Akademikë dhe intelektualë*

Postuar në 30 Maj, 2016 14:11
Robert Kushe/Ish – Drejtor i Institutit të Fizikës Bërthamore (1994 – 1999)

 

 

PROBLEME (INTELEKTUALE OSE INTELEKTUALËSH

 

Kështu kemi mbërritur në pjesën më të vështirë, por edhe më të rëndësishme të çështjeve që po trajtojmë((...vijon nga numri i kaluar: http://www.respublica.al/2016/05/29/akademi-akademikë-dhe-probleme-intelektuale-ose-intelektualësh)). Vështirësia qëndron në krahasimin e nocionit “intelektual” dhe atributit “akademik”. A mund të quhesh intelektual nëqoftëse nuk je akademik? A je intelektual nëqoftëse të kanë zgjedhur akademik? Po nëqoftëse je akademik, a meriton të quhesh intelektual,  pavarësisht nga çdo gjë tjetër?

Ajo që e vështirëson edhe më shumë këtë punë është edhe fakti se jo të gjithë janë në një mendje rreth “çfarë do të thotë intelektual”.

Është edhe e rëndësishme, sepse në mendësinë popullore, që nuk shqetësohet shumë për përkufizime dhe saktësi terminologjike, “intelektual” dhe “akademik” perceptohen si sinonime, ose të paktën si të ndërkëmbyeshëm. Një gjë e tillë mund të krijojë konfuzion të panevojshëm që me kohë mund të bëhet i dëmshëm, sepse mund të shfrytëzohet për qëllime jo të mira që përcaktohen nga interesat e palëve debatuese (desh thashë ndërluftuese).

Unë nuk marr përsipër të analizoj nocionin “intelektual” e aq më pak të jap ndonjë përkufizim origjinal të këtij nocioni, thjesht po i referohem një fjalori të gjuhës shqipe on-line ku jepet ky përkufizim:

 

INTELEKTUAL m.

Ai që ka një përgatitje të veçantë në një fushë të shkencës, të teknikës, të kulturës e një formim të gjerë arsimor dhe merret kryesisht me punë mendore, njeri i punës mendore; në inteligjencia. Intelektualët popullorë (komunistë). Intelektual borgjez. Shtresa e intelektualëve.

 

Po ta marrësh të mirëqenë këtë përkufizim duhet më pas të sqarosh çfarë domethënë “përgatitje e veçantë“ dhe “formim i gjerë arsimor”. Besoj se vazhdimi i përkufizimit, edhe pse i vjetëruar, sqaron origjinën e marrëdhënies “dashuri-urrejtje” midis elitës politike komuniste dhe intelektualëve shqiptarë. Një pyetje që lind nga ky përkufizim është edhe: A nuk është kusht pasja e një formimi të gjerë arsimor për të arritur përgatitjen e veçantë në një fushë te shkencës...? Pra, a mos vallë futja e formimit të gjerë arsimor është i tepërt (redundant)?

Unë për vete ndihem më rehat me “përgatitjen e veçantë në një fushë...”, edhe pse mendoj se duhet përcaktuar më mirë se çfarë kupton konkretisht fjala “e veçantë“ në këtë kontekst. P.sh Diplomë Universitare, Masters, PhD, Profesorat, veprimtari e vërtetuar rezultative në fushën përkatëse, shkrim librash a monografish cilësore etj..

Në varësi të çfarë kupton fjala “e veçantë“ pason edhe numri i intelektualëve qe vërtiten brenda shoqërisë.  Sa më ulët të vendoset pragu aq më i lartë është edhe numri i intelektualëve sipas përkufizimit që kemi pranuar. Por numri i intelektualëve mund të rritet edhe duke rritur numrin e njerëzve që kapin e kalojnë pragun. Kështu, i bie që numri i intelektualëve në Shqipëri duhet të jetë rritur shumë që nga viti 2000 e këtej, duke pasur parasysh numrin e njerëzve që kanë pasur mundësi të arrijnë pragun e përgatitjes “së veçantë”, sado lart ta kemi vendosur atë.

Nuk di ç’të them lidhur me faktin që ka shumë intelektualë që mëtojnë se për të qenë intelektual duhet të shprehësh edhe militantizëm social dhe të kesh një profil publik që shpesh duhet të shërbejë si pikë referimi për të tjerët. Nuk e di, mbase edhe është kështu, po shyqyr që përkufizimi që ndesha nuk e përmban këtë aspekt dhe sepse më ardhka mirë.

Të vijmë tani tek “akademiku”. Në përfytyrimin tim “akademiku” detyrimisht duhet të zgjidhet nga mesi i bashkësisë së intelektualëve (nuk po dua të përdor termin “shtresa e intelektualëve” sepse më krijon asociacione jo shumë të këndshme), pra teorikisht nuk do të duhej të zgjidhej akademik dikush që nuk është intelektual. Por, ka një element në këtë proces që është subjektiv dhe i pamatshëm dhe që konsiston në faktin që, ose akademikët caktohen (si në rastin e krijimit te Asamblesë së parë së Akademisë të RPSSH), ose akademikët zgjidhen - votohen, mbasi Asambleja është krijuar dhe lind nevoja e plotësimit të saj me anëtarë të tjerë sipas koniukturave dhe/ose nevojave.

Le të supozojmë tani se gjithçka është zhvilluar në mënyrë ideale dhe kemi një bashkësi akademikësh që, të caktuar apo të zgjedhur, krijojnë Asamblenë. Meqë procesin e supozuam ideal i bie që në Asamble do të kemi ajkën e intelektualëve që përfaqësojnë fushat e ndryshme të shkencës, teknikës, artit, kulturës dhe kemi edhe ndonjë politikan, që megjithëse procesin e kemi quajtur ideal, ka mundur të futet në Asamble duke konsideruar librin e tij: “Si ta dredhësh kur armiku duket si mik dhe anasjelltas”, si kulmin e arritjeve në shkencat social-politike.

Populli punonjës, së shumti i paditur, lexon me kënaqësi gazetat letër dhe on-line, madje shkrihet edhe në komente të lumtura, që shprehin optimizmin e patundur për të ardhmen e ndritur të vendit tani që më në fund kemi Akademinë e ëndërruar plot e përplot me akademikë, intelektualë të shquar.

Kalojnë dy-tre javë dhe nuk ndryshon ndonjë gjë e madhe, korrupsioni në qiell, në dogana e tatime vidhet; po qe i zoti të gjesh ndonjë punë të përkohëshme apo të shesësh ndonjë kikirik gjëkundi, mirë, përndryshe edhe birra e kanoçes ka po atë shije që kishte para se të zgjidhej Asambleja e re e Akademisë. Le pastaj që ajo dreq reforme në drejtësi s’po ecën që s’po ecën dhe me gjithë përpjekjet titanike të vetë amabsadorëve intelektualë po bëhet një kohë e gjatë që po bëjmë në vend numëro.

Dhe tashti o burra, të gjejmë fajtorin...domosdo Akademia. Po ja mo, a nuk ka Asambleja ata dy juristët e shkëlqyer XY dhe MN? Çfarë kanë bërë ata që reforma në drejtësi të kryhet? Hë mo, çfarë kanë bërë? Profesori i Nderuar i Ekonomisë OP, laureuar edhe me Çmimin e Republikës përse nuk del të tregojë hapur dhe të shpjegojë mekanizmin e vjedhjes në dogana dhe të rekomandojë zgjidhje për këtë problem madhor? Profesori (Docent i Vjetër) i Kimisë Ushqimore VH, që ka edhe PhD nga Universiteti i Shkupit, përse nuk merr me vete nja dy policë bashkiakë dhe të shkojë për kontroll në fabrikën e birrës se na helmuan me atë lëng që na shesin?

Nejse, nuk po zgjatem se besoj e bëra të qartë idenë dhe mbase edhe e teprova pak.

Për ta thënë më seriozisht, popullit akoma nuk i ka dalë hashashi që i dha KQPPSH në vendimin e krijimit te Akademisë:

“…në bazë të nevojave të ekonomisë e të kulturës të shprehura në orientimet e Partisë e të shtetit në bazë të metodollogjisë marksiste-leniniste.”

dhe ende kujton se Akademia është atje që të zgjidhë të gjitha nevojat e ekonomisë dhe kulturës që ka i gjori popull.

Korrupsionin nuk e lufton dot Akademia, vjedhjet në dogana e në tatime nuk i zbulon dot Akademia, cilësinë e ushqimeve nuk e përmirëson dot Akademia; për të gjitha këto është Qeveria.

A do të bënte lazëm që në qeveri të kishte ca më shumë intelektualë, pra akademikë potencialë? Mbase po, por për këtë duhet t’i mbushet mendja atij, apo asaj, që populli i egërsuar kundër akademikëve që nuk  ua zgjidhin problemet e ekonomisë dhe të kulturës, e zgjedh çdo katër vjet që të drejtojë punët në këtë vend. Aq më tepër që kështu si vajtën punët në Shqipëri, Akademisë iu këput cikli jetësor me reforma, për të thënë pak, të pakuptimta, duke ia cenuar dhe pothuaj rrënuar, vazhdimësinë e veprimtarisë, që ndonëse jo e përsosur kishte filluar të kristalizohej si diçka pozitive, për të cilën po të lihej më shumë hapësirë sot e kësaj dite mund të kishim pasur një Akademi dinjitoze, që mbase pse jo, mund t’i jepte zgjidhje edhe shumë problemeve me rëndësi për vendin.

Megjithëse shpresoj ta kem bërë të qartë idenë që dëshiroj të kuptohet nga sa më shumë lexues, po jap një shembull konkret nga fusha ime e ekspertizës. Ka qenë viti 2008 kur kryeministri i atëhershëm hodhi idenë për ndërtimin e një Centrali Bërthamor në Shqipëri. Nuk më intereson, sidomos tani, koniuktura politike e kohës dhe a mund/duhet të kishte/ketë Shqipëria Central Bërthamor. Ajo që dua të diskutoj është se ky problem përbën një shembull tipik për të cilin Akademia e Shkencave, siç qe para reformimit, me Institutin e Fizikës Bërthamore, do të kishte dhënë një kontribut të padiskutueshëm.

Për mua është krejtësisht e paqartë se cila ishte mbështetja teknike (nuk flas për atë politike se ajo rezulton gjithnjë shumë e kollajshme për çdo kryeministër) që kishte Kryeministri nga brenda vendit, ashtu si ishte katandisur Akademia dhe Institutet e saj. Vetëm me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike të Vjenës, apo me shtete partnerë në projekt, pa pasur kundër-partinë vendase nuk besoj se projekti do të ishte zhvilluar normalisht edhe po të ishte nisur.

Duke i mbyllur këto shënime dëshiroj t’i uroj suksese çdo iniciative pozitive drejt përmirësimit të vazhdueshëm të Akademisë. Dëshiroj të mendoj se edhe një pemë, të cilës dikur ia prenë degët, nuk është tharë e me shpresë do të dijë të nxjerrë degë të reja edhe më të forta se të parat.

 

*Titulli i autorit:  "Akademi, akademikë dhe probleme (intelektuale ose intelektualësh)"

Comments

Submitted by illi (not verified) on

Mbyllja e shkrimit vjen ne kundershtim me ato qe autori, ne te shumten e rasteve me te drejte, ka paraqitur me siper ne shkrim. Akademise nuk ju prene deget, pasi ne kete rast metafora permbyllese do te qendronte. Akademise ju prene rrenjet, te cilat iu besuan ne nje pjese te rendesishme nje Lejfeni politik e ne pjesen tjeter fakulteteve kaotike per ti tkurrur deri aty ku s'mban me. Ne keto kushte eshte e rendesishme te shpetohet c'mund te shpetohet nga rrenjet, e jo nga Akademia

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.