“Qeveria ka shansin të korrigjohet çdo pesë minuta”

Postuar në 27 Shtator, 2015 23:51

Kryeministri indian, Narendra Modi, ka zhvilluar një takim të hapur informal me drejtuesin e “Facebook” Mark Zuckerberg në San Francisco. Janë adresuar rreth 40 mijë pyetje dhe komente dhe takimi është ndjekur nga rreth 500 vizitorë. Tërheq vëmendjen ky konstatim i Modit për rolin e medias sociale në kohën që jetojmë dhe në raport me politikën: “Media sociale është një votim i përditshëm; nuk ka më mundësi për boshllëqe në komunikim me qeverinë si më parë. Qeveritë kanë tani shansin të korrigjojnë veten çdo pesë minuta dhe jo çdo pesë vjet si më parë. Një qeveri e mirë është ajo me shumë kanale informacioni, ajo që ka informacion në kohë reale”(http://indianexpress.com/article/technology/tech-news-technology/live-pm...). India është një vend me zhvillim të vrullshëm, popullsi të madhe dhe natyrisht me probleme të gjithanshme. Por vërejtja e Modit kujton për të gjithë se sado i konsoliduar të jetë pushteti, e vërteta që injorohet prej tij, e gërryen atë në një proces korrodimi pozitiv. Gjithnjë nëse nuk kemi të bëjmë me “qeveri të mira” siç nënvizon kreu i qeverisë indiane.

Si duken punët në këtë drejtim në Shqipëri? Për ilustrim po marrim dy njerëzit më aktivë në rrjetet sociale: Edi Rama, kryeministër dhe Sali Berisha, ish-kryeministër. Secili ka mbi 850 mijë ndjekës në profilin e tyre dhe kanë një frekuencë publikimi ditore. Pra e kanë “syrin” nga populli.

Edi Rama madje është i pari që organizon edhe konferenca me pyetje përgjigje nga rrjetet sociale. E megjithatë në dy prej tyre, lajmi ka qenë “pyetjet që NUK u përgjigj Edi Rama”. Ka patur disa raportime të reagimeve të forta të komentuesve ndaj postimeve apo mesazheve të kryeministrit: a është korrigjuar gjë? Faktet flasin që “jo”, madje është vazhduar me një heshtje këmbëngulëse në të vetën. Kishte shumë pikëpyetje dhe dyshime për koncesionet në shëndetësi. Asgjë nuk ndodhi. Ministri i Brendshëm është një person që së fundmi u vetëakuzua me alibitë fëminore të makinës. Klima ndaj tij mund të lexohet fare qartë. E sërish asgjë nuk ndodh. Drejtoresha e Tatimeve është bërë barsaletë popullore për shumëçka, ka ankesa direkte. Kryeministri zgjodhi ta lavdërojë  në mënyrë sfiduese, duke mos marrë në konsideratë edhe mesazhet e shumuta paralajmëruese për aksionin kundër evazionit.

Në raport me median ky kryeministër ka shënuar dy “rekorde”: shmangien e debatit, pra diskutimit me disa gazetarë dhe mbylljen në “kafazin” e intervistave kokë më kokë. Si dhe darkën poshtëruese të Vitit të Ri, ku në vend të një fjale që do të përcillte ndonjë farë mesazhi, e shndëroi në një palaçollëk me shpoti banale dhe fyese.

Nga ana tjetër do nënvizuar se të paktë janë njerëzit që i japin këtë vlerë që i jep kryeministri indian, Facebook dhe medias sociale. Përgjithësisht ka një stigmë në Shqipëri për këto rrugë komunikimi, ndonëse “faktet” kanë depërtuar nga disa drejtime. Por kjo nuk mund të frenojë rolin përherë e më të madh të medias sociale. Natyrisht, kontrata me median, pra komunikimin dhe korrigjimin në bazë të raportimeve bruto, është pa detyrime dhe kryeministri është ligjërisht në rregull. Por ka një paradoks shumë të madh, kur nga njëra anë injorohen mesazhet e njerëzve në mediat sociale dhe investohen lekë në krijimin e komisariateve dixhitale e të tjerave qendrave informuese. A po e korrigjon veten çdo pesë minuta(metaforikisht) kjo qeveri? Me sa duket “jo” dhe kjo për shkak të zgjedhjes që ka bërë dhe ecjes me një siguri që e japin votat. Por media sociale ka edhe avantazhin tjetër për shoqërinë; ajo jo vetëm informon dhe përhap shpejt informacion, por edhe nyjëton informacion duke koagulauar opinione dhe nxitur dyshime. Dhe ky është një avantazh që asnjë qeveri nuk mund të zhbëjë, edhe sepse sfidon problemin tjetër madhor nga ku ushqehet kjo arrogancë: klientelizmin dhe kapjen e medias tradicionale. 

 

Comments

Submitted by Gerti_Sk (not verified) on

"Dhe ky është një avantazh që asnjë qeveri nuk mund të zhbëjë, edhe sepse sfidon problemin tjetër madhor nga ku ushqehet kjo arrogancë: klientelizmin dhe kapjen e medias tradicionale."

Nese ka dicka pozitive qe ka ndodhur keto dy vjet eshte shperthimi i komunikimit masiv nepermjet internetit, qofte fb e qofte me portale te pavarura si ky. Sot mund te blesh Teman, Klanin e Topin, po zor te bllokosh tere informacion.

Submitted by albion online silver (not verified) on

I respect your work.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.