Mjerimi i diskursit publik

Postuar në 24 Shtator, 2011 02:38
Ardian Vehbiu

[Para disa ditësh] botova një shkrim për çështje të kulturës së gjuhës te ResPublica; siç e prisja, pati disa komente negative, meqë shkrimi drejtohej pikërisht kundër një refleksi të kushtëzuar që i ka rrënjët të thella në pavetëdijen tonë gjuhësore.

Meqë m’u duk se në disa prej komenteve më kishin paragjykuar, vendosa t’u përgjigjem kritikave, duke shfrytëzuar hapësirën e rubrikës Authors vs. Readers me mendimin se edhe trajtimi i mëtejshëm i çështjes do të ndihmonte lexuesit për të kuptuar, së paku, se problemi deri më sot ka të bëjë edhe me vetë mënyrën si shtrohet.

Këtu del një komentues i quajtur Jetoni nga Prishtina dhe, duke iu referuar këtij pasazhi nga shkrimi im:

Unë jam gjuhëtar me profesion dhe merrem përditë me tekste shqip: herë i shkruaj, herë i përkthej, herë i redaktoj e herë i studioj.

Më thotë:

[...] nëse unë nuk jam gabim, besoj se sipas rregullave drejtshkrimore të shqipes, Ju do të duhej të ishit më i kujdesshëm në këtë fjali. Ndajfoljet e vetës së tretë: i shkruaj, i përkthej, i redaktoj e i studioj do të duhet të u shtonit edhe ë-n: i shkruajë, i përkthejë, i redaktojë e i studiojë.

Më shumë kujdes kur shkruani, që të keni të drejtën publike të jepni vlerësime gjuhësore, duke qenë edhe gjuhëtar me profesion.

Natyrisht komentuesi e ka gabim; format që ai sjell, shkruajë, përkthejë etj., janë të vetës së tretë të lidhores së tashme njëjës dhe nuk kanë të bëjnë me vetën e parë të dëftores njëjës që përdor unë; sikurse e ka gabim kur i quan këto “ndajfolje” etj.

Gjithsesi, çështja nuk është te një gabim që mund të bëj unë ose një komentues ose kushdo tjetër. Gabimet janë shenjë se diçka po ndodh; dhe që është gjithnjë më mirë sesa sikur asgjë të mos ndodhte. Mua më shqetëson, përkundrazi, kjo kulturë e kritikës nga salla ose nga poshtë, që po shndërrohet në murtajë për debatin publik, së paku online.

Vëreni frymën e kritikës së Jetonit: ai jo vetëm ka pikasur (me mendjen e tij) një gabim gramatikor në tekst, por edhe vihet pastaj ta përqasë këtë gabim që ka gjetur me detyrimet pothuajse morale që më rridhkan mua nga profesioni ose titulli me të cilin i jam prezantuar lexuesit; në kuptimin që një gjuhëtari nuk iu lejoka të bëjë gabime të tilla; sidomos një gjuhëtari që kërkon të ushtrojë të drejtën e vet publike për të dhënë “vlerësime gjuhësore”.

Mua më ngrihen qimet e kokës përpjetë, nga këto gjëra; shpresoj edhe ndonjë tjetri prej jush.

Jetoni nuk është gjuhëtar, se po të ishte nuk do të lajthiste kështu, si fëmijë i klasës së dytë; megjithatë, kur ai lexon një tekst të shkruar nga dikush që e shpall haptazi se është i fushës dhe ndesh në diçka që i tingëllon gabim, nuk dyshon dhe aq se gabimi ka gjasë të jetë i atij vetë, si jo i fushës; as hap një tekst të gjuhës shqipe, për ta verifikuar dyshimin; por menjëherë del dhe e qorton autorin, për gabimin (imagjinar), duke e larë gojën me formulën “nëse unë nuk jam gabim,” e cila, siç dihet, përdoret si rregull për t’i paraprirë së kundërtës.

Këtu ka një përçudnim të vetë aktit të të folurit publik; prandaj edhe po marr mundimin të shkruaj dhe t’ju ha juve kohën e të lexuarit.

Shembulli i Jetonit nuk është i veçuar; reagime të tilla i ndesh rëndom, dhe jo vetëm me shkrimet e mia, por edhe me shkrime të së tjerëve. Një mori lexuesish kujtojnë se janë duke gjetur gabime në tekstet; dhe jo vetëm kaq – ata tashmë besojnë se hapësira e komenteve, poshtë artikullit, u është lënë në përdorim për t’u shprehur këta, haptazi dhe me shkronja të mëdha, për gabimet e autorëve.

Këtu ka edhe një shkelje të etiketës; sepse askush nuk meriton që t’ia vënë në dukje gabimin publikisht, kur ky gabim i ka shpëtuar. Në blog u jam lutur kolegëve që të m’i sinjalizojnë gabimet, nëse dëshirojnë, me mesazh privat; sepse nuk shkon, edhe nga ana njerëzore, që në hapësirën e komenteve të blogut ku shkruaj unë të diskutohet për gabimet e mia.

Natyrisht gabime bëj ndonjëherë; edhe pse përpiqem t’i verifikoj gjërat që them. Mirëpo është kundërprodhuese – për autorin, lexuesin dhe vetë mediumin, që lexuesit të angazhohen në qëmtimin e gabimeve që mund të ketë bërë autori.

Shembulli që solla do të meritonte përgjigjen ne sutor ultra crepidam; edhe pse çështja besoj se shkon më thellë se kaq, dhe ka të bëjë me titullimin e supozuar të anonimëve, ose krizën e përgjithshme të autoritetit.

Dua të them se një lexues si Jetoni më lart, kur i qaset tekstit të dikujt që, pas gjithë gjasave, e ka studiuar çështjen më mirë dhe më thellë dhe ka edhe formimin profesional përkatës për t’u marrë me probleme të gjuhësisë, megjithatë mendon se mund të gjejë aty gabime; nuk po dua të guxoj dhe të supozoj se ai madje mendon se duhet të gjejë aty gabime, ose që roli i tij, si lexues “kritik” i tekstit, i zotuar në një hapësirë debati ndërvepruese, është pikërisht që t’i gjejë këto gabime dhe t’i bëjë të ditura haptazi dhe publikisht. Ky është efekt anësor i padëshiruar, madje i dëmshëm, i mundësive që krijon komunikimi online për shkëmbime në kohë reale; ose iluzioni i çka do ta quaja “demokraci diskursive”.

Vërejeni edhe një herë ndërhyrjen e këtij lexuesi; ai është, në thelb, i pakualifikuar për të dhënë mendime në çështje të gramatikës dhe të zgjedhimit të foljeve të shqipes (të cilat i quan, kushedi pse, “ndajfolje”); por megjithatë mendon se e ka kualifikimin e duhur për të kritikuar publikisht dikë që vetëdeklarohet se e ka një farë ekspertize në fushë, për një “gabim” që lidhet pikërisht me atë ekspertizë. Dua të them se nuk është padija e tij gramatikore që më shqetëson (edhe pse kjo do të meritonte shqetësim veçan), por padija e tij diskursive, ose mosnjohja e rregullave elementare të gramatikës së debatit.

Tek e fundit, nëse do të shkruhet me –ë apo pa –ë një formë foljore, kjo nuk ngre ndonjë peshë kushedi çfarë; anembanë botës me këto punë nuk merren gjuhëtarët, por korrektorët teknikë, punë e nderuar dhe e domosdoshme, sidomos kur nuk e bën ende dot roboti i MS Office. Por rregullat e gramatikës së debatit, ose të diskursit publik, nëse mund t’i quaj kështu, kanë rëndësi të madhe në fusha të tjera me peshë, dhe pikërisht aty ku qytetarëve u kërkohet të marrin pjesë aktivisht, sipas nomeve të demokracisë moderne.

I shoh shpesh komentet në gazeta, meqë i konsideroj si palestra ku forcojnë muskujt qytetarët e sotëm dhe të nesërm, ata që do t’ia konsolidojnë institucionet demokracisë shqiptare (edhe pse, më duhet ta pranoj se komentet për shkrimet e mia i lexoj vetëm kur nuk kam punë tjetër për atë ditë). Nga çfarë shoh, nuk ndihem optimist; deri më sot, demokracia ose më mirë “demokracia”, e interpretuar si barazitizëm ose revansh i përgjithshëm (me R të madhe) është materializuar si shpërfillje për çfarëdo lloj autoriteti dhe merite; së bashku me një qesëndisje të përgjithshme me drejtim nga poshtë lart, që i përgjigjet një gjendjeje shpirtërore zakonisht të mbajtur gjallë nga estrada, si dukuri shoqërore dhe model i formës së marrëdhënieve publike.

Efekti katarsis në këto kontekste banale realizohet nëpërmjet rrëzimit të “monumentit” të atij që flet nga podiumi ose katedra, edhe sikur ky monument të mos ketë qenë as në qëllimet e autorit, as në qëllimet e tekstit; meqë masa e komentuesve, siç e kemi vënë re gjetiu, po synon të organizohet si turmë dhe të fillojë të thyejë dhe të rrëzojë sende të ndryshme, siç bëjnë zakonisht turmat.

Hë për hë, e vetmja gjurmë e respektit për rangun që i ka mbijetuar kësaj revolte të anonimëve është vendosja e komenteve poshtë tekstit që komentohet; por edhe kësaj do t’ia gjejnë anën, herët a vonë. Tek e fundit, po të gjykosh nga çfarë sheh në replikat, shumica e tyre vijnë nga lexues që nuk e kanë lexuar shkrimin kryesor, ose nuk e kanë kuptuar, ose kanë nisur ta lexojnë por pastaj kanë gjetur një gabim dhe e kanë lënë përgjysmë, ose kanë lexuar vetëm ndonjë koment paraprirës dhe tani po i përgjigjen atij, si sarhoshët në taverna, që flasin nga një tavolinë në tjetrën.

Comments

Submitted by alidemsi (not verified) on

nga sa lexova me vjen keq vetem per nje gje.....qe komentet per shkrimet e mija, i lexoj vetem kur kam kohe.....(pordhet e medhaja grisin breket e te zot, kane thene) per te tjerat ok.....

Submitted by arben demo (not verified) on

Proverbi eshte beratas :

Pordhë e madhe gris dhe brekët e reja.

Submitted by emigranti (not verified) on

Pershendetje z.Vehbiu

Ne qasjen e pergjitheshme te fenomenit te kritikes ne internet mendoj se ju keni plotesisht te drejte. Per fat te keq ka shume apo pak persona, kjo eshte e parendesishme, qe diskutimet apo kritikat e tyre ne internet i kthejne ne argumente "ad personam" per te perligjur idete apo mendimet e tyre. Pak kohe me pare se ju te shkruanit artikullin e pare dikush beri te njejten gje me z.Nano duke i shkruar pa a shume keshtu :"ti kot flet per pastertine e shqipes sepse ti vet i perdor fjalet e huaja ne shkrimet e tua". Dua te qendroj pak ne kete menyre te te shprehuri apo te kritikuari. Nuk shoh asgje te keqe ti shkruash z.Nano apo z. Vehbiu qe nuk me pelqeu qe perdore fjalen x apo y ne vend te fjales a apo b. Gjithsekush ka mendimin dhe opinionin e tij por ajo qe mua me shqetson sic dhe ndodhi ne rastin tuaj nuk eshte fakti qe dikush ju ka kritikuar per nje germe apo folje te gabuar , njeri te pagabueshem nuk ka, rrjedhimisht edhe ju mund te gaboni. Ajo qe une e shoh me te vertete te frikshme eshte fakti se pas radhitjes se gabimeve te verteta apo supozuara vjen ajo fraza e mallkuar : " meqe ti ben gabime atehere gjithe mendimi apo shkrimi jot nuk vlen". Here kjo thuhet, here lihet te nenkuptohet. Kjo lloj menyre e te kritikuari  duket edhe me qarte ne diskutimet politike kur nje artikullshkruesi i mohet i gjithe shkrimi sepse "ti nuk mund te kritikosh  qeverine apo opoziten sepse dikur ke qene mik i qeverise apo opozites dhe nuk e ke kritikuar atehere" duke skualifikuar teresisht nje kritike mese te drejte.

Mendoj se dy jane arsyet per nje qasje te tille e para sepse ndoshta ketyre personave i duket vetja me te zgjuar se te gjithe te tjeret dhe mundohen te tregohen si autoritete para lexuesve duke "zene mat" dike qe ka nje emer a rol publik dhe e dyta me faktin qe me ardhjen e demokracise shtohet deshira per te qene "dikushi" dhe kjo arrihet duke kerkuar te marresh nga fama apo emri i tjetrkujt disa rreze me teper per te dale ne drite. Mendoni se cfare medalje do te varnin ne gjoksin internetian keta persona qe "arriten te kapnin mat" z. Vehbiu apo z.Nano. Emri dhe fama do te shkonin lart e me lart.

Eshte nje menyre ndofta naive e te berit emer por duhet te pranojme qe egziston edhe kjo.

Me respekt emigranti

Ne rastin ne fjale qe ju permendni

Submitted by Anonim (not verified) on

Mua me duket se mendjemadhesia dhe arroganca ballkanike (e injoranteve) qe na karakterizon duket kudo neper blogje apo forume shqiptare. Concepti I debatit tek ne duket qarte qe eshte ne nivele foshnjore dhe perplasja e IDEve dhe pozicioneve te kunderta intelektuale kthehet ne ofendime dhe fyerje personale qe skane asgje te beje me njerez te civilizuar. Mua me pelqejne shkrimet e Vehbiut dhe jam dakort nga ana tjeter me komentin e Alidemsit per te .. Ajo qe nuk kuptoj eshte se perse komenti I papershtatshem e idiot I Jetonit I paska bere kaq pershtypje autorit, pasi me persona te tille une zgjedh mos te harxhoj asnje sekonde te dites sime. Jam dakort me autorin se niveli I debatit dhe komunikimit shoqeror eshte ku te theret qameti e tejet vulgar e I merzitshem. Dhe ka nje keqkutpim te madh dhe madje abuzim me "lirine e fjales online". Jo kushdo di te shkruaj shqip edhe kur eshte gjuhetar, apo prof.dr. Pa dashur ta politizoj... Cmund te presesh nga nje regjim dallkaukesh qe duket se sapo Kane zbritur nga Mali.

Submitted by Temptation (not verified) on

Dua te mbeshtes fort nismen e Z. Vehbiu per te shkruar mbi gjuhen shqipe, nje argument tejet i nevojshem per kohen kur jetojme, duke pasur parasysh sakatimin sistematik dhe pa asnje gjase per korrigjim te shqipes letrare. Une nuk jam gjuhetar, por kam bere gjuhe shqipe ne shkolle dhe kam lexuar letersi te shkruar ne shqip. Kjo me mjafton te prirem ta perdor saktesisht shqipen (sigurisht nuk jam i perkryer) dhe me ben t'i ve re me tmerr gjymtimet qe po i behen gjuhes letrare sot. Tek e fundit, nuk mund te paragjykohet nje person pse flet ne dialekt (sigurisht ketu nuk eshte fjala per persona qe kryejne funksione publike), por eshte e pafalshme te mos dish te shkruash sakte gjuhen tende. Mjafton te lexosh forumet ne shqip per te kuptuar se ku kemi perfunduar. Ka njerez qe mundohen te shkruajne ne dialekt, por sikunder nuk kemi nje standard per kete, shkrimet e tyre perfundojne ne nje mishmash te vertete, ku secili shpik rregulla personale se si ndryshon nje fjale ne fjali, madje arrijne te fusin edhe shkronja te reja, qe gjuha shqipe nuk i ka, por qe atyre u duket e pershtatshme t'i perdorin. Gjuha letrare mund te mos jete e perkryer dhe, padyshim, ka nevoje per rregullime, por kjo nuk duhet te na beje te krijojme njezet lloj shqipesh. Persa kohe kemi kete standard "te keq", jemi te detyruar qe ne baze te tij te shkruajme, deri sa te miratohet nje standard "i mire". Por, po te mendosh se keto gabime i ben edhe nje redaktor librash, mund te merret me mend se ç'mund te beje nje njeri i zakonshem.

Submitted by backa (not verified) on

e kam vene re qe ne forume s'kane ç'bejne dhe merren me gabimet gramatikore te njeri-tjetrit.Shpesh nxitohet ndokush dhe shtyp gabimisht tastieren,por ketu ka rendesi ideja dhe debati;jo drejteshkrimi.Po çdo parajse e ka djallin e vet-thote nje fjale e urte.

Submitted by arnaut (not verified) on

niveli i komenteve online eshte per te ardhur turp. mjafton te shkoni tek gazeta TEMA apo te shekulli, a te Express, e te klikoni ne nje nga artikujt rreth "ndryshimit te historise" apo "fese ne shkolla" etj e te shihni urrejtjen e papare fetare dhe injorancen ne kulm te shqiptareve ndaj njeri tjetrit... nganjehere me vjen turp te komentoj online se me duket se vetem budallenjte komentojne ne ato forume...

Submitted by raimondi (not verified) on

Ajo puna e urrejtjes fetare nuk existon midis shqiptareve , por jane disa lexues ,te cilet duket nga komentet e tyre, qe jane lexues me nje axhende per te futur percarjen midis shqiptareve --dhe shumica dermuese e ketyre lexuesve qe perpiqen te fusin urrejtjen jane ata qe i sherbejne kishes Greke per te futur  percarje midis shqiptareve te feve te ndryshme

-Natyrisht ne Shqiperi nuk do tja dije njeri  per fene ,por ajo politike percarese qe duan te injektojne spiunet e grekut midis nesh,  ze vend midis shqiptareve qe jetojne jashte Shqiperise pasi ata nuk e  dijne qe ne Shqiperi nuk e can njeri koken per fene

-Ne fakt gazetat nuk duhet t'u japin vend komenteve  qe jane te mbarsura me fyerje fetare dhe etnike , ne faqet e tyre. ---Por Gazeta Tema i lejon ato lloj komentesh --Dhe kjo eshte nje e mete shume emadhe e asaj gazete pasi dashje pa dashje behet propaganduese e percarjes se popullit shqiptar dhe ndihmon ne krijimin e nje opinioni te rreme midis shqiptareve

Submitted by Astrit (not verified) on

Z. Vehbiu ka te drejte ne pozicionin e tij, sic kishte te drejte ne diskutimin e tij ne lidhje me gjuhen shqipe. Por per mendimin e tij jo ne forcen e reagimit te tij te tashem. Dihet qe komentet behen nga njerez gjithefarelloj qe kane vec nje gje te perbashket: kane nje 5 min kur nuk kane se cfare te bejne tjeter (si puna ime tashti) dhe sa me i pamesuar te jete dikush, aq me shume eshte kandidat per papunesi dhe aq me shume probabel eshte qe njerezit e tille te pamesuar te thone "rrofte interneti" te te kene me shume kohe per te shkruar. Por kjo ndodh me komentet e cdo publiku ne bote dhe jo specifickisht ne kete faqe. Dmth ne cdo gazete 90% te mendimeve jane te pakualifikuara dhe shpesh edhe me keq se kaq. Por jane opinione te cilat njerez me te edukuar dhe iluminuar te pakten i respektojne pasi edhe idete me te keqija te shprehuara ne publik jane pjese e lojes demokratike te shprehjes se mendimit te lire - i cili ne dac i drejte dhe ne dac i gabuar nuk duhet denigruar.

Z. Vehbiu ka shume te drejte kur kritikon nihilizmin publik (apo me keq) te disa lexuesve te tij. Por negativizmi i tij ne kete shkrim per mendimin tim personal dhe shume te respektueshem per z. Vehbiu, eshte jo me pak i gabuar. Sic e thote dhe vete autori Shqiperia vuan tej mase nga debatet shterpe; zgjidhja nuk eshte te injorosh lexuesit apo ti nenvleftesosh, apo rastessiht ti fyesh ata. Sepse sic thote z. Nano qellimi i publicistit nuk eshte te fitoje dashurine elexuesve por ti lexohen artikujt prej tyre. Dhe z. Vehbiu per mendimin tim ben te njejtin gabim me disa lexues te tij kur del emocionalisht permbi debatin, jo rralle dashamires dhe konstruktiv te lexuesve te tij dhe sheh ne ekzistencen e forumeve tona joperfekte nje humbje te madhe kohe per te dhe intelektin e tij. Kjo pavaresisht se jam dakord qe opinioni i shprehur nga disa lexues te tij ishte destruktiv dhe qe nuk i sillte asgje te re debatit.

Une jam shume dashamires dhe i respektueshem per z. Vehbiu dhe punen e tij te cilen e vleresoj ne menyren me superlative. Por komentet e tij nuk i interpretoj dot as si kompliment e as si reciprokim i dashamiresise time. Dhe tashti qe shkruaj e kam te qarte se nuk ka pike rendesie per te nese dikush ka dashamiresi apo dashakeqesi - pasi ai si zor te lexoje edhe mendimet e mija.

Submitted by eksperti (not verified) on

I nderuar Ardian,

Ke te drejte, veçse a nuk te duket se i ke kushtuar ca si teper energji dhe vemendje shqyrtimit te thelluar te gabimeve te Jetonit? Ke qelluar me top per te vrare nje mi! Çeshtja eshte e thjeshte: nje lexuesi injorant si Jetonit i lejohet te beje gabime ne komentet e tij. Mustafa Nanos, Ardian Vehbiut, publicisteve dhe pergjithesisht intelektualeve nuk u lejohet! Ata e kane per detyre te shkruajne nje shqipe per te qene.

Submitted by Dyshuesi (not verified) on

Niveli i komenteve percaktohet dhe rrjedh drejtperdrejt nga natyra dhe niveli i artikullit qe komentohet. Te themi te drejten, ne shqiptaret jemi te vetmit ne bote qe vazhdojme e diskutojme publikisht mbi ceshtje te "kultures se gjuhes", çka deshmon foshnjerine tone kulturore. Mjaft me me kete nivel shkollor te "diskursit publik". Nje gjuhetar duhet te beje punen e gjuhetarit dhe jo te mesuesit te gjuhes per shkollat fillore. Me vjen keq te perdor kete ton paksa te hidhur, por shpresoj te sherbeje sadopak per t'i permendur njerezit nga dehja dhe per t'i zbritur me kembe ne toke.

Add new comment

Plain text

• No HTML tags allowed.
• Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
• Lines and paragraphs break automatically.