Po këto a janë influenca të papërshtatshme?
Ngritja e Prokurorisë së Posaçme për luftën kundër korrupsionit, e njohur ndryshe si SPAK, institucion që nuk do të ketë asnjë varësi nga Prokuroria e Përgjithshme, është bërë bazuar mbi një kuadër ligjor të hartuar nga ekspertët ndërkombëtarë të Euralius. Ndonëse është ende në formën e një drafti projektligji ka hapur shumë polemika për formulimin e një neni që prek në veçanti mediat. Bëhet fjalë për Nenin 13, pika 3 në projektligjin “Për Organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar” që thotë se:
“Çdo lloj influence e papërshtashme e ushtruar mbi punën e prokurorëve të posaçëm apo aktivitetin e tyre mbi çështje konkrete përmes autoriteteve publike, mediave apo çdo mënyre apo personi tjetër që ndikon mbi pavarësinë e prokurorëve gjatë ushtrimit të detyrave të tyre ndalohet dhe dënohet me ligj”.
Një përkufizim që ndërkohë që imponon teorikisht një censurë mbi mediat, i jep organit të akuzës një liri të pakufizuar për të caktuar se çfarë e cenon apo e ndikon prokurorin në punën e tij. Një nen padyshim i diskutueshëm e për të cilin deri tani nuk ka një sqarim nga ekspertët, apo një debat në nivel teknik. Nëse do të shihnim një aspekt sesi mund të instrumentalizohet ky nen do të mund ta bënim me dy shembuj:
Së pari, konferenca e përbashkët për shtyp mes Prokurores së Përgjithshme Ina Rama dhe ambasadorit amerikan të kohës, Aleksandër Arvizu, më 23 janar 2012 rreth hetimeve për 21 janarin. Arvizu del garant për hetimin, pa folur se çfarë përfaqëson prezenca e tij në institucionin e Prokurorisë. Këtu video:
Shembulli i dytë është deklarata e ambasadorit amerikan, Donal Lu, në mbështetje të përjashtimit të deputetit Tom Doshi nga Grupi Parlamentar i PS-së.
“Shtetet e Bashkuara mirëpresin vendimin e Partisë Socialiste të Shqipërisë për të përjashtuar Z. Tom Doshi, i cili pretendohet se është përfshirë në veprimtari kriminale. Shtetet e Bashkuara e marrin seriozisht kanosjen e krimit dhe korrupsionit ndaj shoqërive të lira dhe demokratike. Nxisim të gjitha partitë politike në Shqipëri të largojnë individët e përfshirë në veprimtari kriminale apo korruptive. Mbështesim me forcë punën e kuvendit për të hartuar legjislacion në përputhje me Rezolutën e 24 dhjetorit 2014. Më tej, i bëjmë thirrje Prokurorit të Përgjithshëm të Shqipërisë të hetojë dhe ndjekë penalisht kriminelë dhe zyrtarë të korruptuar në të gjitha nivelet”, thuhet në deklaratën e datës 15 korrik 2015.
Në frymën e nenit të sipërcituar, a mund të cilësohen këto dy ndërhyrje si “Influenca të Papërshtashme”? E nëse po, media duhet t'i përcjellë?
Comments
C'ja paskeni fut sa keahu.
C'ja paskeni fut sa keahu.
Add new comment