Dhjetor, 1990-2015
Sapo na u qetësuan veshët nga zhurma e mitomanëve të nëntorit, kur ja behu zhurma e mitomanëve të dhjetorit.
Qindra njerëz flasin e shkruajnë për ngjarjen që, në mbyllje të vitit 1990, ndau dy epokat: atë të monizmit dhe atë të pluralizmit, gati secili duke shtrembëruar çdo gjë, pa asnjë respekt për të vërtetën, pa asnjë respekt për historinë.
Disa vite më parë, në Amerikë, u futa në librarinë e madhe të Nju Jorkut "Barns and Noble", e cila ndodhej aty ku kryqëzohen Broadway me rrugën 66. Mjerisht, sot kjo librari nuk ekziston më. Edhe amerikanët, ashtu si ne, lexojnë më pak. Ndërtesa është kthyer në supermarket për veshje. Kur kalova pranë sektorit historik, më tërhoqi vëmendje një libër i trashë me titull “Chronology of 20-th-Century Eastern European History, Editor Gregory Ference,” pra “Kronologji e historisë së shekullit të njëzetë të Evropës Lindore”, i botuar në vitin 1994. Fliste për historinë e vendeve të Evropës Lindore, kryesisht për periudhën para dhe gjatë përmbysjes së sistemeve komuniste në to. U ula edhe unë përtokë, ashtu siç bëjnë amerikanët në librari, dhe fillova ta shfletoja. Një kapitull i kushtohej Shqipërisë. I hodha një vështrim të shpejtë. M’u duk interesant. Aty për aty mora shënim ato që shkruheshin në të, të cilat po i rendis më poshtë, ashtu siç ishin në libër:
Prill 11 1985 - Vdes Enver Hoxha, vjeç 77
Prill 13 1985 - Ramiz Alia emërohet Sekretar i Parë i KQPSH
Prill 15 1985 - Ramiz Alia betohet të vazhdojë politikën e Enver Hoxhës. Në varrimin e Enver Hoxhës nuk pranohen delegacione të huaja. Ngushëllimet sovjetike kthehen mbrapsht
Gusht 1985 - Në një mbledhje në Korçë, Ramiz Alia kërkon më shumë tolerance për artistët. Fjala e tij hapi debate për liri shprehjeje
Shqipëria dhe Anglia bisedojnë për të rilidhur marrëdhëniet diplomatike
Shtator 1985 - Adil Çarçani pret Zëvendës Ministrin e Jashtëm Francez i cili shoqërohet nga biznesmenë e tregtarë evropianë
Qershor 1986 – Ministri i Tregtisë së Jashtme të Gjermanisë Lindore pritet në Tiranë. Është i pari ministër i Lindjes që nga viti 1961 që shkon në Tiranë
Tetor 1986 – Vendosen marrëdhënie diplomatike me Spanjën
Nëntor 1986 – Në Kongresin e Nëntë të PPSH, flitet për zbutje të izolimit
Prill 1987 – Plenumi i Tretë i KQ. Pas tufëzimit të kryer nga Enver Hoxha, Alia pranon “arëzat,” domethënë parcela të vogla që fshatari të mund t’i përdorë për nevojat e tij, për të përmirësuar gjendjen ekonomike në fshat. Ai ndaloi kthimin e kooperativave bujqësore në ferma shtetërore dhe inkurajoi autonominë ekonomike të brigadave bujqësore
Korrik 1987 – Flitet për stimuj ekonomikë për të përmirësuar prodhimin, sidomos në minerale dhe naftë
Tetor 1987 – Shqipëria dhe Republika Federale Gjermane lidhin marrëdhënie diplomatike
Nëntor 1987 – Kryeministri i Bavarisë, Shtraus, së bashku me ekspertë ekonomikë dhe industrialistë, viziton Tiranën dhe jep një grant prej 6 milionë markash për të blerë mallra në Republikën Federale Gjermane
Ministri i Jashtëm Grek viziton Tiranën
Shkurt 1988 – Shqipëria merr pjesë në Konferencën e Ministrave të Jashtëm të Ballkanit në Beograd duke u shkëputur nga politika e Enver Hoxhës që ishte kundër marrëdhënieve shumëpalëshe
Mars 1988 – Për herë të parë nuk kujtohet vdekja e Stalinit
Prill 1988 – Lidhen marrëdhënie diplomatike me Kanadanë
Qershor 1988 – Marrëveshje me Republikën Federale Gjermane për bashkëpunim ekonomik, industrial e teknik
Shtator 1988 – Marrëveshje me Republikën Federale Gjermane për shkëmbime të specialistëve në fusha të ndryshme të shkencës dhe kulturës
Tetor 1988 – Për të luftuar korrupsionin, zyrtarët e lartë me mbi 5 vjet në një vend pune, do të lëvizin
Janar 1989 – Mbledhje në Tiranë e zëvendës Ministrave të Jashtëm të Ballkanit
Mars 1989 – Republika Federale Gjermane i jep Shqipërisë 20 milionë marka gjermane si grant për të investuar në naftë, në çelik dhe në blegtori
Nëntor 1989 - Amnisti për një numër të burgosurish politikë
Dhjetor 1989 – Demonstratë antikomuniste në Shkodër
Janar 1990 - protesta të tjera në Shkodër
Janar 22-23, 1990 – Sesion Plenar i KQPPSH. Vendoset për një program reformash ekonomike e politike të kufizuara. Reformat parashikojnë decentralizimin brenda partisë, më shumë pavarësi për organizatat lokale, zgjedhjet me shumë kandidatë; decentralizim në drejtimin e ndërmarrjeve shtetërore; futja e nxitjeve financiare; lejimi i kooperativave bujqësore për të prodhuar për treg me çmime që caktoheshin prej tyre; e drejta për të apeluar vendimet e gjyqit apo dekretet e shtetit
Prill 1990 – 2000 punëtorë të Fabrikës së Tekstileve në Berat zhvillojnë një grevë.
Maj 1990 – Kuvendi popullor aprovon reforma në sistemin e drejtësisë para ardhjes në Tiranë të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB, Perez De Kuelar. Rivendoset Ministria e Drejtësisë
Numri i krimeve të dënuara me vdekje ulet nga 34 në 11
Lejohet ndjekja e fesë
Shqiptarët kanë të drejtë të nxjerrin pasaporta për jashtë shtetit
Dënimi për tentative arratisje ulet. Arratisja nuk do të quhet më tradhti ndaj atdheut, por kalim i paligjshëm i kufirit..
Hiqet pengesa kushtetuese për kredi dhe hua nga jashtë
Qershor 1990 – Shqipëria vendos të nënshkruaj Aktin Final të Helsinkit dhe të marrë pjesë në Konferencën e Sigurimit dhe Bashkëpunimit Evropian ku bëjnë pjesë 35 shtete
Një seri demonstratash në Tiranë për demokraci. Sulmi i 5000 vetave për të hyrë në ambasada të huaja
Korrik 1990 – Lejohen ata që u futën në ambasada të largohen për në vendet perëndimore përkatëse.
Hiqen nga Byroja Politike persona të vijës së ashpër
Lidhen marrëdhënie diplomatike me Bashkimin Sovjetik
Kuvendi Popullor heq kufizimet për investime të huaja dhe ndërmarrje të përbashkëta. Lejohen shqiptarët për demonstrime të lehta publike
Shtator 1990 – Ramiz Alia shkon në Nju Jork, në OKB. Thotë se mirëpret marrëdhënie të ngushta me fqinjët evropiane
Nëntor 1990 – Ramiz Alia kërkon në KQ që të ripërcaktohet roli udhëheqës i Partisë së Punës dhe propozon një sistem shumë partiak
Një komision special caktohet për të bërë ndryshime në kushtetutë
Mesha e parë në Shkodër
Dhjetor 1990 – Protesta ku kërkohet që në zgjedhjet e reja të marrin pjesë më shumë se një parti. Zgjedhjet qenë parashikuar për 10 shkurt të vitit 1991
Këtu po e ndërpres kronologjinë e ngjarjeve të dhëna në atë libër, për ta vazhduar më pas, dhe po fus një përvojë personale të kësaj kohe:
Kisha dëgjuar se ato ditë në Qytetin Studenti kishte pasur protesta dhe trazira. Ishte ditë pushimi, 9 dhjetor, 1990. Rastësisht pashë në rrugën e Barrikadave kamionë me sambistë (forcat speciale të asaj kohë) që drejtoheshin për nga rruga e Elbasanit. Kuptova se po shkonin te studentët. Isha me biçikletë, i ndoqa nga pas. Pak pas urës së Lanës, rruga qe bllokuar nga policia. U futa majtas nga disa rrugica dhe përfundova në një shesh të zbrazët në kufi me rrugën e Elbasanit, në krah të djathtë të Ambasadës Italiane të asaj kohe, aty ku sot është Ambasada Amerikane. Prej aty pashë, së bashku me shumë të tjerë, një grup të madh studentësh të grumbulluar në rrugë, ku të parët e tyre ishin ndaluar nga kordonë policësh. Me sa duket studentët kërkonin të shkonin drejt qendrës së qytetit e policia i ndalonte. Herë pas here dëgjoheshin britma, thirrje dhe këngë. Aty ku ishim ne, vinin lajme se studentëve u shkonin lloj-lloje funksionarësh të lartë të partisë për të biseduar, por ata kërkonin të bisedonin vetëm me Ramiz Alinë, me asnjë tjetër.
Duke ndjekur nga jo shumë larg grumbullimin, vura re se një student, u mbart në krahë nga shokët e tij dhe u çua drejt godinave të konvikteve. Diçka i kishte ndodhur. Dikur, nga ora 12, policia mori urdhër të shpërndante grumbullimin. Sudentët u tërhoqën, të ndjekur nga policia dhe sambistët dhe, së bashku me ta edhe ne, "sehirxhinjtë", duke thirrur të gjithë "Poshtë diktatura" dhe duke qëlluar me gurë policinë. Më në fund çdo gjë u qetësua: studentët u futën në godinat e konvikteve e disa edhe në shtëpi private, ndërsa policët dhe sambistët u tërhoqën. Nuk pati të plagosur. Ne, jo studentët, që ndoqëm përleshjen, filluam të ktheheshin në shtëpitë tona, besoj të gjithë të ndryshuar. Pamë për herë të parë një demonstrim dhe një konfrontim e përleshje disi të dhunshme kundër regjimit komunist, për të cilin, më parë, edhe një fjalë duhej ta peshoje mirë, në qoftë se nuk doje të përfundoje në burgje për agjitacion dhe propagandë.
Kur çdo gjë ishte mbaruar dhe qetësuar e të gjithë po shkonin për në shtëpi, pashë se nga qytetit Studenti po drejtoheshin qetë-qetë Sali Berisha me dy miq, që, në qoftë se nuk gaboj, ishin Lisen Bashkurti dhe Kujtim Çashku. Ata ndaluan me një të njohur i cili u tregoi se ç'kishte ndodhur. Më pas, vazhduan rrugën për te godinat e qytetit Studenti. Që nga ajo ditë unë i ndoqa studentët përditë deri më 20 shkurt, kur rrëzuan shtatoren e Enver Hoxhës së bashku me ne, qytetarët e Tiranës.
Sali Berisha në fjalimin që mbajti me rastin e lejimit të formimit të Partisë Demokratike nja tri ditë më pas, tha, ndër të tjera, se mirënjohja e parë duhej të shkonte te Presidenti, te shoku Ramiz Alia. Shumë e kritikuan dhe e kritikojnë atë për këtë thënie e ai mundohet me të gjitha mënyrat të justifikohet. Mua më duket se ai nuk duhet kritikuar, madje lëvduar, pasi është e para dhe e fundit herë që thotë një të vërtetë. Ramiz Alia ato ditë ishte, pa dyshim, udhëheqësi komunist më i pranuar për studentët.
Vazhdojmë me kronologjinë:
Dhjetor 11 - Alia heq 5 persona të vijës së ashpër nga Byroja Politike dhe premton për krijimin e partive të tjera politike
Dhjetor 12 - Krijohet PD-ja
Dhjetor 19 - Njihet PD-ja
Dhjetor 20 - Nexhmie Hoxha jep dorëheqjen si Kryetare e Frontit Demokratik
Dhjetor 21 – Në ditëlindjen e Stalinit, qeveria urdhëron heqjen e të gjitha simboleve dhe statujave të Stalinit
Dhjetor 30 – 1000 hebrenj shqiptarë lejohen të emigrojnë
Janar 1991 – Alia sipas kërkesës së PD-së, shtyn zgjedhjet për 31 mars
Janar 18 – Hapet xhamia e Ethem Beut në Tiranë
Shkurt 1991 – Protesta në Universitetin e Tiranës
Shkurt 20, 1991 – Rrëzohet shtatorja e Enver Hoxhës në Tiranë. Hiqet emir i tij nga universiteti. Hiqet Adil Çarçani si kryeministër, zëvendësohet nga Fatos Nano
Shkurt 21, 1991 - Bastiset libraria Flora dhe digjen librat e saj
Mars 1991 – 24 000 shqiptarë kërkojnë strehim politik në Itali
Mars 15, 1991 – Lidhen marrëdhënie diplomatike me SHBA
Mars 17, 1991 – Lirohen 433 të burgosur politikë
Mars 31, 1991 – Kryhen zgjedhjet shumëpartiake. Morën pjesë 95% e popullsisë
Prill 2, 1991 – Rezultatet e votimeve: PPSH – 66%, 169 vende në parlamentin shqiptar prej 250 vendesh. PD – 75 vende; Omonia 5 vende; Fronti Komunist dhe Veteranët 1 vend
Prill 29, 1991 – Vendi këtej e tutje do të quhet Republika e Shqipërisë
Prill 30, 1991 – Alia zgjidhet President
Maj 4, 1991 – Alia lë postin në PPSH
Maj 9, 1991 – Kryeministri Nano shpall kabinetin me 25 veta. Të gjithë anëtarë të PPSH
Maj 15, 1991 – Grevë e drejtuar nga Sindikata e Pavarur. Kërkohet 50% ngritje page, rrëzimi i qeverisë etj.
Maj 22, 1991 – Alia emëron Ylli Bufin si kryeministër kujdestar me gjysmën e ministrave nga opozita. Ministrat e PD, PR, PSD dhe PA, përbënin ministrat e opozitës
Korrik 10, 1991 – Kongresi i 10 i PPSH. Partia përjashton 9 anëtarë të Byrosë Politike dhe ndërron emrin në Partia Socialiste Shqiptare. Fatos Nano zgjidhet drejtues partie
Korrik 13, 1991 – Ministri i jashtëm Italian viziton Tiranën dhe jep 50 milionë dollarë ndihmë ekonomike
Korrik 19, 1991 – Shqipëria pranohet anëtare e Konferencës së Sigurimit dhe Kooperimit Evropian
Korrik 22, 1991 – Ministri i jashtëm amerikan, Xheims Beiker, viziton Tiranën. Premton 6 milionë dollarë ndihmë
Korrik 23, 1991 – Komuniteti Europian çon 50 000 ton grurë në Shqipëri
Gusht 18, 1991 – Më shumë se 18 000 shqiptarë largohen për në Itali
Gusht 19, 1991 – Italia fillon transportin ajror të 70 milionë dollarë ushqime
Gusht 19, 1991 – Lidhen marrëdhënie diplomatike me Izraelin
Shtator 7, 1991 – Lidhen marrëdhënie diplomatike me Vatikanin
Dhjetor 4, 1991 - Bije qeveria Bufi nga protestat dhe largimi i ministrave të opozitës
Dhjetor 6, 1991 – Arrestohet Nexhmie Hoxha për të ndihmuar që të mos bjerë qeveria. Vilson Ahmeti zëvendëson Ylli Bufin si kryeministër
Mars 22, 1992 – Zgjedhje të parakohshme. PD fiton 62%, PS 25% dhe 13% partitë e tjera
Prill 3, 1992 – Ramiz Alia jep dorëheqjen si president
Prill 4, 1992 – Sali Berisha zgjidhet president me 96 vota pro dhe 35 kundra
Përveç këtyre që thuhen në atë libër, mund të shtojmë:
Në vitin 1990 u hoq ligji i agjitacion propagandës, ligji i mbylljes së gojës, ligji i frikës, ligji që kontribuoi aq shumë në mbajtjen në këmbë për aq gjatë të regjimin komunist. Heqja e këtij ligji kontribuoi më shumë se çdo veprim tjetër në rrëzimin e sistemit.
U lejuan persona të caktuar të komunikonin me agjenci të huaja lajmesh e të shkruanin në gazetat komuniste të kohës mbi nevojën e ndryshimeve.
Ramiz Alia mblodhi 100 intelektualë "të shquar" që të diskutonin mbi pluralizmin politik. Vetë shtrimi për diskutim i një tabuje ishte një mesazh i qartë për ata që donin ta kuptonin. Për turpin e tyre, asnjë nuk e pranoi atë pluralizëm, ndonëse sot të japin nga mëngjesi në darkë leksione për demokracinë.
U dha urdhër që anëtarët e Byrosë Politike të shkonin në bazë e të dëgjonin popullin që ankohej dhe që kërkonte ndryshime si dhe që mbledhjet e partisë të bëheshin të hapëta.
Për herë të parë u pranua Nënë Tereza të hynte në Shqipëri, deri në këtë kohë quhej armike e Shqipërisë, agjente e imperializmit.
U hartua një ligj për mbrojtjen e monumenteve. Ata që do të prishnin monumentet, do të dënoheshin nga 1-5 vjet burg. Me shpalljen e këtij ligji, shqiptarëve iu fut në kokë rrëzimi i monumente.
Më 11 nëntor 1990, në një mbledhje me studentët, kur ata kërkuan që të krijonin organizatën e tyre të pavarur, Alia, duke shkuar një hap më tej, u tha të krijonin parti politike, sepse po atë ditë, ishte pranuar pluralizmi politik dhe partitë politike mund të krijoheshin.
Ndryshimet që nisën që pas vdekjes së Enver Hoxhës, fillimisht me shumë ndrojtje dhe ngadalë e më pas me më shumë guxim dhe me më shpejtësi, të ndihmuara së tepërmi edhe nga zhvillimet ndërkombëtare të shembjes së komunizmit në Bashkimin Sovjetik dhe në vendet e Evropës Lindore, si dhe revolta e përpjekjet për ndryshime në Kinë, dashje pa dashje, mundësuan krijimin e një njeriu më të lirë, më të guximshëm, më të ndërgjegjshëm, me mendje më të hapur. Frika gradualisht po vritej dhe komunizmi po rrezikohej vërtet, sepse ai nuk mund të jetonte kurrë midis një popullsie me frikë të vrarë. Vetë protesta e studentëve, ishte treguesi më i qartë i frikës së vrarë. Komunizmi u lëkund që në çastin kur bëri lëshimi i parë, megjithatë ai nuk rrëzohej dhe shtytja për rrëzim atij iu dha në dhjetor të vitit 1990 nga studentët anonimë dhe nga populli shqiptar që u qëndroi pranë dhe i inkurajoi me gjithë shpirt.
Shumë nga ata që kanë pasur role dytësore, apo aspak rol, në përpjekjet e vërteta në ndërrimin e regjimit, por u qeshi fati dhe u vunë në pozita drejtuese të shtetit të ri, shumë nga ata që përvetësuan protestat e studentëve, shumë nga ata që nuk u ballafaquan dhe nuk u ndeshën kurrë vërtet me terrorin komunist, shumë nga ata që komunizmi i përkëdheli, shumë nga ata që dolën nga zyrat e larta të Partisë Komuniste, shumë nga ata që i panë lëvizjet për ndryshim jo me mirëdashje, madje me kundërshtim, sot marrin poza heronjsh dhe u shiten shqiptarëve sikur ishin ata që u ndeshën me sistemin komunist, se ishin ata që u ndeshën me Ramiz Alinë, se ishin ata që e detyruan Ramiz Alinë që të bënte ndryshime, se ishin ata heronjtë që e mundën komunizmin. Nga ato që ndodhën për kalimin nga sistemi njëpartiak në atë shumëpartiak, vetëm protesta e studentëve të zakonshëm, mund të quhet me plot të drejtë një protestë e vërtetë dhe e guximshme ndaj një regjimi tiranik. Trimëri të tjera ndaj regjimit që tregohen nga lloj-lloj mitomanësh janë thjesht gënjeshtra. Ndeshjet e mëpasshme janë bërë vetëm brenda llojit, për të vendosur se kush do të udhëhiqte e kush do të përjashtohej, kush do të lëvdohej e kush do të anatemohej, një karakteristikë e shëmtuar e partive jo demokratike.
Por, a u bë Shqipëria ashtu siç u mendua në atë kohë të entuziazmit dhe shpresës së madhe të të gjithë shqiptarëve: një vend i begatë, një vend i lirë, një vend me demokraci të vërtetë, një vend "si gjithë Evropa"? Po të pyesësh sot ata që bënë ç'qe e mundur për të ndihmuar në rrëzimin e sistemit komunist, apo edhe ata që drejtuan fillimisht vendin, nëse Shqipëria e sotme është ajo që u mendua atëherë, të përgjigjen "Jo", njëlloj si dhe komunistët e parë, po t'i pyesje në fund të viteve 90 nëse Shqipëria u bë ashtu siç ëndërronin dhe për të cilën luftuan ata, të përgjigjen përsëri "Jo".
Siç e pamë nga kronologjia e ngjarjeve nga libri që cituam, pas vdekjes së Enver Hoxhës, u deshën 5 vjet e shtatë muaj për të përgatitur ndryshimin e madh. Për vetë ndryshimin, për kalimin nga monizmi në pluralizëm, u deshën vetëm 3 ditë. Pas atij ndryshimi, nuk po mjaftojnë as 25 vjet për të dalë nga gjendja e tranzicionit e për t'u bërë një shtet si shtetet e tjera të Evropës. Duket se një mallkim po na ndjek brez pas brezi, një mallkim që po na pengon të mësojmë të vetëqeverisemi: të fundit në ndërrimin e sistemit, të fundit në afrimin drejt Evropës, të fundit në dhënien e një shprese popullit për ditë më të mira!
Comments
Emigrant në Itali
Gjithshka që lexova është e vërtetë. Ju jeni një njeri shumë i madh. E kam jetuar atë kohë dhe ju më freskoni memorien. Complimenti e grazie per tutto quello che hai scritto. È stato molto utile
Add new comment