Më mirë turbanin
Në kohën e sundimit osman, Greqia ishte e populluar nga sllavët, shqiptarët, vllehët, turqit dhe grekët. Greqinë antike e kërkon zor se e gjen. Në vend të saj dominojnë kaftani dhe shamia.
Hulumtuesi, koleksionuesi dhe piktori irlandez që rridhte nga një familje e pasur Edwart Dodwell, i cili ishte ndër të paktët hulumtues që në vitet 1801 dhe në 1805-1806 hyri deri në zemër të Greqisë antike, mbeti i zhgënjyer kur gjeti një botë komplet të huaj dhe irrituese për të: Athina mbizotërohej nga xhamitë, minaret.
Akropoli banohej nga ushtarë turq, zona e vjetër e qytetit gumëzhinte nga një pazar plot lëvizje, rrugët ishin plot me njerëz që mbanin veshur kostume piktoresko-orientale, ndërsa në Kullën e Erës "Horoligion", dervishët hidhnin vallet e tyre karakteristike. Si shumë të tjerë bashkëkohës të tij, Dodwell kërkonte dhe gjurmonte në rrënojat dhe objektet që ishin fshehur në nëntokë rrënjët e antikitetit helen duke mos ia arritur gjithmonë qëllimit, duke i dalë padashur gjithmonë dhe më shumë një Greqi osmane.
Mbi 400 piktura dhe akuarele hodhi mbi telajo Dodwell gjatë këtij udhëtimi së bashku me ndihmësin e tij, njëkohësisht dhe bashkëudhëtar, Simone Pomard, i cili kontribuoi në rreth 600 piktura të tjera. Vepra e Dodwell-it me përshkrimet e hulumtimeve të tij si "A classical and topographical tour throught Greece" të vitit 1819 u bë një vepër që në tërësi dhe saktësi një të dytë nuk mund të gjeje. Kjo vepër u mor në dorë me entuziazëm nga lexuesit e asaj kohe duke u shfletuar dhe nga vetë poeti dhe këshilltari i Dukës në Dukatin Saksoni-Veimar-Eisenah, Johann Wolfgang von Goethe.
Në kohën kur Dodwell përshkoi gadishullin e Peloponezit, Greqia kishte mbi vete 350 vjet sundim osman. Dyndja e rrufeshme e trupave osmane nga Anadolli perëndimor drejt vendeve të Ballkanit si dhe Greqisë solli gradualisht me vete dhe sistemin detyrues të pagesave të tributeve dhe taksave.
Me rënien e Perandorisë Bizantine në vitin 1453 Sulltan Mehmeti II merr tashmë nën sundim të plotë hapësirat e Perandorisë së lodhur Bizantine dhe bashkë me të Greqia bëhet pjesë e Perandorisë Osmane duke u ndarë në tetë provinca.
Në qendrat administrative lokale të këtyre provincave u vendosën guvernatorë të emëruar nga vetë Sulltani. Vendasit u adoptuan shpejt me këtë regjim të ri. Para pushtimit osman nuk mund të thuhej se kishin patur jetë më të mirë, përkundrazi popullsia vendase kishte patur kujtime të hidhura nga kryqëzatat perëndimore në hapësirat e Egjeut dhe jo vetëm në lidhje me pagesat detyrimeve dhe taksave, por dhe me sjelljet arrogante kundrejt kishës ortodokse. Zotërinjtë feudalë të ardhur nga perëndimi i Europës ishin të besimit katolik, kur shtresat e ulëta ishin të besimit ortodoks. Qysh prej vitit 1054, krishterimi lindor ishte ndarë prej kishës romake dhe nuk njihte autoritetin e Papës si udhëheqes i Krishtërimit.
Gjithnjë dhe më tepër kishin marrë përhapje zërat se epiteti '"heretik" ishte më i përshtatshëm për katolikët e kishës romake se sa për myslimanët. Pra, turbani është më i pranueshëm! Besimi ortodoks në shoqëritë heterogjene vepronte si ruajtës identiteti që ndoshta vlente për të gjitha përkatësitë etnike, kulturore dhe gjuhësore.
Sulltani, këtyre shtresave të reja etniko-fetare nuk u hodhi në qafë vargonj të rëndë nënshtrimi dhe, i ndikuar ndoshta nga elitat paraardhëse, u la atyre dorë të lirë në fushat e tregtisë dhe administratës duke u vendosur taksa relativisht të pranueshme. Kështu pra, u krijua një masë e gjerë përfituesish prej sundimit osman. Mbi të gjitha, përfituesja më e madhe ishte Kisha Ortodokse.
Patriarkana kishte rezidencën e saj në Stamboll dhe nën tolerimin e Sulltanit vepronte dhe udhëzonte strukturat e saj jo vetëm brenda kornizave fetare, por dhe në fushat administrative dhe me botën e jashtme. Nëpërmjet tyre, kisha ortodokse kishte fituar pushtet të jashtëzakonshëm.
Patriarku ishte hierarku më i lartë i kishës ortodoke, ai gezonte privilegje të mëdha, nga ana tjetër ai ia shpërblente Sulltanit me derdhjen e taksave në arkën e tij, taksa të mbledhura nga shtresat e besimit ortodoks.
Në këtë mënyrë, kisha ortodokse e gjeti veten ekonomikisht në një ngritje të shpejtë. Republika e murgjërve në malin Atos i zgjeroi mirë kufijtë e saj. Ikonostaset patën rritje të madhe në numër. Megjithë vështirësitë e fillimit u ngritën kisha dhe manastire të reja. Peshkopët dhe dhjakët morën toka dhe çifligje në sipërfaqe të mëdha. Po ashtu, familjet oligarke, që plot fantazi nxorrën lidhjet e tyre nga trungu farefisnor, rrënjët e një të kaluare të fisme të kohës bizantine, hapën kancelari përkthimesh dhe kapën pozicione të larta në diplomaci.
Nga Fanari, si pjesa më e fisme e Stambollit mori udhë titulli i lartë shtetëror dhe zyrtar, "fanariot“, një pjesë e tyre u emëruan guvernatorë në provincat sulltanore Moldavi dhe Rumani (Vllahi). Ata bënë pasuri përrallore.
Herë pas here flirtonin dhe me carët rusë, por privilegjet që kishin siguruar nën pushtetin e Sulltanit merrnin vlerë më të madhe se çdo joshje tjetër. Në nivelet lokale nga radhët e shtresave të besimit ortodoks ishin ata që quheshin "Koçobashë“ që si administratorë pasurish të feudalëve myslimanë bënin punën e mbledhësve të tatimeve dhe qirave. Koçobashët ose paria e krahinave, me funksionet që morën, krijuan pasuri pafund në kurriz të masave të gjera.
Për "ruajtjen e rendit", ata mbanin me vete truprojat e tyre, që nuk ishin gjë tjetër veçse kaçakë të armatosur dhe të regjur në grabitje dhe vrasje. Koçobashët kishin krijuar klientelën e tyre që e mbronin dhe e siguronin me besnikëri, ata diktonin jetën në zonat fshatare duke marrë dhe atribute shoqërore në ceremoni pagëzimesh, në fejesa dhe martesa, ata jepnin gjithashtu hua dhe kredi duke e mbajtur pushtetin e fituar si bosët e mafies në kohët e sotme. Po ashtu, edhe shitësit dhe tregtarët do të nxirrnin përfitimet e tyre.
Anijet tregtare nga portet e ishujve grekë do të dominonin në shek. XVIII tregtinë me Perandorinë Ruse. Me lejet e Sulltanit, ata do të kalonin lehtësisht ngushticën e Bosforit. Prapa nuk do të mbeteshin dhe kolegët e tyre në Thelasi, Epir dhe Maqedoni, të cilët do të përdornin rrugët tokësore nëpër Ballkan deri në kufijtë e Perandorisë së Habsburgëve. Kudo u ngritën zyra dhe përfaqësi tregtare që çuan deri në ngritjen e shoqërive të huaja. Paria e fisme tregtare tanimë ishte në gjendje të njihte kulturën moderne europiano-perëndimore. Ata iu kthyen përsëri epokës antike të Greqisë së lashtë duke u hapur njëkohësisht edhe ndaj iluminizmit europian, që binte komplet ndesh me qëndrimin e ngurtë të kishës ortodokse.
Studiuesit grekë që merreshin me gjeografi dhe historinë e Greqisë së lashtë u përpoqën të risillnin në kujtesën kombëtare historinë glorioze të kohëve e antike, por ata bëheshin gjithnjë dhe më të rrallë në numër. Perandoria Osmane që ishte tashmë në proceset e saj të kalbëzimit që sa vinin dhe përparonin më tej, shfaqej në krahasim me të kaluarën helenike plot shkëlqim, tepër e prapambetur dhe despotike.
Faktikisht, Porta e Lartë duke ndier se kishte hyrë në rrugën e degradimit, kishte interes t`u jepte fuqi atyre grupeve që i sillnin akoma përfitime financiare nga mbledhja e detyrimeve tatimore, taksave dhe përfitimeve që dilnin nga shfrytëzimi i egër ndaj masave fshatare. Në shumë krahina sundonte dhuna, korrupsioni dhe banditizmi. Duhet thënë se, pikat e refererimit tek helenizmi për të synuar një Greqi moderne, ishin bërë tepër të kushtëzuara. Si pjesa intelektuale greke, ashtu dhe udhëtarët europianë që kaluan dhe hulumtuan në ato rajone, ranë viktima të një bote irreale.
Helenizmi ishte bërë pothuaj inekzistent, në vend të dhisë dhe luanit si simbole të një kulture plot shkëlqim, ata u ndeshën me një krijesë të çuditshme, simbol i një kryqëzimi gjenetik i tre llojeve të kafshëve, me emrin kimere (kafshë nga mitologjia greke me nje kokë luani, nga mesi i trupit shfaqet një kokë dhie dhe në bisht koka e një gjarpëri ose kuçedre).
Pra, përveç mermerit dhe gurëve të latuar nga Greqia antike nuk kishte mbetur gjë tjetër. Të krishterët ortodoksë e kishin tmerr nëse ato do t'i quaje "helenë“, fjala "helen“ ishte per ta sinonim i "paganizmit“.
Në këtë kontekst, këtij shkrimi i përshaten aq bukur vargjet e Johann Wolfgang von Goethe të marra nga poema e tij "Efigjenia në Tauridë“, ku Efigjenia në monologun e saj në breg të detit "ndjente aq mall për vendin e saj, vendin e grekërve, duke e kërkuar atë me shpirt dhe zemër“ për ta gjetur diku dhe për t`u çmallur me të, ashtu siç e kërkonte dhe gjurmonte tërë elita intelektuale e Europës së asaj kohe Greqinë antike. Por antikiteti i lashtë grek nuk mund të gjendej më, ai ishte zhdukur prej kohësh.
Marrë nga e përmuajshmja "G-Geschichte“ Menschen, Ereignise, Epochen“, numri i korrikut 2024, faqe 23-2me titull: „Lieber den Turban“. (Më mirë turbanin)
Përshtatur nga gjermanishtja: Adrian Stefi
Comments
Thuhet qe kete shprehje
Thuhet qe kete shprehje mendonin ne ditet e fundit ne kostandinopoje, perpara se ta mirrte Mehmeti
Add new comment