Data sot është 18-05-2012, ora 13:48
  • Lexuesi Lex Rex bën këtë vëzhgim në fund të shkrimit tim “Programe e platforma? Ok, por përparësi është rrëzimi i regjimit”: “Jo më larg se tre javë më parë Mustafa Nano shkruante se duhen së pari ide, së dyti ide, e prapë ide dhe se ka një mënyrë të fisme për të mundur Berishën dmth rruga me ide, me alternativa. Sot shkruan se regjimi mundet vetëm me logjikë të pastër pragmatiste, dmth duke pranuar se çdo qelbësirë e mundshme opozitare është një resurs i madh.”

    Në shkrimin timin të fundit nuk jam kundër platformave, gjë që, më duket mua, bëhet shumë e qartë. Jam thjesht kundër idesë së Blushit se “aleatët nuk na duhen, dhe se vetëm me platforma mund t’ia dalim të vetëm”. Unë jam me tezën, që “platformat janë ok, ato duhet t’i inkurajojmë e t’i mirëpresim”, por ato nuk mjaftojnë në këto rrethana, në të cilat Berisha ka mbetur në fuqi vetëm për shkak të ca hesapeve e marifeteve aritmetike (ka mbledhur parti, partiza, partiçka pa asnjë kriter e skrupull moral).

    Unë iu riktheva atij shkrimi që ma përmend Rex Lex, dhe është e vërtetë se thoja që Berisha mund të mundet në mënyrë të fisme e me platforma, por në asnjë rast nuk përjashtoja aleancat me partitë e tjera të vogla, qofshin këto dhe pa platforma. Përkundrazi, theksoja fjalë për fjalë në fund të atij shkrimi se “problem nr. 1 mbetet regjimi, dhe prandaj do të duhej të mirëpritej çdo kontribut që synon rrëzimin e tij, por forcat alternative me ide e bëjnë më të lehtë, më të shpejtë e më me kuptim rrëzimin e tij”. Dhe ky ka qenë mesazhi kryesor që kam përcjellë e që do doja të përcillej.

    Sidoqoftë, pashë se në atë shkrim lija pak hapësirë për keqkuptim, e në këtë kuptim vëzhgimi i lexuesit Lex Rex është ‘i pafaj’.

    Komente: (3)

  • Në shënimin tonë me titull “Koha Ditore mbush 15 vjeç; dhe është ‘më e moçmja’ ndër gazetat shqiptare” kanë ndërhyrë Anonimi dhe Petro, të cilët nuk bien dakord me përfundimin tonë se Koha Ditore, edhe pse është me moshë 15 vjeçare, është më e moçmja ndër gazetat me ndikim. Dhe bëjnë korigjimet e tyre, duke bërë një panoramë më të plotë të traditës së shtypit shqiptar në dekadat e fundit. Por nuk kuptojmë pse i ikin saktësimit që ne kemi bërë. "Është gazeta më e moçme ndër gazetat shqiptare me ndikim”, themi ne, dhe tek gazetat më me ndikim, futen ato që kanë tirazh të madh, rrjedhimisht nuk futen gazetat partiake RD-ja, Zëri i Popullit, etj. Nuk futet as Gazeta Shqiptare, e cila ndonëse është një gazetë e respektuar dhe më e vjetër (është ngritur qysh më 1993), nuk ka ndikimin që kanë Panorama e Shekulli. Nuk futet as Albania që sot nuk ekziston.

    Komente: (1)

  • Një numër lexuesish, pasi kanë lexuar shkrimin Manifest i Kundërsulmit Homoseksual, janë skandalizuar. Dhe ndjej se duhet të them dy fjalë. Po e filloj duke rënë dakord se gjuha e përdorur është vulgare, tejet vulgare, por është e tillë me një funksioin të qartë provokativ. E në këtë kuptim, unë quajta më të rëndësishëm provokacionin se sa gjuhën. E për të mbetur tek kjo e dyta, më duhet të them se respublica.al nuk është një website për nxënës të shkollës fillore, të cilët do të ndiheshin të dhunuar nga kjo gjuhë. Kam menduar gjithë kohën se lexuesit e këtij website-i janë ndër shqiptarët më të vaksinuar përballë pornografikizimit të namuzit tonë tradicional. Nuk e prisja. E prandaj jam dhe unë pak i skandalizuar nga fakti që shoh shumë vetë të skandalizuar. Pyes: Cila gjuhë është më e tmerrshme, ajo e një injoranti si Ekrem Spahia që nxit e inkurajon dhunën elokuente mbi një kategori të caktuar njerëzish që janë të ndryshëm nga ai, apo kjo e këtij gay anonym që i përgjigjet kësaj dhune me zemërim vulgar e me vet-ironi të çuar në ekstrem? Cila është gjuhë më e tmerrshme, ajo e kryeministrit tonë që fyen faqe botës një funksionare të lartë publike me fjalët ‘putanë bulevardi’, apo kjo e këtij homoseksuali që bën këtë “sulm impersonal me fjalë të ndyra”? Ç’gjë është më e tmerrshme në fund të fundit, të vrasësh katër vetë në bulevard për të mbajtur pushtetin, apo t’i japësh gojës mbarë e mbrapsht kundër moralit hipokrit të shoqërisë nga pozitat e një anonimi?

    Ju ftoj të mos e egzagjeroni me këtë reagim të shpërpjestimuar. Të kuptohemi, unë, Mustafa Nano, nuk është se mburrem me publikimin e këtij artikulli të shkruar me këtë gjuhë, por nuk pajtohem me këtë reagim. Në faqet e respublica-s nuk kam parë asnjëherë një reagim të tillë përbuzës, dhe përse? Për fjalët më të përdorshme në mes tone, për fjalët që ne i përdorim fare pa të keq me sho-shoqin, madje dhe në shtëpitë tona, në prani të familjarëve, por  që nuk do donim t’i dëgjonim në publik. Apo s’e kemi me fjalët “e ndyra”? Apo e kemi në të vërtetë me homoseksualët, dhe zemërimi ndaj vulgaritetit është thjesht një mënyrë për të maskuar urrejtjen që kemi për homoseksualët? Apo jemi të gjithë nga pak Spahinj vrenda vetes?

    Dy saktësime të fundit. Së pari, shkrimi është pa emër, dhe kjo, e di, nuk është shumë etike, por përfytyroni pak sikur autori të kish shkruar dhe emrin. Do duhej të gjente vend të fshihej për gjithë jetën. Prandaj, i jap të drejtë që shkruan pa emër. Ndërsa unë i dhashë viston për ta publikuar thjesht nga natyra shumë provokative e shkrimit. Pak provokocion në shoqëri si kjo e jona nuk bën keq. Përkundrazi.

    Së dyti, po flitet për një Gay Pride Parade, që do t’u mbaka nga mesi i majit në Tiranë. Personalisht, parada të tilla nuk më kanë pëlqyer në asnjë rast. Nuk më pëlqen as që organizohen në Tiranë. Sikur t’ma dëgjonin fjalët, do t’u thoja ta anulonin këtë paradë. Unë e di se parada të tilla janë një mënyrë për të afirmuar të drejtën e tyre për t’mos qenë të diskriminuar në shoqëri, por besoj se ka mënyra të tjera më interesante se sa ky show  për ta kërkuar e mbrojtur këtë të drejtë. Sikur të isha gay, s’do merrja pjesë në parade të tilla e s’do të isha pjesë e militantizmit homoseksual.

    Komente: (24)

  • tani97-ta më bën disa pyetje në lidhje me opinionin tim ‘Edhe unë jam për hapjen e dosjeve”. Unë s’jam në gjendje t’i përgjigjem këtyre pyetjeve, përderisa gjithçka që ka të bëjë me dosjet e Sigurimit nuk është bërë publike. Vetëm pak njerëz e dinë saktë se çfarë ka patur në ato dosje dhe ç’është bërë me to pas vitit 1990. Ne të tjerët vetëm mund të kemi dëgjuar për to (kush më shumë e kush më pak). Dhe dikush bën hamendje/analiza në bazë të atyre që ka dëgjuar, ndërsa dikush tjetër bën thjesht shpifje duke shfrytëzuar faktin se dosjet nuk janë bërë publike. Që hamendjeve/analizave nga njera ane dhe shpifjeve nga ana tjeter t’u vihet kapak, duhet sa më shpejt të bëhet publike gjithçka që ka të bëjë me dosjet e Sigurimit. Në këtë mënyrë, mund t’i themi dikujt me fakte nëse ka qenë spiun i sigurimit apo jo.

    Më gjerë këtë temë e ka trajtuar Aleksandër Biberaj në gazeten Shqip, i cili besoj se është më i informuar se unë lidhur me këtë çështje. http://www.gazeta-shqip.com/#/politike/b4333e3ca04da9351d249ad340f76a3b.html

    “Berisha mbron interesat e mafies që vjen nga komunizmi sllav”

    Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Aleksandër Biberaj, deklaron se është e pamundur që ish-bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit në politikë, të fshijnë gjurmët e të kaluarës së tyre. Në një intervistë për gazetën “Shqip”, Biberaj thekson se ndonëse një pjesë e dosjeve mund të jenë eliminuar nga vetë politikanët është regjistri themelor që ka informacionin e plotë të ish-bashkëpunëtorëve, emrat dhe pseudonimet e tyre. Po kështu Biberaj, në kuadër të hapjes së debatit në vend për dosjet e sigurimit, thekson se informacioni i tërthortë për aktivitetin e ish-sigurimsave gjendet me lehtësi edhe nga kryqëzimi i dosjeve të tjera. Biberaj akuzon ashpër për Kryeministrin Berisha, duke e quajtur atë një komunist me 25 vite angazhim, që po mban peng të djathtën shqiptare. Nga ana tjetër, Biberaj, flet edhe për partinë e re të së djathtës, e cila pritet të dalë në skenë së shpejti. Sipas tij, kjo parti jo vetëm do i mbrojë interesat e të përndjekurve politikë, por do ta ketë këtë shtresë pjesë të lidershipit të saj.

    Z.Biberaj, politika ditët e fundit është përqendruar te çështja e hapjes së dosjeve për persekutorët dhe ish-bashkëpunëtorët e shtetit gjatë regjimit komunist. Pse mendoni se kjo çështje rikthehet shpesh në politikë dhe çfarë pritet të ndodhë nëse këto dosje hapen?

    Ju i keni ndjekur zhvillimet e fundit politike lidhur me çështjen e dosjeve dhe të kaluarës komuniste, dhe siç e keni përcjellë edhe nëpërmjet gazetës suaj ironia e fatit qëndron në faktin se Kryeministri aktual që është njëkohësisht edhe kryekomunisti shqiptar në pushtet, por edhe kryekomunisti i fundit në pushtet në Europën Juglindore po përpiqet që ta përdorë këtë çështje për kapital politik duke sulmuar të djathtët e vërtetë që nuk kanë asnjë lloj lidhjeje me të kaluarën komuniste dhe njëkohësisht asnjë lloj përgjegjësie për sistemin e kaluar diktatorial. Shprehja me domethënëse për situatën konkrete është shprehja e të pavdekshmit Vaslav Havel që “komunistët antikomunistë janë komunistët më të këqij”. Sistemi komunist ishte sistemi politik i Kryeministrit aktual, sistem të cilit ai i shërbeu me devotshmëri për rreth 25 vjet (3 vjet si kandidat i PPSH-së dhe 22 vjet si anëtarë i PPSH-së). Kryeministri aktual i shërbeu komunizmit duke qenë vetë një komunist dogmatik, një komunist ekstremist, por njëkohësisht edhe një shërbëtor dhe servil i familjes së Enver Hoxhës, i Byrosë Politike dhe i bllokmenëve të asaj kohe. Kryeministri aktual nuk mund ta fshehë as nuk mund ta blejë të kaluarën e tij komuniste, pasi çdo ditë shqiptarët po mësojnë dhe do të mësojnë edhe më shumë për të kaluarën e tij tejet të errët dhe tepër të dyshimtë. Fatkeqësia është se Kryeministri kryekomunist ka uzurpuar të djathtën prej 22 vitesh, ka deformuar dhe bllokuar demokracinë dhe ekonominë e tregut, ka shkallmuar institucionet e pavarura kushtetuese, ka bllokuar energjitë e një kombi vetëm e vetëm për hir të interesave të tij personale, të oborrit që e rrethon dhe të mafies lindore që vjen nga komunizmi sllav. Kryeministri kryekomunist e konsideron partinë, shtetin, pushtetin, demokracinë, kombin si feudin e vet, me të cilin mund të bëjë ç’të dojë, ta dhunojë, ta shesë apo ta blejë sa herë të dojë, por gjykoj se këtij modeli po i vjen fundi. Parë në këtë këndvështrim, edhe dosjet e ish-persekutorëve të sistemit komunist apo ish-bashkëpunëtorëve të ish-Sigurimit të Shtetit nuk kanë për t’u hapur me këtë lidership, i cili është sot i rrethuar nga të katër anët nga ish-komunistët, nga pinjollët e bllokut dhe nga ish-bashkëpunëtorët e ish-Sigurimit të Shtetit.

    Kryeministri kryekomunist ka qenë dhe mbetet magneti thithës për ta, si dhe mburoja më e mirë për ta. Dosjet janë hapur një herë pjesërisht dhe dihen shumë gjëra, një ditë ato do të hapen plotësisht dhe do të mësohen të gjitha të vërtetat e sistemit komunist. Aty shqiptarët do të marrin vesh se kush na ka drejtuar gjatë 22 viteve të fundit, se përse kemi 22 vjet që endemi në një tranzicion pa fund, se përse mbetemi vendi i fundit në Europë, se përse edhe Serbia që e ka larë në gjak Ballkanin për rreth 10 vjet e mori statusin e vendit kandidat dhe ne refuzohemi për të tretin vit rresht, si dhe shumë e shumë të vërteta të tjera të hidhura.

    Në një intervistë për “Shqip”, ish-kreu i SHISH, Fatos Klosi, ka deklaruar se pjesa më e madhe e dosjeve janë zhdukur dhe në arkiva kanë ngelur ato që kanë qenë më të parëndësishme. Ç’mund të na thoni për këtë dhe a ekziston mundësia që dosjet me emra VIP të jenë të zhdukura përgjithmonë?

    Mund të jenë zhdukur një pjesë e dosjeve, por duhet të kemi parasysh se kanë qenë tre kopje për çdo dosje, dhe një kopje besoj se është ruajtur, në Shqipëri ose jashtë Shqipërisë. Përveç dosjeve është edhe regjistri themelor që ka informacionin e plotë të ish-bashkëpunëtorëve, emrat dhe pseudonimet e tyre. Pastaj edhe nëse janë zhdukur një pjesë e dosjeve emrat e bashkëpunëtorëve me pseudonimet përkatëse janë në dosjet e personave të tjerë, të cilët janë survejuar nga ish-Sigurimi i Shtetit. Kështu që do të thosha është e pamundur zhdukja e të gjitha gjurmëve të ish-bashkëpunëtorëve të ish-Sigurimit të Shtetit, pasi përveç informacioneve të drejtpërdrejta dhe dosjeve personale të ish-bashkëpunëtorëve, ekzistojnë edhe informacione të tërthorta që dalin nga kryqëzimi i dosjeve të tjera.

    Të përndjekurit sot po gjenden mes premtimeve të PD-së për përfundimin në kohë të dëmshpërblimit dhe PS-së që premton se kur të vijë në pushtet do të rrisë vëmendjen ndaj tyre. Cila mendoni se mund të jetë forca politike që mund t’i përfaqësojë sa më mirë interesat e kësaj shtrese në Shqipëri?

    Natyrisht që nuk ka një shenjë barazimi ndërmjet PD dhe PS, por që të dyja kishin 22 vjet kohë për të zgjidhur problemin e ish të persekutuarve politikë, por që të dyjave u ka munguar vullneti. Jam i bindur se partia e re do të jetë përfaqësuesja dhe mbrojtësja më e mirë e interesave të ish të përndjekurve politikë, pasi ata do të jenë pjesë integrale e saj.

    A do jenë pjesë e partisë së të djathtës së re shqiptare, dhe nëse po çfarë synon kjo parti të arrijë në skenën politike shqiptare?

    Patjetër që ish të përndjekurit politikë do të jenë pjesë e së djathtës së re, do të jenë pjesë integrale e saj, ndërkohë që për synimet dhe objektivat e partisë së re do të kemi kohë të flasim në ditët dhe javët në vazhdim, pasi do të kemi shumë punë përpara. Gjithçka do të bëhet e ditur në kohën e vet dhe kjo kohë po vjen.

    Komente: (6)

  • Diamondi bën një shënim në fund të shkrimit tim me titull “Udhëheqësit tanë pa kauzë, dhe adhurimi i njerëzve për ta”, dhe rreket t’më vendosë mua në një situatë të tillë: “Imagjinoni për një moment sikur t’ju duhej të bënit një udhëtim te gjate (le te themi nje xhiro rreth botes) dhe t’ju duhej te zgjidhnit  per bashkeudhetar midis Rames dhe Berishes. Me sinqeritet: kë do zgjidhnit midis tyre?”

    Kam qeshur kur e lexova. S’më kish shkuar mendja tek kjo gjë. Ka interes kjo? S’ka interes për asnjë. Por po të përgjigjem, megjithatë. Si me shaka. Dhe nuk di pse mendoj se ti mendon që e di përgjigjen që do të jap unë. Nuk mendon se unë do të zgjidhja Berishën? Mos më thuaj’ jo’! Kam përshtypjen se e ke bërë tënden atë legjendën metropolitane, që thotë se Berisha është interesant në biseda private e intime; ngaqë medemek ka lëçitur shumë. E vërteta është, se unë e njoh në të tilla rrethana. Dua të them se kam bërë me të nja dy biseda intime. Andej nga viti 1991. Konkluzioni? Po, mund të zgjidhja Berishën për atë udhëtim të nëmur. Kam për t’i thënë dhe ca gjëra, përveç të tjerash.

    Por një gjë: mos e beso atë legjendën metropolitane! Është legjendë që e kanë përhapur mehmetelezat.

    Komente: (1)

  • Lexuesi Adi-ny, në komentin që ka bërë në fund të shkrimit tim me titull ‘Twitteri gjetkë e twitterat “magjikë” të Ramës’, shkruan: “Ta quash Edi Ramen  qullac  dhe … të lavdërosh Sali Berishën dhe Lulzim Bashën si më të aftë në debate televizive, është më shumë se një hipokrizi për M. Nanon si antiberishian. Të thuash që Edi Rama nuk qullos gjë, kur mua (dhe jam i bindur, jo vetëm mua) më duket se veçon nga të gjithë të tjerët në debate TV … më fal, por mua më duket vërtet e pafytyrë nga ana juaj M. Nano. Apo ndoshta dhe ju bëni pjesë te ajo pjesë e shoqërisë që ngazëlleheni kur dëgjoni se ‘Shqipëria [është] kopësht me lule’? “

    Përgjigjja ime është e thjeshtë, dhe po e ndaj në disa pohime: 1. Adi-ny do kish bërë mirë, që ta kursente atë përcaktimin ‘i pafytyrë’ në adresën time; dhe bën mirë në përgjithësi të jetë një internaut më me edukatë; 2. Ajo pyetja e fundit që më bëhet mua vjen prej faktit që Adi-nyja i do të tjerët si veten, e tërbohet kur ata nuk janë si ai; dhe ky është tabiat talebani; 3. Adi-nyja bie në dashuri me udhëheqësit, ndërsa mua udhëheqësit, e fati i tyre, nuk më interesojnë; unë bie në dashuri me kauzat (dhe me grate, me që ra fjala); 4. Personalisht ka vite që nuk i ndjek intervistat televizive të politikanëve të rëndësishëm shqiptarë, dhe konsiderata ime është krijuar në kohët, kur i ndiqja tek-tuk këto intervista; 5. Kur them që Sali Berisha e Lulzim Basha janë më të zotë në pikëpamje televizive nuk duhet kuptuar sikur “mua më magjepsin”. Jo, unë – përsëris – nuk i ndjek. Nuk mund t’i ndjek. As ata, as Ramën (kam gjëra më të vlefshme për të bërë në këtë botë; mjaftohem t’i lexoj në gazeta të nesërmen si detyrë që më vjen nga “detyra” që mbuloj). Por njerëz që më rrethojnë i ndjekin dhe, ndonëse votojnë kundër Berishës e Bashës, më thonë se Berisha e Basha ia hedhin Ramës në pikëpamje televizive; 6. Ajo që them për aftësitë televizive të Berishës e Bashës nuk ka të bëjë me atë që ata thonë; është thjesht një gjykim i ftohtë, fare i ftohtë, që bazohet tek stili, ligjërimi, gjuha e trupit, etj, etj. Për Berlusconin kam menduar gjithë kohën se është një politikan i keq dhe i rrezikshëm, por ky fakt s’më ka penguar të pranoj se në pikëpmaje televizive ai ka qenë i ndjellës dhe pakonkurueshëm; në të njëjtën mënyrë se kam hiç të zorshme të them se fjalimet nëpër tubime Rama, krahasuar me të tjerët, i thur më mirë; 7. Më fyeni kur më veçoni si anti-berishian; më fyeni po aq sa dhe ca të tjerë që mendojnë kollaj-kollaj se “jam mbështetës i Edi Ramës”. Por ndoshta është dhe faji im, që s’kam mundur të tregoj se në qëndrimin tim ndaj Berishës nuk ka të bëjë fare ndonjë antipati apo maraz personal, por ka të bëjë hendeku i madh që më ndan me të në planin politik, kulturor, ideologjik, patriotik, moral, dhe se me Ramën kam veç një gjë të përbashkët: të dy duam të largojmë Berishën. Më shumë se sa kaq Rama nuk më intereson. E më vjen keq që kjo gjë s’është kuptuar. E më vjen inat që s’kam mundur e s’kam ditur ta nënvizoj faktin që s’kam asnjë kauzë të përbashkët me Ramën, veç kauzës për të rrëzuar këtë regjim që po sundon në mënyrë brutale e kriminale këtë vend.

  • Ne kemi vendosur që të mos kemi asnjë filtër për komentet e lexuesve, dhe nuk jemi penduar. Por kohët e fundit janë bërë si epidemi komentet vulgare, të cilat nuk bartin asnjë mesazh. Ne nuk e dimë se çfarë gjejnë të vlefshme e dobishme këta komentues në website-in tonë, por do donim që të jetonin me shqetësimin tonë për të ndërtuar një website, përveç të tjerash, jo vulgar.

    Një nga komplimentat që kemi marrë këto kohë ka qenë: lexuesit e respublica-s janë të një “soji të mirë”. Do donim ta merrnim në vijimësi këtë kompliment. Sepse ky ka qenë e është synimi ynë: të ndërtojmë një gazetë online për një pjesë qibare të shoqërisë.

    Komente: (22)

  • Ditët e fundit, një komentues i identifikuar me emrin Zeneli shkruan papushim komente ofenduese pas çdo shkrimi apo komenti te publikuar në këtë faqe. Duket se ai ia ka përkushtuar gjithë kohën e tij ofendimit të gazetarëve dhe lexuesve të Respublica-s. Pra, ai ose është një provokator i paguar, ose nuk ka gjë tjetër me se ta kalojë kohën. Meqenëse ne ndjekim politikën e mosfshirjes së komenteve, u sugjerojmë lexuesve tanë të rregullt që thjesht t’i injorojnë komentet e tipit “Zenel” – t’i lexosh ato është humbje kohe, jo më t’u përgjigjesh!

    Komente: (13)

  • Arbëreshi (ky është emri virtual i tij) bën një koment të zemëruar në fund të shkrimit ‘Ka plasur inarama-mania’; sipas tij, ne jemi bashkuar “me korin e sahanlëpirësve të klaneve të shitura mediatike,duke shkruar me terma gati denigruese për një personalitet si Ina Rama”. Në fakt, nuk dimë se ku i ka parë përpjekjet tona për ta denigruar Ina Ramën. Në shënimin tonë nuk kish asgjë denigruese; çdo gjë ishte shkruar me një neutralitet të kërkuar.

    Kur ne kemi nënvizuar feminilitetin e Ina Ramës, nuk e kemi bërë për ta kryqëzuar. Jo vetëm që s’është puna jonë të kryqëzojmë të tjerët për mënyrën se si janë, por përkundrazi, ne bëjmë çmos të ndeshemi me kryqtarë të tillë që në Shqipëri janë të shumtë, e na vjen keq që Arbëreshi s’paska kapur thelbin tonë. Nënvizimin në fjalë ne e kemi bërë së pari si një konstatim të thjeshtë, së dyti për t’i mëshuar idesë së fundit, dmth që në Shqipëri është e mundur të jesh edhe femër e bukur, edhe funksionare “me bole”.

    Komente: (4)

  • Një komentues që e ka quajtur veten anonim ka shkruajtur kështu poshtë shkrimit tim me titullin e mësipërm: “Z Zaloshnja, nuk besoj se mendon qe eshte e drejte te behet gjyq ne gazete apo televizion, dmth me shkrime analistesh apo kolumnistesh…. Eshte turp te shkruhet keshtu, ke qene dhe shume vjet ne Amerike...................

    Dhe më poshtë është përgjigjia ime për këtë komentues anonim:

    PIKËRISHT SEPSE KAM JETUAR PËR SHUME VJET NË AMERIKË, NUK MUND TË PRANOJ NJË FRASË, KU KOMANDANTI I GARDËS NDËRRON TYTËN E PISTOLETËS SË TIJ ME ATË TË SHOFERIT TË VET, PËR TË FSHEHUR AUTORIN E VRASJES SË FAIK MYRTAJT. DHE KY NUK ËSHTË KONKLUZIONI IM -- ËSHTË KONKLUZIONI I FBI-SË, SË CILËS I BESOJ MË SHUME SE STILOLAPSAVE-PISTOLETË TË BERISHËS. MEQËNESE AMBASADORI I SHTETIT KU UNË JAM NENSHTETAS KA VENË NJË BAST PUBLIK SE DREJTESIA DO TË VIHET NË VEND PËR VRASJET E 21 JANARIT, NUK DO T'IA FALJA QË AI TË BËHEJ PJESË E FARSËS.

    Komente: (2)