Gjakmarrja ka perënduar me kohë e me vakt

Postuar në 01 Korrik, 2012 08:03
Çapajev Gjokutaj

Dy-tri javët e fundit mediat lakuan gjatë e gjerë emrat gjakmarrje, kanun, ngujim etj. Si shkak shërbeu vrasja e një 17-vjeçareje, që rrënqethi publikun sa me historinë tragjiko-absurde të vdekjes, aq edhe me fotografinë e vetme që u publikua: një adoleshente me fytyrë engjëllore e vështrim ëndërrues.

Siç është e natyrshme orteku mediatik për engjëlloren Marie po resht dhe, me gjasë do të pasojë një stinë e mërzitshme informative. Vrasje të tjera të kësaj natyre do të zënë një kënd në faqet e kronikës, në pritje të spektakolares dhe rrënqethëses, asaj që sërish do të zgjojë emocione publike dhe do të na shtyjë të lakojmë prapë emrat gjakmarrje, kanun, ngujim etj..

Në fakt, gjakmarrja ka perënduar me kohë e me vakt. Ajo që përmendet në media s’është veçse fantazma e saj. Kur thotë fantazmë, materialisti nënkupton një sendërgji, d.m.th. diçka të trilluar që i takon fantazisë dhe nuk gjendet në realitet. Gjakmarrja nuk është fantazmë e këtij lloji. Ajo i ngjan lugatit, i cili merr trajtën e jashtme që ka patur i vdekuri kur ishte gjallë dhe bredh netëve nëpër fshat për të bërë zullume. Që të jesh më i saktë, mund të thuash se gjakmarrja është një formë ligjërimore që, e zhveshur nga përmbajtja e mëparshme, endet poshtë e lart ligjërimit publik, duke çmeritur njerëzit me përzierjen zombike: edhe e vdekur, edhe e gjallë. Gjallon vetëm përbërja tingëllore e fjalës gj+a+k+m+etj., por brendia ka vdekur me vakt e me kohë.

Kuptimi klasik i fjalës gjakmarrje është zhbërë. Ajo ka reshtur së qeni një instrument shoqëror që disiplinonte vrasjet, kufizonte keqbërësin dhe lehtësonte bashkësinë. Kjo, që për forcë zakoni mediat e quajnë gjakmarrje, s’është veçse një vrasje barbare dhe primitive që bëhet jo sipas rregullit kanunor, por si ia do qejfi individit; një krim që lehtëson keqbërësin dhe penalizon bashkësinë.

Që lexuesi ta perceptojë më lehtë se si gjasme gjakmarrja e sotme penalizon bashkësinë, mjafton të kujtojë ngujimin që, në aspekt shoqëror, është plaga më e rëndë e kësaj dukurie surrogato. Mbyllen në shtëpi për vite të tëra, gra e burra, pleq e fëmijë, se gjaksi ia lehtëson detyrën vetes: mund të vrasë këdo nga fisi i hasmit, paçka se kanuni, në emër të të cilit vepron, s’e lejon të vërë dorë mbi gratë dhe fëmijët. Vështirësohet jeta e bashkësisë, për t’i krijuar liri pa cak keqbërësit. Instrumentat shoqërorë, siç ka qenë dikur edhe gjakmarrja, kanë funksion të kundërt: lehtësojnë jetën, lehtësojnë bashkësinë dhe kufizojnë e ndëshkojnë keqbërësin.

Ndryshime që kanë ndodhur në jetën e malësive si: liria e lëvizjes, mundësia e çdokujt që të krijojë jetën, të bëjë shtëpi e prokopi ku të mundë, madje edhe jashtë vendit; zhdukja e institucioneve gjykuese e shtrënguese si pleqësia, kapidani, bajraktari etj e kanë zhveshur nocionin gjakmarrje nga çdo funksion shoqëror dhe e kanë katandisur një fjalë boshe, një zhguall tingëllor ku strehohet instinkti i vjetër e primitiv i hakmarrjes.

Kjo është krejt e natyrshme, mund të thuash, dukuritë evoluojnë, nuk mund të jenë denbabaden e njëjta gjë. Por këtu nuk kemi kurrfarë evoluimi. Kur përdor fjalën evoluim, ke parasysh diçka që ndryshon duke shënuar progres. Evoluimi i vertebrorëve p.sh., shënon ngjitje nga njëra klasë te tjetra, nga amfibët, te rrëshqanorët, te peshqit, zogjtë e pastaj gjitarët. Në rastin e asaj që sot, për forcë zakoni e quajmë gjakmarrje, kemi vërtet ndryshim, por jo evoluim, në të kundërt kemi degradim.

Aman se na lodhe me këto filozofime, mund të thoshte komshiu im, e keqja s’është te fjala, po tek ajo që po ndodh rreth nesh. Natyrisht e keqja është shumëdimensionale, ajo që vazhdojmë ta quajmë gjakmarrje ekziston në realitet, hap plagë, derdh gjak e shkatërron jetë njerëzish. Parandalimi i saj kërkon kundërveprime konkrete e reale, kërkon politika të menduara e projekte të fuqishme. Reformimi i ligjërimit publik për gjakmarrjen është vetëm një prej këtyre politikave, natyrisht jo më e rëndësishmja, por gjithsesi me ndikim.

E ç’e keqe vjen nga fjala, do të nënqeshte komshiu im, e ka thënë edhe Shekspiri: trëndafilit mund t’i vësh çfarë emri të duash, po aromën s’ia ndryshon dot. Në fakt gjuha nuk është një veshje e thjeshtë e asaj që ekziston në realitet. Strukturat e saj, përcaktojnë ndjeshëm strukturat e përfytyrimit tonë për realitetin. Rrjedhimisht, përcaktojnë sjelljen tonë, veprimet që ndërmarrim për ta përballuar realitetin. Nëse quan gjakmarrje një krim ordiner, një vrasje primitive prej burracaku, ndikon sadokudo kundërveprimet ndaj saj. Çdo krahasim çalon, por kjo ka pasoja të ngjashme me ato që ndodhin kur mjeku ngatërron diagnozën. Vetëkuptohet se ç’ndodh me pacientin që mjeku e kuron për grip, ndërkohë që ai ka tifo.

Problemi i gjakmarrjes në ligjërimin tonë publik, nuk është një problem  thjesht gjuhësor. Keqkuptimi nis me gjuhën, por bitis me robin, me kategori të tëra njerëzish të cilët, jo thjesht për inerci janë të prirur që vrasje primitive e ordinere t’i sublimojnë duke u vënë etiketën gjakmarrje. Ai që vret, kapso gjaksi qetëson veten dhe justifikohet para familjes e fisit. Polici, gjykatësi etj. justifikojnë inkompetencën profesionale duke thënë se s’është një vrasje ordinere, por një zakon i stërlashtë, tejet i ndërlikuar etj. etj.. Gazetari perëndimor e përdor gjakmarrjen si burim ekzotizmi e aromë orienti për të grishur lexuesin duke i servirur çudinë: këtu, në oborrin e pasëm të Europës gjendet një popull primitiv. Qindra emigrantë e përdorin si mjet për të fituar azil: zakon i egër, rrezikoj jetën po qe se më riatdhesoni. Disa shoqata  dhe ca OJQ-istë e përdorin si burim fitimesh, qoftë nga donatorë të huaj, qoftë nga hallexhinj që u duhet një vërtetim për t’u lehtësuar udhët e kurbetit.

Komshiu im prapë do të buzëqeshë me ironi e do thotë: Ç’na hyjnë në punë stërhollimet intelektuale të tipit s’është gjakmarrje por sendërgji, s’është  realitet, por formë boshe që endet në ligjërim si fantazmë. Po vrasjen e  Maries, si ta quajmë? Sendërgji?…

Ndjesë për përsëritjen, dalim shumë më të fituar po qe se rastin e Maries dhe dhjetëra raste të tjera nuk i shohim si gjakmarrje, po u vëmë emrin e vërtetë dhe fare të thjeshtë: vrasje ose krim i vrasjes.  Në rrafsh juridik fjala krim gërsheton dy kuptime bazë dhunim ligji dhe ndëshkim. Ekziston një parim juridik universal i shprehur në formulën nullum crimen sine lege, që shqip thuhet s’ka krim pa ligj. Për rastin që po diskutojmë mund të thoshim, që të përcaktosh dhe dënosh krimin duhet t’i referohesh një ligji; ose kodit penal ose kanunit. Po iu referove të dyve, rezultati formalisht strukturohet në gjedhin ose…ose…, d.m.th. ose me ligj ose me kanun. Realisht rezultati mund të zbresë në  as …as…, d.m.th. as me ligj as me kanun.

Në rrafsh juridik, të paktën formalisht ky problem është i zgjidhur. Kodi Penal e klasifikon gjakmarrjen krahas krimeve të tjera dhe shënon në mënyrë eksplicite se vrasja e kryer për interes, hakmarrje apo gjakmarrje, dënohet me burgim jo më pak se 25 vjet ose me burgim të përjetshëm. Tjetër punë se në realitet, kur hyn në labirinthet e praktikave gjyqësore, rastis që krimi i vrasjes merr dënime qesharake, siç e thonë titujt e disa lajmeve botuar vetëm muajt e fundit: Skandali i radhës në drejtësi, dënohet vetëm me 1.5 vite burg për vrasjen e një 24-vjeçari që i gërvishti pa dashje makinën; Vrau mikun për pëllumbat, dënohet vetëm me 10 vjet izolim; Shtatë thika në syrin e gruas, dënohet vetëm me dy vjet burg. Në raste të tilla, vetëgjyqësia s’i ka rrënjët te zakoni primitiv, por te institucionet tona moderne.

Gustave Le Bon duke u marrë me funksionet e fjalëve që megjithëse ndryshojnë kuptim, ruajnë të njëjtën përbërje tingëllore, flet edhe për një grup syresh, të cilat bashkë me kuptimin e mëparshëm humbasin fuqinë shprehëse dhe s’arrijnë më të ngjallin ndonjë reaksion në mendjet e njerëzve, shndërrohen në tinguj bosh, funksioni themelor i të cilëve bëhet të çlirojë përdoruesin nga obligimi i të menduarit. Me gjasë i tillë është funksioni që po merr fjala gjakmarrje në ligjërimin e sotëm publik, të na adresojë nga zakoni, nga e shkuara dhe të na çlirojë nga detyrimi për të analizuar e vepruar.

Nëse do të flasim për krimin e vrasjes duke lënë mënjanë retorikën me gjakmarrje, zakon e kanun, do ta kemi më lehtë të hyjmë në rrënjët e dukurisë dhe të nxjerrim në pah jo detajet dhe ngarkesat emocionale, por shkaqet e vërteta. Kështu bëhet më e lehtë që ligjërimin ta fokusojmë në çështje thelbësore si prapambetja dhe varfëria e zonave malore; mungesa e projekteve të zhvillimit; roli i munguar e thuajse inekzistent i shtetit; kohezioni social tej mase i dobësuar; ndikimi fare i zbehtë dhe, hera-herës, karikaturial i shkollës, OJQ-ve dhe institucioneve fetare etj. etj. Mungesa të tilla konvergojnë në një pikë: ulin cilësinë e jetës, e bëjnë atë mall skarco që mund të shkatërrohet e ndërpritet pa shumë mëdyshje. Gjithsesi, mos pyet se për kë bie këmbana…

MAPO

Comments

Submitted by Anonim (not verified) on

Shkrimi eshte shum i sakt dhe i goditur...kjo nuk eshte gjakmarrje por nje vrasje kriminale qe nuk ka te beje me "kanunin" sepse ai ka qene per nje kohe qe nuk kishte shtet. Nese arrestohet vrasesi dhe denohet per kete veper penale te rende me nje numer vitesh x dhe gjate kohes qe ky eshte ne burg, del nje person dhe vret vllain e te burgosurit...Pas nje dite qe vdes vllai vdes ne burge autori kesaj familje i shkuan dy veta per kete akt, i bie se keta jane ne nje gjak te ri...dhe idiotesi pa fund... Ne Shqiperi nuk ka gjakmarrje por kriminel qe vrasin te cilet duhet te denohen shum rende... kanuni ishte nje vlere per kohen e tije perpara se te kishim shtet dhe duhet ruajtur si nje relike qe ka qene nje here e nje kohe...

Submitted by katarakti (not verified) on

Ky qe me ngjan me Mister Binin, e ka krejtesisht gabim. Vrasja e Marijes, si dhe plot vrasje te tjera, ngujimet nga frika e gjaksit etj e kane bazen morale te Kanuni. Kanuni sot eshte rikthyer me force, njelloj si prostitucioni, droga etj. Por nga nje ish gazetar  fanatik i "Zerit te Popullit" nuk mund te presesh me shume.

Submitted by Reformer (not verified) on

Ka te drejte katarakti: politika shpjegon gjithcka! Na e ka mesuar partia: politika ne plan te pare. E c'pret nga nje gazetar i Zerit te Popullit! Po nga nje ish sekretar partie si Sali Berisha c'mund te presesh?

Ne qofte se niveli gjenial i analisteve demokrate katandiset ne kete nivel, me te vertete eshte per te ardhur keq. Pastaj c'lidhje ka gjakmarrja me prostitucionin? Disa njerzve u eshte mbushur mendja se dine aq shume, se jane aq te zgjuar, sa edhe kur ja fusin kot pa e vrare mendjen, prape kane te drejte...sepse ata sidoqofte nuk kane qene asnjehere gazetare tek zeri i Populit.

Submitted by Relapso (not verified) on

Çapajevi ka plotesisht te drejte. Kemi te bejme me vrasje ordinere dhe jo me gjakmarrje kanunore. Kanuni tani perdoret vetem si strehe e batakçinjve dhe krimineleve me te ndyre per te bere si u do qejfi. Keta vrases duhet t'i trajtojme si kriminele dhe jo si burra zakoni qe "detyrohen" nga kanuni te vrasin gra, pleq dhe foshnja.

Submitted by Reformer (not verified) on

Ore, gjakmarrja ekziston! Me kanun apo pa kanun, i degjenuar dhe jo ne formen e tij te shkelqyer partiarkale, kur kishte funksione te domosdoshme shoqerore , kjo eshte tjeter gje. Te mbyllesh syte para realitetit do te thote ti braktisesh ata te mjere qe jane viktima te ketij fenomeni ne meshire te fatit!

Ekzistenca e fenomenit faktohet nga ata fatkeqe te jane te ngujuar. Sidoqe te jete de-evoluar fenomeni, logjika baze, logjika e fajesise se "fisit", mbetet tmerrsisht e gjalle dhe barbare. Nese fisi im ka nje te marre, qe ben nje dite nje marrezi, per te duhet te paguaje i gjithe fisi, perfshire edhe une qe mund te jem qenia me paqesore dhe me e patrazuar ne bote.

Submitted by Paul Tedeschini (not verified) on

Pergezoj autorin per kete shkrim/analize te sakt dhe me baza shkencore/juridike.

Kanuni/kanunet shqiptare e ndalojne shprehimisht vrasjen e femijve dhe te grave. Sot keto vrasje jane KRIMINALE e jo gjakmarrese.

Ne fakt stili i gjakmarrjes asht zbetue ne nji forme tjeter nga sheti komunist deri ne vitin 1989.

Mire tha Reformer: "Nese fisi im ka nje te marre, qe ben nje dite nje marrezi, per te duhet te paguaje i gjithe fisi, perfshire edhe une qe mund te jem qenia me paqesore dhe me e patrazuar ne bote.

Ne kohen e komunizmit psh un shkojshe ne pune ndersa vllai i im apo kushrini im tentonte te arratisej, apo fliste ndonji fjale kundra komunizmit. Un nuk dijshe asgja per kete veprim. I gjithe rrethi "u ngujonte", dmth te gjithe ishim PREKUR POLITIKISHT, pra pergjegjesia ishte kolektive si ne ratsin e gjak marrjes., Ky mentalitet nuk mund te ndrroje mbrenda dites aqe ma teper qe sot sistemi juridik asht i KORRUPTUEM dhe jofunksionues. Keto jane pasojat. Kur nuk sigurohet denimi nga drejtesia, atehere drejtesine ala injorançe e bejne vete injorantat/kriminelet. Plaga asht e krejte shoqerise sone shqiptare te mbrapambetun dhe te shkeputun 500 e sa vite nga sistemet juridike te qytetnimit europian.

Submitted by Aldo (not verified) on

Kanuni e njeh ligjin e shtetin dhe qe te marresh gjakun duhet te kalosh nga bajraktari (sot kryeplaku). Pra asnje vrasje per hakmarrje nuk mund te quhet gjakmarrje e te fshihet ne kanun!

Z. Capajev ka shum te drejte kur thote qe duhet te kemi kujdes me fjalen sepse nese ne medja ne themi se ai vrau per gjak, ne syte e shoqerise tribale qe "lexojne" gazeten (se tv nuk shkon), krimineli shfajsohet. Per ta eshte e pa rendesishme nese ligji e ndjek!
Nese shoqeria do te shprehet me emrin e vertete "Vrasje per motive te dobta" kjo do ta ulte vrasesin ne syte e shoqerise tribale ku nje term i tille do te qe ofendim!

Eshte e qarte qe njerzit kane ndjenja hakmarrese nese shteti nuk funksionon por ajo qe me shqeteson jane rastet kur doraci (vrasesi) eshte ne burg per 25 vjet dhe keta jashte duan gjak!

Submitted by Altin (not verified) on

ia ka futur komplet kot. gjakmarja eshte me gjalle se asnje here o lum miku.

po tregon peralla se tashti gjerat kane ndryshuar e njerezit e ndertojne jeten ku te duan ... blah blah blah. ne nje shtet inegzistent, per me teper hajdut e gjithe kohes dhe armik e te koruptuar ndaj individit, njerezit jane kthyer disa shekuj mbrapa, tamam aty ku kanuni e instikti shtazor benin ligjin.

pijani lengun atij vendi e mbushini vetes mendjen se ehste keshtu apo ashtu teorikisht. mos haroni te numeroni te vdekurit ne fund te dites se iu ben mire para darke.

tamam qe shqiptaret me perjashtime te vogla duhet te i mbash larg... shume larg.

Add new comment

Plain text

• No HTML tags allowed.
• Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
• Lines and paragraphs break automatically.