Kur "populli" nuk shtiret dhe nuk duartroket...

Postuar në 05 Qershor, 2017 11:32

Britania doli nga BE-ja, Shqipëria kërkon me ngulm të hyjë. Por a të bën kjo më pak apo më shumë europian në kuptimin e një kulture politike? Mundet, pasi BE-ja në një farë mënyre është kërbaç që i duhet një vendi pa tradita politike si Shqipëria, ndërkohë që Britania është një nga vendet ku forma moderne e demokracisë ka njohur embrionet e para. Nuk ka vend krahasimi, por meqenëse modeli është i gjithëpranuar atëherë nuk mund të flasim për pretendime. Fushata elektorale në Shqipëri është ndoshta për herë të parë një farsë: nuk kuptohet se kush është kundërshtari i kujt, çka i bën monologët e takimeve elektorale thjesht statistikë llafesh.

E mira është se partitë kanë hequr dorë nga mitingjet e mëdha, një sforco e kotë në një vend ku halli i mbijetesës hap dhe mbyll ditën. Simptoma e kësaj farse është mungesa e debatit. Takimet regjistrohen, kasetat përgatiten, populli ka pyetje të përgatitura dhe lideri jep përgjigje bashkë me shpjegimet. Populli pastaj, në formën e një apo dy individëve që qeshin pa të keq, tund kokën i bindur, duke i dhënë të drejtë të gjithëve. Ja pra si hyhet në Europë, me bindjen se ai që vjen nga Lart diçka di. Me siguri e ka rregulluar me Europën dhe hallet do zgjidhen.

Ky është variant ideal që gudulis si skenar optimist kokën e “bazës”, e cila është e tillë si konsumator.

Kalojmë në Britani ku nuk është se po ndodh ndonjë mrekulli. Thjesht po shtihen në punë mekanizmat e një modeli që edhe ne teorikisht e kemi pranuar. Në një debat të zhvilluar mes kryeminstres konservatore, Theresa May, një personazh nga ata që thonë “po” dhe “e bëj unë” thuajse për çdo gjë dhe socialistit Jeremy Corbyn, i denjë për një film pa kuptim, audienca e thirrrur në studion e BBC-së, shtroi pyetje të shumta. Veçojmë dy.

Njëra për May:

Pse duhet publiku të besojë ndonjë gjë nga ato që thoni ju apo politikat tuaja kur ju keni një historik të dokumentuar të mosmbatjes së premtimeve dhe kthimit pas

Pyetja për Corbyn:

A është Manifesti i Laburistëve një listë dëshirash realiste apo është thjesht një letër për Babagjyshin e Vitit të Ri?

Mundet fare mirë të pyetet: A ka ndonjë gjë të jashtëzakonshme në këto pyetje? Jo, asgjë. Pyetje të tilla, madje me tekst identik, mund t’i drejtohen çdo politikani në Shqipëri, që nga ata që nuk mbajnë kravatë, tek ata që i bien daulles në vapë e deri tek ata me tuta sporti. Janë pyetje që prekin thelbin e raportit global me politikën: mashtrimin që krijohet mes premtimeve dhe realizimeve. Mashtrime që kanë edhe ato natyrisht marzhin e tyre objektiv.

Mirëpo pse nuk konsumohen pyetje të tilla në Shqipëri, në fushatë elektorale? Një shpjegim është se këtu nuk bëhet debat. Një tjetër është se debatet e organizuara në televizione janë të paravendosura në format dhe tekst, edhe njerëzit madje zgjidhen. Një tjetër, çka është edhe më e rënda, është se vetë njerëzit preferojnë të shmangin pyetje që tradhëtojnë pakënaqësinë e tyre, e cila lexohet si “rreshtim me krahun tjetër”. Arsyet janë se pushteti mban fijet e jetës së tyre, të mirëqenies dhe të normalitetit kaq të brishtë. Për këtë arsye ndoshta edhe populli politik, ai që shfaqet mitingjeve dhe takimeve ka vendosur të shtiret duke na ofruar mandej një cirk të papritur kur një bujk pyet për politikën e Jashtme, një tregëtar shan PD-në, apo LSI-në, një “intelektual” brohoret, një veteran ka zënë sevda me kryebashkiakun, mijëra dixhitalë i qahen Berishës dhe më tej: pjesa më e madhe që thonë “varja, kështu është”.

Sigurisht që këtyre politikanëve që po bëjnë gallatë në këtë vend u leverdis turmëzimi, jo qytetarizimi, u shkon për shtat konsumimi pasiv i fjalimeve të tyre krejt formal, sesa pjesëmarrja aktive që të krijon dhimbje koke. Ia kanë marrë dorën magjisë së integrimit dhe BE-së, SHBA-së dhe Sorosit, sa për të lënë tuhaf një pjesë jo të vogël. Tuhafllëk utilitar në shumë raste, ndërkohë që ato pyetjet për politikanët britanikë, na bëjnë të kuptojmë se politikanët qenkan kudo njësoj, është shoqëria ajo që ndryshon. Në një vend ku edhe “populli” shtiret vështirë se mundet të kërkosh përgjegjësi te politika për atë që ndodh, pa rezultuar një donkishot apo një dikush që se vërshëllen njeri hiçgjëkundi.

Ndaj leksioni është elementar: mjaftojnë disa pyetje publike, të sinqerta për t’u ulur brekët në fund të këmbëve këtyre akrobatëve të retorikës boshe që kanë shtuar milionat me budallallëkun e përbashkët. Kuptohet më pas është angazhimi, kërkesa e llogarisë, por të paktën të bëhet një minimum, të agresohet ky teatër politik që nuk kapërdihet më.

Comments

Submitted by GJINOJA (not verified) on

Një shkrim shumë i mirë. Nuk kuptoj se përse nuk keni vendosur emrin e autorit.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.