsifikonin dokumenta, etj!
Me kalimin e viteve '90 nisi te bjerw shpresa pwr demokracinw dhe tw drejtat e njeriut, pwr barazi, pwr mirqwnie, pwr siguri, pwr cdo gje qw e kwnaq dhe lumturon njeriun! Sot wshtw shtuar depresioni dhe individualizmi, wshtw paksuar shoqwria dhe solidariteti!

Submitted by albi (not verified) on

shume e drejte per Shqiperine... por shkrimi ka te drejte qe ne rrafsh global liria ishte nje parim i padiskutuar qe triumfoi.

Submitted by Plaku Xhuxhumaku (not verified) on

Ne Shqiperi jo, po te kemi parasysh vitin 1997, qe mjafton per te erresuar te gjitha te mirat e tjera te dekades

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.