Ia sqarova edhe William Burnsit pse erdhi në Ballkan
Në Kosovë ka nisur të zërë rrënjë sëmundja e vjetër e shqiptarëve të Shqipërisë se asgjë që ndodh kur vetë nuk je protagonist nuk është e mirë. Për ta ilustruar: kur në Shqipëri erdhi Xhorxh Bush, opozita e Edi Ramës nuk kishte se çfarë të thoshte, sidomos sepse vizita erdhi pas Gërdecit, por edhe sepse z. Rama kishte marrë ndryshimet kushtetuese. Por për ta prishur karadyzenin e Nuri Beut, u sajua historia e vjedhjes së orës në Fushë-Krujë, të cilën e përgënjeshtroi vetë ish-presidenti amerikan.
Në Kosovë ka qenë për vizitë shefi i CIA-s, Willim Burns. Kanë një javë që merren me të. A thua në Kosovë ishte Jezu Krishti apo Moisiu. Ka qenë një zyrtar i sigurisë që shkoi aty pasi ishte në Bosnje, Serbi. Të trija vende që paraqesin sfida sigurie, tendenca separatizmi, apo ndarjeje dhe destabilizimi. Kjo dihet, situata e tyre ka kohë që rreotullohet në vend dhe nuk ka ndonjë gjë të re. Siç mund të kuptohet, shefi i CIA-s ka përcjellë mesazhe direkte për të dhënë të kuptohet se lodrat kanë një kufi. Por nuk është fundi i historisë. Fundi i fundit shërbimet sekrete këtë punë kanë.
Mirëpo në Kosovë, po përpiqen të gjejnë një mënyrë për të thënë se Burns erdhi pikërisht për t’i ulur hundën Albin Kurtit që këtej e tutje do rrijë si pulë. A thua Albin Kurti ka kaq rëndësi! Aq e neveritshme është kjo lloj propaganda sa arrihet p.sh në kësi interpretimesh.
Është qesharake se si nuk kuptohet që vizita e Burns nuk përbën shenjë të mirë për Demokracinë institucionale dhe për fat të keq të gjithë janë dhe bëhen të lumtur kur e shohin shefin sekret të gjithëfuqishëm
Këtë e shkruan Baton Haxhiu, i cili p.sh mund të na iluminonte: kush përbën sfidë më të madhe për demokracinë institucionale, vizita e Burns, apo situata e krijuar në RTK nga një farë Adi Krasta? Meqë është i brendshëm për rajonin, z. Haxhiu diçka mund të na thotë. I cili në radhonjtë e shënimit të vet del aty ku edhe ka synimin: të nxjerrë sa më mirë Shqipërinë të cilën nuk e begenis kush.
Në këtë kontekst, vizita e drejtorit të CIA-s në Serbi, Bosnjë dhe Kosovë mund të interpretohet si një përpjekje për të menaxhuar pikat e nxehta në Ballkan, ku ndikimi i Rusisë dhe tendencat autokratike janë më të fuqishme.
Kurse, mosprania e Shqipërisë në këto takime mund të interpretohet si një sinjal se SHBA e sheh Tiranën si një vend relativisht të stabilizuar, që nuk paraqet rrezik të për destabilizim, dhe që nuk ka nevojë për ndërhyrje të drejtpërdrejtë nga shërbimet sekrete
vijon Haxhiu që mandej gjuan edhe penalltinë që i jep vetes:
Për të gjithë ata që mund ta quajnë edhe këtë vizitë një triumf të Kurtit, Vuçiçit dhe Dodikut, po shtoj se burime ne Washington treguan përse është shmangur Zagrebi nga turi i Burns dhe përgjigja është thelbi i këtij shkrimi: Sepse Kroacia nuk paraqet asnjë problem për zgjidhje në tryezën e Agjencisë së Inteligjencës Amerikane. Pikë
Po pse nuk kaloi edhe nga Mali i Zi Burns atëherë, ku krahu filo serb ka fituar terren? Pse nuk vizitoi edhe Maqedoninë e Veriut ku ka probleme dhe situata është e brishtë?
Siç shihet William Burns nuk ka vizituar vende që janë anëtare të NATO-s sepse ato janë në ombrellën e sigurisë së Aleancës, ndërkohë që të trija vendet në fjalë kanë potencialin e shpërbërjes për shkak të problemeve territoriale. Vizita e një shefi shërbimi është të konservojë staus quonë e jo të diktojë ndryshimin e politikave se nuk e ka atë kapacitet. Por ja që jetojmë në kohën kur zhurma ka më shumë vlerë sesa thelbi dhe ekuilibri i urrejtjes është ai që përcakton edhe logosin e shqipfoljes.
Mbetet vetëm që t’i niset një letër e hapur Burnsit e t’i shpjegohet pse ishte në Ballkan.
Comments
Per 18 000 euro ne muaj,
Per 18 000 euro ne muaj, kushdo shkruan cfare ti thuash. Mos u kapni me Batonin, e njeh detyren ai
Add new comment